Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

“Infodemia” dhe efektet në shëndetin mendor

Të gjithë i kemi të freskëta pamjet e spitaleve të Milano-s të mbingarkuara me pacientë të sëmurë nga Covid-19 – shumë nga ta në rrezik serioz për jetë dhe të intubuar – rrugët në Barcelonë të braktisura sikur aty të mos jetonte frymë njeriu, turmat e njerëzve që shtynin njëri-tjetrin për të blerë mallra ushqimore në dyqanet e Nju Jork-ut, apo shifrat e të infektuarve dhe të vdekurve nga virusi Covid-19 të cilat prezantoheshin në kanale televizivë apo në faqe të ndryshme elektronike të specializuara që merreshin me mbledhjen dhe analizimin e këtyre të dhënave. Por, nuk ka dyshim, ajo që na kujtohet me qartësinë e kristalit është dita e parë – këtu e gati një vit më parë – kur në Kosovë zyrtarisht u shfaqën rastet e para me të infektuar me virusin Covid-19. Mungesa e informacionit, frika nga e panjohura, paniku dhe ankthi që u shkaktua ishin gjithëpërfshirëse dhe kapluan të gjithë qytetarët. Edhe sot e kësaj ditë nuk na shqitet nga mendja stresi, tensioni, shqetësimi dhe ndjenja e panikut që ngjallte në ora 23:00 njoftimi kur institucionet e Kosovës kumtonin rezultatet ditore të të infektuarve dhe të vdekurve nga virusi. Ekspozimi ndaj lajmeve të tilla – sidomos për periudha të gjata kohore dhe në formë sistematike – ka pasoja serioze në shëndetin mendor të gjithsecilit nga ne – pa marrë parasysh nëse jemi apo jo të infektuar me virusin – me efekte afatgjata dhe shumë-dimensionale.

Pandemia, e shkaktuar nga virusi Covid-19, është një situatë e veçantë dhe shumë e rrallë. Ky virus mund t’i sëmur njerëzit në aspektin fizik – për fat të keq disave duke ju shkaktuar edhe vdekje – por pasojat tek ta janë edhe në aspektin psikologjik. Këto efekte nuk janë vërejtur vetëm tek personat e infektuar. Kuptohet, këta të fundit, në të shumtën e rasteve, janë më të predispozuar ndaj pasojave psikologjike, por as personat që nuk janë infektuar nuk janë të “imunizuar” në këtë drejtim dhe, në mënyrë permanente, janë të ekspozuar ndaj lajmeve dhe informatave që shkaktojnë përjetime dhe reagime të ndryshme psikologjike si stresi, ankthi apo, jo rrallë, edhe depresioni.

Tashmë pandemia globale me të cilën po përballemi, nga studiues të ndryshëm të cilët e trajtojnë atë nga këndvështrime diverse, konsiderohet si sëmundje infektive që është e rrallë dhe ndodh një herë në një shekull – e fundit e këtyre përmasave që merret në konsideratë në analizë krahasuese është “Gripi Spanjoll” gjatë 1918-1919. Por, krejt ndryshe nga krizat e mëparshme shëndetësore globale, ndikimi i pandemisë Covid-19 nuk është i largët. Përkundrazi, ky ndikim është afër secilit prej nesh, shpesh herë me pasoja shumë të renda dhe i vazhdueshme. Që nga dhjetori i vitit 2019, miliona raste janë konfirmuar dhe po ashtu miliona vdekje janë raportuar në të gjithë botën. Fatkeqësisht, shtrirja dhe ashpërsia e kësaj sëmundje kanë nxitur më tej një krizë globale të shëndetit mendor, veçanërisht në mesin e disa grupeve si: të moshuarit, profesionistët e kujdesit shëndetësor si dhe gratë.

