Monizmi mediatik i Kryeministrit të Shqipnisë në kohën e pandemisë, po dëshmon nji ideologji, e cila dita-ditës ka me u strukturue si nocion teorik. Por si çdo gja lypë kohë e pushim, që me u përvijue nga analistët e fushës. Njohjet e mia në këtë profil janë krejt relative dhe nuk synoj me i hy në hise kujt, e as me projektue në veten time aspirata politologe. Prandej, analiza ime—sikurse të tjera të kësaj natyre—asht vetëm nji shqetësim civil, i formësuem prej përcjelljeve të mia (në distancë) të ngjarjeve aktuale në Shqipni.
Kjo ideologji e fshehtë, monomediatizmi, e paza, po ndërton homo politicus-in e përditësuem, në nji terren politik ku nuk ka mungue invarianti stalinist. Pra, fjala asht për enverizmin në PKSH (PPSH), i cili u pasue nga nji alternativë mbrendavendore, me ato pak adaptime nga politika e huej, prej Ramiz Alisë. Ky çoi deri në fund nji pushtet politikisht të vdekun, me dekada ma heret. Njejtë siç po e çon Rama sot Shqipninë, prejse ajo politikisht asht inekzistente në arenën botënore. Por, në ndryshim me paraardhësit e vet, nisë prej gravitetit mediatik, ai po e thekson edhe ma shumë politikën e dështueme të tij. ‘Syri vigjilent’ i Ramës në kthim-përgjigjen e qytetarëve, në të gjitha opsionet e mundshme (facebook, sms, telefon, kamera etc.), ka prodhue dorazi edhe nji donkishotizëm. Po gjatësia fizike e Kryeministrit nuk e lên me e pá atë. Ndoshta anda ia ka me konsiderue Übermensch-in e Nietzsche-s ose Supermani-n, edhe pse këtë të fundit me kohë e ka ‘privatsue’ kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, z. E. Veliaj. Ndjesë nëse ia kam prekë ndieshmëninë me anë të këtij krahasimi.
Asht e qartë se komuniteti i qytetarëve, në asnji vend të botës, nuk asht turmë, që ka nevojë për nji çoban. Edhe pse në këtë punë, vështirë se do t’ia kalonte kush zotni Ramës, sa i takon qytetarëve të tij. Urdhnimi i masave drastike, që nxitë informalitetin dhe fiktivitetin në njenen anë, përkrah popullatës në mëshirë të fatit, nuk e justifikon shpëtimin nga Covid-19, ‘armiku’ tash sa javë i shqiptarëve, ashtu siç nuk e shpëtuen miliona bunkerë Shqipninë prej ‘armikut’ [në mendjen e sëmurë të diktatorit Hoxha]. Vorfnia e shqiptarëve asht shumë ma e madhe se dy qese me ushqim që çojnë pushtetarët (natyrisht në krye, dollibashi, z. Veliaj) tek strehët e banorëve në nevojë. Shumë ma e madhe! Rama si simbol i skandaleve politike gjatë kësaj kohe të qeverisjes së tij, nuk e njeh realitetin e bukës së gojës (pa hiperbola kjo!) dhe për pasojë asht krejt i pandieshëm. Ai do të dalë nga politika pa e njohë sinqerisht realitetin shqiptar. Tue qenë pjesë e nji familjet mbrenda rrethit hoxhian, nuk e njeh sa e si duhet faktin e zonjës së moshueme që pinte tash sa ditë veç ujë e sheqer derisa ta lëshojë shpirti. Po as nevojën e qytetares për me zbritë me ble, me nji strajcë, poshtë pallatit apo me krye nevoja të tjera, që thanë shkurt janë jetike. Jo! Zorrët e Kryeministrit nuk bajnë zhurmë si të zonjës, e cila mbase jetonte e vetme e nuk kishte kush t’ia blente ato pak ushqime, apo t’ia kryente atë detyrë për të cilën ishte nisë. Të jesh i moshuem, don me thanë me pasë të drejtë me u respektue dhe me i shërbye, e jo me u klasifikue si ‘anmiku që po merr në qafë të tjerët’. Toni imperativ i z. Ramës, asht dështim në normativën e komunikimit njerëzor.
