Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Në kuptimin e plotë të fjalës, në Serbi do të ketë vaksina për t’u hedhur

Serbia është e para në Evropë dhe e shtata në botë sipas shkallës së vaksinimit të plotë! Por, duke marrë parasysh lëvizjet e fundit të autoriteteve, ka një ngecje. Pas të gjitha mrekullive që kemi parë në dekadat e fundit, radha i erdhi turizmit të vaksinave Deklaratat dhe aktivitetet kundërthënëse që nga fillimi i epidemisë, veçanërisht ato që vijnë nga shtabi i krizës, kanë ngjallur dyshime te njerëzit dhe kanë lënë hapësirë ​​për teoritë e konspiracionit. Për më tepër, shpenzimet e importit të vaksinave janë të panjohura. Pyetja është nëse kërkesa për vaksinim do të rritet.

Fundjavën e kaluar, në vendet më të njohura për shëtitje, Ada Ciganlija dhe në rrugët kryesore të Beogradit, maqedonishtja, si dhe gjuhë dhe dialekte të tjera ballkanike mund të dëgjoheshin në çdo hap. Janë vaksinuar 22.000 të huaj, që është ndoshta rasti i vetëm në botë. Solidariteti në rajon? Por, si ndodhi kjo?

Qeveria e Serbisë dhe Ministria e Shëndetësisë përdorën pozicionin e tyre në renditjen globale për fushatën “Me shëndet”! Në një video mund të shohim se si një boksier vendos një maskë dhe mposht një kundërshtar që personifikon Kovid-19. Në një video tjetër, përveç spitaleve të reja, mund të shihet monumenti i diskutueshëm i ngritur së fundmi për sundimtarin mesjetar Stefan Nemanja, pranë ish stacionit kryesor të trenit në Beograd, si dhe një shteg të ri këmbësorësh në qendër të qytetit që të kujton atë në Shibuya, Tokio.

Sido që të jetë, mesazhi është triumfal. Në një fragment të shkurtër të videos, mund ta shohim gjithashtu edhe Presidentin Aleksandar Vuçiç pranë aparateve të reja të frymëmarrjes. Ai, veçanërisht në fazën e parë të krizës, kishte dorëzuar personalisht pajisjet mjekësore nëpër spitalet në tërë territorin e Serbisë.

Të paktën, mund të thuhet se fushata e fundit e kishte huqur temën, përveç që përmenden pothuajse me ndrojtje vaksinimet dhe rekomandimet mbi masat për t’u mbrojtur kundër virusit. Përndryshe, ky vend është renditur mirë sipas numrit të vaksinave të dhëna për kokë banori: është e dhjeta në botë.

Aplikimet për vaksinim kishin filluar në gjysmën e parë të janarit dhe për pak më shumë se një javë numri arriti në 430.000. Tre muaj e gjysëm më vonë, numri i të vaksinuarve plotësisht ashtë afër një milion dhe janë administruar afërsisht 2.4 milion doza.

Punktet e vaksinimit mund të mbeten boshe

Shifrat e publikuara më 15 mars nga drejtori i Zyrës së Teknologjisë së Informacionit dhe Administratës Elektronike, Mihailo Jovanoviç, tregojnë një rënie të interesit për vaksinimin.

Sipas të dhënave të Bloomberg, numri mesatar i ndryshueshëm javor i vaksinave të dhëna çdo ditë në Serbi ra në vetëm 12.231 në 28 mars, kurse më parë ishte gati 80.000. Platforma Our World in Data njofton se më 26 mars, ky numër kishte rënë në nivelin më të ulët që nga 9 shkurti.

Vo Srbija ke ima vakcini za frlanje bukvalno 1

Burimi: Bloomberg Vaccine Tracker

Çfarë ironi! Gjysma e botës është e dëshpëruar për të gjetur vaksina, qindra mijëra njerëz vdesin ose kanë mbetur me pasoja të rënda nga infeksioni i koronavirusit, ndërsa pjesa më e madhe e Evropës po përparon me një ritëm kërmilli dhe po përballet me vonesa në shpërndarjen e vaksinave. Më 6 mars, Vuçiç përdori konferencën e tij dramatike për shtyp, kushtuar luftës kundër mafies, për të ftuar qytetarët që të regjistroheshin për vaksinim.

