Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

I vëllai le të vëllanë, hidhet më tjetër anë

Irani dhe Arabia Saudite (dhe Jemeni mes dy zjarreve)

1. Hyrje

“I vëllai le të vëllanë, hidhetë më tjetër anë”. Këto janë dy vargje të shkoqitura prej këngës V të veprës së njohur të Naim Frashërit, poemës së gjatë “Qerbelaja”, ku poeti bektashi shqiptar përshkruan ndarjen që pasoi nga lufta mes dy kalifëve myslimanë, Aliut dhe Muavijut. Tek kjo ndarje, dhe tek konflikti mes bijve të tyre, Hasanit e Hysenit, bijve të Aliut dhe Jezidit, të birit të Muavijut, zë fill edhe ndarja mes besimtarëve islamë, ndarja tek umeti (komuniteti global) myslimanë – në sunitë dhe shiitë. Kjo ndarje, edhe sot përshkon historinë moderne të Lindjes së Mesme. Në shekullin XX e tutje, kjo ndarje sektare ka influencuar edhe ndarjet politike mes myslimanëve, që ka marrë shprehje sidomos me lindjen e shteteve në Lindjen e Mesme gjatë shekujve XIX e XX.

Nga gjysma e dytë e shekullit XX e tutje, e posaçërisht në shekullin XXI, kjo ndarje sektare ka marrë përmasa të konfliktit politik shtetëror, mes Iranit shiit dhe Arabisë Saudite sunite. Kjo “luftë e ftohtë” mes dy shteteve, viteve të fundit, në episode të caktuara, ka marrë përmasa edhe të konfliktit të hapur, ndonëse asnjëherë të drejtpërdrejtë kundër njëra-tjetrës.

Pas Libanit, Palestinës, Afganistanit, Irakut, Bahrejnit e Sirisë, Jemeni është arena e radhës ku përlasen ndarjet sektare shia-suni dhe posaçërisht forma politike etatiste e tyre, konkurrenca gjeopolitike ndërmjet Iranit dhe Arabisë Saudite.

Ky syzim analitik rend të shpjegojë këto përplasje gjeopolitike mes dy vendeve, duke marrë shembullin e Luftës Civile të krejtvonshme të Jemenit si miniaturë e teatrit të madh gjeostrategjik ku zhvillohet përplasja iraniano-saudite.

2. Ndarja dhe tensionet sektare

Prejardhja e ndasisë shia-suni daton që në vitin 632, vitin e vdekjes së profetit Muhamed. Ndarja në thelb ndodhi në lidhje me kalifin (mëkëmbësin) i cili do ta pasonte profetin tanimë të vdekur. Kur’ani është libri i shenjtë për të dy sektet, por mospajtime ka rreth interpretimit dhe selektimit të haditheve, mësimeve nga jeta e profetit. 90-96% e myslimanëve (disa burime japin shifrën 85%) besohet të jenë sunitë, gjersa 5-10% shiitë. Shumica e shteteve me shumicë myslimane në botë janë sunitë, përjashto Iranin, Irakun, Bahrejnin dhe Azerbajxhanin, kurse Libani e Jemeni kanë përqindje të përafërsisht të njëjtë mes dy sekteve.

