Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Ngritja e Pekinit dhe hapat drejt multipolaritetit

Gara ndërmjet Washingtonit dhe Pekinit duket se do të jetë fushëloja kryesore gjeopolitike e shek. XXI. Që nga hapja dhe modernizimi i tregut në fundin e viteve 1970, Kina ka përjetuar rritje të hovshme ekonomike. Kjo rritje është intensifikuar sidomos në dekadat e fundit, kur Kina arriti të bëhej ekonomia e dytë në botë. Për më tepër, për shkak të numrit të madh të banorëve ekonomia kineze projekton mundësi reale që të bëhet ekonomia e parë globale në të ardhmen.

Si rezultat i kësaj, Kina gjithashtu ka arritur të shndërrohet nga një aktor rajonal në superfuqi, në kuptimin që angazhimi i saj politik nëpër kontinente të ndryshme është zgjeruar dukshëm. Një ngritje kaq e hovshme ka nxitur reagimin e shtetit më të fuqishëm SHBA, prandaj Kina është shndërruar në një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme dhe politikës së sigurisë amerikane. Lufta tregtare e inicuar nga SHBA, në vitin 2018, është ende duke vazhduar. Rishtas konfrontimi SHBA-Kinë u shfaq qartazi në çështjet me menaxhimin e koronavirusit, kur në muajin maj SHBA u tërhoq nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Presidenti Trump ia faturoi këtë veprim arsyes se “Kina ka kontroll total mbi OBSH.”

Për disa komentatorë dhe njerëz të fushës, kjo situatë e re e krijuar mes dy superfuqive mund të cilësohet edhe si Luftë e Ftohtë. Pavarësisht se cilin term e adaptojmë, parashikimi i së ardhmes duket sa i thjeshtë edhe i ndërlikuar. Rendi i ri ndërkombëtar, që është duke u ndërtuar është multipolar, në qendër të së cilës do të jenë SHBA, pas saj Kina dhe në një masë më të ulët edhe Rusia. Kështu pas bipolaritetit në periudhën post-1945 dhe unipolaritetit të vendosur pas rrëzimit të komunizmit në periudhën post-1990, politika ndërkombëtare ka hyrë në një periudhë ku fuqia shpërndahet në më shumë se sa një pol. Ky ndryshim në majën e politikës ndërkombëtare do të reflektohet deri tek njësitë më të imëta.

Sikur dihet, Kina refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe ka kundërshtuar në vazhdimësi integrimin ndërkombëtar të saj. Meqenëse trajektorja e shndërrimit të Kinës nga një fuqi rajonale në superfuqi luan efekt real në raportet e fuqisë brenda politikës ndërkombëtare, ajo duhet analizuar hollësisht edhe nga Kosova, si një shtet me njohje të kufizuar, që aspiron të integrohet brenda sistemit ndërkombëtar së shpejti. Disa prej këtyre pasojave, direkte dhe indirekte, janë të shprehura më poshtë.

Fundi i çastit unipolar

Sikur u cek, ngjarjet e viteve të fundit kanë dhënë shenja se rendi ndërkombëtar unipolar, me SHBA si udhëheqës global, ka perënduar. Moska dhe Pekini kërkojnë një rol gjithnjë e më të shtuar në zhvillimet ndërkombëtare, gjithashtu duke ndjekur agjendat e tyre në mënyrë dukshëm më agresive. Ka disa ngjarje specifike që dëshmojnë ngritjen e këtyre poleve, jashtë sistemit liberal të bazuar në norma, ndër të tjera, aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, dhe miratimi i ligjit të sigurisë për Hong-Kongun nga Kina në 2020. Këto ngjarje, jo vetëm që tregojnë se Pekini dhe Moska nuk kanë ndërmend të bëhen pjesë e rendit ndërkombëtar të liberalizmit institucional, por edhe do të vazhdojnë ta sfidojnë me modele alternative të qeverisjes. Në këtë drejtim, një nga tiparet kryesore të kalimit në multipolaritet është zbehja e liberalizmit institucional.

Pas shkatërrimit të bllokut komunist në fillimin e viteve 1990, SHBA në krye të demokracive liberale qëndronte triumfuese e një lufte ideologjike, që kishte zgjatur mbi katër dekada. Duke qenë dukshëm shteti më i fuqishëm në botë, gjatë kësaj periudhe SHBA kishte mundësi të drejtonte politikën ndërkombëtare, në masë të madhe përmes bashkëpunimit të demokracive në institucionet shumëpalëshe.