“Si Zotit, ju lutem” kishte thënë ai disa herë, veçanërisht duke iu drejtuar brezave të vjetër. Ai tha se Serbia kishte porositur gjithsej 14.2 milion vaksina dhe se 1.5 milion doza priteshin të arrijnë në muajin prill. Më vonë ishin porositur edhe miliona të tjera. Ishte hera e parë që dikush nga shteti të kishte përmendur se diçka nuk ishte në rregull, por zyrtarisht ende nuk ka ndonjë shqetësim se fushata e vaksinimit po dështon. Nga ana tjetër, fushata e mësipërme politike mbetet një normë, por nga një realitet tjetër.

Ndryshimi i zërit

Zyrtarët qeveritarë për rrjedhën e vaksinimit kanë folur në superlativ, përfshi edhe urimet ndaj vetes për jehonën e supozuar të shkëlqyeshme. Vetëm kohët e fundit, disa zyrtarë, siç është Ministri i Shëndetësisë Zlatibor Lonçar, i cili me më seriozitet iu kishte drejtuar qytetarëve duke rekomanduar që të vaksinoheshin. Kur flasim për të, ndër të tjera, ai është i njohur për deklaratat e tij para krizës se koronavirusi ishte “shumë më i dobët se gripi sezonal” dhe se Serbia mund të zhvillojë vetë vaksinën.

Vuçiç theksoi gjithashtu se në zonat e varfëra normat janë përgjithësisht shumë të ulëta, por ai nuk arriti të tregonte se sa këto vaksina ishin në dispozicion për njerëzit nga brendësia e vendit. Ai madje la të kuptohej se mund të shkonte të vaksinohej në Mala Zhagubica ose Meroshina për të dhënë një shembull, megjithëse ai ka thënë disa herë që nga fillimi i vitit që do të merrte vaksinën, por kjo nuk ndodhi.

Ndryshimi në fjalimin e presidentit ishte i dukshëm në konferencë, pasi ai kishte folur shumë pak për virusin në muajt e fundit. Ai pothuajse kurrë nuk mban maskë, përveç gjatë takimeve me Presidentin francez Emmanuel Macron, gjatë një vizite të fundit në Bahrein dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe me rastin e pritjes së delegacioneve të huaja.

Më vonë, më 19 mars, Vuçiç tha se nga 1 prilli, shteti do të fillonte me promovimin e vaksinimit.

Vaksinimi filloi me turma dhe përmes lidhjeve

Madje edhe fillimi i vaksinimit masiv nuk kaloi pa gabime të tjera. Nuk kishte një plan të qartë për grupet prioritare dhe situata po ndryshonte ad hoc. Ndërsa kërkesa ishte ende e lartë, kërkoheshin lidhje për tu vaksinuar pa respektuar radhën. Në panairin e Beogradit, pika më e madhe e vaksinimit, qytetarët u pranuan për disa ditë pa regjistrim, duke krijuar një turmë, që rriti rrezikun e infektimit. Dëshmitarët thonë se kjo praktikë u ndërpre të njëjtën ditë kur panë se po mbërrinin dhjetëra autobusë, plot me punonjës të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike.

Media vendase dhe rajonale raportuan se kishte raste kur banorët e Maqedonisë së Veriut, Kroacisë dhe Bosnjë dhe Hercegovinës kishin arritur të regjistrohen dhe të marrin vaksinën në Serbi, megjithëse kjo nuk ishte planifikuar.

Vetëm disa ditë më parë, portali e-qeveria u mundësoi qytetarëve, atyre që u ka ikur termini, të caktojnë një termin të ri, shoqëruar me një arsyetim.

Por situata ka ndryshuar plotësisht dhe ekipet mjekësore tani vizitojnë vende të vogla, madje shkojnë te njerëzit e palëvizshëm nëpër fshatrat e izoluara, pastaj vaksinojnë njerëzit pa regjistrim paraprak dhe pa respektuar radhën e pritjes. Kështu, është treguar se zvogëlimi i pabarazisë në të vërtetë erdhi si rezultat i një sfide të madhe. Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale Marija Obradoviç tha se ekipet kishin vizituar një numër të madh lagjesh joformale. “Nuk i kemi harruar as të pastrehët” u shpreh ajo.

