Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Për një dialog kritik rreth Islamit

Islami po rikthehet në trajtë fundamentaliste dhe një dialog kritik shoqëror rreth Islamit në shoqërinë tonë është më se i domosdoshëm. Debati publik rreth Islamit në hapësirën shqipfolëse mbizotërohet nga dy rryma diametralisht të kundërta: rryma paragjykuese dhe ajo apologjike.

Rryma paragjykuese stereotipizon, gjykon dhe demonizon elemente islame në traditën dhe të tanishmen tonë fetare e kulturore. Kjo rrymë ilustrohet me shprehjet e ngarkuara me gjykime e paragjykime për Islamin, si “mbetje turke”, “terroristë me mjekra”, “shamia arabe”, e të ngjashme.

Në anën tjetër, rryma apologjike refuzon t’i shohë sfidat dhe problemet me teologjinë dhe predikimet mbizotëruese të klerit mysliman. Kjo rrymë flet për Islamin si për një fe “të drejtë”, “pa të meta”, “mënyra e vetme për një jetë të dinjitetshme”, “shpëtim nga gjithçka dhe për gjithkënd”, mes të tjerash.

Asnjëra nga këto dy rryma nuk i kontribuon diskursit publik. Rryma paragjykuese i vë besimtarët në pozitë mbrojtëse dhe i mobilizon për të konservuar traditën dhe promovuar besimin e pakusht te dogma dhe autoriteti fetar. Ndërsa rryma apologjike i kontribuon letargjisë dhe vetëkënaqjes.

Këto janë dy faqet e së njëjtës medalje, që pengojnë një bashkëbisedim të nevojshëm shoqëror rreth Islamit, sepse për çfarë mund të bashkëbisedojnë ithtarët e qëndrimit se Islami është “i huaj” dhe se shfaqja e tij në jetën shoqërore e kulturore është “antikombëtare” ose “antiperëndimore” me ithtarët e qëndrimit se Islami është fe “pa të meta”, ndonëse mund të pranojë se ndonjëherë myslimanët nuk janë të tillë?!

Veç këtyre, ka edhe polemika që parashtrohen gjoja si kritika të Islamit, por që assesi nuk janë të tilla. Në të vërtetë, ato janë tepër sipërfaqësore, që u mungon guximi intelektual a veglat konceptuale për ta adresuar thelbin e problemeve të teologjisë dhe mendimit islam.

Kësisoj, në vend se të merren Islamin, ato operojnë me paragjykime dhe mësymje që u afrohen qëndrimeve islamofobe e raciste, duke vënë në shënjestër pjesëtarët e komunitetit ose klerin mysliman. Andaj, këto lloje të paragjykimeve nuk do të trajtohen në këtë shkrim.

Duke marë për bazë këto dy rryma (paragjykuese dhe apologjike), Islami ka mundur të bëhet temë e diskutimit publik vetëm atëherë kur është parë si problem i sigurisë ose kur ka trazuar botëkuptimet apo ideologjinë mbizotëruese në shoqëri. Me fjalë të tjera, Islami shihet dhe trajtohet si çështje vetëm prej aspektit të sigurisë ose të shmangies së tij nga ideologjia mbizotëruese. T’i analizojmë të dyja me radhë në vijim.

Dialogu mbi Islamin kufizohet në fushën e sigurisë dhe ideologjisë

Së pari, në ligjërimin politik, gazetaresk dhe të organizatave joqeveritare që merren me çështje të sigurisë, hasim problematizimin e Islamit vetëm nga këndvështrimi i sigurisë. Lajme dhe reportazhe të panumërta mediatike mbi Islamin janë bërë të shtyra nga urgjenca e krizës së supozuar të sigurisë që e shkaktuaka Islami. “Urgjenca e krizës” ka orientuar edhe prodhimin e një numri raportesh të organizatave joqeveritare që merren vetëm me një aspekt të supozuar si urgjent dhe problematik të Islamit, siç ishte para pak vitesh mbështjetja dhe pjesëmarrja e një numri kosovarësh në luftërat e “Shtetit islamik në Irak dhe Levant” (ISIS).

Në këto ligjërime mungojnë problematizimet e Islamit si sistem mendimi, botëkuptim dhe praktikë morale, që mund të argumentohet se paraqesin problem. Kështu, për shembull, në raporte të tilla, fundamentalizmi nuk konstatohet si problem në vete, por vetëm nëse e shkakton “krizën”, bie fjala, rekrutimin në ISIS apo përkrahjen e tij. Kështu, për ilustrim, thuhet “është hoxhë i mirë, sepse flet kundër pjesëmarrjes në luftën në Siri ose kundër sulmeve terroriste” dhe pastaj të gjitha i falen.

