Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Parlamenti duhet ta anulojë ligjin për sigurimet shëndetësore

Meqë ligji aktual për sigurimet shëndetësore – i projektuar nga Banka Botërore – dështoi të zbatohet këtë vit, Parlamenti duhet ta anulojë atë në tërësi për ta instaluar konceptin më të mirë dhe më të zbatueshëm në kontekstin tonë: atë të Sigurimit Kombëtar Shëndetësor.

Këtë javë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës njoftuan se fondet e parapara për t’i kontribuar fillimit të instalimit të sigurimit shëndetësor në bazë të konceptit konservativ, sipas ligjit të prillit 2014, janë devijuar në vija tjera buxhetore (për veteranët). Gjithashtu, u shfaqën pikëpyetje publike nëse Fondi i Sigurimeve Shëndetësore mund të ngritet vitin tjetër.  

Në këtë bllog argumentohet se: Parlamenti duhet ta shfuqizojë këtë ligj në tërësi dhe se koncepti universal i Sigurimit Kombëtar Shëndetësor është më i mirë dhe më i zbatueshëm në kontekst të Kosovës.

Ligji i dizajnuar nga Banka Botërore

Për shkak se Kosova ka qenë nën administrimin e Kombeve të Bashkuara për tetë vjet (1999-2008) dhe për shkak të natyrës së pushtetit vendor politik, organizatat ndërkombëtare kanë dizajnuar bazën e ligjeve sociale – duke i orientuar ato kah interesat parësore të tregut. Pjesë e tyre është edhe ligji aktual për Sigurimet Shëndetësore, i cili vjen pothuajse siç ka rekomanduar Banka Botërore në një publikim në vitin 2008, pasi kishte kundërshtuar një projekt-ligj të Parlamentit (2006).

Tri pjesë të publikimit meritojnë në veçanti të citohen dhe të analizohen:

1.
“…Pas këshillave të komunitetit ndërkombëtar të donatorëve, ligji (2006) ishte kthyer në qeveri. Gjatë takimeve me qeverinë dhe përfaqësuesit e donatorëve, ishte arritur pajtim që Banka Botërore do të studionte financimin shëndetësor në Kosovë; ky raport është rezultat i atij studimi.” (fq.ii).

 Kjo fjali tregon rolin parësor të Bankës Botërore në dizajnimin e ligjit aktual.

2.
Kosova është në mesin e sektorëve të pakët shëndetësorë që ende kanë modelin Shemasko të kujdesit shëndetësor – të planifikuar nga qendra, Shërbimin Kombëtar Shëndetësor të modelit të ish-Bashkimit  Sovjetik… Implementimi i sigurimit shëndetësor do të kërkonte ndarjen e financimit dhe funksioneve shërbyese në kujdesin shëndetësor…
(fq.5).

Çdo referencë ndaj Bashkimit Sovjetik, për shkak të zhvillimeve në dekadat e fundit, natyrisht krijon një ndjenjë distance dhe paragjykimi në Kosovë. Por, nuk është e vërtetë që Kosova vjen ekskluzivisht nga tradita e Bashkimit Sovjetik. Në fakt, ajo gjatë përiudhës së socializmit vetë-qeverisës ka pasur sigurim të përafërt shëndetësor me atë që duhej të hynte në fuqi më 2017 (dmth. sipas konceptit Bismarckian).

Kosova e tashme dhe atëhershme kanë problemin kryesor të njëjtë – atë të shkallës së vogël të punësimit. BVI e Sigurimit Shëndetësor në raportin vjetor të planeve të vitit 1978 (periudha më e mirë e vetë-qeverisjes) raportonte për nevojën që sigurimi shëndetësor të adaptohej në bazë të “reciprocitetit dhe solidaritetit…në uljen e dallimeve në përdorimin e mbrotjes shëndetësore…sipas nevojave reale” (fq.28-29). Për shkak të nivelit të ulët të punësimit, shumë njerëz kishin mbetur pa mbrojtje. E njëjta do të ndodhte edhe me ligjin aktual, ku të papunët pritet të vetëfinancojnë sigurimin.

Gjithashtu, nuk është e vërtetë që sigurimet dhe shërbimet shëndetësore duhet domosdoshmërisht të ndahen. Shumë vende perëndimore – Britania e Madhe, Suedia, Norvegjia, Finlanda, Danimarka, Spanja, etj.- përdorin modelin universal (Beveridge) ose të Sigurimit Kombëtar Shëndetësor, ku financimi dhe shërbimi nuk ndahen. Sigurimi është e drejtë universale për çdo banor. Ky model i përshtatet më shumë kontekstit të Kosovës (shih më poshtë).  