Shumica e besimtarëve shiitë i takojnë degës së dymbëdhjetë-imamive, që i referohen dymbëdhjetë imamëve – pasuesve të Muhamedit dhe Mehdiut, si imami i dymbëdhjetë që do të ringjallet në Tokë për ta vendosur tërësisht besimin islam, vetëm pak kohë para ditës së gjykimit (kiametit). Por, shiitët kanë edhe ndarje të tjera brenda vetes. Ata ndahen varësisht prej numrit të imamëve që pranohen: dymbëdhjetë imamitë apo shiizmi dymbëdhjetësh, shiizmi shtatësh (Ismailitë) dhe shiizmi pesësh (Zaiditë). Dymbëdhjetëshit janë shumicë dhe jetojnë kryesisht në Iran, Irak, Turqi, Liban, shtetet e Gjirit Persik, etj. Ismailitë kryesisht gjenden në Indi, Pakistan e Afrikë Lindore, zaiditë në Jemen, por ka edhe alevi në Siri dhe druzë ne Egjipt (këto dy të fundit janë sekte heterodokse dhe jashtë trupit të Islamit shiit). Në anën tjetër, sunizmi ka katër shkolla të mëdha juridike (fiqh) të ngritura që në shekullin IX (hanefi, hanbali, maliki, shafi) që dallojnë nga njëra-tjetra në qasjen metodologjike dhe në disa rregulla specifike në interpretimin e ligjit islam. Hanefitë shtrihen kryesisht në Evropë, Turqi, Egjipt, Jordani dhe Azi të Mesme e Jugore. Hanbalitë shtrihen kryesisht në Arabinë Saudite e Emiratet e Bashkuara Arabe. Malikitë në Afrikën Veriore e Qendrore dhe në Kuvajt, kurse Shafitë në Indonezi, Malajzi, Jemen dhe Afrikën Lindore. Sunitët ndjekin rashidunët apo katër kalifët e drejtë dhe të drejtudhëzuar që udhëhoqën pas profetit Muhamed: Ebu Bekrin, Omarin, Uthmanin dhe Aliun. Shiitët njohin meritat e tre të parëve, por këmbëngulin se e drejta e trashëgimit i takon vetëm Ehli Bejtit, familjes së profetit. Kështu, shiat e përkrahin Imamatin, pasuesit familjarë, kurse sunitët Kalifatin (hilafetin), pasuesit e zgjedhur.

Shteti me popullsinë më të madhe sunite në botë është Indonezia, kurse me popullsinë më të madhe shiite është Irani. Pakistani është vendi i dytë në botë për popullsinë më të madhe edhe sunite edhe shiite.

Çarja sektare kështu ndodhi rreth kontestit se kush do ta pasonte profetin si kalif i umetit, i komunitetit botëror mysliman. Sunitët besojnë se atë pozitë e meritonte Ebu Bekri, i ati i Ajshes, gruas së Muhamedit dhe se kjo metodë – Shura – e përzgjedhjes së prijësve ishte e duhura dhe se kishte bazë kuranore, duke u bazuar në disa ajete të Kur’anit dhe në disa hadithe. Anaprapthi, shiat besojnë se Muhamedi e kishte paracaktuar si pasues të tij djalin e axhës dhe dhëndrrin e tij, Aliun, Ali Ibn Talibin, babain e nipave të tij – Hasanit dhe Hysenit. Përcaktimin për Aliun, thonë shiitët, profeti e bëri në përputhje me vullnetin e zotit. Aliu ishte i martuar me Fatimen, të bijën e profetit. Shiitët, pretendimin e tyre mbi përcaktimin e Aliut si pasues të profetit nga vetë ai e bazojnë në hadithin e Gadir Humit, të njohur si hadithi Thekalejn apo “hadithi i dy amaneteve të çmueshme”. Tek liqeni i Gadir Humit, në vitin e dhjetë të hixhrit, hadithi thotë se Muhamedi u la amanet umetit Kur’anin si libër të zotit dhe Aliun si pasues të tij, si Ehli Bejt (familja e profetit). Fakti që Aliu s’u zgjodh kalif dhe emir, nga shiitët cilësohet si tradhti ndaj profetit, familjes së tij dhe amanetit të tij të Thekalejnit. Ndërkohë që vetë Aliu, bashkë me familjarët e Muhamedit, po e varrosnin xhenazen e profetit, Ebu Bekri, Omari dhe shumica e sahabëve (shokëve e shoqëruesve të profetit) u mblodhën dhe e zgjodhën Ebu Bekrin si kalif. Në fakt, duhet cekur, se vetë Aliu, për hir të unitetit, nuk e kundërshtoi zgjedhjen e Ebu Bekrit si kalif dhe i shërbeu me besnikëri edhe atij edhe kalifëve pasues.

