Qarkullohet, sado që më rrallë sot e mes gjuhëtarësh të një brezi më të vjetër, arsyetimi i periudhës socialiste mbi mospërfshirjen e paskajores me qenë në sistemin standard. Arsyetimi thotë se paskajorja nuk u përfshi meqë nuk ndodhet në shqipen jugore, e se prandaj u zgjodh e përbashkëta, forma për të qenë, e cila, për ta ndërliku çështjen mes profanësh, po ashtu quhet paskajore në gramatologjinë shqipe. Këtu me e përbashkëta nënkuptohet fakti se veç toskërishtes, edhe gegnishtja përdor formën e dytë.
Megjithatë, arsyetimi sjell çështje që duhen trajtu.
Më e rëndësishmja këtu është se etiketimi i të dy lokucioneve, me qenë dhe për të qenë, me termin e njëjtë paskajore, nuk i shndërron këto në të njëjtën gjë. Forma e parë përdoret me të gjitha funksionet sintaksore karakteristike të paskajores, kurse e dyta mbulon vetëm pak sosh, ndaj edhe karakterizohet si paskajore me funksione të kufizuara. Ndërsa e para shpreh abstraksionin që mundëson shqyrtime metafizike, si në të famshmen Me qenë apo mos me qenë?, e dyta nuk ofrohet për këso formulimesh.
Qe më poshtë vetëm disa nga kontekstet në të cilat lokucioni për të + pjesore nuk mund të zëvendsësojë paskajoren me + pjesore.
Në funksion kryefjalor:
Është mirë me folë!
Në funksion kallëzuesor:
Rrezik është me mbetë atje.
Në funksion kushtor:
Me mundë me fitu njëherë njatë llotari!
Në ndërtime pyetëse:
Më mirë me qenë apo me pasë?
Si rrethanor kohe:
Shqyrtoje mirë para se me marrë vendim!
Përveç këtyre, e gjejmë me vlerë urdhëroreje:
Me hangër gjellën krejt e mos me ba asnji za!
Paskajorja me + pjesore futet edhe në struktura modale:
Duhemi me u nisë herët, se ndryshe mundemi me ra në sy.
Duke qenë se përfshihet në më shumë ndërtime sintaksore, edhe mundësitë stilistikore të paskajores me qenë shkojnë dukshëm përtej asaj për të qenë. Madje, disa sosh mund të vargohen në një fjali, duke i dhënë kësisoj një zhdërvjelltësi të veçantë shqipes, që pak gjuhë mund ta kenë:
Me shku me i thanë me ardhë me na u bashkëngjitë.
Pa mëtu ndonjë listë shteruese të dallimeve mes këtyre dy formave të pashtjellueshme të foljes, po mjaftohemi duke përfundu se arsyetimi i shtruar në krye për mungesën e paskajores nga gjuha standarde, gabimin fillestar e ka te kundërvënia e dy lokucioneve të pabashkëmatshme.
Po aq i gabuar është edhe pohimi se forma për të qenë është “e përbashkëta” e shqipes. Ajo vërtet përdoret në arealet jugore e lindore të gegnishtes, por nuk shtrihet edhe në shqipen veriore e verilindore.
Ndonjëherë, për ta mbështetë pandehmën e gjithështrirjes së lokucionit për të + pjesore, sillen shembuj përdorimi nga autorët e vjetër të veriut, siç është ky te Buzuku:
Per te njimendè se, per te bam me besuem shekullit, si te vertetej fjala e Tinezot…
Por kjo thjesht vërteton se gjuha e shkruar, kur synohet të vijë te një mori lexuesish, detyrimisht dallon nga arketipi i vetë autorit.
Njëlloj, kur Naim Frashëri te Bagëti e bujqësi jep:
Për me marrë drejt Shkumbinë edh’ Elbasan’ e Tiranën,
E me ardh ke ti, o Shkodrë, të shof Drinin e Bujanën
kjo nuk përbën dëshmi të përdorimit të paskajorjes me + pjesore në arealin juglindor të shqipes, veç pse Naimi vjen që andej.
Mosshtrirja e formës për të + pjesore nëpër arealet veriore e verilindore të shqipes është e krahasueshme me mosshtrirjen e paskajores me qenë nëpër arealin jugor të saj. Me fjalë të tjera, treva që forma e parë nuk e mbulon në jug, është e përafërt me trevën që forma e dytë nuk e mbulon në veri.
Pra, format me qenë dhe për të qenë:
1. nuk janë përmbajtësisht të bashkëmatshme, dhe
2. arealet respektive ku mungojnë njëra e tjetra janë përmasash të përafërta.
Po ashtu, lokucioni për të qenë nuk shtrihet në gjithë Shqipërinë, e në Kosovë, njërin nga shtetet shqipfolëse, nuk gjendet fare. Kuptohet, vetëm pse nuk është e mbarë shqipes, nuk është penguar nga shqipja standarde, e as nuk ka pse. Me të njëjtën logjikë, nuk duhet me mbetë jashtë as paskajorja me qenë. Kjo e dyta del në të gjitha shtetet shqipfolëse. E, nëse politika gjuhësore e përgjithësisht ajo kombëtare tani e tutje do të prihet nga ideja e përafrimit të mëtejmë jo thjesht mes gegnishtes e toskërishtes, por me anë të tij edhe mes realiteteve bashkëkohore shtetërore e politike në të cilat shqipja flitet e shkruhet, atëherë paskajorja me qenë del si çështje qendrore për trajtim.
Edhe në rastin kur lokucioni për të + pjesore shqyrtohet në vetvete dhe për vetvete, e përbashkëta e kësaj forme, fjala vjen në konkretizimin me foljen jetu-ar, ndodhet te trajta për të jetu. Me shtimin e rrokjes –ar [jetu-ar] fillon e veçanta e toskërishtes letrare, kurse me shtimin e rrokjes –e [jetu-e] e veçanta e gegërishtes letrare). Pjesorja, kështu e shkurtuar, nuk e pengon aspak as paskajoren me jetu. Sistemi që përmban për të jetu, krejt organike e ka edhe paskajoren me jetu.
Pikërisht drejt këtij lloj shkurtimi pjesorja po prihet edhe në situatat gjysmëzyrtare të ndërveprimeve kombëtare, siç janë p.sh. debatet politike nëpër studio televizive, kur ndërveprojnë politikanë, analistë, opinionistë e gazetarë prej Shqipërisë e Kosovës. Ndaj pikërisht te ky lloj shkurtimi i pjesoreve, duke dhënë jetu, kthy, ardhë, hy, mund ta nisim hetimin për ta njësu vërtet shqipen kombëtare.