Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Ndërmjet barazisë dhe drejtësisë

Kohët e fundit në mediat e Maqedonisë u bë lajm aplikimi i disa qytetarëve në Inspektoratin Bujqësor, emrat dhe mbiemrat e së cilëve i përkisnin traditës së maqedonasve etnikë por që shumica e të njëjtëve ishin deklaruar si shqiptarë, kur aplikuan në pozitat përkatëse. Kjo ngjarje mund të ketë dy shpjegime: që të njëjtët shfrytëzuan lirinë e vetidentifikimit si pjesëtarë të një komuniteti të caktuar dhe së dyti (opsioni më pragmatik), që përdorën mundësinë për t’u punësuar në sajë të diskriminimit pozitiv, që zbatohet për grupet joshumicë.

Ngatërresat e politikës me etninë duket se janë temë e cila rrallëherë gjen zbehje në shoqërinë/politikën maqedonase, ani pse të tilla zhvillime shpeshherë kalojnë nga faza latente, në shfaqje të drejtpërdrejta. Pas dështimit për të realizuar platformën politike për zgjedhjen e kryeministrit shqiptar (në zgjedhjet parlamentare 2020) nga partneri shqiptar në koalicion qeveritar Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), kohëve të fundit doli në pah ideja e subvencionimit të bizneseve private që punësojnë shqiptarë etnikë. Kjo sipas BDI-së bëhet për shkak se ka mospjesëmarrje të shqiptarëve në biznese private dhe kuadrot janë kryesisht maqedonas etnikë, edhepse shqiptarët përbëjnë ¼ e shoqërisë në Maqedoni.

Ky model del të jetë problematik pasi përbën ndërhyrje në rrafshin identifikues, të mundësive të barabarta por ka edhe ngjyrim etnocentrik, pasojat e mundshme të së cilës janë tensionimi i marrëdhënieve ndëretnike, për të cilat u bë aq mund për t’u lehtësuar.

Retrospektivë: “Konflikti i rrënjosur thellë”

Nga vijnë kërkesat e tilla, të bazuara në përkatësi etnike? Në rastin e Maqedonisë, ky është rezultat i një situate të diskriminimit tejet të lartë të pakicave dhe e etnocentrizmit pothuajse në çdo aspekt të sferës politike dhe shoqërore që nga krijimi i shtetit të pavarur. Gjendja politike dhe shoqërore në Maqedoni nga pavarësimi e tutje i përshtatet konceptit të konfliktit të rrënjosur thellë të analizuar në librin e Harris, Railly & Anstey: Deeply rooted conflict: Options for negotiators. Konflikti i rrënjosur thellë kombinon faktorë të fuqishëm të bazuar në identitet dhe perceptime të gjera të pabarazisë ekonomike dhe shoqërore.

Në rastin e Maqedonisë, të dy këta faktorë u kombinuan, madje në një masë shumë të gjerë, por edhe të thellë. Faktorët identitarë ishin vetidentifikimet e fuqishme të grupeve me etninë përkatëse dhe kundërshtitë ndaj grupit tjetër etnik. Burimet ekonomike ishin elementi i dytë shpërbashkues. Që nga formimi i shtetit ka ekzistuar perceptim i gjerë i komunitetit etnik shqiptar që burimet ekonomike përqendrohen kryesisht tek maqedonasit etnikë dhe se shqiptarët janë të lënë anash. Kjo vlente sidomos në sektorin publik, ku shqiptarët ishin të përjashtuar nga pozitat publike, sidomos ato të nivelit të lartë e vendimmarrës. Sipas studiuesit Petar Atanasov, ndarja në baza etnike në Maqedoni ka ngjarë për shkak që shteti maqedonas kishte dështuar që të bindë shqiptarët që jetojnë në një shtet shumetnik dhe kështu pasoi vetidentifikimi i fuqishëm me grupin etnik përkatës. Në modelin paraetnik ndërkaq, shoqëria ishte e integruar pasi etnia nuk ishte mjet dallues në shoqëri por ishin klasat.

Megjithëkëtë, që nga ardhja e socialistëve në pushtet më 2017, u moderua diskursi etnocentrik që vinte nga grupi politik mbizotërues paraprak. Ndryshimet u vunë në pah edhe në aspekt të miratimit të ligjeve dhe politikave të favorshme për grupet jombizotëruese. Ligji i Gjuhëve bëri që kërkesat e komunitetit shqiptar për përmirësim të pozitës së gjuhës shqipe të zbatohen, anipse gjuha shqipe nuk mori status paralel me gjuhën maqedonase, pasi ende ka kufizime sa për t’u konsideruar plotësisht gjuhë e dytë zyrtare.