Kësisoj, vetë fjala shia do të thotë pasues – shi’atu ‘Ali, pasuesit e Aliut. Kurse, fjala suni do të thotë në përkthim të lirë praktikues të traditës së profetit – ahl al-sunnah.

Sunitët dhe shiitët ndahen në shumë pika: mbi ardhjen e Mehdiut, mbi vërtetësinë e disa haditheve, mbi sheriatin e ixhtihadin, respektin e adhurimin ndaj imamëve të vdekur, praktikave e ritualeve fetare (rënies në sexhde gjatë faljes, mutakut – martesave të përkohshme, hixhabit, festimit të Ashures, përtëritjen e dytëshimin e emrave të shokëve të Aliut apo të kalifëve, etj.), shtyllave bazike të fesë (shiat, pos pesë shtyllave bazë, që i kanë edhe sunitët, kanë edhe Usul al-Dinin dhe Furu al-Dinin), etj.

Ngjarje kyçe nga e kaluara që shenjojnë dallimin suni-shia, pos përplasjeve rreth halifit, janë edhe beteja e Sifinit (kur në luftë kundër Muavijut, në vitin 661 Aliu u vra nga havarixhët, të cilët e akuzuan për armëpushimin e negociatat me Muavijun) dhe beteja e Qerbelasë, kur më 680 u vra imam Hyseni, i biri i Aliut, në luftën kundër kalifit amajad, Jezitit I, birit të Muavijut, kalifit që erdhi pas vrasjes së Aliut. Lufta civile e viteve 656-661 mes Aliut e Muavijut njihet si Lufta e parë Civile apo Fitnja e Parë, gjersa lufta e viteve 680-692 (që nisi mes Jezitit dhe Hysenit) njihet si Fitna e dytë. Një prej studiuesve më serioz të Islamit dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Xhon Esposito vlerëson rebelimin e imam Hysenit si ngjarjen që çoi në ndarjen përfundimtare të komunitetit mysliman në dy pjesët më të rëndësishme të tij – në sunitë dhe shiitë (John L. Esposito, Islam – The Straight Path. New York: Oxford University Press, 1991. p. 45).

Ndonëse sot Irani njihet si fortesa e shiizmit, në fakt shiizmi s’arriti në Persi gjer në shek. XV dhe vetëm gjatë dinastisë safavide në shek. XVI shiizmi u bë fe zyrtare e Persisë. Gjer në shek. XVII, akoma nuk ishin bërë shiitë shumica e iranianëve. Siç potencon Sejid Husein Nasri, filozof iranian, tek libri i tij “Sunnizmi dhe Shi’izmi” , gjatë shekujve IX-X, bastioni i shiizmit ishte në vende të sotme sunite, në Siri dhe Afrikën Veriore, gjersa Horasani, qytet i sotëm iranian shiit, asokohe qe bastion sunit. Oliver Roj, një studiues i shquar i Islamit dhe sekularizmit, pretendon se realisht s’ka pasur çarje mes sunitëve dhe shiitëve gjer në shekullin XX, veçanërisht gjer në Revolucionin Islamik të vitit 1979 të ajatollahëve shiitë të Iranit. Kurse, një studiues tjetër i shquar dhe autor i disa librave mbi Persinë dhe Islamin, Uerllemani, vlerëson se ndarja shia-sunni është projeksion politik modern, që zuri fill me këto katër ngjarje historike të shekullit XX: 1. shpërbërja e Perandorisë Osmane, 2. zbulimi i naftës në rajon në vitet ’20, 3. krijimi i shtetit të Izraelit më 1948 dhe 4. puçi i përkrahur nga CIA për rrëzimin e presidentit të zgjedhur të Iranit, Mosadekut, më 1953 .

