Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Politika e Jashtme dhe shtrembërimet e motivuara nga agjenda partiake

Nuk do e merrja mundimin që ta trazoja rehatinë e fundjavës për të shkruar një tjetër replikë ndaj Z. Pula po qe se nuk do të kisha lexuar në përgjigjen e tij,  një sërë shtrembërimesh, në fakt, që meritojnë të korrigjohen e sqarohen. Pikësëpari më bëhet qejfi që Z. Pula në përgjigjen e tij është vetëdijesuar se sa mjerane është pretendimi i epërsisë së origjinës qytetare dhe damkosja me nofkën katundar dhe përpiqet të distancohet nga ajo qasje. E bën këtë orvatje duke u thirrur në kuptimin e nxjerrë prej një fjalori, ndërkohë që lexuesit e dinë mirë se çfarë përçmimi nënkuptohet me fjalën katundar. Edhe pse Z. Pula përpiqet të shtrembërojë atë që ka thënë dhe ta kamuflojë qëllimin e tij damkosës në shkrimin e dytë, faktikisht në shkrimin e tij të parë ai shkruan tekstualisht “…politika kosovare, jo vetëm në kuptimin popullor (në gjuhën e përgjithshme popullore e mediale), por edhe në aspektin e mendimit strategjik…”, duke e treguar qartë  e hapur që ai është i vetëdijshëm për kuptimin ofendues të përdorimit të fjalës katundare dhe është më se  i qëllimshëm në përdorimin e shprehjes katundare.

Unë nuk e shpjegoj dot inkosistencën e Z. Pula, i cili në të kaluarën ka shkruar me konsideratë të lartë për rezistencën paqësore në Kosovë gjatë viteve ’90-të, por nuk e ka përmendur asnjëherë strukturën katundare të Kosovës. Pyetja shtrohet, kur dhe si u bë befas kaq katundare shoqëria dhe elita e Kosovës sa  katundarizmi të jetë paradigma kryesuese e shpjeguese e sjelljes së tyre në marrëdhënie ndërkombëtare? Kur vjen fjala për dy studiuesit e përmendur nga Z. Pula, Pierre Bourdieu ka shkruar për angazhimin e komunitetet fshatare gjatë luftës së pavarësisë së Algjerisë  ndërsa James Scott ka folur për rezistencën e fshatarëve të Azisë Juglindore dhe faktikisht nëse tezat e tyre kanë një vlerë analitike, ajo do të ishte përdorimi i tyre për të analizuar rezistencën e Kosovës së okupuar dhe jo marrëdhëniet  e një shteti të pavarur siç është Kosova sot. Në fakt suksesin e lëvizjes paqësore ai ia atribuon UJDI-it, BSPK-së dhe organizatave tjera punëtore dhe rinore jugosllave: pra e lidh rezistencën me rolin e proletariatit dhe jo të katundarisë.

Më tutje Z. Pula shtrembëron dhe falsifikon pohimin tim duke trilluar sikur unë të kisha dalë kundër ndërdisiplinaritetit shkencor, gjë që është absurde pasi unë vetë kam formim akademik e profesional ndërdisiplinor e në këtë rast do të dilja kundër vetes. Ai me vetëdije shtrembëron pohimin tim për  deformimin profesional apo “ligjin e instrumentit” dhe pjesën më të madhe të shkrimit ia dedikon kësaj sajese të tij. Z Pula ka sajuar një “mulli ere” kundër të cilit lufton në shkrimin e vet, madje duke u krekosur me sjellje autoritare prej profesori si nga ata të vjetrit, duke dhënë nota e duke thënë se “çfarë duhet të dijë” një ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe madje duke hedhur aty këtu libra referencë për të demonstruar dimensionin akademik e intelektual. Me këtë pjesë të shkrimit të tij nuk do të merrem pasi i dedikohet një armiku imagjinar të ndërdisiplinaritetit shkencor.

Megjithatë po ndalem pak në rrafshin profesional të marrëdhënieve ndërkombëtare, meqenëse Z. Pula ka shkruar gjatë për këtë gjë. Kur vjen puna tek diskutimi mbi aleancat faktikisht huqjen e bën Z. Pula pasi për konceptin e aleancave nuk ka ndonjë konsensus në botën akademike të marrëdhënieve ndërkombëtarëve. Ai jep një përkufizim shumë të ngurtë dhe të thjeshtëzuar, duke quajtur aleancë vetëm diçka që shkon për shtat modelit të një aleance mesjetare mes Anglisë dhe Portugalisë që është diçka shumë e kufizuar dhe arkaike.