Nji media vendore, ditë ma parë, e filmoi z. Ramën, tue ba me kambë e duer, dhe tue hapë gojën sa me iu shqye nofullat (për fat të keq kishte dalë dhe pa maskë, që me mujtë sadopak me ia fshehë gojën që çaraveshej). Furia e tij ishte mbrenda natyrës së vet, arrogante dhe me përtesë totale, mandej, me ndigjue edhe justifikimin përkatës të qytetares. Rama, asht njeri aksioni. Dhe për të e sakrifikon regjistrin e duhun, tue mos mbajtë nivelin e postit që ka. Dalja epike ‘pash e m’pash tue i ra pazarit’, përligjë shtetin e frikës dhe jo të shtetit që bashkëpunon! Diku u fol se imitonte nji kryetar bashkie në Itali, me sa kujtoj, që kishte edhe ai të njejten gjuhë trupi si z. Rama, por ndryshe prej tij, bashkëdialoguesi ishte nji i ri. Mundet që të jetë frymëzue prej shtetit fqinj.
Terminologjia dhe sjellja e z. Ramës, në kohën e pandemisë, ngjan se asht makiavelizëm momental. Befas artikulon ‘armiq’, befas ‘luftë’, befas të kujton ‘butësinë, tonin e ultë’ [edhe pse Rama e përthyen, nganjiherë, në shfrymje e përtesë, qoftë edhe gjestikulative] të Ramiz Alisë: kriptoparafrazim i ‘edhe bar do të hamë’ që t’ia dalim me sukses në mbajtjen e pushtetit, jo në mbrojtjen e popullatës. Rama asht e sigurt se don me e mbajtë këtë sistem të degraduem politik, si kriter për me qeverisë kombin.
Kryeministri nuk din me negociue e as me imponue sjellje civile ndër qytetarë. Në këtë mes nuk ka faj veç njena palë doemos. Ky Kryeministër asht unik, në prodhimin e frikës prej kushteve të dobëta ekonomike. Ai, tue qenë edhe diabolik, din se ku me gjuejtë dhe përmendë elementë që nji pjesë e popullatës e kanë direkt të lidhun me buxhetin financiar. Der tash, asnji masë lehtësuese, ndihmuese, reduktuese për shpenzimet e qytetarëve të thjeshtë ose në nevojë ma urgjente. Gjithçka përflitet… ‘se do të…’
Për me frikësue ma tej qytetarët (‘për luftën e tretë botërore’) ka sajue disa aplikacione leje-daljeje, ku formularët—sistemi—herë funksionojnë e herë jo, tue mos marrë parasysh se ajo zonja (po e marr sa për argument) ‘që ai i bante ma zi se luanët e Putinit nëpër rrugët e Moskës’ mundet që nuk ka kênd me ia përligjë lejen në faqen e caktueme. Sesi kërkon tash, në nji kohë kaq të shkurtë Rama, me e aftësue moshën e tretë në internet, këtë e din vetëm nji mendje gjeniale e tij, që i prodhon direktivat në kushtet e karantinës. Ndërkohë thotë se pensionistët ‘i kanë marrë barnat te dera’ (!?), mbas nji lajmi ‘se 21 milionë dollarë janë derdhë për pensionistët’. Sesi ai ‘luan’ zbutet, dhe bahet zemërbutë për këtë kategori qytetarësh, vetëm nji person me simptoma bipolare mund ta manifestojë këtë luhatje. Pa dashtë me neglizhue aspak dinamikën e Coronavirus-it dhe rrezikun e tij, do të thosha se shqiptarët do të ishte e udhës me pasë nji Kryeministër ma pozitiv në çka artikulon. S’ka lanë mjet retorik e poetik pa aktivizue në ‘luftën’ e ‘armikut’ të shqiptarëve. Ka dashtë Zoti që shqiptarët i kanë përdorë bunkerët, me kohë, për me nxjerrë hekur dhe me i shitë, se do t’i kishte futë aty. Ky asht Kryeministër fantastik. Ndër të paktët në botë. Pse? Se flet pa letër! Dhe sado gjeniale të jetë nji mendje drejtuese, politike, intelektuale nuk mundet me folë prej tek polici, biznesi, urgjenca, aeroporti, ambulanca, UEFA, liga kombtare, Juventusi e me radhë… Tue qenë manipulator i fjalimeve publike, e relativizon problemin, me disa shembuj në botën e jashtme. Simbas argumentit edhe çêshtja relativizohet, natyrisht. Ai jep shifra, oralisht, po publikime e transparencë nuk duket kund.