3.
Kosova mund të krijojë një Fond të Sigurimeve Shëndetësore të pavarur si institucion financiar autonom kuazi-publik…Kjo do të reflektonte përvojën pozitive me organizimin dhe menaxhmentin nga TPK (Trusti Pensional i Kosovës)
(fq.36).

Ngritja e kursimeve pensionale në Kosovë (shih bllogun e kaluar në Destrata), duke mos krijuar asnjë lloj solidariteti me kontributorët e dikurshëm pensionalë dhe asnjë lloj solidariteti ndërmjet pensionistëve, është ndër projektet më marketizuese (privatizuese) në tërë Europën Juglindore. Shihet qartë që Banka Botërore parimisht ka qenë e interesuar për ta marketizuar edhe sektorin e shërbimeve shëndetësore.    

Përse TPK nuk është model i mirë dhe përse duhen sigurimet universale

Ngritja e TPK-së ka pasur risk të vogël, për arsye se, sidomos në vitet e fillimit, pothuajse vetëm ka grumbulluar kursime për shkak të pensionimeve të vogla. Fondi i Sigurimeve Shëndetësore do të përballej me shpenzime të mënjëhershme. Ky është dallimi kryesor.

TPK nuk është storie e suksesit; ajo është storie e shpenzimeve shumë të mëdha administrative (në krahasim me shpenzimet e Qeverisë për shërbime publike) dhe e harxhimit të gjeneratës së sotme që financon pensionistët aktualë dhe kursimet individuale për vete që janë të varura nga tregu, pa asnjë granaci afatgjatë. Kështu, ato nuk i kontribuojnë asnjë lloj solidariteti shoqëror.

Ndonëse Sigurimet Shëndetësore, në bazë të ligjit aktual, do të mund të përdoreshin për të nxitur hyrjen e punëtorëve nga tregu informal në atë formal, ky ligj nuk e ka atë qëllim pasi nuk përdor politikën e kontributeve progresive. 

Ndonëse është ligj më i mirë se ligjet tjera sociale, me këto të meta, sikur me kursimet individuale pensionale, publiku kosovar do t’i kontribuonte edhe më tej kryesisht mirëqenies së klasës burokratike – pasi edhe kursimet pensionale të punëtorëve publikë (dmth. gati gjysmës së të punësuarve formalë në Kosovë) edhe sigurimet shëndetësore të tyre do të financoheshin kryesisht nga taksat e konsumit (burimi kryesor i buxhetit kombëtar), dmth. nga e tërë shoqëria.  

Në vitet e fundit, mbledhja e të hyrave në 5%-shin më të pasur të shoqërisë është shtuar për 100%. Derisa të varfrit po varfërohen, më të pasurit janë duke u pasuruar – dhe atë shpesh përmes taksave popullore të konsumit.

Për këto arsye, dhe për shkak se kontributi i buxhetit kombëtar në sigurime shëndetësore është gati i kudondodhshëm, Kosova duhet ta ndjekë modelin e sigurimeve kombëtare shëndetësore të financuara nga buxheti kombëtar dhe të zbatuara nga institucionet publike. Ky model është më ridistribuiv, më në favor të shtresave të varfra, dhe përgjegjësia për zbatimin e sigurimit shëndetësor është më mirë të kërkohet nga politika, sesa nga tregu. Nga konteksti i viteve të pasluftës, ku shteti nuk ka marrë përgjegjësi eksplicite për sigurinë shëndetësore përkundër financimit të shumë shërbimeve, është më lehtë të kalohet në këtë model (ndryshimi i zakoneve është më i vogël), duke marrë detajet më të mira nga shtetet që e ndjekin, për ta bërë të zbatueshëm.

Në vend se të përjashtojë shtresat e varfra nga të drejtat sociale, Parlamenti i Kosovës ka nevojë urgjente të shtojë taksat në të hyrat e klasës së pasur – për të rritur buxhetin kombëtar dhe barazinë sociale. Informaliteti mund të luftohet duke krijuar nxitje tjera si mbrojtja e papunësisë, financimi i pushimeve për shkak të sëmundjes, kujdesit ndaj fëmijëve etj.

___________

Bllogu mbështetet nga Friedrich-Ebert-Stiftung, zyra në Kosovë.
Mendimet e shprehura në këtë bllog nuk paraqesin medoemos besimet e Friedrich-Ebert-Stifftung.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.