Faktikisht teoricienë të ndryshëm të shquar të marrëdhënieve ndërkombëtare japin përkufizime të ndryshme për atë që mund të konsiderohet aleancë. Ka syresh që i japin një përkufizim shumë të ngushtë e specifik aleancave si Glenn Snyder që i quan aleancat “asociacione formale të shteteve, për të përdorur forcën ushtarake në rrethana specifike kundër shteteve që nuk bëjnë pjesë në këtë asociacion”. Ka të tjerë që i japin një përkufizim më të gjerë e gjithëpërfshirës si për shembull Stephan Walt i  cili i quan “ujdi formale dhe informale të bashkëpunimit në fushën e sigurisë mes dy a më shumë shtetesh sovrane”.

Kur flasin për aleanca studiuesit më në zë që përmenda në shkrimin tim të mëparshëm të cilën Z. Pula e quan “çorbë”, i referohen bashkëpunimit mes shteteve sovrane, por dallojnë për sa i përket vënies së theksit tek niveli i angazhimit, karakteri apo qëllimi i bashkëpunimit. Tek niveli i angazhimit dhe i përfshirjes në bashkëpunim variojnë nga marrëdhënie shumë të ngushta tek marrëdhënie të mira apo nga mbrojtje e përbashkët deri tek thjesht konsultime dhe shkëmbime pikëpamjesh. Format e angazhimit po ashtu variojnë e mund të jenë formale, informale, të institucionalizuara por edhe ad hoc. Qëllimi mandej varion nëse është bashkëpunimi është bërë duke targetuar një vend siç qe aleanca kundër Napoleonit, një aleancë tjetër siç u krijua Pakti i Varshavës për të përballur me NATO-n, por edhe rreziqe më jotradicionale sikurse është koalicioni kundër terrorizmit. Karakteri i bashkëpunimit mandej varion lidhur me mjetet e ndryshme të bashkëpunimit që mund të jenë ushtarake, diplomatike, të inteligjencës etj.

Nuk kam ndër mend të bëj një përmbledhje të literaturës së pasur për të treguar sa gabim e ka Z. Pula për përkufizimin e aleancës, por po e mbyll këtë çështje duke thënë se për sa i përket lidhjes së ngushtë të Kosovës me aleatët e NATO-s ka pa fund deklarata, fjalime e dokumente që flasin për synimin dhe përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO. Është bashkëpunimi i vazhdueshëm yni me këto vende dhe po ashtu angazhimi konkret në koalicion kundër terrorizmit për të cilën ka dërguar përgëzime personalisht edhe Obama e Kerry. Nga ana tjetër ndërhyrja dhe prania e trupave të NATO-s në Kosovë si dhe mbështetja bujare e këtyre vendeve perëndimore në procesin e çlirimit, pavarësimit, shtetndërtimit dhe zhvillimit të Kosovës është mjaftueshëm demonstrative e lidhjes së ngushtë.

Për ta sqaruar e përsëritur prapë tekstualisht unë kam folur për “një tendencë për t’i parë gjërat vetëm në mënyrë ngusht prej profesionit tënd, pa marrë në konsideratë panoramën e plotë apo për të pranuar se profesione të tjera janë më kompetente për të shpjeguar disa fenomene”. Kurrsesi nuk kam folur kundër ndërdisiplinaritetit shkencor dhe as kam pretenduar ekskluzivitet në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. As nuk kam mohuar kontributin, fuzionin apo ndërlidhjen e sociologjisë me marrëdhëniet ndërkombëtare por thjesht kam thënë që në këtë rast “teoria e tij e shpjegimit të politikës së jashtme me katundarinë “ nuk pi ujë e se më duket e sforcuar, tendencioze dhe e pa vend.

Prandaj për sa i përket tezës së tij edhe njëherë theksoj se unë nuk pajtohem kurrsesi me pretendimet e tij se shqiptarët janë në një stad primitiv që meriton të quhet shoqëri katundare ose me insinuatën e tij që lidershipi politik kosovar është katundar, dhe se kjo gjë ka një lidhje shkak-pasojë që shpjegon politikën e jashtme të Kosovës sot.  Unë do të kisha pranuar për marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës shpjegime që marrin shkas nga teori apo këndvështrime që vijnë nga literatura e pasur akademike, që merret me postkonfliktuale, postkoloniale, postkomuniste, por jo këtë. Unë nuk kam aspak përçmim për sociologjinë, përkundrazi, por kam keqardhje e indinjatë për sociologët të cilët promovojnë një agjendë të vetën politike si dhe disa mllefe primitive“antikatundare”duke i shitur apo kamufluar si qasje akademike.