Pak dobi nga marketingu

Në vend që të regjistronin video për të shpallur fitoren fiktive ndaj Kovid -19, institucionet shtetërore dhe shëndetësore duhet të kishin filluar informimin e publikut për vaksinat shumë më herët dhe të kishin mundësuar një debat të hapur të komunitetit profesional mjekësor, me pjesëmarrjen e qytetarëve të interesuar.

Në shekullin 21, pothuajse të gjithë në Ballkan kanë qasje në internet dhe rrjete sociale, ose të paktën në televizion dhe tabloide. Kështu është edhe me dezinformimin e synuar (direkt). Dhe atëherë ndodh që të ekzistojë ky apo ai mendim për çështje që zakonisht i kuptojnë vetëm ekspertët.

Në një rast të tillë, njerëzit me më shumë përgjegjësi në vend mund të kishin botuar shumë më herët informacione rreth efekteve anësore të mundshme të vaksinave. Dhe në lidhje me kohën kur rekomandohet vaksinimi pas kalimit të koronavirusit dhe cilat kushte/probleme shëndetësore e pamundësojnë atë.

Vetëm marketingu nuk do të ndihmojë, pasi ka një mijë herë më shumë lajme të rreme sesa video me pacientë të buzëqeshur. Nuk është thënë mjaftueshëm se pas vaksinimit, duhet kohë për të zhvilluar imunitetin, i cili ndoshta ka kontribuar në një absurd tjetër – që të mos ketë shtretër të lirë në spitale, kurse në to ka edhe shumë njerëz të vaksinuar. Një argument i shkëlqyeshëm për ata që trembin njerëzit se vaksinat janë të padobishme ose, më e keqja, se nga vaksinat mund të infektoheni me Kovid.

Në fakt, numri zyrtar i të infektuarve të rinj në baza ditore nuk është nën 1.300 që nga fillimi i nëntorit, dhe në javët e fundit ky numër është rritur në 5.000 dhe kërcënon të arrijë rekordin prej 7.999 rastesh, të regjistruara më 1 dhjetor. Spitalet janë të mbipopulluara dhe disa njerëz me pneumoni të lehtë nuk janë në gjendje të qëndrojnë në spital.

Po tolerohen shumë tubime publike, madje edhe koncerte, ndërsa virusi në masë të madhe mund të jetë përhapur edhe në vendpushimet e skive. Më 20 mars, madje u organizua një protestë në Sheshin e Republikës kundër masave mbrojtëse nga përhapja e virusit, ku ishin të pranishëm kundërshtarët e maskave dhe komplotistët kundër vaksinimit, por nuk mungoi as propaganda kundër refugjatëve dhe martesave të të njëjtës gjini. Demonstrata përfundoi me një parakalim të çuditshëm rreth monumentit të njëjtë të Stefan Nemanja.

Në bisedat e përditshme, nuk është e pazakontë të dëgjosh zëra se vaksina shkakton sterilitet, madje edhe histori të barabarta me filma të nivelit të dytë në zhanrin e trillimeve gjysmë-shkencore. Në një nga mantrat dominuese, edhe përfaqësuesit e organeve më të larta shtetërore i trillojnë numrat e nevojshëm për imunitetin kolektiv, duke mbledhur numrin e personave të vaksinuar dhe të atyre që kanë kaluar virusin. Thënë popullorçe, molla dhe dardha. Si shpjegon epidemiologu Zoran Radovanoviç, kohëzgjatja e mbrojtjes pas një sëmundje të mëparshme është e kufizuar. Përveç kësaj, ata që tashmë janë infektuar me virusin janë gjithashtu të vaksinuar.

Vo Srbija ke ima vakcini za frlanje bukvalno 1

Burimi: beograd.rs

Është e mundur që shkalla e infeksionit të jetë vazhdimisht e lartë për shkak të pranisë së llojit britanik të virusit dhe relaksimit të tepruar për shkak të perceptimit që me vaksinim do të jetë më sigurt. Ne ende nuk kemi arritur 15 përqind të popullsisë, kurse duhet të llogarisim edhe periudhën që duhet të kalojë pas dozës së dytë të vaksinës për të krijuar imunitetin me të vërtetë.