Ajo që është e rëndësishme, përkundër dallimeve politike dhe mospajtimeve në besim, sunizmi dhe shiizmi nuk duhet parë si revoltë ndaj drejtbesimit të rrënjosur, prandaj s’kanë krahasim me lëvizjet reformatore në krishtërim apo judaizëm. Shiizmi dhe sunizmi duhen parë si vetë pjesët integrale të një drejtbesimi islam, si dy interpretime besimplota të shpalljes islame. Për sa kohë që nuk kemi devijime nga parimet bazike – thotë Sejid Husein Nasri – nuk kemi të bëjmë me çarje, por unitet mbi zbatime të ndryshme të shtyllave të njëjta të besimit islam. Ai thotë se uniteti nuk shkatërrohet nga zbatimet e ndryshme, por nga shkatërrimi i parimeve.

Megjithatë, pas Revolucionit Islamik në Iran e tutje, ndarja sektare është politizuar dhe ka marrë pamjen e rivalitetit shtetëror Iran-Arabi Saudite.

3. Historiku i marrëdhënieve politike Iran-Arabi Saudite

Marrëdhëniet Iran-Arabi Saudite kanë qenë historikisht të nyjëtuara mbi mospajtime fetare, gjeopolitike e gjeoekonomike. Arabia Saudite është monarki sunite e shkollës konservatore të vehabive me lidhje historike me ShBA-të dhe Mbretërinë e Bashkuar, kurse Irani është republikë islamike me shumicë shiite, e ngritur mbi revolucionin antiperëndimor të 1979-shit.

Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve u përkeqësuan pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, kur imamët iranianë akuzuan monarkinë saudite si agjente të imperializmit amerikan. Arabia Saudite e akuzoi Iranin që po tenton ta shpërndajë shiizmin dhe ta eksportojë revolucionin islamik. Programi bërthamor iranian vetëm sa e ka shtuar më tepër paranojën dhe kritikën saudite ndaj Iranit. Po ashtu ngjarje të vogla historike vetëm sa i kanë stërtensionuar këto marrëdhënie: interferimi iranian në Irakun e pas-Sadamit përmes popullatës shiite në Irak, tentim-vrasja e ambasadorit saudit në Uashington dhe Lufta Civile në Liban, Palestinë, Siri, e së fundi edhe në Jemen.

Periudha kohore mes Luftës së Gjirit më 1991 dhe Luftës Civile në Siri më 2011 është karakterizuar nga një lloj ngrohje e marrëdhënieve bilaterale, madje më 2007, presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad vizitoi Riadin, ku u prit nga vetë mbreti Abdullah, duke iu drejtuar njëri-shoqit si “dy popuj vëllezër”.

Arabia Saudite dhe Irani vendosën marrëdhënie diplomatike më 1929 përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje të miqësisë reciproke. Praprakisht, më 1925, sauditët pushtuan Hexhazin, duke vënë nën kontrollin e vehabive dy vendet e shenjta të Mekës dhe Medinës. Asokohe, shah Reza Pahlavi (babai i shahut Mohamed Reza Pahlavi) shërbeu si negociator mes Ibn Saudit (themeluesit të dinastisë saudite dhe Arabisë Saudite) dhe mbretit Ali, sherifit të Hexhazit (Aliu ishte i fisit sunit hashemit që janë pasardhës i familjes së Muhamedit. Vetë ai ishte mbret i Hexhazit, të cilin post e trashëgoi nga i ati, Hyseni. Vëllai tij i dytë Abdullahu u bë mbret i Jordanisë dhe pasardhësit e tij edhe sot sundojnë Jordaninë, kurse vëllai i vogël, Faisali u bë mbret i Irakut dhe pasardhësit e tij sunduan Irakun gjer më 1958, kur u rrëzua monarkia.) Pasiqë Ibn Saudi mposhti mbretin hashemit të Hexhazit, Aliun, sauditët vunë në kontroll dy vendet e shenjta dhe kësisoj, pas marrjes së tyre, Ibn Saudi e ftoi për vizitë shahun Reza Pahlavi, për t’ia dëshmuar sesi vendet e shenjta po mbroheshin prej vehabive.