Në fakt, nëse shihet në retrospektivë, lindja e Kosovës si shtet është drejtpërdrejt pasojë e multilaterlizmit liberal, nën udhëheqjen e SHBA. Intervenimi humanitar në Kosovë 1999 u zbatua pa autorizimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke qenë se Rusia dhe Kina bllokonin çfarëdo formule të zgjidhjes së konfliktit. Në të njëjtën linjë, shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe suksesi i saj në njohjen ndërkombëtare në vitet e para pas shpalljes së pavarësisë, ishte veçanërisht pasojë e pozicionit të fortë të SHBA, dhe aleatëve të saj, pra demokracive liberale.

Por, me forcimin e Rusisë në dy vitet e fundit dhe veçanërisht forcimin ekonomik të Kinës, avantazhi është ngushtuar. Shpërndarja e fuqisë po bëhet gjithnjë e më horizontale, ndërkaq Pekini dhe Moska kanë përherë e më tepër mundësi për të ndikuar rrjedhat e politikës ndërkombëtare, jashtë vijave të lojës të sistemit liberal. Pra, multipolariteti tashmë ka mbërritur.

Zgjerimi shumësferik i Kinës

Rritja ekonomike e Kinës nuk është izoluar vetëm brenda territorit kinez. Ajo është përkthyer në rritje të ndikimit ndërkombëtar në territore të jashtme, së pari në fqinjësinë e saj dhe kontinentin e Azisë, por edhe në shtete të Afrikës, Amerikës Latine dhe Evropës. Një pjesë e këtij zgjerimi është e rregulluar përmes Iniciativës Rrip dhe Rrugë (Belt and Road Initiative– BRI), një projekt ambicioz zhvillimi, i nisur nga qeveria kineze në vitin 2013. BRI synon që të sigurojë kushtet për tregti të lehtësuar përmes rreth 70 shteteve të Azisë, Evropës dhe Afrikës, në radhë të parë duke financuar projekte infrastrukturore të transportit dhe telekomunikacionit.

Një pjesë e këtyre investimeve janë të organizuara përmes të ashtuquajturës diplomacisë së borxhit (debt-trap diplomacy). Diplomacia e borxhit është mundësi që i ofrohet shteteve për zbatimin e projekteve me hua me kamatë të ulëta. Sidoqoftë, këto oferta të leverdishme gjithashtu janë të mbërthyera me një kurth mbrapa, që asetet të kalojnë nën emrin e kompanive kineze në rast se obligimet nuk përmbushen në kohë nga shteti.

Viktimë e diplomacisë së borxhit ishte Sri Lanka në vitin 2017. Ky shtet u desh t’ia dorëzonte kontrollin e portit të sapondërtuar të Hambantota një operatori kinez, në mënyrë që të plotësojë një pjesë të borxhit të saj ndaj huadhënësve.

Për më tepër, jo vetëm që diplomacia e borxhit i ofron kompanive kineze mundësi reale të rrisin numrin e aseteve të zotëruara nëpër shtete. Por përmes kompanive kineze ajo gjithashtu e vendos Kinën në një pozicion të fortë për të kushtëzuar Qeveritë dhe shtetet për të vepruar në një mënyrë të caktuar. Një pjesë e këtyre kompanive janë nën pronësi të shtetit kinez, të tjerat janë të mbështetura nga shteti kinez përmes subvencioneve. Në këtë kuadër, zgjerimi ekonomik përmes kurtheve të huave me kamata të ulëta është aspekt kyç, për të kuptuar rritjen e Kinës dhe mundësinë e ndikimit të saj edhe në çështje politike.

Më tutje, ekziston frika se disa prej investimeve infrastrukturore, sikundër në porte, autostrada, hekurudha etj., mund të jenë dypërdorimëshe, në sensin që mund të shërbejnë edhe si baza ushtarake. Për shembull, Kina tashmë ka ndërtuar bazën e parë ushtarake në Xhibuti në vitin 2017. Supozohet se e njëjta ka ndodhur edhe në Kamboxhia në vitin 2019. Këto baza janë zakonisht të kamufluara si projekte infrastruktore, kësisoj ana kineze refuzon të pranojë karakterin e tyre ushtarak, zakonisht duke i emëruar si “pika strategjike të përkrahjes”. Sidoqoftë, ideja se Kina është synuar të krijojë kushtet për të projektuar forcë ushtarake në rajonin e saj, por edhe në territore të largëta, tashmë nuk është diçka e re, edhe për shkak të projekteve për ndërtimin e ishujve artificialë në Detin e Kinës së Jugut.

