Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Mungesa e reformës në mbrojtjen sociale po aktivizon gjykatat

Ilustrimi: Big Eye

Disa nisma zyrtare në nivel të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës për reforma të nevojshme dhe gjithpërfshirëse në sistemin e mbrojtjes sociale – sistem që përfshin transferet sociale, shërbimet sociale, dhe taksat – kanë dështuar gjatë viteve 2017-2020, për shkak se qeveritë rrëzoheshin shpesh, pa arritur të përfundonin mandatin e plotë katërvjeçar.

Pas fitores së thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) krijoi Qeveri më stabile, mirëpo as kjo Qeveri nuk ka treguar deri më sot përkushtim të mjaftueshëm reformator në sistemin ekzistues të mbrojtjes sociale, ndonëse ka ngritur disa programe të reja të mirëseardhura (p.sh. shtesat për fëmijë, pushimin me pagesë të maternitetit për gratë e papunësuara, programin e punësimit Superpuna, etj.). Në fakt, në vend se disa nga pabarazitë, konfliktet ndërprogramore dhe paqartësitë e njohura të këtij sistemi të zgjidheshin përmes dialogut social, ato kanë filluar të shtrohen në gjykata. Kjo performancë bie ndesh me orientimin social demokratik të LVV-së dhe premtimet zgjedhore të saj.

Për shembull, më 16 janar 2023, Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi një aktgjykim me të cilin e shpall njohjen e pjesërishme të stazhit të punës për periudhën e viteve 1990-të në mospajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe konventat e zbatueshme ndërkombëtare (nenet për barazi para ligjit, ndalim të diskriminimit dhe ndalim të përgjithshëm të diskriminimit). Me legjislacionin në fuqi, stazhi i ishte njohur vetëm disa kategorive të punëtorëve të sistemit socialist, që më pas ishin angazhuar në ish-qeverinë ose shtetin paralel kosovar, por jo edhe punëtorëve të tjerë që kishin humbur krejtësisht punën për shkak të masave diskriminuese të regjimit jugosllav pas 1989-tës. Kjo (mos)njohje pastaj ka ndikuar kualifikimin për pensionin ose kompensimin që Qeveria ua bën kontribuesve të sistemit pensional të paraluftës, pasi për kualifikim kërkohen së paku 15 vite stazh pune (ose kontribuimi). Me këtë aktgjykim, nenet e legjislacionit në fuqi që përkufizojnë njohjen e pjesërishme të stazhit shfuqizohen nga 15 korriku 2023.

Një shembull tjetër i rëndësishëm ilustrues i aktivizimit të gjykatave në mungesë të reformës në sistemin e mbrojtjes sociale janë aktgjykimet e gjykatave të rregullta në lidhje me pensionin e aftësisë së përhershme të kufizuar. Viteve të fundit, disa aktgjykime të këtilla të veçanta  u kanë dhënë të drejtë përfituesve të këtij pensioni të jenë aktivë (duke punuar me pagë), në kundërshtim me interpretimin në praktikë të Qeverisë, e cila, ndonëse pa bazë ligjore, e zbaton programin si transfer social vetëm për persona me paaftësi të plotë të përhershme për punë. Pra, nisur nga këto interpretime të gjykatave të rregullta, shteti mund të jetë duke penalizuar rreth 19,500 persona që marrin pension për aftësi të përhershme të kufizuar nga e drejta për punë. Në ligjin për Pensionet e Financuara nga Shteti dhe udhëzimin përkatës administrativ, askund nuk përmendet – siç përmendej në ligjin paraprak të trashëguar nga UNMIK-u – se përfituesit e pensionit duhet të kenë paaftësi të plotë pune. Duke e zbatuar këtë pension si më herët, pavarësisht ndryshimeve ligjore që kanë ndodhur më 2014/15, shteti jo vetëm që shkel ligjin, por diskriminon këtë kategori shoqërore edhe në rrafshin e përfshirjes sociale (ku bën pjesë edhe përfshirja në tregun e punës), ndryshe nga programet tjera që mbulojnë personat me aftësi të kufizuar (si p.sh. pensionet për të verbrit, për personat tetraplegjikë dhe paraplegjikë, dhe për invalidët ushtarakë dhe civilë të luftës).

