Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Nji kunorë për nji krye

Më datën 29 shtator 2020, Q(endra) Kombëtare e L(ibrit) dhe L(eximit), Tiranë, bani nji njoftim me këtë tekst: “Për herë të parë, QKLL do të krijojë atë që në vende të tjera quhet institucioni i Poetit Laureat, një praktikë e njohur kjo në vende si SHBA, Mbretëri e Bashkuar, Kanada, Gjermani, Holandë, etj.

Qëllimi i këtij vlerësimi është ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e leximit të poezisë. Ky çmim do t’i akordohet një personaliteti në fushën e poezisë shqipe, i cili përgjatë një mandati dyvjeçar do të jetë në krye të një fushate publike me në fokus poezinë shqipe.

Komiteti drejtues i këtij projekti të rëndësishëm për botën letrare shqiptare, kryesohet nga shkrimtari dhe poeti Besnik Mustafaj dhe në përbërje të tij janë: botuesja Arlinda Dudaj, Agron Gjekmarkaj, zv.Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në UT, profesorja dhe poetja Viola Isufaj, dhe kritiku Agim Baçi.

Sot, Komiteti zhvilloi takimin e parë pranë QKLL-së, duke përzgjedhur kandidatët për këtë çmim të madh.

Më 5 tetor do të bëhen publikë emrat e kandidatëve për këtë çmim. Poeti Laureat do të shpallet më 30 tetor, duke mbyllur kështu siparin e një sërë aktiviteteve kushtuar një muaji dedikuar librit.” https://qkll.gov.al/aktivitete/per-here-te-pare-shqiperia-do-te-kete-poetin-laureat/

Paragrafi i parë i tekstit, ban nji informim mbi objektivin e QKLL-së për me krijue nji institucion, po thotë, të poetit lauretat, praktikë e njohun ndërkombtare. Paragrafi i dytë, qartëson objektivat e punës: ndërgjegjësimi dhe randësia e leximit të poezisë. Mandej paragrafi shprehë se çmimi do t’i akordohet “një personaliteti në fushën e poezisë shqipe, i cili përgjatë një mandati dyvjeçar do të jetë në krye të një fushate publike me në fokus poezinë shqipe.” Paragrafi i tretë jep emnat e jurisë së nderueme, se kush asht kryetar, me nji ndryshim në të cilin mbiemni ‘shqipe’ asht shndërrue në ‘shqiptare’. Paragrafi i katërt, jep detajet dhe sinjalizimet e takimit të parë. Paragrafi i pestë dhe i fundit, paraqet terminet e punës: publikimin e emnave kandidadë dhe data se kur do të shpallet poeti laureat, pra me lari (dafinë) rrotull kreje.

Prej analizës së paragrafit të parë ndien nji lloj stime për objektivin e institucionalizimit të këtij çmimi. Ndërsa kur analizon paragrafin e dytë, natyrshëm nënkupton se letërsia shqipe zhvillohet anekand botës, ngultas në trojet shqipfolëse, dhe jo detyrimisht mbrenda territorit gjeografik të saj. Paragrafi i tretë e rrëzon pohimin e masipërm, pra e ban të qartë se kufini konkret kanë me qenë ‘letrat shqiptare’. Këtë e përforcon dhe shpallja zyrtare e emnave të kandidadëve (25): https://www.kultplus.com/libri/publikohen-emrat-e-25-poeteve-te-cilet-kandidojne-per-cmimin-poeti-laureat/

Sa i takon diskrepancës mes adjektivëve ‘shqipe’ vs. ‘shqiptare’, QKLL-je duhej ta ndreqte, ose ndërkohë asht e këshillueshme me ba nji shpjegim përkatës mbi këtë mospërputhje. Për mue personalisht, fokusimi vetëm në letërsinë shqiptare, tue lanë mbanesh atë të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, poezinë Arbëreshe etc. të ban me paramendue se nji centralizim i tillë gjeografik, ka prû edhe nji seleksion gjeo-poetik, i cili lidhet varësisht me Komitetin (jurinë) dhe preferencat mbase (?) individuale të personave që janë në drejtimin e këtij projekti. Në radhë të parë, duhet me kuptue se parakuptimi i nji letërsie shqipe (tue konsiderue vetëm autorët shqiptarë), vendosë nji hierarki absurde mes territoreve të tjera që janë shqipfolëse, dhe që kultivojnë letërsi shqipe. Në radhë të dytë, unë nuk mbaj mend ndonji tryezë që e ka shtrue Kosova, Maqedonia e Veriut a vende të tjera me komunitet shqiptarë, pa thirrë poetë nga Shqipnia. Pra, me fjalë ma të thjeshta, nisjuesit e këtij projekti duhej ta kishim mendue ma hollë këtë punë. Jo ma larg se disa ditë ma parë, Gjakova ia akordoi çmimin fitues ‘Ali Podrimja’ Entela Kasit—që asht pjesë e listës edhe në këtë garë të QKLL-së—tue pasë ndërkaq nji hartë ndërkombtare shkrimtarësh prej Izaraeli, Polonie e Italie. Në krahun tjetër, tue e marrë tashma si fakt nji zgjedhje të tillë prej këtij insitucioni shqiptar, na duhet me parashikue se ka nji fushatë fiktive të kombtarizmit dhe identifikimit kulturor-shqip rrokull globit. Nji metodikë e tillë, asht qartas strategji e dobët e politikës kulturore dhe reminishencë e stalinizmit shqiptar.