Parë në përgjithësi, disa dekada më herët ndikimi ndërkombëtar i Kinës ka qenë i pakët. Në kontrast, përmes ndërhyrjes ekonomike dhe investimeve sot Kina gëzon pozicion të fortë në shumë shtete, duke ndikuar jo vetëm rezultatet ekonomike, por edhe politikën e brendshme. Duke ndjekur këtë qasje, në dekadat e fundit Kina ka zgjeruar në masë të madhe prezencën dhe influencën në shtete dhe rajone të ndryshme në Azi, Afrikë, Amerikë Latine por edhe Evropë, duke u bërë lojtar me rëndësi. Pra, kemi të bëjmë me një trend të painjorueshëm të zgjerimit në disa sfera njëkohësisht, duke përfshirë sektorët ekonomikë, politikë dhe ushtarakë.

Zgjerimi i Kinës në këto rajone duhet konsideruar si faktor edhe në fushatën Serbisë për çnjohjet e Kosovës, e cila filloi në Nëntor të vitit 2017. Për këtë fushatë, Serbia ka lobuar më së shumti me ndihmën e Rusisë, duke arritur të bindë disa shtete të lëshojnë nota verbale ku e çnjohin Kosovën. Pra, parë përgjithësisht, fushata e çnjohjeve është në radhë të parë rezultat  i koordinimit Serbi-Rusi. Megjithatë, gjithashtu duhet thënë që rritja e Kinës mund të ketë lehtësuar dhe rritur efikasitetin e kësaj fushate, në disa shtete në Afrikë dhe Azi, me të cilat Kina ka shfaqur hapur raporte shumë të ngushta.

Gara SHBA-Kinë

Përderisa është venitur shpresa se demokratizimi dhe integrimi i plotë i Kinës në sistemin liberal të bazuar në norma do të bëhet përmes shkëmbimit ekonomik, nevoja për një qasje të re në Washington është bërë përherë e më spikatëse. Bazuar në po këtë nevojë, në përmbledhjen e Strategjisë së Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2018, SHBA e deklaroi Kinën si “garues strategjik”. Ky kualifikim natyrisht se është një tregues se brenda politikës amerikane gjithnjë e më tepër do të kërkohet mobilizim i shtuar për të neutralizuar kompeticionin që vjen nga Pekini. Pra kemi hyrë në një moment të ri të raporteve mes dy shteteve më të fuqishme në botë.

Lufta tregtare e inicuar nga Presidenti Trump në vitin 2018, është një tregues që e dëshmon këtë drejtim të ri, me synimin për ndarje mes dy ekonomive (economic decoupling). Me kthimin e idesë së ndarjes së tregjeve mes dy superfuqive, gjithashtu vihet në rend të dytë ideja e globalizimit të bazuar në shkëmbim ekonomik, që ka qenë epiqendër e politikës ndërkombëtare dekadat e fundit. Kësodore, është e qartë se gara SHBA-Kinë do të ketë ndikim në të gjitha segmentet dominante të politikës ndërkombëtare, si në praktikë, ashtu edhe në të zbërthyerit e koncepteve.

Për ilustrim, gara mes SHBA dhe Kinës është shfaqur qartë në betejën për dominim teknologjik, në raport me gjeneratën e re të komunikimit 5G. Kompania kineze Huawei tashmë është lidere në instalimin dhe ndërtimin e rrjetit të pajisjeve të internetit 5G dhe ka filluar ose zbatuar projekte në disa shtete. Megjithatë, dyshimet se kompania është e mbështetur nga shteti kinez kanë ngritur shqetësime në disa shtete, sidomos në raport me sigurinë nacionale. Pas SHBA-së, disa shtete të tjera e kanë ndaluar përdorimin e pajisjeve të Huawei për instalimin e rrjeteve 5G, rishtazi Mbretëria e Bashkuar disa javë më parë. Beteja për 5G është vetëm një nga segmentet që vë në pah se si gara SHBA-Kinë për 5G ka reflektuar edhe tek shtetet e treat. Me intensifikimin e garës SHBA-Kinë, episodet e ngjashme mund të shpeshtohen, duke thelluar ndarjen mes dy poleve dhe aleatëve të tyre.

