Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Legalizimi i ndërtimeve pa leje si revolucion ekonomik për Kosovën

Një ndër problemet më të mëdha të sundimit të ligjit dhe të zhvillimnit të ekonomisë së Kosovës është informaliteti i cili krijon një hapësirë të madhe ku gëlon korrupsioni dhe kriminaliteti. Kur flitet për informalitet padyshim që mendja së pari të shkon tek sektori i ndërtimit dhe ndërtimet masive pa leje që prekin një pjesë shumë të madhe të popullsisë. Bëhet fjalë për mbi 350 mijë ndërtime apo banesa që nuk zotërojnë fletë poseduese në Kosovë. Nëse llogarisim diku tek së paku 30 mijë euro të shpenzuara për secilin, i bie që të jenë mbi 10 miliardë euro të investuara aty.

Për shumë shqiptarë të Kosovës ndërtimi i një shtëpie apo blerja e një banese përbën investimin më të rëndësishëm të jetës. Aty ata përqëndrojnë një pjesë të mirë të kursimeve, të fruteve të punës së tyre apo të parave të familjarëve të tyre që jetojnë në diasporë. Po ashtu lufta e egër shkatërroi pjësën më të madhe të shtëpive duke sjellur një valë të jashtëzakonshme të rindërtimit menjëherë pas çlirimit. Shumica e këtyre ndërtime u bënë me ngut për mbijetësë pa pritur për planifikim apo leje ndërtimi. Po ashtu Kosova ka popullsinë më të re në Evropë dhe është e kuptueshme që nevoja për një banesë apo shtëpi ka qenë gjithnjë e madhe.Fatkeqësisht administrata fillimisht e huaj e protektoratit të OKB-së e mandej jona, nuk ka ecur dot me hap me kohën për të përmbushur nevojat në rritje të qytetarëve për banim.

Pra institucionet shtetërore përkatëse kanë qenë joefikase në administrimin e kërkesave të shtuara dhe nevojave zhvillimore të qytetarëve të Kosovës. Si pasojë e mungesës së vullnetit dhe aftësive të pushtetarëve të deritanishëm të Komunës nuk janë hartuar plani hapësinor, planet gjenerale, planet e hollësishtme urbanistike të cilat do të mund ta  zhvillonin në mënyrë të organizuar ndërtimtarinë. Pronarët e këtyre ndërtesave shpesh janë detyruar që t’i ndërtojnë këto shtëpi mbi tokën e tyre edhe pa marrë leje prej nevojës që nuk ka pritur për zvarritjet burokratike.Një situatë akoma më absurde është ajo e mijëra pronarëve të banesave në komplekset e mëdha banesore që janë ndërtuar në dy dekadat e fundit të cilët ende nuk e kanë fletën poseduese. Pra bëhet fjalë për qytetarë të cilët kanë blerë banesa në pallate të cilat janë ndërtuar në mënyrë të ligjshme me plane-urbane, mirëpo nuk zotërojnë titullin e pronësisë së banesës që kanë blerë. Ajo që e bën akoma më qesharake këtë çështje është fakti që paguajnë tatim mbi pronën edhe pse shteti nuk ua njeh ligjërisht pronësinë mbi banesën e tyre.

Kjo situatë e turbull kuptohet që u leverdis zyrtarëve të cilët në kushtet kur ka zbrazëti ligjore kanë më shumë fuqi për të vendosur në mënyrë diskrecionale e arbitrare gjë që u jep mundësi që të bëjnë shantazhe për të marrë ryshfete. Pra shantazhojnë qytetarët duke u dhënë apo jo leje ndërtimi apo duke ua dhënë apo jo fletën poseduese në varësi të ryshfetit apo lidhjes politike. Kjo situatë mban një pjesë të mirë të qytetarëve në hapësirën e paligjshmërisë, duke i shtyrë që të ndërmarrin veprime të paligjshme edhe për çështje të tjerëa, sepse ashtu kështu ndihen se e kanë shkelur ligjin. Kjo përkthehet në abuzim me rrymën, ujin e të tjera forma të  kundravajtjes apo shkeljes së ligjeve.Çështja e ndërtimeve pa leje është një problem global dhe i trajtuar në hollësi nga shumë organizata ndërkombëtare apo institucione shkencore. Një prej nismave ndërkombëtare në këtë fushë ëshë ndërmarrë në rajonin tonë  në formën e Deklaratës së Vjenës për Vendbanimet Joformale në Evropën Juglindore të cilën e ka firmosur edhe Kosova në vitin 2005. Principet themelore të deklaratës së Vjenës janë: barazia e të gjithë qytetarëve për të pasur standard të njëjtë jetësor dhe e drejta për të shfrytëzuar të drejtat e barabarta si dhe obligimiet ligjore, rregullimi i qëndrueshëm i hapësirës me të cilën kërkohet që vendbanimet joformale të integrohen në suaza sociale, ekonomike, hapësinore dhe suaza ligjore.

