Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Ndryshimi i rrethanave politike si pasojë e prioriteteve të politikës amerikane: rasti i kurdëve dhe mësimet për Kosovën

Aspiratat e popujve të ndryshëm të botës për liri e pavarësi shpesh janë të bllokuara nga aspektet e realpolitikës dhe rrethanave gjeopolitike. Sot, në kohën kur paradigma e sigurisë dominon politikat ndërkombëtare, parimet dhe e drejta kanë tendencë të lihen mënjanë.

Ky është një përkujtim që rreshtimi i duhur ndërkombëtar, partneritetet strategjike dhe aleancat në organizata ndërkombëtare janë të domosdoshme për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit. 

Megjithatë, kjo nuk është domosdoshmërisht gjithmonë e saktë. Rreshtimi përkrah aleatëve nuk është gjithmonë formula e duhur për sukses. Përpjekjet e popullit kurd dhe ish-liderit të Partisë Demokratike të Kurdistanit, Mustafa Barzani, gjatë viteve ‘70, e ilustrojnë një gjë të tillë.

Kurdët janë një grup etnik që numëron rreth 30 milionë njerëz. Njihet gjerësisht si grupi më i madh etnik në botë pa shtet të tyre. Gjithashtu, kurdët janë me shumicë të besimit islam, të sektit sunni. Harta moderne e Kurdistanit përfshin pjesë të Turqisë Lindore, Sirisë Veriore, Irakut Verior dhe Iranit Veriperëndimor. Popullsia kurde njihet si në Irak, ashtu edhe në Iran, pasi kurdët në Irakun Verior kanë krijuar me sukses qeverinë e tyre autonome.

I ndarë mes shumë shtetesh, populli kurd është përballur me shumë armiq në Lindjen e Mesme, përfshirë shtetet ku banojnë aktualisht. Gjithashtu, shumica e vendeve arabe janë treguar jomiqësore me popullin kurd. Kurse miqtë më të mëdhenj të popullit kurd janë ShBA-ja dhe Britania e Madhe.

Mulla Mustafa Barzani ishte gjeneral dhe udhëheqës i kurdëve të Irakut, një lider që kishte luftuar me dekada të tëra për të drejtat e popullit kurd të Irakut dhe që kishte tentuar ta shtynte përpara aspiratën për pavarësi kurde, i përkrahur edhe nga ShBA-ja dhe vende të tjera në periudha të caktuara kohore. 

Megjithatë, atëbotë, Barzani gjendej para një situate të pashpresë. I mbështetur në aleancën e Iranit për furnizim me armë, ndihma dhe resurse të tjera, e po ashtu për lëvizje përtej kufirit, dhe i fokusuar te bashkëpunimi amerikan, papritur ngeli pa mbështetjen e asnjërës. 

Kjo ndodhi sepse në margjinat e një konference për krerët e shteteve të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), më 5 mars 1975, nënshkruhet marrëveshja e njohur si Marrëveshja e Algjerit, në mes të presidentit të Irakut, Saddam Hussein, dhe Shah-ut të Iranit, Muhammed Reza Pahlavi. Marrëveshja përfshinte ndaljen e furnizimit me armë dhe resurse për kurdët, mbylljen e kufirit dhe një ristrukturim të marrëdhënieve Irak-Iran. 

Marrëveshjen nuk e kundërshtoi as Sekretari i Shtetit Amerikan, Henry Kissinger. Ndonëse shprehu një lloj frustrimi me situatën e krijuar, ai e lexoi situatën si një domosdoshmëri e realpolitikës dhe prioritizoi interesat nacionalë të shtetit të tij. Kjo pasi Irani dhe stabiliteti në Lindjen e Mesme përbënin një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme amerikane. 

Në këto rrethana politike, aspiratat e popullit kurd për pavarësi nuk ishin prioritet. Si pasojë, revolta kurde pësoi goditje fatale, duke prodhuar një eksod kurd në Iran së bashku me Barzanin. I shtyrë nga kjo situatë, Barzani udhëton në mënyrë gjysmë sekrete në Uashington D.C., më 1975, në tentim të dëshpëruar për t’i ndryshuar rrethanat për popullin e tij.

Gjatë vizitës së tij, Barzani përballet për të parën herë me realitetin e ashpër të politikës amerikane. Ai nuk mund ta sigurojë asnjë takim të rëndësishëm me vendimmarrës, përpos me disa miq kongresmenë.