Për më tepër Z. Pula përplaset edhe me një “mulli ere” të dytë, sepse në replikën e tij Z. Pula shtrembëron mënyrën sesi e kam trajtuar unë multilateralizmin dhe çuditërisht krijon përshtypjen e rremë sikur unë të kem thënë që “ose interesa ose multilateralizëm”. Faktikisht unë i kam trajtuar si dy gjëra të ndryshme, interesat si qëllimi ndërsa multilateralizmi si mjet pra, si strategji e politikës së jashtme për të siguruar më së miri interesat e vet në kushtet kur potenciali që ky shtet ka është i limituar.  Pra kam folur për sigurimin e interesave të Kosovës nëpërmjet multilateralizmit.

Z. Pula ka të drejtë në shkrimin e dytë, kur thotë që unë nuk jam marrë me konceptin e hegjemonisë apo me shumë elemente të tjera të shkrimit të tij për të cilat ka hapësirë për debat pasi ndryshe nga ai unë jam përpjekur të bëj një shkrim modest që fokusohet tek shfryrja e pritshmërive të ekzagjeruara dhe toneve të alarmit me qëllim krijimin e një vetëdije dhe pritshmërie reale, me këmbë në tokë, mbi atë që është e mundur dhe është normale të bëhet nga politika e jashtme e Kosovës. Nëse do të merresha me gjithçka që ai ka përmendur, ky shkrim do të dilte shumë më i gjatë sesa tashmë është.

Për shembull Z. Pula në shkrimin e dytë thotë se i shikon kundërshtare dialogun me konsolidimin e shtetit, gjë për të cilën unë nuk pajtohem pasi besoj se dialogu ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe tërthore tek konsolidimi i shtetit të Kosovës. Në mënyrë të drejtpërdrejtë falë dialogut sot në veri ka kufitarë dhe doganierë të Kosovës, komunat e veriut janë përfshirë në dy procese elektorale dhe strukturat paralele janë duke u shuar gradualisht.  Në mënyrë të tërthortë qëndrimi konstruktiv dhe fryma e dialogut ka përmirësuar reputacionin e Kosovës dhe shumë vende që dikur kanë kundërshtuar ashpër pavarësinë e Kosovës sot e kanë njohur këtë pavarësi ose e kanë zbutur e përmirësuar ndjeshëm qëndrimin e tyre. Megjithatë për të kundërargumentuar pohime të tilla të bëra prej Z. Pula do të duheshin shkrime të tjera specifike, kështu që është e kuptueshme që duhet të tregohem selektiv për temat me të cilat merrem prej atyre të shumtave që ai hap.  Po ashtu nuk jam marrë as  me pohime të tjera si “shtetet duhet të kenë interesa” sepse janë të vërteta të rëndomta, pra truizma me të cilat s’ka hapësirë për debat.

Arsyeja kryesore për të cilën u ndala që të flisja me hollësi për dy nga strategjitë kryesore, me të cilat zakonisht i mbrojnë interesat e tyre shtetet e vogla ishte pikërisht për të kundërshtuar qasjen disfatiste si dhe alarmin e lëshuar nga Z. Pula. Ai e niste shkrimin e tij me një qasje  fataliste duke thënë se “Kosova nuk është subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare” flet për cenime të rënda të interesave të Kosovës dhe i bie kambanave të alarmit për një braktisje eventuale të Kosovës prej atyre shteteve perëndimore që e kanë mbështetur Kosovën deri më tani.

Kjo është një qasje disfatiste që mohon përparimin e deritanishëm të Kosovës në arenën ndërkombëtare; synon të krijojë përshtypjen sikur mazhoranca aktuale është duke i shkaktuar një tragjedi Kosovës; ngre pritshmëri të ekzagjeruar lidhur me atë që Kosova mund të realizojë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe orvatet që të krijojë dyshim e mosbesim për aleatët  tanë. Kuptohet që me këtë taktikë mbështet agjendën aktuale të opozitës, e cila po përpiqet të mobilizojë publikun duke krijuar një përshtypje alarmante  të një tradhtie të kryer nëpërmjet marrëveshjeve të fundit ndërkombëtare të firmosura nga qeveria. Po ashtu duke shpërfillur konsolidimin e deritanishëm ndërkombëtar të Kosovës si dhe potencialin e limituar të vendit kjo qasje  synon që të ngrejë në mënyrë të skajshme pritshmërinë në mënyrë që edhe zhgënjimi të jetë sa më i madh. Prandaj ndjeva nevojë që të dilja kundër kësaj taktike që mbarështon një qaramani kolektive dhe nxit një ndjesi të privimit e tradhtisë për të çuar ujë në mullirin e aksioneve të opozitës.