Kjo do të thotë që çështja e legalizimit nuk është vetëm një nevojë sociale dhe dobi ekonomike por tanimë është shndërruar edhe zotim ligjor. ndërkombëtar  Ajo që është për të ardhur keq është se kjo deklaratë kishte parashikuar që të vihej në jetë në vitin 2015 e tanimë kemi kaluar gjysmën e vitit 2019. Prandaj boll kohë është humbur.Janë marrë nisma të ndryshme  më përpara nga shteti i Kosovës, por asnjë ska qenë efikas, sepse ndërsa ka 352 mijë ndërtime pa leje, vetëm 8 mijë janë futur në proces. Për Kosovën është shume e rëndësishme pikërisht një proces i përshpejtuar, në formën e një amnestie me afat të kufizuar për të zhvarrosur gjithë këtë kapital që qendron jashtë ekonomisë. Faktikisht, sapo një ndërtesë apo banesë njihet nga ligji nga një regjistër ligjor standard pronësie, ky aset mund të përdoret si kolateral e hipotekuar për të marrë kredi nga ndonjë bankë. Pra mund të gjeneroj sasi të jashtëzakonshme kapitali për investime.

Po ashtu mund të përdoret  si garanci për kontrata biznesi duke bërë të mundur që prona të mos jetë më e varrosur por të hidhet në qarkullim. Përpos kësaj,  nëse ajo pronë zotërohet ligjërisht atëherë ajo mund t’i shitet investitorëve kudo në tregun global duke u shndërruar në kapital likuid.Duhet kuptuar që në një ekonomi tregu, kapitali është një formë marrëdhënie dhe kur bëhet fjalë për arin, nuk ka rëndësi vetitë e këtij metali por rëndësi ka marrëdhëniet që thurrin  njerëzit me këtë metal. Deri tani ato banesa kanë shërbyer si sende, si komoditete të thjeshta, pra jo si Kapital po thjesht si mjete ku njerëzit të fusnin kokën. Me legalizimin e tyre do të ishte në një farë mënyre njësoj sikur vlera e njohur ligjërisht e pronës së tyre të ishte një investim i beftë i drejtpërdrejtë nga jashtë.Impakti i legalizimit është i shumëfishtë. Mund të shërbejë për të nxitur sektorin e ndërtimit sepse lehtëson e shton mundësitë për të ndërtuar ligjërisht.  Po ashtu duhet thënë se shumë njerëz që kanë shtëpi apo banesa kanë frikë që të investojnë në to për të përmirësuar cilësinë e jetës, sepse nuk janë të sigurtë nëse ajo pronë do të mbetet e tyre. Për më tepër ka qytetarë të ndryshëm që do të donin të largoheshin nga një shtëpi apo banesë që ska fletë poseduese, në kërkim të një karriere apo mundësie diku tjetër, por sot e kanë të vështirë ta shesin pronën e tyre se ajo nuk është e regjistruar diku në formë ligjore.Zotërimi ligjor i një prone do t’i bëj njerëzit të ndihen më të lirë, me besim më të madh në vetvete. Do t’iu hiqte politikanëve të caktuar të drejtën për të kërcënuar e shantazhuar me ruspat që vërtiten në zonat informale.  Pra do hiqte sensin e ankthit që ndonjë zyrtarë mund të përpiqët që t’ua prish banesën.Legalizimi i ndërtesave pa leje ndihmon më së shumti të varfërit, por tërthorazi ka impakt edhe tek bizneset. Këtyre pronave joformale, do të jetë e dobishme jo vetëm për të varfrit por edhe për të pasurit pasi do të kishin më shumë mundësi për të investuar dhe fuqi blerëse më të madhe. Gjithë ato prona që me nismën e legalizimit do të futen në sistemin ligjor duke iu dhënë këtyre personave një avantazh shumë më të madh se sistemi informal .Futja në sistemin ligjor të pronës së madhe që zotërohet nga gjithë këta pronarë të ndërtimeve pa leje, do të rrisë vlerën absolute të të ardhurave të qeverisë.

Gjithashtu nga legalizimi do të përfitonte edhe qeveria e cila do të nxirrte të ardhura nga tatimi mbi pronën apo nga rezultati ekonomik që do vinte prej futjes në qarkullim të gjithë këtij kapitali masiv. Prandaj nisma e propozuar për një proces të përshpejtuar të legalizimit brenda dy vjetësh, do zgjidhi njëherë e mirë një problem shumë masiv për qindëra mijëra familje dhe njëherazi do të fusi në qarkullim miliarda euro që po rrinë të bllokuara. Kjo do të thotë që do përbënte fluskin më të madh të kapitalit në ekonomi që Kosova ka pasur ndonjëherë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.