Pavarësisht që në secilën fushatë zgjedhore hapet diskutimi për rëndësinë dhe vlerën e kuotës, kjo e fundit del të ketë ndihmuar jashtëzakonisht shumë në avancimin e përfaqësimit të grave në Kuvendin e Kosovës. Kundërshtuesit dhe skeptikët dolën të ishin gabim. Argumentet e tyre e konfirmuan të kundërtën.
Në bazë të rezultateve të pesë palë zgjedhjeve, të analizuara nga Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese – Preportr, shihet se numri i grave që kanë fituar pozitën e deputeteve pa ndihmën e kuotës është rritur ndër vite. Përderisa në zgjedhjet e vitit 2007 ishin vetëm 16 gra që ishin zgjedhur pa kuotë, në zgjedhjet e vitit 2019 numri i tyre është rritur në 24.
Kur mendojmë për përfshirjen e grave në politikë, pamjet e para që kemi në mendje nuk janë shpresëdhënëse. Tavolinat e diskutimeve me rëndësi politike si për rregullimet e brendshme të shtetit ashtu edhe për marrëdhëniet me jashtë, zakonisht janë të dominuara nga burrat. Në Kosovë rrallë të zë syri një grua politikane në diskutimet për koalicione mes subjekteve politike apo në fjalimet e kongreseve të mëdha e të hijeshuara të partive. Rrugëtimi politik dhe organizativ, pavarësisht pozitave udhëheqëse që mund t’i kenë gratë, dominohen nga mendimet e burrave. Pastaj rrëfimi mbi suksesin dhe arritjet u takon detyrimisht, por padrejtësisht, atyre.
Ekziston një prirje që në vend të diskutimit mbi barrierat praktike të grave si mungesa e qasjes në arsim, punësim, vendimmarrje në parti apo edhe ato më kryesoret që shpesh lidhen drejtpërdrejt me përgjegjësitë e grave brenda shtëpisë e familjes tradicionale, të fajësohen gratë për mungesë vullneti e gatishmërie për t’u përfshirë në sferën publike. Së pari, është e pavërtetë që gratë nuk janë të interesuara në çështje publike, por fatkeqësia qëndron tek ajo se shumica e tyre e bëjnë punën prapa dritës vezulluese të kamerave. Përveç që e pavërtetë, kjo logjikë është edhe e rrezikshme sepse politikën e pranon si privilegj ekskluziv te burrave, të atyre që kanë më shumë mundësi, por që fshihet nën petkun e detyrimit e përgjegjësisë. Duke peshuar kështu fajin për mos angazhim mbi supet e grave ne po kërkojmë nga to që të vetme, të shkelmojnë çdo pengesë sistemike apo institucionale apo edhe ekonomike e kulturore që u del para vetës dhe kjo është e padrejtë.
Duke parë pengesat e shumta që hasin gratë për t’u angazhuar politikisht, në mbarë botën janë krijuar mekanizma që ndihmojnë të kemi një përfaqësim më të barabartë gjinor në institucione publike. Në Kosovë që nga tetori i vitit 2000, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) për herë të parë aplikoi sistemin e kuotave gjinore që siguron 30% të ulëseve në Kuvendin e Kosovës të jenë të rezervuara për gratë.
Zbatimi i legjislacionit për kuotën gjinore ka hapur rrugë për më shumë gra politikane. Në disa raste gratë të cilat për herën e parë janë futur në Kuvend përmes kuotës, në zgjedhjet e radhës lëre që kanë fituar pa ndihmën e saj por edhe janë radhitur ndër deputetët më të votuar të zgjedhjeve.
Zërat kundër kuotës e kanë trajtuar këtë të fundit si diskriminuese. Si rrjedhojë, shpesh gratë që janë zgjedhur me ndihmën e kuotës janë paragjykuar. Nga gratë kërkohet që të “meritojnë” pozitën e tyre shumë më shumë se nga burrat. Ato analizohen me një lupë tjetër e që del të jetë shumë më e rreptë. Kërkohet të jenë të përsosura në qëndrime e në punë.
Si rezultat i këtij presioni gratë deputete të zgjedhura me kuotë ose shtyhen të punojnë shumë që të arsyetojnë ulësen dhe që në zgjedhjet e ardhshme të fitojnë më shumë vota, ose të heshtin e të ndihen ne faj gjatë gjithë mandatit.
