Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Rasti Martin Berishaj dhe dështimi i vazhdueshëm i diplomacisë kosovare

Ambasadorët e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë janë përfaqësues të kreut të shtetit (në republikë presidentit, ndërsa në monarki monarkut) dhe janë të akredituar pranë kreut të shtetit pritës. Me marrjen e detyrës, ambasadorët ia paraqesin kreut të shtetit pritës letrat kredenciale, të cilat mbajnë nënshkrimin e kreut të shtetit dërgues, ku tregohen cilësitë e personit të dërguar si dhe i kërkohet homologut/-es që të ketë besim tek ambasadori.

Teksti i letrës kredenciale përmbyllet me një fragment standard, ku thuhet: “Kërkoj që ta pranoni ambasadorin tim me dashamirësi dhe t’i jepni besimin e plotë që ai/ajo të komunikojë me ju në emrin tim dhe atë të Qeverisë së Republikës së Kosovës”.

Duke pasur parasysh këtë, atëherë e kuptojmë edhe rëndësinë që pozita e ambasadorit luan në marrëdhëniet e Kosovës me shtetet e tjera. Por, përmbajtja e letrave kredenciale shërben edhe si një lloj garancie për vetë personalitetin e ambasadorit dhe madje i kërkohet kreut të shtetit pritës besim në cilësitë e ambasadorit.

Por, a mund të ketë besim e mirëbesim në ambasadorë të Kosovës, të cilët jo rrallëherë për kaq pak vite shtetësi janë përfshirë në skandale diplomatike?

Skandalet diplomatike ndodhin, e madje u ndodhin edhe shteteve me traditë të konsoliduar diplomatike. Por, skandali i fundit që përfshiu ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është pak më kompleks sesa skandalet diplomatike të cilat ndodhin rëndom.

Kjo për faktin se Martin Berishaj, një shqiptar i Malit të Zi, nënshtetas i Sllovenisë, e së fundmi edhe i Kosovës, ka pranuar fonde nga kompani me seli në Serbi për të financuar parti politike në Slloveni. Pra, në këtë valle janë përfshirë shumica e vendeve të rajonit, e emërues i përbashkët është një person i cili rastis të jetë ambasador i Kosovës.

Martin Berishaj ka marrë nënshtetësinë e Kosovës me dekret të lëshuar nga presidentja Osmani, më 14 prill të vitit 2021. Katër muaj më vonë, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, të njëjtin e ka propozuar për shqyrtim pranë Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë të Kuvendit.

Në letrën e ministres Gërvalla dërguar Komisionit për Punë të Jashtme thuhet: “Z. Martin Berishaj i plotëson të gjitha kushtet e parapara sipas nenit 6 të Ligjit Nr. 03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës”. Neni 6, të cilit i referohet Ministrja Gërvalla, flet për kriteret për përzgjedhjen e ambasadorëve dhe shefave të tjerë të misioneve dhe kriteri i dytë që duhet të posedojë shefi i misionit është “reputacioni i lartë”.

Edhe për marrjen e nënshtetësisë e edhe për emërimin në pozitën e ambasadorit, z. Berishaj është dashur të kalojë nëpër sistemin e verifikimit të sigurisë nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI). Madje, verifikimi për marrjen e detyrës së Ambasadorit nënkupton që të njëjtit i jepet qasje në të dhëna sensitive për Kosovës.

Atëherë, si është e mundur që AKI-ja të mos ketë arritur t’i zbulojë lidhjet e z. Berishaj me bizneset në Serbi? Mbase për këtë më së miri do të ishte të përgjigjej vetë drejtori i kësaj agjencie në një raportim pranë Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Por, pse duhet t’i kushtojmë kaq shumë rëndësi një çështjeje të tillë? Kosova, si një shtet jo plotësisht i njohur ndërkombëtarisht, vetë ekzistencën e saj e ka të varur nga politika e jashtme. Politika e jashtme dhe politika e brendshme janë të ndërlidhura ngushtë njëra me tjetrën.