Debat me dezinformuesit

Skepticizmi i përgjithshëm ndikohet gjithashtu nga prania e kundërshtarëve të vaksinimit dhe teoricientëve të konspiracionit në programet më të shikuara dhe në tabloidet, pavarësisht nga fakti se shteti nuk distancohet prej tyre. Ndër të tjera, nuk dihet që një mjek është ndëshkuar për përhapjen e dezinformatave. Nuk ndihmon as fakti që po publikohen numra të dyshimtë të vdekjeve, rasteve të infektimit dhe testimeve, përkundër mosbesimit të madh ndaj qeverisë për mbajtjen ose tolerimin e një seri tubimesh nominalisht të paligjshme dhe aktiviteteve të tjera kontradiktore.

Një nga figurat më të njohura në Serbi është Branimir Nestoroviç, një pulmonolog dhe profesor universitar. Ai ishte një anëtar i shquar i Shtabit të Krizës deri në largimin e tij në fund të muajit tetor. Ai relativizon vazhdimisht seriozitetin e pandemisë, besueshmërinë e testeve dhe vaksinave, të cilin Shoqata e mjekëve “Së bashku kundër Kovid” e raportoi në Dhomën e Mjekëve të Serbisë. Disa pacientë në ordinancën e tij private thonë se ai madje i dekurajon ata të mbajnë maska.

Një rrethanë me fat pavarësisht interesit të ulët për vaksinimin është se një numër i madh njerëzish thjesht janë të hutuar ose të frikësuar, dhe jo vendosmërisht kundër tij, por për këtë do të mësojmë vetëm nëse ekziston një shkrim-lexim serioz shëndetësor. Për sa i përket (mos) besimit të përgjithshëm, hezitimi i punonjësve shëndetësorë është veçanërisht shqetësues.

Erërat planetare

Serbia ka deri në katër lloje të vaksinave, dhe sipas këtij kriteri mbetet vetëm pas Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Hungarisë, të cilat kanë nga pesë secila. Qytetarët e Serbisë mund të zgjedhin midis vaksinës kineze Sinofarm, vaksinës ruse Sputnik V dhe vaksinave Astra Zeneka dhe Oxford ose Pfizer dhe Biontech.

Për pozicionin e favorshëm të Serbisë kanë ndikuar negociatat e drejtpërdrejta me prodhuesit dhe shtetet. Kurse, nga mekanizmi Kovaks nuk ka arritur ende asnjë vaksinë.

Megjithatë, informacioni mbi çmimet dhe procedurat e prokurimit janë absolutisht të padisponueshme, siç ishte rasti me aparatet për frymëmarrje, pajisjet e tjera dhe ndërtimin e spitaleve. Në fakt, e njëjta gjë vlen edhe për monumentin që përmendëm në fillimin e këtij artikulli. Kjo ngriti dyshime se Rusia, Kina, Britania, Shtetet e Bashkuara dhe ndoshta India do të përfitonin politikisht dhe ekonomikisht, duke zgjeruar kështu ndikimin e tyre në Serbi. Nga shembulli i luftës për vaksinat midis Britanisë dhe Bashkimit Evropian, si dhe ndarja e bllokut 27-anëtarësh për këtë çështje, është e lehtë të konkludohet se vaksinat janë aktualisht një nga kartat më të rëndësishme gjeopolitike.

Në atë drejtim, autoritetet serbe lavdërohen publikisht për negociatat me Rusinë, Kinën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për të filluar prodhimin e vaksinave në territorin e tyre, pasi Instituti dikur i njohur “Torlak“ në Beograd, kishte rënë në një nivel të ulët.

Për më tepër, Vuçiç bëri të ditur se do të merrte vaksinën kineze, pas njoftimit se BE-ja nuk do të njihte vaksinat që nuk ishin miratuar prej tij, në të ashtuquajturën pasaportë kovidi.

