Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Ndjeshmëria e korbave dhe dashi i demokracisë

Nuk duhet të jesh ekspert apo agjent i SHIK-ut për ta marrur vesh që “klientelizmi partiak” është i lidhur ngushtë me financuesin partiak. Kam dëgjuar miq dhe familjarë, laikë publikë dhe të shkolluar privatë, duke pohuar se kjo është normale; filani ka bërë shumë në kampanjë, ka punuar me aktivizëm elektoral dhe ua ka lagur arkën me kesh. Leja për këtë godinë, kontrata për atë kompani, janë të merituara dhe legjitime. Në zgjedhjet e kaluara dhe të parakaluara, listat zgjedhore të denoncuesëve më të mëdhenj të korrupsionit u përpiluan nga ushqimi i korbave të zi. Nga mbeturinat e fushëbetejave të radhëve partiake.

Kam parë idiotë dhe sharlatanë, njerëz të mendjengadalshëm, disimulatorë psikotikë, konservatorë thelbësisht të druajtur, duke u ngjitur si tigra majeve të gërxheve të përfaqësimit demokratik. Dje, këshilltar i pushtetit, sot, zëri prapa altoparlantit të skamjes, nesër, përsëri këshilltar i pushtetit. Kam parë njerëz të “pastër” që kanë filluar me oratorinë për të mirën e bonjakut, vetëm për të përfunduar në gjunj para ambicieve më banale.

Nuk duhet të jesh bektesh për ta marrur vesh që, demokracia në ditët e pabesisë, është nominuesi normativ i situatës në të cilën pushteti rri në dorën e pasurisë dhe politika (idealisht) kurs i papenguar i qeverisjeve oligarkike. Që fushëbetejat e ngritjes majave të organizatës (partiake), për të mirat e “kapjes” (së pushtetit), janë të definuara mirë e thellë nëpër llogoret e holla (dhe të rrejshme) të interpretimit në mes të plaçkës dhe shpërblimit. Që sa i përket bërrylit, një deputet i Vetëvendosje!-s nuk ka dallim nga një i PDK-së. Sikurse me financuesit – e që mund të ndodhë të jenë i njëjti person.

E që, edhe të mos ishin i njëjti person, janë i njëjti mjedis financiar; po ai mjedis që e ka shtrirë sot Evropën, nga Irlanda dhe Mbretëria e Bashkuar, deri në Spanjë dhe Itali, në një shtrat neo-fashist, brenda dhomës së sëmurë të teknokracisë së paemër, të BE-së. I njëjti mjedis që i bashkon mediat e lira dhe (cenuesit e tyre) pushtetet autoritare.

Koreografinë e krizave dhe rezolucioneve, thikave në shpinë dhe koalicioneve, e nënvizon i njëjti rezultat: orientimi personal i përfaqësimit elektoral, me në sfond votuesin e manipulueshëm – simetrikisht manipulues. Transparenca nuk është sinonim i sinqeritetit! Prapa parave fshihen paratë, e jo krimi apo ndershmëria. Gjermanët ua kishin dhënë grekve “dembelë” kredinë, nëpërmjet duarve të pushteteve të korruptuara, si ryshvet për (ta siguruar) tregun e mallërave gjermane në Greqi. Një ndër instancat më të shkëlqyera të korrupsionit të definuar nga Marksi, jo si fenomen i keqqeverisjes, por si bosht kurrizor i politikave të ekonomisë së borxhit dhe kredisë.

Përfaqësuesit e plutokracisë, pra, agjensitë e vlerësimit, që (do të) bëjnë zgjedhje dhe marrin vendime (edhe) për popullin e Kosovës, janë vetëm njëra copëz e tregimit tonë. Copëza tjetër është marrëdhënia asimetrike intervencioniste dhe mënyra e subjektivimit nga po kjo marrëdhënie, që në vete prodhon një moralitet specifik. Të gjitha yshtjet e subjekteve politike në Kosovë, nga PDK deri te Vetëvendosje!, të gjitha panelet qytetare, ekspertët, gazetarët, biznismenët, etj., dikush më shumë, e dikush më pak, janë produkte të kësaj mënyre dhe këtij prodhimi. Përshembull, trendi më i ri i “partisë së idesë pa lider”, si alternativë e partisë së ikonës dhe kultit, jo që është kallp, por më shumë i ngjan një politbiroje moskovite, se sa një shprehje egalitare.

Copëza e verdhë që i munguaka Evropës është Kosova e dy borxheve plotësuese: atij legal dhe financiar. Njëri, i pasqyruar nga të drejtat e njeriut (pa të drejta), përfitimit të intervenimit militar dhe donacioneve të mirëbërësit. Tjetri, nga “shtet-ndërtimi” mbi themelet e Fondit Kosovar për Garanci të Kredisë, në vijim të privatizimeve (neoliberaliste) – distribucionit të energjisë, aeroportit, minierave, etj.

Një qenie e domestikuar për lesh dhe mish, unë jam dashi i kurbanit demokratik, kurse financuesi (nga jashtë), dhe militanti (nga brenda): përfaqësues të njëri-tjetrit për zyrë dhe biznes. Përherë brenda suazave të korbave të zi dhe ndjeshmërisë së tyre ndaj interesave të fajdexhisë.

Jam një dash anti-produktiv, i qethur dhe asht-e-lekurë, brenda thertores anti-demokratike, me feçkë të kapur në kutinë e votimit (tashmë të kapur). I dëgjoj miqt dhe familjarët e urtë kur më thonë: kështu është gjithkund në botë dhe kështu gjithmonë ka qenë! Dhe mezi ju përgjigjem, me zërin tim të njomë dhe blegërijës: ndoshta në këtë qytet, por jo në një qytet tjetër.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.