Nji problem tjetër që lidhet me 25 poetët e shpallun kandidatë për kunorën e larit, asht se për çudi dallohet nji lojë spathish ku asht përjashtue gjenerata poshtë moshës 45 vjeç (kund afër kësaj). Pra mungon larmia dhe natyrshmënia e nji kompeticioni normal. Ky nuk asht nji çmim rutinor, vjetor që analizon prumjet e nji viti kalendarik-libresk, por asht nji çmim i cili inaguron nji projekt a nji traditë që mundet ose jo me pasë vijimsi. Nëse mendja ju shkon, që këto argumente lidhen me mungesën e emnit tim aty (pra si gjeneratë poshtë 45-s), më lejoni me jua shue kureshtjen se, dy çmime letrare, nji në prozë si tregimtari i ri ma i mirë: Çmimi ‘Robert Schwartz’, 2009 dhe nji në poezi: Çmimi ‘Át Zef Pllumi’, 2014 për librin e botuem në Prishtinë, Flutrat vdesin në maj, i kam pranue me vetëdije tue parakuptue kështu se e kam mbyllë ciklin [d.m.th. pa ba 30 vjeç] me pranimin e honorifikimeve mbrenda territorit shqiptar. E mora atë Frat të mendshëm dhe e vesha në shpirt as me qenë zhguni i tij i murrmë! Pra, as nuk pres dhe as due të jem pjesë e asnji nominimi a kandidimi të mundshëm, edhe pse kjo nuk asht në dorën e autorit. Nuk e mohoj ekzistencën time si autor, por refuzoj çdo listim, short-listim apo çmim, që ka me ardhë (?) prej institucioneve shtetnore shqiptare. Kjo nuk lidhet as me kryeneçsí, as mendjemadhsí apo vetëvlerësim, përkundrazi. Puna ime nuk lidhet me allishverishe shqiptare. Puna ime i kushtohet në mënyrë të përvûjtë promovimit të letërsisë shqipe dhe kulturës së saj në nji vend tejet të madh e që ka dinamikë marramendëse multikulturale. Dhe kjo përpjekje e ky devocion nuk lidhen me benefitet tokësore, aq ma tepër të nji truelli që quhet Shqipni. Për mue Shqipnia dhe atdheu janë shumë ma të mëdhaja seç i mendon QKLL-ja, në këtë rast!

Në këtë përzgjedhje gjeo-poetike dhe gjeneratash ka tre përbâs që të bien në sy. (I) Gjenerata e parë asht ajo e trubadorëve të deklaruem të komunizmit shqiptar (Londo, Lako, Zhiti, Marku, Zogaj) e ndonji tjetër disi ma i maskuem, kripto. (II) Gjenerata e dytë asht ajo e mbas 90-s, ku disa prej tyne kanë mbetë me reputacionin e asaj kohe dhe pendën e kanë flakë kahmot. Pra, nuk kanë ndonji jetë poetike aktive, apo për ma tepër e kanë lanë poezinë dhe kanë kalue në prozë, përkthime a nënfusha të tjera letrare. Po ani, mundesh me qenë pretendent i poezisë (!?). Nji pjesë prej kësaj gjenerate, asht njimend dinjitoze për cilësinë estetike të poezisë shqipe, e cila asht në rastin ma të mirë kompetitive me poezinë ballkanse. Përjashtim sistemor ka ndonji poet(e) si shembulli i Lleshanakut, e cila e ka tejkalue arealin ballkans, jo vetëm si botim por edhe si receptim kritik, dhe kontinentin europian: siç asht rasti i Hajdarit në Itali, apo ndonji shembull tjetër edhe pse pa krijue ndonji ekzistencë të qenësishme. (III) Disa emna aty, thonë shumë pak për sa i përket zhvillimeve të letërsisë shqipe.

