Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Pasojat afatgjata të pandemisë në shëndetin mendor

Përveç efekteve shëndetësore, sociale, ekonomike apo edhe psikologjike, pandemia e shkaktuar nga virusi COVID-19 na dha edhe shumë mësime. Ajo na rikujtoi se sa fragjilë jemi ne si qenie njerëzore. Na tregoi se përkundër zhvillimit teknologjik dhe shkencor, për më shumë se një vit, të vetmet forma të mbrojtjes nga virusi ishin vendosja e maskës dhe distancimi fizik – metoda këto të njëjta që janë përdorur edhe në mesjetë. Por, gjithashtu, kuptuam edhe një herë se sa të adaptueshëm jemi kundrejt rrethanave që ndryshojnë. Kështu, pa humbur shumë kohë, arritëm që t’i transformojmë aktivitetet tona të përditshme dhe shumë punë t’i kryejmë në mënyrë virtuale. Me zbulimin e vaksinës dhe rritjes së numrit të të vaksinuarve, shumë pasoja të pandemisë kanë filluar të rikuperohen me qëllim të rikthimit të “normalitetit” para-pandemik. Megjithatë, edhe pasi vaksinimi të masivizohet deri në atë nivel sa virusi të “mposhtet” përfundimisht, vlerësoj se njerëzit do të vazhdojnë edhe për shumë kohë të përballen me probleme të ndryshme psikologjike, që janë pasoja të drejtpërdrejta të pandemisë.

Ka shumë arsye se pse profesionistët e shëndetit mendor njëzëshëm ngrenë shqetësimin për pasojat afatgjata të COVID-19 te njerëzit. Një ndër to është edhe mbështetja në përvojat nga epidemitë/pandemitë e mëparshme, apo emergjencat e ndryshme me të cilat janë përballur vendet. Në fakt, studimet tregojnë se përhapja globale e sëmundjes SARS në vitin 2003 ka pasur ndikim të rëndësishëm psikologjik mbi komunitetin në përgjithësi dhe në veçanti te punëtorët e kujdesit shëndetësor. E gjithë kjo për shkak të ngarkesës së madhe që punëtorët e këtij sektori kishin gjatë realizimit të aktiviteteve të tyre ditore për periudha të tejzgjatura kohore. Tutje, strategjitë që zakonisht përdoren në rastet e sëmundjeve infektive, si karantinimi i qytetarëve me qëllim të minimizimit të përhapjes së virusit, mund të kenë pasoja afatgjata psikologjike, si shfaqja e simptomave të stresit post-traumatik, depresionit, ankthit apo edhe pagjumësisë.

Sipas një studimi i cili analizon efektet në shëndetin mendor 25 vjet pas aksidentit bërthamor që kishte ndodhur në Ukrainë, respektivisht në Çernobil, konstatohet se edhe pse kishin kaluar mbi dy dekada nga ngjarja apokaliptike, personat që i ishin ekspozuar drejtpërdrejt këtij aksidenti kishin raportuar nivele të larta të depresionit dhe stresit post-traumatik (PTSD). Studimi kishte konkluduar se efektet në shëndetin mendor ishin pasojat më evidente të kësaj katastrofe, e cila kishte shkaktuar me mijëra vdekje dhe e kishte bërë të pabanueshëm lokacionin në fjalë. Duket se shqetësimet psikologjike që lidhen me stresin post-traumatik janë të zakonshme dhe shfaqen rëndom te njerëzit që përjetojnë ndryshime drastike në jetën e tyre si pasojë e faktorëve të jashtëm rrethanorë me përmasa katastrofike, qofshin ato shëndetësore apo natyrore, por edhe si pasojë e krizave financiare apo edhe konflikteve të armatosura. Të njëjtat simptoma sikur te personat që kishin përjetuar avarinë bërthamore të Çernobilit ishin shfaqur edhe te të mbijetuarit nga uragani Katrina, që kishte ndodhur më 2005 në New Orleans pesë vjet pas ngjarjes. Për më tepër, te personat që kishin shëndet më të dobët mendor përpara se uragani ta godiste vendin, ishte vërejtur një gjendje më e rënduar psikologjike.