Andaj, në raste të pandemive globale, si kjo me të cilën po përballemi aktualisht, është shumë e rëndësishme komunikimi i duhur nga ana e mediave dhe transmetimi adekuat i të dhënave mbi numrin e të infektuarve dhe vdekjeve dhe përshkrimin e ngjarjeve në mënyrë korrekte. E gjitha kjo duhet bërë sepse projektimi i frikës, pasigurisë dhe panikut ka pasoja direkte tek njerëzit në aspektin e shëndetit mendor. Sipas një studimi të botuar në janar të këtij viti, publikimi i lajmeve të shumta në lidhje me infektimet me Covid-19 dhe vdekjet e shkaktuara nga kjo sëmundje, e rrisin ndjeshëm rrezikun e problemeve me shëndetin mendor tek njerëzit. I njëjti studim konstaton se, për fat të keq, raportimet e mediave që përfshijnë “infodeminë” lidhur me ndikimin e virusit Covid-19 në shëndetin mendor mund të jenë burim i efekteve të pafavorshme – lirisht mund të themi edhe të dëmshme – tek individët. Termi “infodemi” – i përdorur për herë të parë nga një kolumnist i “Washington Post” – nënkupton përzierjen e “informacionit” dhe “epidemisë” dhe zakonisht i referohet një shpërndarje të shpejtë dhe të gjerë të informacionit të saktë dhe të pasaktë për diçka, në këta rast për një sëmundje të caktuar. Derisa faktet, thashethemet dhe frika përzihen dhe shpërndahen, bëhet e vështirë të mësosh informacion thelbësor për një çështje. Kur marrim në konsideratë përdorimin masiv të mediave sociale në nivel global, situata të tilla bëhen shumë të rrezikshme dhe potencialisht shumë të dëmshme për të gjithë “konsumuesit” e këtyre informacioneve të shumta dhe, çfarë është më e rrezikshme, të përziera me të pavërteta dhe me “lajme të rreme” sepse njerëzit mbingarkohen me më shumë informacione sesa mund në të vërtetë t’i “procesojnë”. Sepse praktikisht shumica e këtij informacioni – veçanërisht atij në internet, duke mos përjashtuar disa portale – përfshijnë thashetheme shqetësuese, teori konspirative dhe deklarata të pabazuara që ngatërrojnë, mashtrojnë dhe frikësojnë popullatën duke ngjallur ankth, panik, stres, huti, apo edhe mungesë përqendrimi për t’u përballë me problemet ditore.

Ekspozimi i madh ndaj lajmeve të konsideruar si “infodemi”, ka pasoja tek të dy grupet e njerëzve, edhe tek ata që ende nuk janë të infektuar me virus dhe edhe tek ata që janë të infektuar. Konsiderohet se disa nga simptomat fillestare tek jo të infektuarit shfaqet me ndryshime evidente të regjimit të gjumit, çrregullime të dukshme të oreksit, luhatje të gjendjes fizike etj. Pra, ndodh ajo që njihet si “imitim i infektimit” të mundshëm. Kjo gjendje i tmerron njerëzit edhe më tepër duke i bërë që psikologjiskëshit të predispozojnë vetën, pa dashje, nga një infektim i mundshëm. Kuptohet, edhe më i dëmshëm është ankthi tek personat që janë të infektuar, pasi ai e rëndon gjendjen e tyre psikologjike, duke shkaktuar, në disa raste, edhe vdekjen. Psikologët dhe studiuesit e shëndetit mendor konsiderojnë se personat që nuk janë të infektuar akoma nga virusi janë ata që, në jo pak raste, përjetojnë më shumë ankth, veçanërisht pas çdo kontakti me një person të infektuar.

Sipas një studimi të realizuar në Universitetin e Kalifornisë në ShBA, njerëzit me gjendje të mëparshme mendore dhe fizike të rënduar, pas ekspozimit ditor ndaj lajmeve lidhur me Covid-19, kishin më shumë të ngjarë të shfaqnin “stres akut” dhe “simptoma depresive”. Gjithashtu, konkludon ky studim, ekspozimi i tej zgjatur ndaj lajmeve lidhur me pandeminë dhe informacioneve kundërthënëse i kombinuar me “stresorë sekondar” si humbja e punës, ulja e pagës apo mungesa e gjerave elementare dhe të nevojshme për jetë normale, janë elemente dhe parashikues të bazuar në zhvillimin e simptomave të problemeve me shëndetin mendor.

Shëndeti mendor është gjendje e mirëqenies psikologjike dhe parakusht themelor që individi të realizoj aftësitë e veta, të përballoj streset normale të jetës, të punoj në mënyrë produktive dhe të frytshme dhe të jetë në gjendje që të ofroj një kontribut për komunitetin ku jeton. Në mes të një krize globale si kjo me pandeminë, Covid-19 vazhdon të jetë një burim kompleks i stresit, në disa aspekte, për shumë individë. Frika dhe pasiguria e lidhur me shëndetin fizik personal të familjes apo të afërmeve, së bashku me ankthin dhe stresin që shfaqën si rezultat i izolimit, distancimit fizik apo edhe dëmeve dhe problemeve ekonomike, kanë rënduar dhe përkeqësuar aspekte vitale të shëndetit mendor, në shkallë të ndryshme, në të gjithë botën.