Kina në Ballkanin Perëndimor

Edhe pse nuk mund të krahasohet me zgjerimin që ka ndodhur në rajone të Azisë apo Afrikës, kurba e investimeve kineze vitet e fundit është duke u rritur në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përpos Kosovës, janë pjesë e nismës kineze Belt and Road Initiative (BRI). Evropa Qendrore dhe Lindore, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor, shihen si pjesë joshëse për kompanitë kineze, për shkak të pozitës gjeografike, nevojës për investime të huaja dhe afërsisë me tregun e Bashkimit Evropian (BE). Për këtë arsye, Kina ka themeluar një format shumëpalësh të veçantë për këto shtete, të quajtur 17+1, ku janë të anëtarësuara të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përpos Kosovës.

Kompanitë kineze tashmë kanë zbarkuar brenda Ballkanit Perëndimor, duke ndërtuar autostrada në Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi. Në Bosnje dhe Hercegovinë kompanitë kineze janë prapa ndërtimit të kompanisë së energjisë elektrike Elekropriveda, ndërkaq në Shqipëri kanë blerë koncesionin e Aeroportit të Rinasit dhe kompaninë kryesore të prodhimit të naftës. Me një fjalë, kompanitë kineze kanë shfrytëzuar vakumin ekzistues, duke hyrë në treg në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përpos Kosovës.

Për më shumë, në Beograd, Kina ka gjetur një nga aleatët kryesorë në Evropë. Krahasuar me të gjitha shtetet, investimet kineze në Ballkanin Perëndimor janë më të lartat në Serbi. Serbia nuk e ka fshehur se e sheh Kinën jo vetëm si partner ekonomik, por edhe si aleat në politikë të jashtme dhe në sektorin ushtarak. Kështu, Serbia dhe Kina janë duke ndërtuar një raport të bashkëpunimit që tejkalon llogaritjet e përfitimeve të transaksionit ekonomik. Së fundmi, lidhja e veçantë Serbi-Kinë u demonstrua edhe kur Presidenti serb i zgjati dorën e ndihmës Presidentit kinez Presidentit Shi Xhinping në muajin mars, duke e pritur solemnisht; një tentativë e rehabilitimit të reputacionit të tij dhe Kinës, në sytë e Perëndimit, pas shpërthimit të Covid-19. Raporti i dy shteteve gjithashtu është i kopsitur nga fakti se Kina është kundërshtare e fortë e pavarësisë së Kosovës.

Në të vërtetë, Kina nuk zbarkon për herë të parë në Ballkanin Perëndimor. Nga vitet 1960 deri në vitin 1978, Kina kishte marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushta me Shqipërinë. Atëbotë Tirana përbënte aleancën kryesore të kinezëve me ndonjë shtet evropian. Këtë herë, zbarkimi kinez në Ballkan është më strategjik, gjithashtu i bazuar në plane afatgjata. Bazuar në këtë, investimet dhe huatë kineze në shtetet e Ballkanit Perëndimor me shumë gjasë do të shkojnë duke u rritur në dekadat e ardhshme, ndërkaq aleanca me Serbinë do të plotësohet tutje.

Roli i NATO-s

Si organizata më e madhe e sigurisë kolektive, me 30 shtete anëtare, NATO vazhdon të luajë një rol kyç për sigurinë e shteteve, edhe pas afro shtatë dekada nga themelimi. Sidoqoftë, nëse shikohet nga plani historik, dizajnimi i saj, nën udhëheqjen e SHBA, ishte bërë për të kundërbalancuar influencën e Bashkimit Sovjetik, kësisoj shtetet anëtare dhe rajonet gjeografike të parapara t’i kontrollojë, shtrihen kryesisht në Evropë. Ajo ishte dizajnuar brenda një sistemi ku fuqia ishte e ndarë në mënyrë bipolare. Me një fjalë, NATO është institucion i themeluar në periudhën e Luftës së Ftohtë, në një kontekst që dallon katërcipërisht nga i sotmi.