Në gjykimet e mia kritike, edhe tue e konsiderue si ‘të natyrshëm’ për realitetin shqiptar kameleonizmin transpoetik (prej trubadorit enverian e PPSH-ist)—dhe tue ia fshî të kaluemen e nji gjuhe poetike ofensive e propagandiste—e tue i rimarrë si autorë bashkëkohës (Londo, Marku, Zogaj etc.) besoj se nuk kanë ndonji kualitet ma të naltë sesa poezia e mirë e poetëve rishtarë në Shqipni [po kufizohem tue ndjekë logjikën qklliste të kufizimit], pavarësisht karrierës së tyne: në atë kohë e në këtë kohë. Por, këtë gja, e gjykon ma mirë Komiteti. Kah të duesh bjeri konotacioni i këtij emni të lidhë me ata që dikur kanë trokitë bujarisht në duert e atij insitucioni. Pra Komiteti i QKLL-së, me kryetar z. Mustafajn apo ndonji anëtar tjetër që ma shumë punon në zyrat e mediave televizive, apo selitë partiake sesa me letërsinë a poezinë, propozohet si i mundshëm me ba nji seleksion arbitrar (çka ngjanë të jetë edhe e natyrshme për nji konkurs) për poezinë shqiptare. Mandej, me gjithë respektin, nji anëtar që asht depistues i sistemit komercial, tregtar, i cili e konsideron librin si ‘mall’ nuk mundet me marrë pozicionin e nji kritiku. Ma fort ngjanë nji projekt që e ka përcaktue shortin e vet me nji mozaik poetësh, që kanë nji konkubinazh mediatik, që punojnë për ekranin, që interesohen për vêmendjen, që janë ba ma zi sesa ndonji shembull banal i politikës shqiptare, e për ma tepër 30 për qind e kandidatëve janë reminishencë e shkollës së Partisë; që janë nji pergamenë e shlyeme e monizmit dhe janë riciklue—sado në mënyrë organike—në post-komunizmin shqiptar, me në krye vetë kryetarin e Komitetit. Ja ç’thotë në librin e tij Fytyrë burri (1987), B. Mustafaj: ‘Për të mos humbur, për të mos u rrëzuar / në të përpjetat ku do të na ngjisje ti, / në faqen e parë, me buzë në gaz, / na priti Enveri…’ . Pra dy vjet mbasi diktatori kishte ndërru jetë.

Unë e pranoj evolucion njerëzor dhe ndëgjegjësimin kur vjen në qëndrimet e duhuna publike, dhe qartësimin e nevojshëm të rrethanave kur janë krijue këto vargje, si p.sh.: ‘Sallë e Kongreseve. Portreti i Enverit / me buzëqeshjen e madhe të njeriut të gjallë. / Gjeografë! Korrigjojini lartësitë e maleve, / me Enverin malet bëhen më të lartë!’, (Marku, Drita, 1986); ‘Dhe ndoshta s’kishim çelik akoma, / por çelik të fortë, të shkëlqyer kishim Partinë!’ (Zhiti, Nëntori, 1978); ‘Pështyjmë të dhjamurit dhe Krishtët!’ (Marku, Toka ime, 1974); ‘Ne jemi burra nga Jugu, nga Veriu, / të heshtur, të zhurmshëm, të butë, të sertë. / Dhe në mos e njofshim kurrë njëri-tjetrin, / emri i Enverit na ka lidhur përjetë.’ (Londo, Emri i EnveritDrita, 1986). Nuk propozoj modelin e përndjekjes së Javert-it ndaj Jean Valjean-it assesi, por nuk pajtohem me shoqninë shqiptare, me intelektualët e kritikët që e kanë braktisë Mnemosinën për me mbushë bulshijtë në ujnat e Lethes.

Mbrenda këtij grupazhi tipologjik [të makinerisë propagandistike dhe verbit ofensiv], nuk gjej ndonji përligjje të Komitetit për mos me përfshî Xhevahir Spahiun. Por as mbrenda grupazhit të 90-s, që kanë reputacionin e asaj periudhe, nuk shoh arsyetim mos me qenë as Gentian Çoçoli p.sh. Prandej kriteret selektive, nuk kanë dalë të qarta. Ndoshta në fund, Komiteti flet dhe i ban të qarta. Ajo çka mbetet asht nji pakicë tejet minimale poetësh aktivë-cilësorë, e pa zhigun e karbonit komunist nëpër vargje. Secila kategori poetësh që të dalë fituese, në cilindo kalkulim të mundshëm, nuk e ban garën gjithëpërfshîse, as të gjithëpranueshme në brezat e poetëve, por e shtyn atë drejt nji ‘shartimi frutor’ të mollës e dardhës, që siç thotë miku im 100-vjeçar, Pipa, në fund nuk asht as mollë e as dardhë. Ma fort i bjen të jetë nji përzgjedhje e ngutshme tavolinash e miqsh, që kanë ma shumë nji dimension virtual se real në piedestalin e poezisë shqipe. Kësisoj kjo kunorë lari bahet laracike.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.