Përveç kësaj, në nivel botëror, pandemia gjithashtu e ka kufizuar dhe zvogëluar  tej mase aksesin në shërbimet e shëndetit mendor për të gjithë njerëzit. Kjo është problematike, sidomos kur është fjala për disa kategori më specifike të cilat edhe në kushte normale e kanë më të vështirë të kenë qasje në shërbime profesionale të shëndetit mendor. Një dukuri e tillë ka qenë karakteristike sidomos për vendet në zhvillim me shërbime të tilla të specializuara të mangëta, me vetëdije të ulët për rëndësinë e këtyre shërbimeve dhe me kufizime që qasje në internet apo pajisje adekuate elektronike të cilat do të mund t’ju shërbenin si mjete për komunikim mes tyre dhe profesionistëve të shëndetit mendor. Në këtë pikë, edhe Kosova nuk është se bën përjashtim të madh, kur marrim në konsideratë se përballemi me një sistem fragjil shëndetësor. Andaj, kufizimi i burimeve mjekësore gjatë pandemisë ka nxitur një ristrukturim dhe ripozicionim të të gjitha institucioneve të shëndetit mendor anë e mbarë botës, në mënyre që t’i kushtohet më shumë vëmendje rasteve të personave të prekur nga Covid-19.

Në Kosovë, në fakt, nuk ka të dhëna të plota dhe gjithëpërfshirëse që do të mund të shërbenin nga studiuesit, apo të interesuarit eventual, për të shpjeguar korrelacionin eventual në mes të ekspozimit ndaj lajmeve për pandeminë dhe rritjen e nivelit të stresit apo gjendjeve tjera psikologjike tek njerëzit. Mirëpo, në shtete të konsoliduara, të cilat i kanë mekanizmat e duhura për mbledhjen e analizimin e të dhënave të tilla, janë bërë analiza strukturore me përfundime të mbështetura shkencore. Në këtë kontekst, sipas një hulumtimi të realizuar në Shtete të Bashkuara është konstatuar se, që kur ka filluar pandemia, niveli i ankthit në mesin e qytetarëve amerikan është trefishuar, ndërsa shkalla e depresionit tek ta është katërfishuar. I njëjti studim nxori në pah se media mund të konsiderohet si pjesë e pandashme e problemit. Ata që përjetuan ekspozim më të madh mediatik në lidhje me pandeminë kishin nivel më të lartë të stresit dhe depresionit. Pra, dëgjimi dhe leximi i vazhdueshëm i lajmeve në lidhje me Covid-19 ndikonte drejtpërdrejt në shëndetin mendor të qytetarëve – pa marrë parasysh nëse janë apo jo të infektuar me virus.

Roli dhe rëndësia e mediave në informimin e qytetarëve është i pakontestueshëm. Por, në momentet kur ky lajm përcillet më shumë paqartësi, dykuptimësi, fakte të dyshimta apo, në disa raste, edhe të rreme, ndikimi në një pjesë të qytetarëve, sidomos të grupet me vulnerabile, mund të jetë shumë i madh. Prandaj raportimi i saktë dhe mbështetur në fakte e argumente, mbrojtja e identitetit të personave të prekur nga virusi, shmangia e sensacionalizmit dhe gjuhës që ngjall frikë e përcjell me imazhe që mund të rrisin ankthin, do të  shërbenin në ruajtjen e shëndetit mendor të secilit individ dhe rrjedhimisht do t’i ndihmonin secilit prej nesh në tejkalimin e kësaj pandemie me sa më pak pasoja.

Në anën tjetër, të qenit i informuar, sidomos në këtë periudhë që po jetojmë, është shumë e rëndësishme për secilin nga ne. Por, ne të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm sa informacion po “konsumojmë” dhe si po ndikon ky lloj informacioni tek ne. Nëse vazhdimisht ndiheni të shqetësuar, e përjetoni një mbingarkesë fizikë apo emocionale ose keni vështirësi të flini, nënkupton se, përveç tjerash, mund të jeni të ekspozuar më tepër se sa që duhet ndaj lajmeve që lidhen e pandeminë. Nëse një gjë e tillë po ju ndodh, sugjerohet që të bëni pak pushim nga leximi i lajmeve dhe të merreni me gjera tjera që ju ndihmojnë të qetësoheni në mënyrë që të kalojmë këtë periudhë edhe ashtu jo të lehtë për secilin prej nesh.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.