Edhepse dy kombet, iranianët shiitë dhe arabët sunitë, kanë qendra të rëndësishme fetare në territorin e njëri-tjetrit – ku sunitët vizitojnë qendrat e tyre shpirtërore në Iran dhe shiitët ato në Arabi – pelegrinazhi i haxhit shpeshherë ka qenë mollë sherri mes dy vendeve. Raste të ndryshme – posaçërisht të keqtrajtimit të pelegrinëve iranianë nga autoritetet saudite – kanë tensionuar shumë shpesh marrëdhëniet ndërjmet dy shteteve, sa që, shumë herë, para e pas revolucionit iranian, ajatollahët shiitë bënin thirrje që të mos vizitohej Arabia Saudite për haxhillëk.

Kështu, gjer në gjysmën e dytë të viteve ’60, mes dy vendeve ngelën të ftohta marrëdhëniet për shkak të diferencave sektare, por sidomos për shkak të qasjes moderniste të shahut dhe njohjes nga ana e tij të shtetësisë së Izraelit.

Më 1966, mbreti i Arabisë Saudite, plaku Fajsal vizitoi Iranin duke shprehur gatishmërinë për forcimin e marrëdhënieve fqinjësore. Pastaj, edhe shahu i Iranit, Mohamed Reza Pahlavi vizitoi Arabinë Saudite, ku u zgjodhën mospajtimet me Emiratet e Bashkuara Arabe (E.B.A) dhe Arabinë Saudite rreth tre ishujve diskutabil në Gjirin Persik dhe ngushticën e Hormuzit. Më 1968 u nënshkrua marrëveshja e demarkacionit që i kalonte Iranit tre ishujt e pretenduar të Tunbit të Madh e të Vogël dhe Abu Musën.

Kështu, periudha mes viteve 1969 dhe 1979 përbën epokën e artë të marrëdhënieve bilaterale. Shah Pahlavi vazhdimisht përkrahu mbretin Fajsal në përpjekjet e tij rreth solidaritetit panislamik dhe themelimit të Organizatës së Konferencës Islamike (OKI-së). Në fund të viteve ’60 dhe fillim të viteve ’70, Britania e Madhe shënoi tërheqjen përfundimtare nga Gjiri Persik, me ç’rast Irani dhe Arabia Saudite fituan statusin e vendeve lidere në rajon. Madje, presidenti amerikan Nikson do ta quante politikën amerikane në Lindje të Mesme, “politikë të dy shtyllave”, duke aluduar në Iranin dhe Arabinë Saudite.

Shahu i Iranit, i njohur për qasjen e tij modernizuese dhe properëndimore, në fund të viteve ’60 bëri përpjekje maksimale për ta këshilluar edhe mbretin saudit që ta shpinte vendin e tij drejt modernitetit dhe Perëndimit. Ish-ambasadori saudit në ShBA, princi Bandar bin Sultan tregonte një rast të tillë, kur shah Mohamed Reza Pahlavi i shkruante mbretit Fajsal: “Të lutem, vëllai im, modernizohu. Hape vendin tënd. Bëj shkollat të përbashkëta për djem dhe vajza. Lejoj minifundet për gratë. Lejoj diskot. Bëhu modern. Përndryshe, s’mund të të garantoj se do ta kesh gjatë në fron.” Në letrën e përgjegjies, mbreti Fajsal i shkroi: “Lartmadhëria juaj, e çmoj këshillën tuaj. Më lejoni t’jua kujtoj që ju nuk jeni shahu i Francës. Ti nuk jeton në Elizé. Ti jeton në Iran. Popullsia juaj është 90% myslimane. Ju lutem, mos e harroni këtë!” .