Që z. Kryeministri e ka sëmundje të vjetër me qenë solist, këtë e dimë prej fazës kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës. Për fatin e keq të mungesës së opozitës, tash sa vjet, zotnia në fjalë luen harushë si me të huejt e si me të vetët. Botënisht dihet se z. Basha asht ‘kastrati’ i PD-s, shembelltyra ma e dobët e nji politikani; mbase nji paracaktim me kohë nga nxanësi i vjetër i E. Hoxhës, z. S. Berisha, që me ndërtue ‘përjetësinë’ e tij politike. Plus që direktivat e R. Alisë, kryetari i opozitës së parë në pluralizmin politik shqiptar i ka mësue si ‘dhetë urdhnimet e Tënzot’ qysh në 90-n. Pra, e ritheksoj sikurse në shkrimet e tjera publicistike, se pluralizëm real-demokratik, Shqipnia ende nuk ka njohë. Ende po i lajmë të linjtat në kovën me ujë që lau diktatura e hoxhalisë. E në kushte të tilla, ramademia ka me qenë virusi sundues në vend, deri në momentin që ‘interesi e faktori ndërkombtar’ me diktue proceset e vonueme demokratike, ose vetë Rama me ‘pranue’ nji largim të tijin politik, që me i shpëtue kontrollit ndërkombtar të llogarive bankare. Se, sa për ‘opozitën’ jashtë e mbrenda Parlamentit të Shqipnisë, Rama bahet rrumbullak njiqind vjeç në pushtet. Mbase nji qëllim i këtij mesoburri, i këtij imituesi të portretit të Ismail Bej Qemalit (kahmot del brî fotos së tij), asht që me qeverisë edhe përtej moshës së vetë I. Qemalit, për faktin se don me mbajtë (ende) flamurin në Vlorë—vektori gjeokulturor dukshëm asht prioritet i Kryeministrit. Po këtu asht rasti me përmendë anekdotën e shkodranëve, kur i thanë I. Beut, se ‘ju vetëm hûnin keni pasë, se flamurin e prûmë na’; pra që flamuri shqiptar, në beze, u punue në Shkodër, tue pasë model atë të Deçiqit, që pat çue Dedë Gjo Luli (1911). Kjo gja, sikurse dhe roli real i Luigj Gurakuqit në Shpalljen e Pavarësisë (1912), duhet të bajë pjesë në historinë e Shqipnisë, e cila s’asht shkrue kurrë. Gjithsesi, ‘Marigoja’ enveriste përpunohet në mendjen e z. Ramës, ngaqë (edhe pse prej fisit të Kolombëve për vijë tambli—pra kah e ama), ia imponon gjurma atnore, qoftë edhe në subkonshin e tij. E këtë ideologji ndër shqiptarë e kanë pranue shumica që janë në pushtet me të. Dhe gjithçka asht mirë, pritet që heroi në fund të jetë vetë Kryeministri dhe jo qytetari e skamnori që do t’i mbijetojnë këtij virusi të tmerrshëm. Ndërkaq udhëzimet e Presidentit të mbramë komunist-shqiptar zbatohen. Rasti e prûni që asistentja besnike e tij, N. Hoxha, kah fundi i shkurtit të këtij viti me u largue, tue lanë fatkobin e radhës mbas vete: pandeminë dhe ramaizmin, përditësimin e nji sjelljet ideologjike në kushte izolimi.