Domosdoshmëria për drejtësi

Ndarja e pushtetit, siç vlerësojnë Harris et. al. mundëson mosshpërthimin e konfliktit. Kështu edhe ka ndodhur. Në kushtet e një mospjesëmarrjeje dhe papërfaquesshmërie pothuajse totale në pozitat publike që nga themelimi i shtetit të pavarur maqedonas në 1991, lypsej ndërhyrje e institucionalizuar në mënyrë që të mbahet një harmoni dhe kohezion shoqëror. Konflikti i armatosur i vitit 2001 ishte ndër të tjera rezultat i ndjenjës së burimet ekonomike nuk shpërndahen për të gjithë dhe janë të përqëndruara tek grupi shumicë, ndërsa grupet e tjera margjinalizoheshin e liheshin anash. Paraprijës i këtij perceptimi ka qenë miratimi i kushtetutës më 1991, ku epiqendër e referimit (veçanërisht në preambulë) ishte kombi maqedonas, fjalë kyçe ishin termat: kombi, kombëtar, maqedonasit etj., ndërkaq me amandamentimet kushtetuese këto fjalë u zëvendësuan me terma më neutralë si: populli, qytetarët e ngjashëm.

Diskriminimi i komunitetit shqiptar vërehej më së shumti në sektorin publik, veçanërisht në sektorin e sigurisë, pasi në këto fusha shqiptarët ishin të nënpërfaqësuar. Marrëveshja Kornizë e Ohrit (tutje: MKO) institucionalizoi obligime dhe përcaktime të shtetit ndaj komunitetit shqiptar me atë që Will Kymlicka i quan të drejta të veçanta të përfaqësimit. MKO ofron një gamë të drejtash për komunitetin shqiptar. Bazë e këtij dokumenti ishin decentralizimi; i lidhur me ndryshime në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, i menduar për të rritur pushtetin e udhëheqësve lokalë, mosdiskriminimi dhe përfaqësimi i barabartë; masa për përfaqësimin e komuniteteve joshumicë në organe qendrore dhe votimin e kualifikuar për amandamente kushtetuese dhe ligje që përkojnë me fusha të një rëndësie të veçantë për pakicat (gjuha, edukimi, identifikimi personal etj.) ndër të tjera. Në vijë me këto dispozita, u themelua institucioni i Sekretariatit për Mbikëqyrjen e Implementimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, si garant i zbatimit të obligimeve që rridhnin nga MKO, funksionet e së cilës u integrua në Ministrinë për Sistem politik dhe marrëdhënie midis etnive në vitin 2019.

Në shumë segmente të jetës publike dhe institucionale ka pasur përmirësim në aspektet e përfaqësimit ose punësimit. Të dhënat nga Raporti Special i Avokatit të Popullit të Maqedonisë (2015) tregojnë që në parlament janë të punësuar 26.2% shqiptarë, në institucionin e Avokatit të Popullit 55.8%, në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve 30.1%, edukim fillor 28.5%, në Ministritë e Arsimit, Kulturës, Mjedisit, Vetëqeverisjes Lokale, Shëndetësisë dhe Ekonomisë mbi 30% e të punësuarve janë të përkatësisë etnike shqiptare. Përkundër kësaj, në disa fusha, shqiptarët mbeten të nënpërfaqësuar. Kështu, në Këshillin e Prokurorëve Publikë nuk ka shqiptarë të punësuar (0%), në Gjykatën Supreme 1.6%, në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë janë të punësuar vetëm 3.4% shqiptarë etj.

Nga drejtësia drejt barazisë: Këndvështrim kritik

Më lart u trajtuan aspekte të drejtësisë, si veprime të nevojshme për të vënë në pah një gjendje të rënduar në këtë segment. Por, sa kohë duhet kaluar për të vlerësuar se tashmë drejtësia u vu në vend, tranzicioni mbaroi dhe se duhet kaluar kah koncepti i barazisë?

Ideja e subvencionimit të bizneseve private që punësojnë shqiptarë etnikë është një paralele me modelin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit; të realizohet pjesëmarrje/përfaqësim i shqiptarëve pasi si komunitet janë të nënpërfaqësuar edhepse zyrtarisht përbëjnë ¼ e shoqërisë. Kjo kuotë etnike/numerike është problematike dhe me potencial të tensionimit të raporteve ndëretnike.