Jo vetëm modernizimi i tepërt i Iranit i pengonte asokohe Arabisë Saudite. Më 1971, Irani aneksoi njëanshëm tre ishujt diskutabil të Gjirit, duke acaruar kështu marrëdhëniet me E.B.A.-të, aleaten e ngushtë saudite. Shtimi i armatimeve dhe shpenzimet ushtarake të shahut nuk mbetën pa u vënë re prej sauditëve si kërcënim ndaj paqes në rajon, sidomos në Irak e Bahrejn, vende këto me shumicë shiite. Prapseprap, përsëris, asnjëherë në histori, marrëdhëniet e dyanshme Iran-Arabi Saudie nuk kanë qenë më të afërta sesa në vitet 1968-1979.

Në shkurt 1979 ndodhi revolucioni teokratik në Iran. Me rrëzimin e shahut dhe ardhjen e ajatollah Ruhollah Homejnit në pushtet, Irani haptazi e sulmoi Arabinë Saudite, edhepse mbreti i ri saudit, Haliti, menjëherë i pati dërguar telegram urimi prijësit të ri iranian, duke cekur “solidaritetin islamik” mes dy vendeve. Menjëherë, klerikët shiit e quajtën Arabinë Saudite si vend të korruptuar, diktatorial dhe si marionetë e amerikanëve.

Kështu, teksa Niksoni tek Irani e Arabia Saudite shihte “shtyllat dyshe” të stabilitetit rajonal, pas revolucionit të 1979-s, Regani u mundua që Iranin ta zëvendësonte me Irakun, kurse administrata e Klintonit, gjatë viteve ’90, “shtyllën dyshe” e zëvendësoi me “kontrollin e dyanshëm”, duke iu referuar Irakut dhe Iranit.

Lufta Iran-Irak (1980-1988) vetëm sa i rëndoi këto marrëdhënie politike, por edhe marrëdhniet ndërsektare. Arabia Saudite dhe shtetet e Gjirit e përkrahën regjimin bathist të liderit sunit të Irakut, Sadam Huseinit. Arabia Saudite i ndihmoi Sadamit me 25 miliardë dollarë amerikanë. Situata u rëndua kur më 1987-1988, gjatë të ashtuquajturës “luftë e tankerëve”, Flota Detare dhe Ajrore iraniane sulmoi caqet detare saudite e kuvajtiane në portet e Gjirit Persik. Në Mekë, gjatë haxhit të vitit 1987, pelegrinët iranianë u përleshën me forcat saudite të sigurisë, ku mbetën të vrarë rreth 400 persona. Si pasojë, në Tehran shpërthyen demostrata popullore antisaudite dhe u sulmua Ambasada Saudite, me ç’rast vdiç një diplomat saudit. Si reagim, më 1988 Arabia Saudite ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe i ndaloi vizat e haxhillëkut për qytetarët iranianë. Marrëdhëniet dhe regjimi i vizave u rregulluan më 1991, gjatë Luftës së Kuvajtit, kur edhe Arabia Saudite, sikurse Irani, dënoi invadimin e Kuvajtit prej Irakut të Sadamit. Në prill 1991, ministri i jashtëm iranian, Ali Akbar Velajeti vizitoi Iranin.

Në vijim, marrëdhëniet mes dy vendeve mbetën stabile, ndonëse më 1993, për shpërthimin me bombë në bazën ushtarake amerikane në Dahran të Arabisë Saudite u fajësua Irani. Për më tepër, më 1997, princi i kurorës dhe mbreti i pastajmë saudit, Abdullahu vizitoi Tehranin gjatë takimit të OKI-së, kurse më 1998, presidenti iranian, Muhamet Katami e vizitoi Riadin. Mbreti saudit Fahd nxiti vendet e tjera të Gjirit që të përmirësonin marrëdhëniet me Iranin.

Marrëdhëniet mes dy vendeve, goditjen më të rëndë e kanë marrë vis-à-vis vendeve të treta ku përthehen interesat e Iranit dhe të Arabisë Saudite. Kësisoj, përkrahja që Irani i ka bërë Hamasit në Palestinë, Hezbollahut në Liban, shiitëve në Bahrejn e presidentit alevit Bashar al-Asad në Siri, ka prekur direkt interesat gjeostrategjike dhe hegjemoninë sektare të sauditëve.

