Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Projekti dhe praktika (1)

Nuk është rastësi që shkrimi i kaluar, Kriza e së Vërtetës, ndëlidhet me dy figurat filozofike, Platonin dhe Nietzsche-n, ku i pari përmes filozofisë së tij ka esencializuar të vërtetën, ndërsa i dyti ka bërë përpjekje që ta shpërbëjë atë. Mbase këto dy linja janë edhe paradigma të debatit filozofik që e kanë dominuar dhe ende e dominojnë mendimin. Këto dy filozofi përplasen për faktin se e para, filozofia e Platonit, e suspendon nga domeni njohës botën objektive, duke e idealizuar botën e ideve, kurse te Nietzsche, filozofia i nënshtrohet një shqyrtimi dekonstruktues konkret, ku insiston që njeriun ta çmagjepsë nga idealizimi platonik. Pra, këto dy mendësi tërheqin në pole të kundërta dhe janë në një ballafaqim të vazhdueshëm, madje ballafaqimi i tyre nuk mbetet vetëm në rrafshin teorik, por ai kalon edhe në rrafshin praktik, sepse filozofitë e tyre kanë pasë tendenca që të bëhen edhe pjesë e jetës së përditshme në shoqëri. Zatën e gjithë problematika dhe i gjithë debati koncentrohet pothuajse në këtë aspekt, në tendencën e modelimit të këtyre filozofive në jetën e përditshme.

Nëse e analizojmë përpjekjen e njeriut për t’i dhënë kuptim botës që e rrethon, ai vazhdimisht oscilon mes botës së të vërtetave dhe realitetit. Seç ka një tendencë të vazhdueshme që njeriu t’i ikë realitetit, sepse aty ai me shumë vështirësi gjenë përgjigjje për dilemat ekzistenciale që e preokupojnë. Kurse në një rend ideal universal të vërtetat janë aty, ato ekzistojnë pavarësisht njeriut dhe si të tilla edhe nëse nuk mund të rrokën përmes mendjes ato mund të përjetohen përmes besimit. Për njeriun çdoherë është më e lehtë që të ndjekë rrugën e të vërtetave të gatshme, p.sh., më e përballueshme është të besosh se ka një Zot apo Demiurg, e që ai është rregullatori i gjithçkahje, se sa të përpiqesh që këtë botë kaq të paqartë ta kthjellosh. Gjithashtu, kur njeriu beson në një botë ku udhëzuesit janë të gatshëm, vetëm duhet ndjekur atë siç e ndjekin vizitorët ciceronin gjatë vizitës që i bëjnë një shpelle, atëherë gjithçka përveç që është më e lehtë, është edhe me shumë më pak përgjegjësi. Kurse, në rastin tjetër, po t’i futemi kokë në vete shpellës, atëherë të gjitha rreziqet që mund të na shfaqen do t’i marrim vetë mbi supe.

Nëpërmes  idesë të së Mirëstë së Drejtës dhe të së Bukurës platonike, (Idetë e Platonit janë të amshueshme, që do të thotë se as nuk kanë lindur dhe as nuk vdesin dhe se ato ekzistojnë pavarësisht njeriut, njëjtë sikurse Zoti në religjion), Shën Augustini e nxjerrë idenë e Zotit në Krishterim, sepse sipas tij që të tri këto botë ideale mishërohen në figurën e Zotit, e që kjo e zgjidh problemin e rregullimit të rendit kozmik. Kurse nëpërmes shtetit ideal, projektohen forma konkrete të rregullimit shoqëror. Në mes këtyre dy linjave gjendet njeriu, i cili duhet t’i nënshtrohet rregullit moral që buron nga ideja absolute, apo nga hyjnia dhe, po ashtu, rregullit të një shoqërie të konstruktuar si përfytyrim i shtetit ideal. Prandaj, e gjithë kjo ndërmarrje vazhdon edhe sot e kësaj dite, shpeshherë në trajta të ndryshme, por që zanafillën e kanë te këto modele. Po t’i analizojmë veç e veç këto dy linja se çfarë kanë prodhuar edhe praktikisht, atëherë vërejmë se shëmbëlltyra e njeriut ideal, i cili nuk i nënshtrohet rendit të përditshmërisë dhe është i çmagjepsur nga bota materiale, pra, gjithçka që e rrethon, që e prekë, që e ndjen, në fakt nuk ekziston, sepse qëllimi i ekzistencës së tij përmbushet dhe kuptimësohet vetëm duke u mishëruar në idenë e absolutes. E Mira buron nga lart, kurse e keqja vjen nga poshtë. E Drejta apo drejtësia i takon idealit absolut, kurse padrejtësia është shprehje e njeriut të ligë, ndërsa e Bukura është shëmbëlltyra e dy të parave, që njeriu me veprimet e tij e ka ‘luksin’ ta shëmtojë. Ky skematizim krijon njeriun besimtarin, njeriun e zhveshur nga çdo ndjenjë e brendshme, apo nevojë materiale, sepse përkushtimi i tij është në vartësi të vërtetës absolute. Në këtë areal për njeriun e Mirae Drejta dhe e Bukura burojnë nga e përtejmja.

Një reprodukim të botës abstrakte të ideve Platoni e bën me shtetin ideal të tij, përmes të cilit ai e projekton edhe një shoqëri ideale. Madje siç e kemi të njohur nga Historia e Filozofisë, Platoni në përpjekje që ta implementonte idenë e shtetit ideal, në një treg ku shiteshin skllevërit, shitet si skllav. Andaj, duke ndjekur linjën e një shteti të tillë, filozofia politike projekton forma të organizimit shoqëror sipas shëmbëlltyrës platonike për shtetin. Mbase, kritika e Hannah Arendt-it qëndron në faktin se si shteti ideal i Platonit ishte një shtet totalitar dhe se rregullimi shoqëror i mëpastajmë sipas këtij modeli ka prodhuar edhe shoqëritë totalitare, deri edhe nazizmin. Pra, që nga Platoni deri te Marx-i shoqëritë konstruktohen si në aspektin politik, moral dhe estetik. Në rrafshin politik shoqëritë duhet t’i nënshtrohen domosdoshmërisë dhe barazisë, në aspektin moral ishin të çliruara nga dogmat religjioze, sepse ishin të nënshtruara nga dogma ideologjike dhe këto dy të parat e diktonin një rend estetik ku pretendohej perfeksionimi nëpërmjet artit politik. Në njëfarë forme edhe këtu njeriu zhvishet nga kreativiteti i tij, sepse gjithçka përveç që është e strukturuar, është paraprakisht edhe e konstruktuar. Rendi shoqëror e suprimon individin, masa represohet deri në dehumanizim. Më e mira e botëve arrihet, por tanimë individi e ka humbur relevancën, sepse është robotizuar nga dogma ideologjike dhe sistemi represiv, dhe parajsa e tokës së shkretë është mbushur me kocka njerëzish të dëshpëruar, ku të gjallët këndojnë himnin e përjetësisë së shtetit ideal nga varrezat në perëndim të diellit, të cilat sikur akuzojnë nën të lavdishmin hark të triumfit të një shoqërie ideale.

– E vërteta e religjiozit, e ideologut dhe skeptikut, në shkrimin e radhës.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.