Nga dokumentet e CIA-s të vitit 1976 është dokumentuar një letër e panënshkruar dhe pa adresë, e që besohet se është e Sekretarit të Shtetit, Henry Kissinger, drejtuar Barzanit përmes kanaleve të komunikimit të agjencisë së inteligjencës. Letra përfundon si vijon:

I dashur Gjeneral,
Nëse dëshironi të dërgoni një emisar të besuar në Uashington për t’i dhënë Qeverisë së ShBA-së informacione të mëtejshme rreth situatës, do të ishim të nderuar dhe të kënaqur ta pranonim atë. Jam i bindur se fshehtësia ka qenë e një rëndësie të madhe në ruajtjen e aftësisë sonë për të bërë atë që kemi bërë; është vetëm për këtë arsye – si dhe shqetësimi ynë për sigurinë tuaj personale – që unë hezitoj të sugjeroj një takim personal këtu me ju. Mezi pres të dëgjoj nga ju.
Ju lutem, pranoni urimet e mia më të sinqerta dhe vlerësimin e lartë”.

Ndonëse kurdët pësuan goditje të madhe nga ky bojkotim amerikan në vitin 1975, Kurdistani i Irakut dhe kurdët në përgjithësi vazhduan të përbënin interes për politikën e jashtme amerikane. Kjo u dëshmua më 2005 dhe 2008, në takimin e presidentit George W. Bush me Massoud Barzanin, presidentin e Qeverisë Rajonale të Kurdistanit, që u konsiderua si një takim historik.

Së fundmi, Sekretari Amerikan Anthony Blinken rikonfirmoi rëndësinë e bashkëpunimit me kurdët për sigurinë rajonale në Lindjen e Mesme, sidomos pas kërcënimeve të fundit të Iranit. Tashmë Qeveria Rajonale e Kurdistanit është partner strategjik i ShBA-së në frenimin e Iranit. 

Historia e kurdëve, aspiratat për pavarësi dhe navigimi i brishtë mes interesave gjeopolitikë në Lindjen e Mesme janë mësime të rëndësishme në marrëdhënie ndërkombëtare, nga të cilat duhet të mësojë Kosova.   

Mësimet për Kosovën

Edhe pse Kosova është një rast krejtësisht tjetër dhe ka dallime përmbajtjesore me realitetin kurd në shumë aspekte, ngjashmëria është te përpjekjet për liri dhe pavarësi. Me gjithë ngjashmëritë dhe dallimet, janë disa mësime që mund të nxirren për Kosovën. 

Së pari, leximi i politikës së jashtme amerikane dhe ndërkombëtare duhet të bëhet me gjakftohtësi dhe takt. Në këtë drejtim, mbështetja amerikane dhe partneriteti afatgjatë nuk duhet të trajtohen si diçka e mirëqenë. Me ndryshimin e rrethanave gjeopolitike, mund të ketë edhe ndryshim të kursit të politikës amerikane, rrjedhimisht relevanca dhe rëndësia e një vendi ose rajoni mund të mos jenë gjithmonë në nivelin e njëjtë.

Së dyti, në situata të kundërshtive të mëdha, si pjesë e skenarit pesimist të çdo vendimmarrësi duhet të zërë vend edhe zbehja potenciale e mbështetjes amerikane, e që si dëm kolateral mund të jetë dobësimi i pozitës së Kosovës në marrëdhënie ndërkombëtare. Ndryshimet e qasjes së politikës së ShBA-së në Ballkan mund të mos jenë gjithmonë të favorshme për Kosovën. Por, në pamundësi të ndikimit direkt të këtyre politikave, për Kosovën mbetet parësor zgjerimi i partneritetit, sidomos në fushën e sigurisë me ShBA-në

Së treti, koordinimi në raste të caktuara edhe për çështje të brendshme duhet të trajtohet si domosdoshmëri e kohës, e jo si ndërhyrje në sovranitetin e vendit. Veçanërisht tani, në kohën kur siguria globale dhe rajonale janë të brishta dhe ndikimet malinje janë evidente nga shtete autoritare. 

Së katërti, aspekti i sigurisë territoriale së Kosovës është i lidhur ngushtë me misionin e KFOR-it në Kosovë dhe rolin e ShBA-së si një nga akterët kryesorë të sigurisë në Europë. Kjo madje dëshmohet edhe nga kryeministri Kurti, që e nënvizon përherë këtë fakt. 

Thënë këto, konfrontimi i hapur me partnerë, sidomos në rrethanat aktuale, nuk e zbut hendekun e qëndrimeve mes palëve. Për më tepër, konfrontimi është gabim strategjik dhe nuk ndihmon në konsolidimin e legjitimitetit ndërkombëtar.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.