Krejt kohëve të fundit, Arabia Saudite po pretendon se Irani qëndron prapa rebelëve “AnsarAllah” (në përkthim: “Përkrahës të Zotit”) në Jemen, të njohur si Huthi, e që janë shiitë zaidi dhe që janë ngritur kundër presidentit të zgjedhur sunit Abdul Rabuh Mansur Hadi. Më 25 mars, Arabia Saudite – në bashkëpunim me aleatët e vegjël/petromonarkitë e “Këshillit të Gjirit për Bashkëpunim” (Bahrejni, Kuvajti, Katari, E.B.A-ja) dhe me Sudanin, Marokon, Egjiptin e Jordainë, e përkrahur edhe nga ShBA, Pakistani e Somalia – nisën sulmet ajrore ndaj rebelëve huthi, në operacionin e koduar “Stuhia vendimtare”.

Marrëdhëniet mes dy vendeve tensionohen edhe në trajtimin e minoriteteve reciproke. P.sh., në Tehranin e 1 milionë sunitëve (kryesisht të etnisë kurde) ka kisha e sinagoga, por nuk ka as edhe një xhami të vetme sunite. Presidenti reformator Hatami pati premtuar ndërtimin e një të tille, por më pas do të deklaronte se ky premtim i tij ishte prolonguar dhe pamundësuar nga ndërhyrja e liderit suprem, ajatollahut Ali Hamenej. Hiç më mirë nuk është situata as e shiitëve në Arabi Saudite. P.sh., në qytetet kryesore shiite në lindje të Arabisë Saudite, e që për ironi shtrihen mu në zonat më të pasura me naftë, shiitëve iu ndalohet ndërtimi i xhamive të tyre dhe lutjet e së premtes detyrohen t’i ndjekin në xhamitë sunite. Madje më 1988, një nga klerikët kryesor sunit, Abdylaziz ibn-Bazi, lëshi një fatva ku shiizmin – ndonëse 1 në 5 apo 6 sauditë janë shiit – e cilësonte si apostazi apo irtidad. Në të dy vendet, minoritetet fetare – shiitët në Arabi e sunitët në Iran – përballen vazhdimisht me reprezalje nga ana e autoriteteve shtetërore.

Njashtu, edhe në deklaratat reciproke kontroverze asnjëra palë nuk i lëshon radhë tjetrës, duke përdorur gjuhë denigruese ndaj njëra-tjetrës. Në fillim të prillit, p.sh., Lideri Suprem i Iranit, Ali Hamenej e akuzoi Arabinë Saudite se po kryen gjenocid në Jemen. E, paraardhësi i tij, imam Homejni dikur e quante vazhdmisht Arabinë Saudite si “dekadente”, madje edhe kishte deklaruar, pasi ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Arabinë Saudite, se një ditë Irani mund të fillojë marrëdhënie të mira diplomatike me ShBA-të apo Irakun, por asnjëherë me sauditët. Kurse, nga ana tjetër, madje edhe më ashpër, kemi shembullin e qershorit 2010, kur e përditshmja franceze “Le Figaro” raportonte se mbreti Abdullah i kishte thënë ministrit francez të mbrojtjes: “Janë dy shtete në botë që s’e meritojnë të ekzistojnë. Ato janë Irani dhe Izraeli.”. E, sipas kabllogrameve të “Wikileaks”, mbreti saudit i kishte kërkuar ShBA-së që “ta shkelin gjërpërin në kokë”, duke iu referuar influencës në rritje antiamerikane të Iranit në rajon . Këto tri a katër janë vetëm shembuj ilustrues të një gjuheje virulente, malicioze e urrejtëse – që ishte dhe është – tipike mes dy shteteve.

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.