Gjeopolitikë me pakicë”

Imazhi i skenës globale po transferohet ngadalë në marrëdhëniet në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Serbia i ka dhuruar 4.680 vaksina Pfizer Maqedonisë së Veriut, 2.000 doza Sputnik V Malit të Zi, dhe 10.000 vaksina britanike të prodhuara nga Astra Zeneka për Federatën e Bosnjë dhe Hercegovinës. Ky entitet do të marrë gjithashtu 15.000 doza të vaksinës indiane përmes qeverisë në Beograd. Serbia, veçmas i siguroi Republika Srpskës 2.000 vaksina ruse Sputnik V.

Për fat të keq, në BdheH ky donacion shkaktoi polemika, dhe për t’i bërë gjërat edhe më keq, në FBdheH, vaksinimi me vaksinën Astra Zeneka u pezullua përkohësisht. Serbia po vaksinon popullatën e Kosovës brenda sistemit të saj të kujdesit shëndetësor, ndërsa qeveria në Prishtinë nuk ka marrë ende asnjë vaksinë.

Pak para se të bëhej përsëri kryeministër, udhëheqësi i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nxitoi të thoshte se nuk do të pranonte një donacion nga Serbia, madje as vaksinat amerikano-gjermane.

Në fillim, publiku mund të dëgjonte kritika ndaj këtij gjesti të Qeverisë, pasi në atë kohë, relativisht shumë njerëz në Serbi ishin akoma në pritje për vaksinim. Dhe pastaj, në qendrën e re për studentët në Kraguevc, nuk u paraqit askush për dy ditë.

Në Serbi, ndërkohë, u vaksinuan të gjithë punonjësit e Gjykatës Kushtetuese të BdheH dhe më shumë se 100 gazetarë maqedonas, kurse Oda Serbe e Tregtisë u ka siguruar të njëjtën gjë afaristëve nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Oda e Kosovës vendosi të mos përgjigjet.

Radha për vaksinim u erdhi edhe të huajve me qëndrim të përkohshëm dhe migrantëve. Këtë fundjavë, mijëra njerëz nga BdheH, Kosova, Mali i Zi, Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u drejtuan për në kryeqytet për të përfituar nga kjo mundësi e pabesueshme. Disa nga zyrtarët lokalë nuk harruan të bënin edhe fotografi.

Një nga faktorët është që afati i skadencës së dërgesës së vaksinave Astra Zeneka u skadon më 29 mars. Probleme të tilla janë raportuar, për shembull, në Kanada dhe Afrikën e Jugut. Kështu, ekziston rreziku që edhe vaksinat e tjera të bëhen të papërdorshme.

“Të bashkuar kundër Kovid” paralajmëruan për rreziqet e infektimit si rezultat i arritjes së shtetasve të huaj dhe turmës së njerëzve në qendrat e vaksinimit. Ata propozuan dhurimin e vaksinave vendeve të rajonit, duke mundësuar që të pushojnë edhe punonjësit e rraskapitur shëndetësorë.

Në çdo rast, do të ishte mirë nëse vaksinat do të përdoreshin, veçanërisht për punonjësit shëndetësorë dhe personat në moshë. Pyetja e vetme që mbetet është nëse, për shkak të përplasjes midis BE-së dhe Britanisë së Madhe për vaksinat e Astra Zeneka, e cila pa dyshim ka një sfond politik, vaksinave të tyre do t’ju skadojë afati përsëri. A do të vendosin vendet me më pak fat në prokurim të falënderojnë dhe të mos marrin një dhuratë të tillë ose furnizim nga Serbia? Pavarësisht nëse është një paradoks apo ironi, në të njëjtën kohë, marrëdhëniet midis republikave tona do të rrezikoheshin dhe humbës do të ishim të gjithë.

 

Edicioni i katërt i projektit “Histori nga rajoni zbatohet nga Res Publica dhe Instituti për Studime të Komunikimit (ISK), në bashkëpunim me partnerët tanë nga Kroacia (Lupiga), Kosova (Sbunker), Serbia (Ne davimo Beograd), Bosnja dhe Hercegovina (analiziraj.ba), Mali i Zi (PCNEN), Bullgaria (Sega.bg) dhe Greqia (Macropolis).

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.