Zgjerimi i organizatës thuajse ka mbërritur limitet e saj. NATO zyrtarisht cilëson tre shtete si kandidate për zgjerim: Bosnja dhe Hercegovina, Gjeorgjia dhe Ukraina. Sidoqoftë, në të tre këto shtete Rusia ka ndikim serioz. Pasi zgjerimi i planifikuar për Gjeorgjinë dhe Ukrainën ishte cekur në tekstin e Samitit të Bukureshtit në vitin 2008, Rusia reagoi duke ndërhyrë agresivisht në të dy këto shtete, në Gjeorgji në vitin 2008 dhe Krime në vitin 2014. Mesazhi i Rusisë ishte se nuk do ta mirëpriste zgjerimin e mëtutjeshëm të NATO-s në kufijtë e saj. Së këndejmi, realisht këto dy shtete nuk kanë shanse praktike për anëtarësim, ngjashëm situata në Bosnje dhe Hercegovinë gjithashtu nuk lë hapësirë për optimizëm, si pasojë e qëndrimeve anti-NATO të Republikës Serbe.

Me zhvendosjen e vëmendjes së SHBA në garën me Kinën, me të drejtë janë ngritur pyetje se cili do të jetë roli i NATO-s në rrethanat e shek. XXI me një kundërshtar të ri, me një betejë në domenin ekonomik, si dhe brenda një rendi ndërkombëtar shumëpalësh. Për shumë kënd, roli i NATO-s në këto ngjarje do jetë i reduktuar. Kjo nuk do të thotë se NATO në dekadat e ardhshme do të zhduket ose do të jetë e parëndësishme, vetëm se roli i saj në garën SHBA-Kinë do të jetë i margjinalizuar.

Kosova është një shtet që në të ardhmen aspiron anëtarësimin në NATO. Lajmi i mirë për Kosovën mundësohet nga harta, pasi të qenit gjeografikisht në Ballkanin Perëndimor, nënkupton se Kosova pra në një sferë të kontrolluar në masë të madhe nga NATO. Në këtë drejtim, përpjekja për anëtarësimin në NATO duhet të vazhdojë të jetë prioritet i Kosovës. Por, edhe nëse krijohen kushtet për anëtarësim duhet qartësuar se sikur i gjithë rendi ndërkombëtar, as NATO nuk është ajo e vitit 1999, pra racionalja dhe funksioni i saj ka ndryshuar rrënjësisht. Rritja e Kinës pra do të mund të ndikojë në rolin e NATO-s, për faktin se zhvendosja e vëmendjes në Azi përmes një gare ekonomike, një rajon ku NATO është fare pak e shtrirë, ia pakëson mundësitë për të pasur rolin e dikurshëm.

Si përfundim, transformimet rrënjësore të politikës ndërkombëtare vitet e fundit, mund të vërehen dhe shpjegohen me forcimin e Rusisë dhe rritjen dramatike ekonomike të Kinës. Këto ndryshime kanë filluar të prodhojnë efekte afatgjatë në kontinente dhe rajone të ndryshme, duke e ndryshuar shpërndarjen e fuqisë, kështu duke i kontribuar zhvillimit të një rendi botëror multipolar.

Përmes projektit Belt and Road Initiative (BRI) Kina ka zgjeruar zonat e ndikimit në dhjetëra shtete, duke arritur të bëhet lojtar me peshë brenda një periudhe relativisht të shkurtër. Rritja e shpejtë ekonomike e Kinës ka filluar të lë gjurmë, ndër tjera me sfidimin e rendit liberal, zhvendosjen e vëmendjes amerikane në Azi përmes garës ekonomike dhe rimendimin e rolit të NATO-s në këtë kontekst të ri.

Ky zgjerim është shtrirë edhe një fqinjësinë e Kosovës, pra në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku ka pasur një shtim të investimeve të kompanive kineze në të gjitha shtetet e rajonit, përpos Kosovës. Këto projekte shtrihen në sfera të ndryshme, nga huatë me kamata të ulëta për ndërtim të infrastrukturës, deri tek blerja e aseteve publike.

Për më shumë, brenda Ballkanit Perëndimor Kina ka gjetur një miqësi të rëndësishme që tejkalon shkëmbimin ekonomik, duke u shtrirë edhe në politikën e jashtme dhe sektorin ushtarak. Përmes aleancës me Serbinë, Kina duket se kërkon një rol gjithnjë e më të shtuar në rajon. Në anën tjetër, Kina vazhdon të ketë një qasje kundërshtuese ndaj pavarësisë së Kosovës në të gjitha nismat ndërkombëtare. Prandaj, për Kosovën është me rëndësi të përcjellë shtrirjen dhe efektet afatgjata të kësaj ndërmarrjeje që tashmë ka zënë rrënjë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.