Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Një Kujtim për detyrimet institucionale ndaj komuniteteve jo-shumicë në Kosovë

Ilustrimi i ballinës: Urtina Hoxha dhe Dion Zeqiri

Ta imagjinojmë këtë rast: një djalë lindet në një lagje qendrore të një qyteti kosovar. Të themi, në Ulpianë apo Arberi në Prishtinë. Ta quajmë këtë fëmijë X. Ky fëmijë ka fatin të lindet në një familje me dy prindër të arsimuar e të punësuar. Ai jeton në një banesë të trashëguar nga gjyshërit e tij. Meqë të dy prindërit e këtij fëmiu kanë të hyra të mjaftueshme për t’i mbuluar nevojat esenciale të tij si ushqimin, veshëmbathjen e arsimimin, brengat e tij fëminore janë të thjeshta.

Kur X arrin moshën 11 vjeçare, ai shkon në klasë të pestë në një klasë ku shumica e kanë të njejtën etni me të. Mësuesi/ja dhe stafi mbështetës i shkollës sillen mirë me të dhe nuk e quajnë me emra të ndryshëm për shkak të përkatësisë së tij racore apo etnike. Në raste eventuale ku X sulmohet apo ofendohet nga ndonjë shok apo mësues, prindërit dhe rrethi i tij do të kërkojnë përgjegjësi për çfarëdo sjellje jo-adekuate ndaj X.

X jeton i mbështjellur nga një rrjetë solide e mbështetjes familjare, shoqërore, institucionale dhe si i tillë është i mbrojtur nga rreziqe të ndryshme që mund t’i shfaqen në jetë. Në rastet kur kjo rrjetë nuk mjafton dhe ai është subjekt i ndonjë abuzimi apo ngacmimi, ka gjasa reale që organet e drejtësisë të veprojnë më shpejtë e abuzuesit të ndiqen apo të ndalohen. Jeta e tij e re, të mbrohet.

Ta kujtojmë tani një rast tjetër, një që ndodhi në të vërtetë. Një djalë i komunitetit ashkali u lind në një vendbanim të ndarë në Fushë Kosovë. Ai  quhej Kujtim Veseli. Kujtimi nuk lindi në një familje me privilegje si të X, dhe jetoi në kushte të rënda financiare. Gjendja financiare e rënduar si e familjes së Kujtimit i ka themelet tek diskriminimi qoftë institucional, qoftë ai shoqëror, e që përcillet ndër familje brez pas brezi. Për shkak të problemeve të lidhura me etninë e tij, Kujtimi qysh në fëmijëri u sfidua me halle që nuk i takojnë një fëmije. Ai duhej të mblidhte kanaqe për të siguruar të ardhura për nënën, motrën dhe vëllezrit. Edukimi ishte sfidë tjetër për Kujtimin. Për shkak të kushteve të rënda financiare, ai nuk mundi të sigurojë të holla të mjaftueshme për mjete shkollore, e as të shkojë në shkollë. Shteti atë e quajti “fëmijë në situatë rruge’.

Duke e jetuar një jetë veçse të vështirë, Kujtim Veseli ishte viktimë edhe e abuzimit seksual të vazhdueshëm. Pas muajsh abuzimi e torture, edhe pas lajmërimit në polici, me 11 korrik 2019, Kujtim Veseli u dhunua përsëri seksualisht dhe u vra nga Sefedin Osmani. Trupi i pajetë i Kujtimit u gjet nën shkallët e një kompleksi banesor në Fushë Kosovë. Jeta e tij e re përfundoi plotësisht e pambrojtur.

Kur lajmi u përhap nëpër media, pak kush e dinte prapavijën e rastit. Raporti i Avokatit të Popullit përshkruan një sërë shkeljesh e veprimesh neglizhente nga ana e institucioneve publike. Sipas këtij raporti, babai i vrasësit e kishte  raportuar të birin qysh në datën 29 janar 2019. Me 4 prill, dhunuesi madje e kishte pranuar që e kishte dhunuar seksualisht Kujtimin, dhe në kohën e pranimit të fajit — ndaj tij ishin të paraqitura 26 kallëzime penale dhe të ngritura 15 aktakuza për vepra të ndryshme penale. Atë ditë ai u la i lirë të shkonte.

