Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Politika e re e Ballkanit

Politika e Kosovës duhet të ndjekë shembullin e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe votuesve të saj shqiptarë. Kjo është politika e re e Ballkanit që mund të bëhet lëvizje transformatore.

Në bllogjet e kaluara në Destrata është argumentuar se varfëria dhe pabarazia në Kosovë, sipas të ardhurave familjare, janë në rritje të vazhdueshme pas pavarësisë. Brenda grupeve minoritare dhe rajoneve më të varfra, kjo rritje është edhe më e ndjeshme. Kontributi i politikave sociale në ulje të varfërisë dhe pabarazisë, si dhe në promovim të punës, është shumë i kufizuar në krahasim me vendet e tjera në Europë dhe mundësitë e këtyre politikave.

Si pasojë, ato kanë pak ndikim në ulje të papunësisë, shmangie të emigrimit ekonomik, apatisë politike dhe shfaqjeve të nacionalizmit (si muri) që magjepsin audiencën në orët e mbrëmjes para televizorit.

Edhe pse shteti kosovar i mirëqenies është gjerësisht rezultat i projekteve të Bankës Botërore për kah dizajni, partitë e mëdha politike kanë pasur dhe kanë rol legjitim dhe aktiv: me votim në Parlament në periudhën e UNMIK-ut dhe pushtet të rritur pas vitit 2005 dhe pavarësisë. Sjellja e partive është gjithashtu në përputhje me programet e tyre politike të dorëzuara në kohën e regjistrimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Për shembull, Partia Demokratike e Kosovës qysh pas luftës përfshinte në programin e saj skema për familjet e dëshmorëve, veteranëve, ish-të burgosurve politikë etj. Partia e Pavarur Liberale dhe krahu i saj që është bërë më vonë parti më vete – Partia Progresive Demokratike, përkrahnin në vazhdimësi decentralizimin. Edhe këto programe të veçanta, të shtyra nga PDK-ja edhe decentralizimi i aspekteve të mbrojtjes sociale, janë bërë politika zyrtare.

LDK-ja nuk e ka votuar ligjin për veteranët për shkak të mospërfshirjes së ish-Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës dhe jo pse është kundër targetimit. Edhe ajo ndjek programin e saj të qendrës së djathtë: që kur është partia dominuese në qeveri, nga fillimi i 2015-tës, kushtëzon ndihmën sociale me punësim duke shtuar mundësitë e aktivizimit dhe shtrënguar kriteret e përfitimit; më 2016 është propozuar edhe projektligj për fillimin e tatimit të pensioneve që lëshohen nga Trusti i Kursimeve Pensionale (aktualisht në Parlament), etj.

Siç shihet në tabelën e mëposhtme, partitë më të rëndësishme në pushtet në periudhën e pasluftës – Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Partia Liberale Serbe/Partia Progresive Demokratike – të gjitha kanë mbështetur dhe kanë shtuar në shtetin ekzistues të mirëqenies sociale: të orientuar kryesisht kah tregu dhe shumë pak kah solidariteti shoqëror, që targeton gjithnjë e më shumë grupe të caktuara dhe jo tërë shoqërinë, që jep beneficione minimale të financuara nga taksat e konsumit dhe nuk përkrah zhvillimin dhe konkurrencën ekonomike. Gjasat e këtij modeli janë minuar edhe nga mungesa e sundimit të ligjit.

Vetëvendosja është partia e vetme që anon dhe vepron qartazi në krahun e majtë. Votimi i saj në legjislacionin social është konsekuent. Për shembull, ajo ka përkrahur ligje ose amendamentime të tyre, të cilat janë në përputhje me programin e saj, si ligji për grevat, këshillin ekonomik-social, sigurimet shëndetësore etj. Por, VV ka qenë kundër ligjit për fondet pensionale (sepse përkrah konceptin e sigurimeve) dhe kundër ligjit për ndihmën sociale (pasi përkrah shtrirjen e saj, rritjen e pagesave dhe moskushtëzimin e pagesave me shtrëngime buxhetore). Gjatë qeverisjes në Prishtinë, VV-ja ka filluar të krijojë lidhje direkte me klasën më të varfër (p. sh. përmes punësimit, infrastrukturës) që e ka mbështetur në votime.

VV-ja gjithashtu nuk përkrah skema targetuese (që mbulojnë vetëm një grup të kufizuar), sikur në rastet e të verbërve dhe paraplegjikëve, përveçse kur është fjala për pensionet që kanë të bëjnë me FSK-në, veteranët e UÇK-së dhe ish të burgosurit politikë.