Fillimisht, Maqedonia e Veriut operon me shifra të vjetra. Regjistrimi i fundit i popullsisë është bërë në vitin 2001 (regjistrimi i radhës planifikohet të bëhet në fillim të vitit 2021) dhe kur kanë kaluar rreth 20 vite, është vështirë e besueshme që përqindjet e grupeve etnike kanë mbetur konstante nga ajo periudhë. Lëvizjet e popullsisë dhe shtimi natyror janë shkaktarët kryesorë që këta numra mos të jenë statikë, ndër të tjera.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë Bujar Osmani (aktualisht ministër i jashtëm) pat deklaruar në 17 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit që objektivi për përfaqësim të shqiptarëve ka arritur në masën 19% dhe se mbetet që këtë shifër ta bëjnë “kualitative”, duke lënë të kuptohet që thirrjet dhe përpjekjet për pjesëmarrje më të gjerë të shqiptarëve janë bërë hëpërhë, sa për të mbushur kuotat numerike, duke mos pasur parasysh aspektet kuadrovike e meritokratike, të cilat janë lënë në plan të dytë. Kuotat e përfaqësimit të grave në kuvend që i zbatojnë disa shtete, vendet e rezervuara për grupet joshumicë etj., janë një lloj diskriminimi pozitiv që ndërmerret me qëllimin e vetëdijësimit, përkatësisht ndryshimit të gjendjes në aspekte të caktuara.

Kjo ka ndodhur edhe në Maqedoni, siç u vërejt në trajtimin më lart. Por, insistimi për kuotë etnike të të punësuarve sikur e bart çështjen në numra, nuk i kushtohet rëndësi përmbajtjes dhe as vlerave por vetëm përcaktimit etnik-numerik. Çka nëse, fjala bie, në një biznes të caktuar, nga numri i aplikuesve pjesa dërrmuese janë shqiptarë por si rezultat i kuotimit kompanisë do i duhet të ndalojë tek shifra 25%? A është kjo tash një boomerang i idesë për pjesëmarrje e të drejta më të mëdha!? Kjo përbën ndërhyrje edhe në të drejta edhe në barazi, mundësi të barabarta për të gjithë.

Menderes Kuçi nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore e kundërshton këtë ide duke e cilësuar si të tillë që shkakton irritimin e etnive tjera. Pati reagim edhe nga Konfederata e Punëdhënësve. Udhëheqësi i saj Mile Boskov e konsideroi si populizëm primitiv idenë e subvencionimit të bizneseve private, duke përmendur masat që favorizojnë barazinë si zgjidhje të duhura. Përkundër kësaj, zëvëndëskryeministri i parë Artan Grubi e mbron idenë e subvencionimit duke vlerësuar se modeli i administratës publike duhet zbatuar edhe në sektorin privat, anipse janë rreth 1200 punonjës “etnikë” në administratë të cilët kanë marrë paga e kanë mbajtur poste pa punuar fare.

Duke bërë kufizime në baza etnike a numerike dhe duke e vënë çështjen tërësisht në aspekte jopërmbajtjesore, nuk i bëhet favor as një komuniteti, as biznesit, as shoqërisë dhe madje as kohezionit. Në vend se të ngulet këmbë në përfaqësim, pjesëmarrje dhe të drejta duke u nisur nga parimi numerik, është e udhës që të ngulet këmbë për gjithëpërfshirje, mosdiskriminim dhe kohezion të bazuar në vlera njerëzore, profesionale, çka do mundësonte që çështjet e punësimit, përfaqësimit a çkado tjetër të realizohen duke u bazuar në meritokraci dhe përgjithësisht në aspekte vlerore.

Në këto rrethana, i bie se përfaqësuesit e komunitetit shqiptar por edhe vetë shoqëria duhet të bëjë kalimin nga kërkimi i drejtësisë drejt kërkimit të barazisë. Në këtë vijë, do mund të kalonin edhe komunitetet e tjera dhe kështu model të bëhet barazia. Në një masë, drejtësia është arritur pasi kuadrot shqiptare janë të përfaqësuar në organe shtetërore dhe publike madje edhe në disa segmente ku mendohej që përfaqësimi s’do ngjante asnjëherë (siguria dhe mbrojtja). Anipse pjesëmarrja nuk është në masën që kërkohet dhe në disa institucione ende ka nënpërfaqësim, rrethanat kanë ndryshuar dhe gjendja nuk është sikurse para konfliktit të armatosur dhe kushtet e diskriminimit total. Pasi masat e përmendura janë në lidhje me sektorin privat, ndërlikimet janë edhe më problematike. Ajo se çfarë mund të bëjnë organet dhe përfaqësuesit shtetërorë është tejet e qartë: të veprojnë rreth vetëdijësimit por edhe praktikimit të dispozitave të gjthëpërfshirjes dhe mosdiskriminimit; kështu sigurojnë që të gjithë qytetarët konsiderohen të barabartë dhe si të tillë mund të konkurrojnë dhe të zgjidhen në bazë të meritave të tyre, e jo në bazë të ndonjë dispozite kufizuese.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.