Sa u përket çështjeve të shëndetit mendor të lidhura me pandeminë COVID-19, shumica e psikologëve dhe studiuesve të fushës kanë konstatuar se ka shumë të ngjarë që pasojat psikologjike do të zgjasin edhe për shumë kohë. Konsiderohet se çrregullimi obsesiv-kompulsiv (OCD) mund të jetë një nga problemet kryesore afatgjata. Sipas tyre, kjo mund të ndodhë për shkak se ky lloj çrregullimi lind nga ndërveprimi midis faktorëve gjenetikë dhe atyre rrethanorë të mjedisit përkatës. Te personat me predispozita më të mëdha gjenetike ndaj disa modaliteteve të çrregullimit në fjalë – siç janë fiksimet kundrejt kontaminimit dhe detyrimet permanente për pastrim – stresi i shkaktuar nga pandemia ka shumë gjasa ta agravojë edhe më tutje gjendjen.

Një pasojë tjetër afatgjate konsiderohet se mund të jetë manifestimi në mënyrë permanente i ankthit. Kjo mund të multiplikohet kur kihet parasysh se sot jemi të ekspozuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe permanente ndaj “lajmeve të rrejshme” dhe dezinformatave, të cilat – duke shfrytëzuar në të shumtën e rasteve rrjetet sociale – shpërndajnë “njoftime” për shfaqjen e viruseve tjera të reja, ose për rritjen e agresivitetit të virusit aktual, apo edhe për pasojat që mund të ketë një valë e re e përhapjes së virusit diku në fillim të vjeshtës.

“Vetmia kronike”, që shkaktohet nga izolimi social ose “humbja e kuptimit” për të jetuar, është një tjetër shqetësim që është rritur gjatë pandemisë dhe konsiderohet që do të vazhdojë të mbetet problem jo i vogël edhe në të ardhmen. Duke qenë se ndër teknikat kryesore që shtetet aplikuan për ngadalësimin e përhapjes së virusit ishin karantinimi dhe distancimi fizik (që shpesh në mënyrë jokorrekte quhej distancim social), shumë njerëz e kanë gjetur veten, në mënyrë të pavullnetshme, me më pak lidhje të ngushta shoqërore, gjë që në mënyrë direkte ka rritur vetminë dhe pasojat që shkaktohen nga ajo. Në fakt, vetmia është çështje komplekse, që mbulon jo vetëm jetën sociale, por ndikon edhe në sjelljen e njeriut në përgjithësi. Sipas autores Noreena Hertz, ky është “shekulli i vetmisë”. Ajo, në librin “The Lonely Century”, konstaton se vetmia e rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru, apo edhe demencias. Mbështetur në matjet empirike të realizuara nga kjo autore, respondentët që kishin deklaruar se ndihen të vetmuar kishin shumë të ngjarë që pas pesë vjetësh të përjetonin depresion. Gjithashtu, njerëzit e vetmuar mund të jenë më armiqësorë ndaj të tjerëve dhe mund të kenë prirje të marrin vendime më radikale apo, me raste, edhe ekstreme.

Duhet nënvizuar se efektet psikologjike mund të jenë më të forta në intensitet dhe më të qëndrueshme në kohëzgjatje te personat që kanë qenë të infektuar me virusin COVID-19 dhe sidomos tek ata të cilët këtë virus e kanë kaluar me probleme serioze shëndetësore apo kanë qenë të hospitalizuar. Një përjetim i tillë fuqishëm mund të provokojë te ta emocione intensive dhe traumatike shumë kohë më pas, qoftë në mënyrë të vetëdijshme, apo edhe të pavetëdijshme. Kur merret në konsideratë fakti se ne jemi shoqëri që vetëm para 20 vjetësh kemi përjetuar ngjarjet dramatike dhe traumatike të luftës, ballafaqimi edhe me pandeminë mund ta rëndojë dukshëm gjendjen e shëndetit mendor të njerëzve, sidomos të disa personave apo grupeve që janë më vulnerabilë. Jo rastësisht, shumë nga ne kohën kur ishte vendosur karantinimi e përshkruanim dhe e krahasonim me periudhën më të vështirë të luftës së fundit në Kosovë. Pra, frika, paniku, ndjenja e rrezikut, e pasigurisë dhe paqartësisë, asocionin për ne në ndjenja të njëjta me ato të luftës.

Humbja e vendit të punës, që ka si pasojë pamundësinë për të garantuar siguri financiare për veten dhe familjen, mund të ndikojë gjithashtu në mirëqenien afatgjate të njerëzve. Studimet kanë treguar se ekziston një korrelacion i drejtë mes atyre që e humbin vendin e punës dhe efekteve në shëndetin mendor. Sipas një studimi të realizuar në ShBA, më shumë se gjysma e personave që ishin të papunë, ose të cilëve u ishin ulur të ardhurat si pasojë e pandemisë, kishin raportuar ndikime negative në shëndetin mendor.