E politika jonë e jashtme është dëmtuar si rrjedhojë e gabimeve të njëpasnjëshme në diplomacinë digjitale dhe vendimeve të ngutura të ministres Gërvalla, e cila na ka lënë pa përfaqësim me ambasadorë në shumicën e vendeve me të cilat kemi marrëdhënie diplomatike për një periudhë jo edhe aq të shkurtër.

Ndër vendet që ministrja Gërvalla i ka lënë pa përfaqësim me ambasadorë është edhe Kroacia, e cila kishte ngelur pa ambasador për katër muaj nga koha kur e ka lënë detyrën Gëzim Kasapolli, deri kur këtë detyrë e kishte marrë Martin Berishaj.

Martin Berishaj, i afërm i pushtetit të ri, është dërguar ambasador në Zagreb, me qëllim të forcimit të lidhjeve të Kosovës me Kroacinë. Por, përfshirja e tij eventuale në skandalin financiar në Slloveni i ka rrezikuar tej mase marrëdhëniet e Kosovës me Kroacinë. Kjo sepse Serbia, shteti nga i cili supozohet se z. Berishaj ka bartur para për në Slloveni, është shtet jomiqësor edhe i shtetit të cilit z. Berishaj e përfaqëson, e edhe i shtetit në të cilin ai është i akredituar si ambasador.

Prandaj, i njëjti është dashur ta paraqesë dorëheqjen e tij nga pozita e ambasadorit. E meqë nuk e ka bërë këtë, ministrja Gërvalla do të duhej t’i kërkonte presidentes Osmani kthimin e menjëhershëm të z. Berishaj nga misioni.

Megjithatë, institucionet e vendit kërkuan pritjen e një epilogu për këtë çështje. Presidentja Osmani dhe ministrja Gërvalla madje i dolën në mbrojtje ambasadorit Berishaj, duke deklaruar se i besojnë atij.

Por, institucionet e dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 kanë ardhur në pushtet duke premtuar një qasje ndryshe ndaj qeverisjes dhe institucioneve, trajtim të barabartë për të gjithë si dhe luftë të pakompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Madje, me të marrë mandatin si kryediplomate, znj. Gërvalla nuk ka hezituar të lirojë nga detyra e ambasadorit edhe persona të cilët përpos që nuk kanë pasur skandale, kanë kryer punë të mirë. Pse po heziton tani?

Po, ka mundësi që z. Berishaj të jetë i pafajshëm. Dhe parimi juridik i prezumimit të pafajësisë derisa të vërtetohet e kundërta me vendim të plotfuqishëm të gjykatës vlen edhe për të. Por, ajo që tanimë dihet është se z. Berishaj veçse ka bërë deklarim të rrejshëm të pasurisë, ku nuk ka deklaruar kompaninë e tij në Mal të Zi si dhe nuk ka dhënë llogari për afro 600,000 euro të përfolura të derdhura në xhirollogaritë e kompanisë së tij në Mal të Zi, ndërsa mosdeklarimi dhe deklarimi i rrejshëm i pasurisë përbën vepër penale që sanksionohet në dispozitat e Kodit Penal.

Tanimë, Agjencia Kundër Korrupsionit vetëm se ka nisur hetimet ndaj ambasadorit Berishaj. Andaj, z. Berishaj duhet ta bëjë betejën ligjore si qytetar i thjeshtë, e jo si diplomat i Kosovës, sepse Kosova nuk e ka luksin që ta mbajë në krye të misionit të saj diplomatik një person i cili në vend se t’i thellojë marrëdhëniet mes të dyja vendeve, mund të ngjallë mosbesim te pala kroate.

Ndërkaq, deklarimet e Presidencës, Qeverisë e MPJ-së se po presin fakte dhe fjalën e organeve të drejtësisë, mund të na kushtojnë me marrëdhënien me Zagrebin zyrtar. Nëse pala kroate ka informacione të cilat mund ta ndërlidhin z. Berishaj në aktivitete të dyshimta edhe në Kroaci, ata mund edhe të veprojnë tutje me shpalljen e tij ‘persona non-grata’, e që do të ishte një goditje e rëndë për raportet tona me një aleat rajonal si Kroacia, e cila së fundmi ka qenë shumë e zëshme në anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.