Nga koha kur ishte raportuar krimi gjer tek vrasja e Kujtim Veselit kanë kaluar gjashtë muaj kohë – dhe kjo kohë si duket nuk ka qenë e mjaftueshme për organet e drejtësisë t’ia caktojnë dorasit ndalimin policor apo paraburgimin. Rasti, me gjithë ndjeshmërinë dhe shkeljet e rënda, u paraqit në janar, por Prokuroria Themelore e Prishtinës nuk ngriti kallëzim penal deri në prill.

Ekzistojnë dyshime të arsyeshme për shkelje e neglizhencë nga ana e organeve shtetërore — respektivisht Policia e Kosovës nuk caktoi ndalim policor për të dyshuarin ndërkaq Prokuroria nuk e kërkoi paraburgimin e tij. Në vitin 2020, mijëra qytetarë nënshkruan peticionin Drejtësi për Kujtimin në të cilin kërkohej që Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit të kërkojnë falje publike për shkeljen e të drejtës së Kujtimit për jetë dhe neglizhim të rastit dhe inicimi i hetimeve të pavarura për personat përgjegjës në rastin. Këto të fundit jo vetëm që nuk kanë kërkuar falje gjer më sot, por edhe kanë penguar anëtarët e shoqërisë civile duke mos ofruar qasje në dokumente publike që mund ta ndriçonin rastin.

Neve na mbetet të pyesim: nëse  X — personi imagjinar me privilegjet e tij racore e klasore që e krijuam në fillim të këtij teksti — do të ngacmohej, abuzohej apo të dhunohej nga një person me aq shumë kallëzime penale e aktaktuza, a do të ishin organet e rendit po aq të ngadalshme ne trajtim të rastit? Natyrisht që ky rast është hipotetik dhe nuk përjashton mundësinë se e kundërta do të mund të ndodhte edhe me X, sidomos në një shtet si Kosova me sistem të dobët të sundimit të ligjit. Mirëpo, është e pamohueshme që shumica e shqiptarëve në Kosovë jetojnë në një pozitë më të privilegjuar në krahasim me pjesëtarët e komuniteteve tjera jo-shumicë dhe nuk ballafaqohen me diskriminim në baza racore apo etnike.

Sipas raportit të OSCE-së mbi pasqyrën e komuniteteve rom, ashkali e egjiptas në Kosovë, këto komunitete jetojnë në margjina të shoqërisë dhe ballafaqohen me papunësi të lartë dhe arritje të ulët arsimore. Konkretisht në Fushë Kosovë, 30% e familjeve mbledhin materiale të riciklueshme ndërsa disa familje kërkojnë lëmoshë në rrugët e kryeqytetit. 51 familje rome, 320 familje ashkali dhe 49 familje egjiptiane nga Fushë Kosova marrin ndihmë sociale. Ky është numër mjaft i madh nëse mirret parasysh se numri i total i banorëve të të trija komuniteteve në Fushë Kosovë është afro 4000. Sipas raportit të progresit të vitit 2020, 90% e personave nga komunitetet rom dhe ashkali ballafaqohen me papunësi. Qytetëtarët e këtyre komuniteteve mbajnë zakonisht punë me nivel të ulët të sigurisë në sektorin jo-formal.

Ndonëse ka të dhëna se qasja e komuniteteve rom, ashkali e egjiptias në edukim  është duke u përmirësuar, nuk ka të dhëna mbi nivelin e diskriminimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me të cilin këto komunitete ballafaqohen brenda shkollave gjatë orarit të mësimit. Megjithatë, zërat nga këto komunitete theksojnë se ata ballafaqohen me gjuhë të urrejtjes, stereotipizim dhe diskriminim nga mësuesit, shokët dhe nga prindërit e shokëve të tyre.

