Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Projektligji për pagën minimale: mungesë e dialogut social dhe vendimmarrjes konsensuale

Që nga viti 2011, paga minimale në sektorin privat nuk është rritur as edhe për një euro. Qeveritë e kaluara nuk morën asnjë vendim për rritjen e pagës përkundër që me Ligjin e Punës kjo vendimmarrje është obligative. Taksistë, mirëmbajtës/e, punëtorë fizikë, konduktorë, punëtorë në markete, e shumë kategori të tjera, nuk mund t’i mbajnë familjet e tyre me nivelin e pagës minimale prej 170 euro, aq sa është aktualisht. Në fakt, në vitin 2023 as që mund të paramendohet tejkalimi i një muaji me këtë nivel të pagës minimale.

Sipas të dhënave nga Administrata Tatimore e Kosovës, do të jenë rreth 105 mijë përfitues në rast të rritjes së pagës minimale. Përfituesit më të mëdhenj nga një rritje e pagës minimale do të jenë sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë, industria përpunuese, gastronomia, sektori financiar dhe ndërtimtaria.

Përkundër rëndësisë jetike që ka rritja e pagës minimale, ajo ende nuk është bërë në Qeverinë Kurti 2. Në ndërkohë, Qeveria ka proceduar për miratim në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për pagën minimale, të cilin e ka konsideruar si njërin ndër projektligjet më të rëndësishme të propozuar në qeverisjen e saj.

Projektligji i miratuar nuk përcakton shumën e pagës minimale, por u hap rrugën ndryshimit dhe plotësimit të ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurën e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Qeveria kishte respektuar standardet minimale të konsultimit paraprak (5 ditë) dhe të konsultimit me publikun (15 ditë) në Platformën Online të Konsultimeve Publike. Komente kishin dërguar Shoqata e të Verbërve të Kosovës dhe Handikosi, por asnjë koment i tyre nuk është pranuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për t’u bërë pjesë e projektligjit të propozuar.

Pra, me këtë projektligj shkelen standardet minimale të hartimit të legjislacionit, bëhet përjashtimi i Këshillit Ekonomiko-Social, injorohen kërkesat për konsultim të plotë, standard i përcaktuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës.

Gjithashtu, mënyra se si është shkruar dhe forma se si është prezantuar në Kuvend përbën problem në vete.

Së pari, Qeveria e Kosovës nuk ka bërë një analizë të detajuar të ligjeve që synohet të ndryshohen. Kur kemi të bëjmë me propozim-ndryshime themelore të cilat prekin politika publike sociale që afektojnë me qindra-mijëra punëtorë, e po ashtu edhe sektorin privat, i cili përmes tatimeve kontribuon në buxhetin e shtetit, atëherë këto propozime duhet të jenë pjesë e një reforme të tërësishme të këtyre politikave, në këtë rast sociale dhe tatimore.

Së dyti, sjellja e një projektligji për t’i ndryshuar disa ligje të tjera përdoret edhe në disa parlamente kur jemi te çështja e efikasitetit. Por, në përgjithësi, këto projektligje kanë të bëjnë më shumë me projektligje të cilat rregullojnë çështje buxhetore dhe financiare, sikurse ligji vjetor i buxhetit, por jo i çështjeve themelore siç është ky me pagën minimale dhe çështjet që prekin në themel dialogun social.

Pas polarizimit të skajshëm ndërmjet pozitës dhe opozitës në seancën e parë plenare në shqyrtimin e parë dhe pas shtyrjeve të shumta, Kuvendi e miratoi këtë projektligj më 14 qershor 2022. Muajin që vjen bëhet një vit qëkur Kuvendi miratoi këtë projektligj në lexim të parë dhe që nga ajo kohë, përkundër faktit që kanë kaluar të gjitha afatet procedurale për shqyrtimin e tij në lexim të dytë, i njëjti nuk është proceduar për në seancë plenare.