Së dyti, shohim se Islami – pra të kuptuarit dhe të praktikuarit e tij në shoqërinë tonë – problematizohet vetëm atëherë kur ato shmangen nga ideologjia mbizotëruese në shoqërin. Kështu, për ilustrim, thuhet: “Është hoxhë i mirë, sepse flet mirë për simbolet a heronjtë kombëtarë, miqtë ndërkombëtarë, Perëndimin”, etj.

Pra, “hoxhë i mirë” sepse është në linjën “e duhur” ideologjike dhe pastaj të gjitha të tjerat i falen. Kjo është e konvenueshme për klerin fetar, por nuk mundëson dinamizimin e mendimit dhe rimendimin e besimeve e interpretimeve fetare, që janë parakushte për dialog kritik.

Këto dy problematizime nuk e ndihmojnë dialogun, sepse, sipas tyre, feja është ose bëhet problem vetëm kur përbën kërcënim për sigurinë ose kur bie ndesh me ideologjinë mbizotëruse politike në shoqëri.

Si mund të zhvillohet një dialog kritik rreth Islamit?

Nevojitet një trajtim i Islamit i pandikuar nga “urgjenca e krizës” e cila përqendrohet vetëm në aspektet e temat që problematizohen nga këndvështrimi i sigurisë dhe i ideologjisë. Vetëm një trajtim i Islamit i çliruar nga këto këndvështrime do t’i krijonte kushtet për një dialog kritik mbi Islamin, pra mbi mendimin dhe praktikën fetare islame në shoqërinë tonë.

Kjo nuk do të jetë një rrugë e mesit, sepse kritika nuk është diku në mes paragjykimit dhe apologjisë. Është një rrugë e tretë, krejt tjetër. Për ilustrim, kjo rrugë do të thotë: “Nuk është çështja te ky apo ai hoxhë që shkakton krizën ose sfidon ideologjinë mbizotëruese, por te teologjia islame dhe mendimi bashkëkohor islam që priret drejt fundamentalizmit”.

Ky dialog shoqëror do të jetë joparagjykues dhe i guximshëm, që do të marrë në konsideratë shumësinë e traditave interpretuese nga mendimi islam dhe qasjet kritike e problematizuese nga metodat bashkëkohore të shkencave shoqërore e humane. Dialogu i kërkuar e problematizon mendimin fetar pavarësisht nga problemet e pseudo-problemet që paraqiten si të ngutshme nga politika e përditshme a media dhe nga parashtrimet që burojnë nga ligjërimi polemik në lidhje me fenë, si nga apologjetët, ashtu dhe nga paragjykuesit.

Dialogu do të jetë i hapur dhe nuk mund të parashikohen kahet e rrjedhës së tij, para se të mund të konstatohet fillimi i mirëfilltë i tij. Gjithsesi, dialogu do të merret në mënyrë kritike me kureshtjen dhe dilemat e shoqërisë së gjerë dhe komunitetit rreth Islamit, kuptimit, interpretimit dhe praktikës së tij në shoqëri. Kjo do të mund të arrihet duke shtruar pyetjet që tashmë janë bërë dhe të tjera që ende nuk janë bërë, ngaqë pengohen nga opinioni dominues ose bien në fushën e dogmës ku nuk mendohet dhe nuk pyetet.

Mirëpo, a është i mundur një bashkëbisedim kritik me klerin tradicional dhe me ithtarët e Islamit fundamentalist, që gjithnjë e më shumë janë të sigurt në themelet teologjike të fundamentalizmit dhe që nuk do të vërë në pikëpyetje gati asnjë temë rreth fesë? Mund të mos jetë i lehtë, ngase në mendimin islam është akumuluar një numër i madh tabush, domethënë të vërtetash aksiomatike e qëndrimesh të shenjtëruara për të cilat konsiderohet blasfemike të mendohet, dhe mbi të cilat themelohet Islami i rikthyer në trajtë fundamentaliste sot.

Sidoqoftë, dialogu nuk ka alternativë të mirë. Thirrja për bashkëbisedim duhet të jetë e hapur në çdo rast dhe kohë. Dialogu kritik është debat i hapur dhe racional rreth Islamit dhe interpretimit të tij mes pjesëtarëve të shoqërisë së gjerë me klerin dhe pjesëtarët e komunitetit, duke ua njohur aftësinë për debat racional, në vend të paragjykimit ose përçmimit të tyre, dhe duke i pranuar si subjekte në bashkëbisedim, në vend të demonizimit të tyre si kërcënim ose instrumentalizimit të tyre si subjekte për hulumtim.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.