Në lagje të ndryshme të banuara nga këto komunitete në Kosovë, banorët ballafaqohen me probleme të standardeve adekuate të banimit sikurse qasje të limituar të ujit të pijshëm, ndërtimet pa leje, mundësitë e limituara për legalizim të pronave, mungesë të tubave adekuate të kanalizimit si dhe infrastrukturë të dobët rrugore.

Institucionet dhe shoqëria kosovare shpesh lavdërohen me strukturën ligjore progresive dhe inklusive. Është e vërtetë që kjo strukturë siguron përfaqësim të komuniteteve deri në një masë, mirëpo rasti i Kujtimit është alarm për shoqërinë tonë që çka qëndron në letër, nuk qëndron gjithnjë në realitet.

Edhe pse Kosova ka Kushtetutë mjaft gjithëpërfshirëse, edhe pse dispozitat e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi mbulojnë diskriminim e drejtëpërdrejtë e të tërthortë racor e etnik, edhe pse ekziston Ligji për Ndihmë Juridike Falas, e mekanizma të tjerë mbrojtës për grupet minoritare, një numër mjaft i madh i pjesëtarëve të komuniteteve jo-shumicë shprehin pakënaqësi me institucionet kosovare të drejtësisë. Sipas një studimi të OSCE, 42% e pjesëtarëve të komuniteteve jo-shumicë të intervistuar kanë thënë se në dy vitet e fundit nuk u ndërmorr asnjë veprim në rastet e tyre para organeve të drejtësisë.

Në fund të fundit, çka janë aktet ligjore e strategjitë e shumta nëse nuk ka gatishmëri, kompetencë e vullnet për ta trajtuar një fëmijë 11-vjeçar të komunitetit ashkali njësoj si një fëmijë 11-vjeçar të komunitetit shqiptar?

Kujtimin duhet ta mbajmë kujtim. Kujtim për përgjegjësinë e institucioneve për mbrojtjen e garantimin e të drejtave të grupeve të cenueshme dhe luftimit të racizmit në nivel institucional. Rasti i Kujtimit ilustron se si një person mund të jetë i cenueshëm në shumë nivele — të jetë ashkali, të jetë fëmijë, të jetojë në kushte të rënda financiare, të ketë qasje të limitueshme në edukim, apo të jetë i diskriminuar me breza. Të gjitha këto elemente e fusin Kujtimin dhe personat e komuniteteve rom, ashkali, egjiptas në një qorrsokak nga i cili mund të dilet vetëm me veprime konkrete institucionale e kolektive, siç janë propozuar nga fushata Drejtësi për Kujtimin.

Grupet e cënueshme nuk duhet trajtuar njësoj sikur shumica tjetër që veçse i gëzon privilegjet e të qenit shumicë. Një Kujtim ashkali, në rastin më të keq duhet të trajtohet më së paku me kujdesin e njëjtë që do ta kishte çdo djalë nga komuniteti shqiptar, e në rastin më të mirë duke marrë parasysh të gjitha cenueshmëritë sistematike që ia kanë vështirësuar Kujtimit e familjes së tij qasjen në drejtësi. Andaj secili zyrtar përgjegjës në dështimin e mbrojtjes së jetës së Kujtimit duhet të hetohet e mbahet përgjegjës për veprimet e tij ndërkaq institucionet përgjegjëse duhet të kërkojnë falje për neglizhimin e rastit. E ata të cilët nuk kanë qenë përgjegjës e që janë pjesë e institucioneve kosovare, duhet të sigurohen që raste si të Kujtimit mos ndodhin më kurrë.

***

Ky publikim është pjesë e serisë së shkrimeve të fushatës Drejtësi për Kujtimin, mbështetur nga skema e granteve “Kujtim Veseli” që menaxhohet nga OJQ Zëri i Romëve Ashkalive dhe Egjiptasve.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.