Këto pabarazi e diskriminime, si dhe konfliktet e paqartësitë brenda dhe ndërmjet programeve sociale, që adresoheshin me nismat reformuese të pajetësuara, do të duhej të zgjidheshin me negocim mbarëshoqëror, të hapur dhe të drejtuar nga Qeveria, e jo me aktgjykime dhe interpretime gjykatash. Negocimi duhet të konsiderojë edhe dimensione tjera siç janë: ngarkesat e reja buxhetore, përshtatja e kapacitetit implementues të administratës, ambiciet e përfshirjes sociale, solidaritetit, e të tjera.

Kështu, kompensimi aktual nga shteti për ish-kontributdhënësit lëshohet për rreth 48,500 persona (të dhënat e dhjetorit 2022), kurse 206,386 persona kanë qenë në marrëdhënie formale pune më 1984 (viti i fundit relevant për të bërë 15 vite stazh të njohur pune për kualifikim). Nëse kriteri i njohjes së pjesërishme të stazhit – vetëm për kategoritë e të punësuarve nga Qeveria paralele – shfuqizohet dhe vendime tjera nga Qeveria/Kuvendi i sotëm nuk do ketë, atëherë në parim deri afër 150,000 persona tjerë (një pjesë e të cilëve mund të ketë emigruar dhe jeton jashtë vendit) mund të kualifikohen për pension, çfarë rëndon shpenzimin social. Pabarazia dhe diskrimini aktual në pension (siç kuptohen në aktgjykim) brenda grupit të ish-kontributdhënësve do të hiqeshin, mirëpo kjo nuk do t’i shërbente interesave tjera të rëndësishme shoqërore, si rritja e solidaritetit shoqëror përmes rishikimit të bazës së financimit që sot i kontribuon rishpërndarjes perverse (duke marrë nga të varfrit për të çuar drejt një kategorie që historikisht ka qenë në punë, pra më mirë se shumica e të tjerëve të papunë), përmirësimit të qëndrueshmërisë afatgjatë të sistemit pensional, incentivizimit të punësimit, etj.

Tutje, në rastin e personave që marrin pensionin për aftësinë e përhershme të kufizuar, proceset gjyqësore që kanë kontekstuar penalizimin e të drejtës për punë të këtyre personave (në rastet kur mund të punojnë) kanë zgjatur me vite. Në vend se të detyrohen të kalojnë procedura dhe stres të këtillë, reforma e sistemit të mbrojtjes sociale do duhej të siguronte që të përshtaten të gjitha pjesët e veçanta të sistemit për t’i kontribuuar dhe ndihmuar përfshirjes sa më të gjërë sociale të këtyre personave.

Prandaj, vendimi i Gjykatës Kushtetuese me aktgjykimin e përmendur më lartë, që Qeveria dhe Kuvendi brenda gjashtë muajsh ta plotësojnë legjislacionin në lidhje me stazhin e kontributdhënësve, duhet të shfrytëzohet për t’iu rikthyer reformës së përgjithshme.

Deri më tash, Qeveria e LVV-së ka argumentuar se një pjesë e reformave, që premtohen me programin e saj qeverisës (2021-2025), është penguar nga moskalimi i një marrëveshjeje huazimi, në vlerë të 47 milionë eurove, me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Grupit të Bankës Botërore). Kjo qasje është në kundërshtim me zotimet programore të Qeverisë së LVV-së për ristrukturim të skemave sociale e pensionale në kuadër të politikave publike më progresive dhe të vetëvendosjes më të madhe vendore. Organizatat ndërkombëtare duhet të ndihmojnë me ekspertizën dhe praninë e tyre në proces, mirëpo nuk duhet lejuar që të rikthehen si vendimmarrëse dominuese. Disa nga zgjidhjet e shtyra në të kaluarën nga këto organizata, si Banka Botërore, kanë dështuar të mbështesin solidaritetin shoqëror dhe demokratizimin e vendit, duke qenë të orientuara më shumë nga ideologjia neoliberale sesa nga nevojat lokale.