Në këtë situatë, institucionet e Kosovës vazhdojnë të mos ia kushtojnë vëmendjen e duhur shëndetit mendor. Sa për ilustrim, “Programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021-2025” në vetëm dy raste e përmend fjalën “shëndet mendor”, pa dhënë detaje apo pa paraqitur ndonjë aktivitet konkret dhe të mirë-elaboruar se cili është qëllimi për përmirësimin e këtij aspekti të rëndësishëm të shëndetit në përgjithësi. Për fat të keq, kjo shpërfaq neglizhencën e vazhdueshme që institucionet ia bëjnë këtij aspekti të rëndësishëm për jetët e qytetarëve, sidomos në këtë periudhë komplekse.

Është e rëndësishme të theksohet se krahasuar me krizat e mëparshme me të cilat janë përballur njerëzit – si ato ekonomike/financiare, natyrore apo edhe konfliktet e armatosura – shkalla e paparë e shtrirjes dhe paparashikueshmëria e kohëzgjatjes së krizës shëndetësore të shkaktuar nga COVID-19 rrit dukshëm nivelin e pasigurisë, stresit dhe ankthit te njerëzit. Variante të reja të virusit që shfaqen në rajone të ndryshme të botës e komplikojnë edhe më shumë situatën. Nga ana tjetër, qytetarët kanë filluar t’i ndryshojnë sjelljet në raport me mbrojtjen nga virusi. Kjo është e dukshme, sidomos në Kosovë. Tashmë janë shumë të rralla rastet kur njerëzit mund të shihen duke bartur maska, qoftë edhe në ambiente të mbyllura. Për shumicën e njerëzve duket se pandemia tashmë ka përfunduar. Por, për fat të keq, nuk është ashtu. Derisa të ketë një vaksinim masiv të njerëzve në Kosovë dhe gjithandej nëpër botë, mbetet e paqartë se kur pandemia do të marrë fund përfundimisht. Kjo paraqet një situatë veçanërisht sfiduese, sidomos për njerëzit që janë më të ngathët në ballafaqimin më situata të pasigurisë, apo e kanë më sfiduese përballjen me gjendjen e mungesës së kontrollit. Në anën tjetër, pamundësia për t’i pasur gjerat nën kontroll ka qenë dhe mbetet e pranishme gjatë periudhës së pandemisë. Megjithatë, duhet theksuar se përkundër kësaj situate jo të lehtë, një pjesë jo e vogël e njerëzve kanë shfaqur aftësinë të krijojnë reziliencë adekuate në mënyrë që të rikuperohen shpejt nga problemet dhe vështirësitë me të cilat përballen. Nëse ekziston edhe mbështetja adekuate psikologjike – dhe sidomos nëse ajo ofrohet me kohë dhe në mënyrë profesionale – mund të rriten dukshëm gjasat e rikuperimit dhe rikthimit në normalitet, pa pasoja afatgjate psikologjike.

Duhet thënë se – deshëm ne apo jo – nga pandemia kemi nxjerrë disa mësime të vlefshme dhe shumë të tjera do të qartësohen në muajt dhe vitet në vijim. Kemi mësuar t’i japim më shumë hapësirë vetes sonë dhe t’i ngadalësojmë pak angazhimet e preokupimet e përditshme dhe rutinore. E rikonfirmuam faktin se sa jetik është për shëndetin tonë mendor kalimi i kohës kualitative dhe të mjaftueshme me anëtarët e familjes, pastaj edhe rivlerësimi i objektivave e rifokusimi në çështje të rëndësishme, bashkë me ruajtjen e kontakteve me të afërmit dhe bashkëpunëtorët, duke përdorur mënyra të reja dhe kreative të komunikimit. Kjo periudhë e zorshme dhe komplekse na ka vetëdijesuar për pasojat – sidomos ato afatgjate – që mund të kenë çrregullimet në shëndetin mendor dhe, në të njëjtën kohë, na ka bërë të kuptojmë më mirë rëndësinë që ka trajtimi psikologjik adekuat, në mënyrë që të jemi më rezilientë, t’i rikuperojmë pasojat eventuale afatgjata psikologjike dhe t’i përballojmë në mënyrën e duhur sfidat jetësore.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.