Në njërën anë u përpoqa që të demistifikoja përshtypjen që Kosova është duke u ballafaquar me ndonjë hata si pasojë e “katundarisë”. Unë besoj se është duke zhvilluar një politikë të jashtme normale duke ecur me hapa të qëndrueshëm në drejtimin e duhur në përputhje me interesat dhe kapacitetet e veta. Pra duke i  “shtrirë këmbët sa është jorgani” edhe Kosova, ngjashëm me vendet e tjera që kanë peshë të vogël në marrëdhëniet ndërkombëtare ka zgjedhur si strategji kryesore të mbrojtjes së interesave shtetërore  aleancimin dhe angazhimin multilateral. Nga ana tjetër tregova se përdorimi i dendur i konceptit të miqve ndërkombëtarë, që z. Pula e përdor si evidencë të “katundarisë” së qeveritarëve kosovarë,  nuk është i panjohur për marrëdhëniet ndërkombëtare. Përkundrazi ky term është përdorur dhe përdoret dendur në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke u trajtuar madje edhe teorikisht e jo thjesht si zhargon apo metaforë.

Z. Pula në përgjigjen e tij mundohet që të “demonstrojë” një mungesë konsistence timen lidhur me qëndrimet që kam mbajtur në të kaluarën. Prandaj ka gërmuar shkrimet e mia të së kaluarës dhe ka nxjerrë fraza të cunguara prej tyre jashtë kontekstit, duke i shtrembëruar sipas dëshirës pa treguar me qëllim të plotë argumentet dhe rrethanat e këtyre shkrimeve. Prandaj më lindi detyra që t’i sqaroj unë këto shkrime dhe argumentet e bëra në to.

Duke e nisur në mënyrë kronologjike të periudhës kur janë botuar, artikulli i parë i përmendur i vitit 2006 flet për politikën e jashtme të Shqipërisë në kushtet e proceseve zgjedhore parlamentare të cenuara rëndë të 1997 dhe 2001, që i dhanë socialistëve shumicën e cilësuar në parlament. Mjafton të lexohen raportet e kohës të OSBE-ODIHR për më shumë hollësi. Në ato rrethana votash të përçudnuara unë argumentoj, se qeverisjeve të kohës u mungonte legjitimiteti i plotë i brendshëm  dhe për ta kompensuar atë përdornin vetëm legjitimitetin e jashtëm: pra mbështetjen e perëndimorëve. Unë kam shkruar se të dëshpëruar për të siguruar këtë të fundit, ata ishin të gatshëm që të ndiqnin një agjendë inferiore të politikës së jashtme që shpërfillte interesat dhe kushtetutën e vendit dhe i shkonte për shtat një qasje të Brukselit ndaj Ballkanit që ishte anakronike në fund të viteve 90-të e jo detyrimisht në përputhje me interesin e vendit në fillim të viteve 2000.

Paralelizmi me Kosovën që përpiqet të bëj Z. Pula nuk qëndron, sepse Pakoja e Ahtisaarit është negociuar e miratuar njëzëri nga grupi i unitetit që përfshinte të gjitha partitë parlamentare kosovare: pra me legjitimitet të plotë të brendshëm. Po ashtu marrëveshjet e dialogut sot po negociohen nga një shumicë e cilësuar parlamentare, dalë nga zgjedhje të ndershme të pranuara si të tilla nga të gjithë palët e përfshira. Kushtetuta e Shqipërisë në preambulën e saj përcakton detyrim ndaj qeverisë që të mbrojë interesat dhe jetën e bashkatdhetarëve përtej kufirit; gjë që në mendimin tim është shkelur nga qeveritë socialiste të asaj kohe ndërsa marrëveshjet e prillit të vitit 2013 u çuan në gjykatën kushtetuese të Kosovës e doli që nuk shkonin ndesh me kushtetutën kosovare. Pa dyshim që ka vend për debat, qoftë për argumentet e qoftë për interpretimet e mia për politikën e jashtme të asaj kohe pra 1997-2005. Ama është e sigurt që nuk vlen analogjia që ai bën me Kosovën.

