Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Në mes dy botëve

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla

Secili vizitor mund ta ketë përjetuar ose edhe mund ta përjetojë ndryshimin drastik mes dy botëve pothuajse në një çast të vetëm. Njëra botë është ajo në të cilën jetojmë, e që dikton dinamikën e saj të pamëshirshme; që vazhdimisht na tërheq nëpër rrugët e përditshmërisë së absurdit, dhe një realitet ose botë tjetër, pothuajse paralele, bota e së djeshmes. Në rrethana normale këto dy botë/ndjesi edhe mund të mos takohen asnjëherë, sepse edhe mund të mos kenë ndonjë arsye që ta kenë referencë njëra tjetrën. Mirëpo, në rrethanat e Kosovës paradoksalisht këto dy botë bashkëjetojnë me njëra tjetrën. Madje, ato ushqehen mes vete. Kjo ndodh sepse e sotmja e Kosovës është zgjatim i së djeshmes. Jo vetëm zgjatim si inercion, por edhe si determinuese për shumë aspekte. Lufta e ndodhur dje na determinon shumë veprime dhe sjellje sot. E djeshmja në formën më vulgare të saj insiston ta sundojë të sotmen. Kurse e sotmja është e prirur të ikë nga vetvetja, sepse pesha e së djeshmes është barrë e rëndë që duhet mbajtur mbi supe. Plagët e së djeshmes për dikë janë ankthi i të sotmes, kurse për disa të tjerë mundësi dhe afirmim. I vrari i djeshëm për dikë është vuajtje e mërzi, kurse për dikë lavdi e pasuri (sic!). Kështu ka qenë çdoherë e çdokund. Kështu është sot, edhe tek ne gjithashtu.

Përmes rrugëve me pluhur dhe zhurmës së automjeteve që vijnë e shkojnë pafundësisht, nën presionin e erës së mbeturinave të përzier me erën e gjellëtoreve, për një çast futesh në një korridor të ngushtë, të pastër dhe tepër të ndritshëm. Bardhësia që mbretëron aty, e që duket e pazakontë, është një bardhësi e ftohtë si akulli. Kur futesh në këtë korridor 32 metra të gjatë, e ndien peshën e ballafaqimit të dy botëve (të djeshmes dhe të sotmes). Aty, në atë bardhësi vërbuese, 1622 emra njerëzish krijojnë një ndjesi vetmie deri në palcë. Vetmia aty shpërfaqet me tërë fuqinë shteruese të saj. Qenia çkuptimësohet si vlerë kulturore, sepse kuptimi i saj vjen si rezultat i tmerrit.

Mirëpo, gjithëprania e kësaj vetmie deri në ankth, shtohet edhe më shumë kur futesh në hapësirën tjetër, sepse aty papritur gjendesh para disa gurëve masivë, që duken herë si arkivole, e herë si varre që qëndrojnë pezull, dhe disa orëve digjitale numrat të cilëve lëvizin me një arrogancë të jashtëzakonshme. Këto orë digjitale që njehsojnë vendin, ditën, kohën kur është rrëmbyer secili  nga ata 1622 civilë kosovarë, ato orë njëkohësisht sikur na bëjnë me dije pamëshirën që koha ka ndaj nesh. Është interesant, sepse kur futesh në këtë hapësirë, koha nuk ndalet. Jo. Aty fillon koha të kthehet mbrapsht deri tek momenti fillestar kur secili nga 1622 të zhdukurit ishte parë për herë të fundit. Pra, momenti i zhdukjes së tyre është fillimi i tregimit, sepse edhe kërkimi për t’i zbuluar fillon me fundin e tyre.