Vonesat e shumta për aprovimin e Projektligjit për pagën minimale përbëjnë shkelje të ligjit dhe interesave të qytetarëve. Mostrajtimi i projektligjit për një kohë aq të gjatë është problematizuar vetëm njëherë në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere (KBPT), ndërsa sipas informacioneve zyrtare, përkundër që për këtë projektligj kanë mbajtur fjalime 14 deputetë, propozim-amendamente kanë parashtruar vetëm tre prej tyre. Niveli kaq i ulët i propozimeve tregon për përkushtimin e deputetëve që problematizuan disa çështje në lexim të parë, por që nuk dërguan amendamente për t’i ndryshuar dhe plotësuar ato.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere (KBPT) përgjatë një viti nuk ka organizuar asnjë aktivitet siç është ai për dëgjimet publike, aktivitet i cili do të mundësonte marrjen e mendimeve nga ekspertët, grupet e interesit, shoqëria civile dhe qytetarët. Komisioni ka dështuar të mbledhë informacione dhe dëshmi të cilat do të kishin ndikuar në ligjbërjen e Kuvendit, konkretisht të këtij projektligji. Praktika e mosorganizimit të dëgjimeve publike nuk është adekuate. Në rastin kur kemi të bëjmë më projektligje komplekse dhe kur propozimet janë të diskutueshme – të kontestueshme ligjërisht dhe politikisht – i takon Kuvendit që brenda kompetencave të tij të zhvillojë dëgjim publik, të marrë informacione dhe këshilla shtesë për probleme të veçanta që lidhen me projektligjin, në mënyrë që krejt në fund të sigurohet përfshirja e grupeve të interesit.

Por, problemet themelore nuk përbëjnë aspektet procedurale të trajtimit të këtij projektligji.  Përjashtimi i vendimmarrjes finale të Këshilli Ekonomiko-Social si dhe injorimi i kërkesës për konsultim të plotë, standard i përcaktuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës për caktimin e pagës minimale, përbëjnë probleme përmbajtjesore të këtij projektligji.

Sipas legjislacionit aktual, Këshilli Ekonomiko-Social themelohet me qëllim të vendosjes dhe zhvillimit të dialogut social në Republikën e Kosovës për të punësuarit dhe punëdhënësit, për çështje të rëndësisë së veçantë. Përbërja e KES-it përbëhet nga organizatat e të punësuarve (sindikatat), organizatat e punëdhënësve dhe Qeveria e Kosovës, ndërsa vendimet e KES-it miratohen me 2/3 e votave të anëtarëve të përhershëm të KES-it.

Projektligji i propozuar shkel parimet dhe standardet ndërkombëtare të përcaktuara me këtë ligj në lidhje me vendimmarrjen prej shumicës së kualifikuar kur bie fjala për pagën minimale.

Në Nenin 6 të projektligjit të propozuar, ndryshohet Neni 56, paragrafi 1 Ligjit të Punës me çka i mundësohet Qeverisë që vetëm përmes njoftimit në adresë të Këshillit Ekonomiko-Social, të vendosë për lartësinë e pagës minimale në fund të çdo viti kalendarik dhe krejt kjo si pasojë e mungesës eventuale të propozimit/konsensusit nga KES-i.

Mënyra e përcaktimit të pagës minimale duhet shikuar në kontekst të një konsensusi të gjerë social, ekonomik dhe politik. Përvoja argumenton se sa më e gjerë përbërja, sa më i madh dialogu ndërmjet akterëve të ndryshëm, përcaktimi i pagës minimale do të shihej dhe do të konsiderohej efektiv tek aplikimi i saj. Propozimi për nivelin e pagës minimale duhet të jetë pjesë e konsensusit të gjerë ndërmjet organizatave të punës, organizatave sindikale dhe Qeverisë, sepse vetëm në këtë mënyrë është efektiv miratimi i një politike të tillë publike sociale dhe ekonomike.

Kërkesa për konsultim të plotë është kërkesë bazike e cila rrjedh edhe nga Konventa Nr. 135 (1970) e Organizatës Ndërkombëtare të Punës për caktimin e pagës minimale. Sipas kësaj konvente, qeveria është përgjegjësja kryesore e cila i krijon dhe i ruan kushtet për një dialog të mirëfilltë social dhe një proces që do t’i rriste shanset që një pagë minimale t’u përgjigjet nevojave të palëve të ndryshme dhe që kontribuon në zhvillimin mbarëkombëtar. Për më tepër, Komiteti i Ekspertëve të ILO-së për Aplikimin e Konventës dhe Rekomandimet që ata i nxjerrin, thekson se konsultimi nënkupton më shumë sesa thjesht shkëmbim informacioni – konsultimi nënkupton procesin i cili mbërrin tek objektivi i palëve që të arrihet një marrëveshje.

Këto dy aspekte themelore, siç shihet, nuk janë parë të rëndësishme nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Në vend se vendimmarrja konsensuale dhe dialogu social të ruhen, të kultivohen dhe  të zgjerohen, me këtë projektligj të dyja do të bien poshtë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.