Votimi i partive në mbështetje të ligjeve që rregullojnë politikat sociale pas pavarësisë

Ligji PDK LDK AAK VV SLS / PDS
Amend. Tatimi në të ardhura individuale (2008) 17 16 2 4
Puna (2010) 32 19 9 0
Këshilli Ekonomik Social (2011) 18 19 9 11 0
Organizimi sindikal (2011) 26 16 5 2 0
Kategoritë e luftës (2011) 22 21 2 2 1
Amend. Grevat  (2012) 15 12 4 10 1
Pensionet e FSK (2012) 18 18 6 12 4
Pensionet për të verbrit (2012) 24 13 7 2 6
Amend. Shërbimet sociale (2012) 23 13 10 9 5
Ndihma sociale (2012)   23 9 0 0 5
Amend. Fondet pensionale (2013)   20 15 7 0 8
Pensionet e financuara nga shteti (2014) 23 22 7 0 0
Veteranët e UÇK-së (2014) 32 0 11 11 0
Sigurimi shëndetësor (2014) 18 21 3 9 0
Paraplegjikët (2016)   26 21 0 0 1

Votimet në leximin e dytë parlamentar; (-) nuk ka qenë prezente. Votimet me 2 vota për nga VV-ja kanë qenë nga deputetë të Lëvizjes së Bashkuar.

Shteti i mirëqenies – që e kanë përkrahur dhe zhvilluar partitë e mësipërme, përveç VV-së – nuk ka dhënë rezultatet kryesore të cilat ideologjikisht i synon: punësimin e lartë dhe varfërinë e ulët. Ky sektor ka nevojë urgjente të reformohet ashtu që ta rrisë efektshmërinë kundër varfërisë dhe pabarazisë, t’i kontribuojë konsolidimit të identitetit kolektiv dhe promovimit të punës (shih bllogun 5 & 6). Shumëçka në programin dhe aktivitetin e VV-së, demonstron se ardhja e saj në pushtet do të shoqërohej me reforma të këtij drejtimi.

Por, skena politike në Kosovë në përgjithësi dhe aktorët reformatorë brenda saj duhet të mësojnë edhe nga modeli i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe 70,000 votuesve të saj shqiptarë gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare. Ato zgjedhje i bënë shqiptarët pakicën e parë pas luftave etnike në Ballkan që voton në këso shifrash të larta për një parti të drejtuar nga komuniteti shumicë. Zoran Zaevi, kryetari i LSDM-së, u bë lider i rrallë që bënte fushatë bashkë me pakicën dhe simbolet e saj.

Është e natyrshme që lëvizjet më demokratike të lindin në shtetet më të prapambetura e të diversifikuara të Ballkanit, si Maqedonia dhe Kosova, sepse këto shoqëri i ndjejnë më shumë dhe i kuptojnë më saktë dështimet e politikave të ndjekura. Besimi i dhënë nga pakica shqiptare ndaj LSDM-së është mundësi revolucionare dhe Maqedonia duhet ta kuptojë si të këtillë: mundësi e politikës mbi-etnike dhe e pajtimit. Tani, përtej simbolikës dhe votimeve, është vendimtare që politika e ardhshme të punojë për të rritur barazinë, punën dhe demokracinë. Vetëm kështu shembulli i LSDM-së mund të shndërrohet në lëvizje transformatore në Ballkan.

Korrupsioni, varfëria, pabarazia dhe identitetet e ndara sfidohen vetëm me politika universale që nuk kanë qëllim të krijojnë domsdoshmërisht hegjemoni të shumicës, por të demokracisë dhe rezultateve të promovuara sociale që rrisin cilësinë e jetesës. Politika që ka qëllim dhe ka rezultate të këtilla për të gjithë ka pak rrezik të minohet nga faktorët e jashtëm ose të keqkuptohet së brendshmi. Pa kësi mobilizimi politik, do të vazhdojmë të flasim për muret, emigrimin, pasigurinë dhe pushtetin oligarkik.

E ardhmja e shoqërive multietnike si Maqedonia dhe Kosova, ndihmohet nga suksesi i Bashkimit Europian, por nuk përcaktohet prej fatit të BE-së. Ato kanë qenë, do mbeten historikisht shoqëri multietnike dhe mund të funksionojnë si të këtilla. Prandaj politikat mbi-etnike burimore duhet të ndihmohen që të kthehen në lëvizje transformatore, në përkrahje të cilësisë së jetesës dhe të barazisë. LSDM dhe shqiptarët në Maqedoni janë përcaktuar për politikë të vështirë, por për politikë të drejtë dhe çliruese. Kush do t’u bashkëngjitet atyre?

________

Bllogu mbështetet nga Friedrich-Ebert-Stifftung, zyra në Kosovë.

Mendimet e shprehura në këtë bllog nuk paraqesin medoemos besimet e Friedrich-Ebert-Stifftung.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.