Dhjetë gurët masivë, përveç që janë të vendosur në mënyrë të çrregullt, sikurse edhe varret masive që janë zbuluar deri më tani, janë edhe të ndryshëm dhe kjo sikur insiston të na vetëdijësojë se secili nga këta 1622 të zhdukur është i veçantë në mënyrën e vet. Madje, edhe rrëfimi për rrëmbimin e secilit është i ndryshëm. Mirëpo, e përbashkëta e këtyre 1622 njerëzve është se ata janë të zhdukur. Fati është e përbashkëta e tyre. Përveç që e ndien mungesën dhe një boshllëk të paartikulueshëm, në atë hapësirë fillon ta ndjesh edhe presionin që kanë të gjallët që presin të dinë për fatin e të afërmve të tyre.

Ndoshta, kjo vepër artistike ka edhe këtë synim ose së paku këtë ndjesi ta krijon, që ne të fillojmë të mendojmë duke e ndjerë aty peshën e të mospasurit për kaq shumë vite asnjë informatë për më të dashurit e tyre. Aty njeriu e kupton peshën e padurueshme të mungesës së një varri. Dëshira dhe shpresa që më i dashuri ynë të ketë një varr duket disi bizare, por aty e kupton se përveç që është njerëzore, është njëkohësisht edhe çliruese për të gjallët. Pesha e atyre gurëve që rrinë pezull në atë hapësirë, duket sikur është e vendosur te të gjallët, të cilët nga ajo peshë e tillë do të çlirohen dhe do të ndjejnë lehtësim kur për më të dashurit e tyre do të hiqet shënimi “i zhdukur”.

Edhe si shoqëri (si në Serbi, ashtu edhe ne Kosovë) duhet ta kuptojmë, se nuk do të çlirohemi asnjëherë përderisa do të jenë kaq të pranishëm të zhdukurit tanë. Të pranishëm, sepse janë të zhdukur. Të mos pasurit e një vendi prehjeje, një varri të dinjitetshëm për ta, qetësia jonë do të jetë e pamundur. Të pasurit e një varri për secilin nga ta është kushti i heqjes së peshës dhe ankthit që familjarët kanë për ta, por njëkohësisht është edhe kushti i një çlirimi shoqëror. Kështu, siç janë tani këta 1622 të zhdukur, përveç tjerash, është e padinjitetshme nga ana e të gjallëve. Detyra e të gjallit është që me të vdekurin (bile s’paku si të vdekur) të sillet më njerëzishëm, sepse për një individ apo shoqëri niveli edukativ, kulturor dhe mbi të gjitha human shpërfaqet edhe se si i trajtojmë të vdekurit.

Foto nga: Atdhe Mulla

Prandaj, vepra artistike Më i mirë ish varri sesa mos me ditë* e artistit Driton Selmani është më shumë se aq. Është histori, është dhimbje, është kujtesë…, është muze dhe si e tillë kjo vepër artistike duhet të përfundojë në një muze, sepse aty është kujtesa dhe trashëgimia e hidhur e një individi, e një shoqërie dhe e një epoke. Aty banojnë dëshpërimi dhe shpresa, e që shtëpi e tyre çdoherë ka qenë njëfarë muzeu. Arkivimi i kësaj trashëgimie është hapi i parë që ne të vetëdijesohemi, për vete dhe për njëri-tjetrin. Deri atëherë ne do të jetojmë nën diktatin e ‘gjakut për liri’.

*Më i mirë ish varri sesa mos me ditë, është vepër artistike/instalcion i artistit Driton Selmani, me kuratore Blerta Hoçia. Kjo vepër artistike qëndron e hapur për publikun nga 18.11.2021-31.01.2022, në “Salla e Atelesë”, Pallati i Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë.

Author

  • Dritan Dragusha

    Dritan Dragusha është i diplomuar në filozofi, në Universitetin e Prishtinës. Dritani është i fokusuar në teori të kulturës dhe gjithashtu në letërsi, kinema dhe muzikë. Po ashtu, merret edhe me gazetari. Është kolumnist i rregullt në platformën online "sbunker.net". Ka qenë edhe mësimdhënës i filozofisë dhe etikës në "The British School Kosova". Bashkautor në projektin kulturor televiziv "Filozofema", në Radio Televizionin e Kosovës. Aktualisht Dritani është autor dhe moderator i emisionit "Prizma", në televizionin T7.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.