Kuota krijon mundësi për ato që kanë nevojë të vijnë në shprehje në një mënyrë tjetër e që historikisht kanë qenë larg mundësive të përfshirjes në sferën publike. Kuotat kanë sjellë zërin e grave në diskutimet parlamentare, grave të fshatit e qytetit, mjekeve dhe mësueseve, grave të papuna e atyre pa ndonjë pozicion brenda partive. Atyre që në një realitet tjetër ishin thjeshtë të përjashtuara. Megjithatë duhet të bëhet e ditur që kuotat në vetvete nuk i largojnë të gjitha pengesat që kanë gratë për t’u angazhuar politikisht. Ato lehtësojnë angazhimin e grave që në shoqëritë patriarkale shpesh janë të margjinalizuara nga jeta publike. Megjithatë ka nevojë që kuota të ketë shtrirje edhe në veprimtaritë tjera, që rrezja e veprimit të jetë më e plotë dhe efekti më domethënës, ajo duhet ta prekë pavarësinë e gruas edhe në aspektin ekonomik, përveç se atë politik.
Partitë po bëjnë minimumin për përfaqësimin e grave
Sa herë flasim për angazhimin politik të grave nuk kemi se si të mos trajtojmë në veçanti subjektet politike dhe ambientin, jo të përshtatshëm për gratë, që mbizotëron në strukturat organizative të tyre.
Përveç faktit që pozitat kyçe të partive politike në Kosovë vazhdojnë të zotërohen nga burrat, nuk kemi parë as ndonjë hap domethënës pozitiv në aspektin e përfaqësimit aq më pak të pjesëmarrjes.
Meqë partitë vendosin dhe kontrollojnë kandidaturat për deputetë, më lehtësi mund të themi se ato kanë bërë minimumin e kërkuar për të përfshirë gra në listat zgjedhore. Zakonisht subjektet vërehen tek angazhohen në kërkim të emrave të grave vetëm kur vjen koha e fushatave zgjedhore meqë kanë nevojë për të përmbushur kushtin e kërkuar, 30 përqindëshin e listës.
Lidhur me përfaqësimin gjinor në listat e subjekteve politike për zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 pati reaguar edhe Avokati i Popullit, ku bënte thirrje për respektimin e Ligjit për Barazi Gjinore, i cili parasheh përfaqësim të barabartë të të dy gjinive në çdo nivel vendimmarrjeje institucionale.
“Avokati i Popullit e konsideron veprim të detyrueshëm dhënien e mundësive të barabarta, pa diskriminim mbi çfarëdo baze, në listat e kandidatëve dhe në procesin zgjedhor si tërësi dhe bën thirrje publike që kjo të sigurohet. Së këndejmi, Avokati i Popullit pret nga subjektet politike që marrin pjesë në këtë proces zgjedhor, ashtu siç pret edhe nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), që ta respektojnë parimin e barazisë në tërë procesin zgjedhor, me theks të veçantë përfaqësimin e barabartë në listat zgjedhore, në pajtim me dispozitat e Ligjit nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore dhe pajtueshmërinë me frymën, të cilën e përcjell Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, thuhej në reagim.
Është shumë e rëndësishme që subjektet politike të punojnë vazhdimisht për përfshirjen e grave në strukturat partiake. Kuotat brenda subjekteve politike por edhe lancimi i programeve që prekin jetën dhe vështirësitë e grave do të ndihmonin për një angazhim më të barabartë. Njohësit vlerësojnë që është jashtëzakonisht e rëndësishme që gratë të ndihmohen nga subjektet edhe në aspektin financiar ku sipas tyre është jetike që fondet e partive të ndahen në mënyrë të barabartë për të dy gjinitë por edhe të parashihen lehtësira të veçanta për gratë duket ditur që zakonisht ato kanë barriera më të mëdha ekonomike se sa burrat.
Edhepse ngadalë dhe i vështirë, progresi është i qartë. Sot përveç që ka më shumë gra deputete dhe në pozitat e tjera vendimmarrëse, vërejmë që aktivizmi dhe angazhimi në sferën publike i grave është rritur. Por përparimi nuk vjen vetvetiu, për këtë e kemi dëshmi historinë. Zgjerimi i kuotës në arsim dhe punësim, do të duhej të ishte në horizontin e veprimit për barazi gjinore.
Ky shkrim është botuar fillimisht në preportr.cohu.org