Kosova duhet të fillojë të mendojë vetë dhe kontekstualisht për problemet dhe mbrojtjen sociale që formëson karakterin e nënshtetësisë: koha është e mjaftueshme, aftësi vendore ka, dhe ekziston edhe një traditë e negocimit dhe kapacitetit implementues.

Konkretisht, Qeveria mund ta prioritizojë krijimin e një shtylle në sistemin pensional të njohur si Beveridge (me pagesa të barabarta/sheshta, lëshuar për dhe financuar nga kontributdhënësit) për ta vendosur ndërmjet pensionit bazë universal dhe kursimeve personale. Kjo shtyllë do të ishte modeste. Do të mund të paguante, të themi, 150 EUR në muaj për fillim (mbi pensionin bazë – i qasshëm nga të gjithë të moshuarit), me kushtin e 20-25 viteve kontribuim qoftë në sistemin e para 1989 (me njohje të viteve 1990) qoftë në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (të njohur si Trust-i) dhe me kushtin e banimit në Kosovë. Pra, në pensionin Beveridge do të kualifikoheshin automatikisht përfituesit e skemës aktuale kontributdhënëse dhe do të shtoheshin të tjerët bazuar në kriteret e reja. Pensioni do të mund të menaxhohej nga Trusti, që do të mund të transformohej në Administratën e Sigurimit Shoqëror (ASS), duke zgjeruar përgjegjësitë e tij përtej menaxhimit të kursimeve pensionale – në menaxhim të sigurimeve sociale. Kjo zgjidhje do të shmangte shumë pabarazi në kualifikim, por edhe do të ndikonte në nxitjen e punësimit, solidaritetin shoqëror, rishpërndarjen dhe balancimin e bazës së financimit të pensioneve, si dhe në rritjen e adekuatësisë së ardhshme pensionale.

Në shembullin tjetër konkret, që ka të bëjë me personat me aftësi të kufizuara, Kosova mund ta universalizojë  lëshimin e transfereve sociale (pra të mos ketë qasje kategorike dhe me kritere të ndryshme) bazuar në shkallë të përqindjes të humbjes së kapacitetit funksional të përhershëm për mbështetje të jetesës (jo vetëm të punës). Disa vende në Europë lëshojnë kompensime nga shkalla 25% e lartë e paaftësisë, e shumë të tjera nisin nga shkalla 50% (p.sh. Suedia, Hugaria, etj.). Përveçqë nuk duhet të ndalohet përfshirja në tregun e punës, përfshirja mund të mbështetet e lehtësohet me incentiva të tjera në kuadër të formimit të sigurimit shoqëror dhe shtetndërtimit të gjithanshëm (siç bëhet sot me disa nga taksat e aplikuara).

Afati deri më 15 korrik jep kohë të mjaftueshme për të negociuar një kontratë sociale të nevojshme dhe më progresive. Mirëpo, kërkohet paradigmë e re politikash, me më shumë dialog dhe vendimmarrje vendore. Në përgjithësi, kontrata e rinegociuar sociale do duhej t’i kontribuojë rritjes së solidaritetit, barazisë gjinore, balancit gjenerativ të shpenzimit social dhe zgjerimit të këtij shpenzimi kah shërbimet sociale (kujdesi i hershëm për fëmijët, kujdesi shëndetësor, kujdesi afatgjatë për personat në nevojë, etj). Për shkak se barra e kujdesit në familje ka rënë historikisht mbi gratë, këto ndryshime strukturore do përkrahnin edhe barazinë gjinore në mënyrë direkte dhe indirekte.

*Autori është angazhuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore për shkrimin e këtij artikulli në mbështetje të Ambasadës së Holandës në Kosovë. Përmbajtja e këtij artikulli është vetëm përgjegjësi e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimin zyrtar të Mbretërisë së Holandës.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.