Z. Pula gjithashtu shtrembëron qëndrimet e mia për armët kimike duke thënë se “parashikimi i e duke krijuar përshtypjen se dështimi im me parashikim vë në pikëpyetje kompetencat e mia”. Faktikisht ky është mashtrim pasi nuk kam folur për prishje. Unë kam thënë se imazhi dhe kredibiliteti i vendit tonë tek partnerët do të dëmtoheshin sidomos duke patur parasysh që kryeministri Rama kishte marrë iniciativën dhe e kishte bërë vetë fillimisht ftesën për t’i shkatërruar në Shqipëri e mandej u zmbraps nga kjo ofertë. Mospranimin e armëve kimike nga Shqipëria unë e kam trajtuar si kosto oportune për Shqipërinë e cila kishte një mundësi që të dëshmohej si aleate e denjë ndaj SHBA-ve dhe të projektohej ndërkombëtarisht si kontributore e jo thjesht konsumatore sigurie, por kurrsesi nuk kam thënë që marrëdhëniet me SHBA-të do të prishen. Megjithatë nëse ka kohë e nge lexuesi mund t’i shqyrtojë vetë qëndrimet e mia të asokohe  të shprehura në këto dy shkrime, njëri para dhe tjetri  pas vendimit negativ të qeverisë për armët kimike  e s’ka nevojë për keqinterpretimet e Z. Pula.

Asokohe u krijua një histeri kolektive apokaliptike qesharake që tejfrynte rreziqet dhe panikun në shoqëri, duke krijuar përshtypjen sikur SHBA-të dhe aleatët e tjerë i donin të keqen Shqipërisë e madje gati gati do të bombardonin me armë kimike territorin e Shqipërisë. Konkretisht bëhet fjalë për një operacion me rrezik minimal të kontrolluar mirë falë teknologjisë së avancuar që do angazhonin vendet e zhvilluara gjatë procesit.  Shkrimi i Z. Pula dhe retorika e opozitës sot përpiqet të krijojë një situatë të ngjashme alarmi për sa i përket marrëdhënies sonë me aleatët duke lënë të kuptohet që ata po e braktisin Kosovën ose nuk po ia duan më të  mirën, përderisa kanë mbështetur dialogun dhe marrëveshjen e demarkacionit.

Në artikullin tjetër timin të përmendur prej Z. Pula i bëj thirrje opozitës që të dilte përtej interesit partiak e të dëshmonte patriotizëm duke  mbështetur në parlament rezolutën çame dhe duke mos kundërshtuar nisma shtetërore patriotike siç qe ajo e dhënies së shtetësisë së Republikës së Shqipërisë bashkëkombësve dhe diasporës.  Ngjashëm me atë që ndodh sot në Kosovë sot, opozita socialiste e asaj kohe hera herës e verbuar nga frustrimi i të qëndruarit jashtë pushtetit, ishte e gatshme të mohonte e kritikonte gjithçka të qeverisë pavarësisht se kishte gjera që lidheshin me interesat kombëtare e shkonte larg përtej interesave të ngushta partiake.  Madje në kuadër të këtij nihilizmi ishin të gatshëm që në vitin 2009 të mohonin si arritje futjen e Shqipërisë në NATO  vetëm e vetëm sepse kjo ndodhi gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike. Për informacion të Z. Pula fatmirësisht Partia Socialiste në muajt që vijuan e ndryshoi qëndrimin për çështjen çame, duke e futur si çështje në program të partisë dhe duke propozuar madje një version të sajin të tekstit të rezolutës.

Qasja nihiliste dhe negativiste ishte ajo është – pra ajo që unë kritikoja atëherë në Shqipëri por edhe sot  në Kosovë. Më duket e papranueshme që për hir të një agjende të pastër partiake të  hidhet baltë mbi arritjet e një vendi në arenën ndërkombëtare dhe të nxihet e sterrohet gjendja shumë herë përtej gjendjes reale. Ky nihilizëm për mua është një dëshmi se opozita është shterpe e nuk ka vizion për t’i ofruar publikut një alternativë më të mirë për të ardhmen si dhe nuk ka aftësi që të ofrojë një model qeverisjeje më efikase e të suksesshme, me të cilën të bëj diferencën e të sigurojë mjaftueshëm vota për rotacionin. Unë besoj se dështimi elektoral për një parti duhet të pasohet të paktën për një periudhë afat-mesme kryesisht nga një analizë e brendshme, një reflektim dhe rishqyrtim i performancës së deritanishme, mbase një ndryshim lidershipi apo programi por mbi të gjitha me njëfarë përulësie për disfatën. Partitë në të gjitha trojet e kanë bërë traditë që kur humbin zgjedhjet jo vetëm që shpërfillin sinjalin e qartë që kanë marrë nga votuesi, por sillen edhe më arrogante e të paduruara dhe hidhen menjëherë në sulm  pa i lënë mazhorancës së re aspak kohë që të dëshmohet apo që të aplikojë programin me të cilin ka marrë votëbesimin. Megjithatë kjo është një temë tjetër që hap debat më vete.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.