Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Reforma Kushtetuese e munguar si peng që trashëgojmë prej legjislaturës së kaluar

Zvarritja e procesit zgjedhor sivjet dhe problemet e shumta që kanë çuar në rinumërim dëshmojnë se reforma zgjedhore është goxha e vonuar. Sërish Kosova u fut në zgjedhje me sistemin e mëparshëm pavarësisht se për një kohë shumë të gjatë është përmendur ideja e një reforme elektorale por pa ndonjë epilog të kësaj teme. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të kontenstuara nga palë të ndryshme e bëjnë akoma më delikate e të koklavitur çështjen e sistemit tonë zgjedhor dhe për rrjedhojë edhe më të nevojshme riparimin e sistemit aktual me një reformë cilësore rrënjësore kushtetuese. Me sa duket konjuktura institucionale dhe ligjore e sistemit politik kosovar të viteve të para të lirisë nuk duket e përshtatshme dy dekada më pas kur ka filluar të konsolidohet demokracia. Zhvillimet e vrullshme politike të muajve të fundit si dhe debati shterpë mbi taksën dhe mosvazhdimin e dialogut që mbizotëroi për muaj me radhë jetën politike në vend, kanë eklipsuar disa tema të mëdha e të nevojshme për vendin që kanë kohë që rrinë pezull prej shumë kohësh.  Idealja do të ishte që kjo reformë kushtetuese të kishte synim të trefishtë, jo vetëm të ndryshonte sistemin zgjedhor por edhe të sqaronte e të përmirësonte bazën ligjore që ka të bëjë me funksionin e partive politike si dhe me rolin e qeverisjes.

Reforma elektorale e bërë mbi 12 vjet më parë jo vetëm që nuk ishte e dobishme por e ka deformuar sistemin politik dhe ka sjellë dëme të shumta të pallogaritshme. Po ashtu përvoja politike prej dy dekadash lirie e demokracie në Kosovë ka nxjerrë sërish në pah disa nevoja që do duhet të ishin përmbushur prej kohësh. Kur bëhet fjalë për reformën e gabuar të kaluar duhet vënë në dukje se hapja e listave ka krijuar motive të reja për të nxitur korrupsionin e politikës. Nëpërmjet hapjes së listave është dëmtuar puna e legjislativit sepse deputetët janë të detyruar që të kultivojnë një elektorat të tyrin personal për t’u rizgjedhur herës së ardhshme. Për rrjedhojë angazhohen në klientelizëm duke u përpjekur që të fusin njerëz në punë apo bëjnë ndere e favore. Po ashtu kandidatët për deputetë kanë nevojë gjatë zgjedhjeve për të bërë fushatë personale që ka kosto goxha të madhe prandaj detyrohen që personalisht të bëhen borxhlinj tek biznesmenët apo kriminelët për të siguruar financim duke e shpërblyer këtë sponsorizim në një kohë të dytë me favore politike. Përpos kësaj listat e hapura kanë shtyrë liderët e partisë që të fusin kandidatë individë që s’kanë detyrimisht lidhje me partinë por kanë para për të blerë vota apo autoritet në terren për të shantazhuar votuesit. Së fundmi listat e hapura ushqejnë akoma manipulimin elektoral i cili është deri diku i zgjidhur për sa i përket numërimit të votave mes listave zgjedhore, mirëpo është shumë problematik për sa i përket kandidatëve të të njëjtës listë zgjedhore.

Efekt degradues e dëmtues për demokracinë e vendit ka pasur edhe vendosja e një pragu të panatyrshëm të lartë elektoral në 5%. Rreziku për të ngelur jashtë parlamentit e Nismës sivjet për shkak të moskalimit të pragut të ekzagjeruar është qartazi një dëm i madh për pluralizmin dhe përfaqësimin demokratik në Kosovë. E njëjta gjë mund të thuhet për daljen nga loja politike të Orës dhe FER-it vite më përpara të cilat duke mos kaluar pragun e kanë varfëruar jetën politike në Kosovë. Nga ana tjetër vështirësia e kalimit të pragut ka pasur një dëm të jashtëzakonshëm në demokracinë e brendshme të partive tradicionale. Mundësia për të pasur një skizmë të suksesshme është një ndër garantuesit e demokracisë së brendshme tek partitë e mëdha. Fraksionet e ndryshme të neglizhuara apo censuruara brenda partive e kanë të vështirë që të bëjnë presion ndaj lidershipit aktual të partive të mëdha sepse e dinë që nëse do dalin prej tyre e kanë të vështirë që të krijojnë një organizatë që kalon pragun. Këtë e kemi parë më zhdukjen nga loja politike të LDD-së që ishte dikur skizmë e LDK-së. Mirëpo më keq akoma ky prag pamundëson pasurimin e ofertës politike me iniciativa të reja partiake sepse e shohin të vështirë kapërcimin e pragut në garën e parë. Prandaj shumë figura me potencial të konsiderueshëm politik hezitojnë të formojnë diçka vetë nga e para por detyrohen të ulin kokën e të vihen në rresht të partive ekzistuese.

Një tjetër mangësi që po trashëgohet në këtë legjislaturë është mungesa e një ligji të qartë të posaçëm për partitë politike. Këto organizata duke qenë shtyllë e rëndësishme e demokracisë së vendit dhe të financuara nga paratë e taksapaguesve meritojnë të kenë një bazë ligjore më të shëndoshë e të hollësishme. Pavarësisht skepticizmit kolektiv që mbizotëron sot për institucionet tradicionale të demokracisë sikurse janë partitë politike, roli i tyre është i pazëvendësueshëm në jetën politike të një vendit. Studiuesit e shkencave politike identifikojnë pak a shumë rolet në vijim për partitë politike në sistemin demokratik të një vendi: ato shërbejnë si instrumentet kryesore të mobilizimit të qytetarëve për të pasur pjesëmarrje politike; përmbledhin e sintetizojnë interesat, këndvështrimet, bindjet e opinionet e qytetarëve duke i shndërruar ato në politika e reforma; përbëjnë mjetin kryesor ligjor organizativ me anë të të cilit zhvillohet gara politike dhe garantohet pluralizmi politik; janë një ndër shkollat kryesore të lidershipit politik duke farkëtuar breza aktivistësh që më vonë do të marrin pozicione udhëheqëse dhe janë një ndër kanalet kryesore të presionit publik dhe transparencës nëpërmjet rolit llogarikërkues që kanë në parlament apo fushatë zgjedhore.

Me pak fjalë kanë role vendimtare për demokracinë e për këtë arsye meritojnë shumë vëmendje e përkujdesje. Aktualisht veprimtaria e partive politike mbulohet ligjërisht kryesisht nëpërmjet Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike dhe atij për Zgjedhjet duke lënë shumë boshllëqe e mangësi. Partitë politike kosovare përfitojnë nga vakuumi ligjor dhe nuk japin llogari e nuk ofrojnë transparencën që duhet për sa i përket demokracisë së brendshme, mënyrës së funksionimit, mënyrës së financimit dhe veprimeve politike që bëjnë. Kështu për shembull gjatë periudhës së politikës së tensionit të viteve 2015-17 dhe sidomos pas gjetjes së mjeteve të dhunës e armëve të ftohta në selinë qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje, u ngritën pikëpyetje nëse do duhej apo jo të çregjistrohej kjo organizatë politike. Në vende të tjera demokratike dhe në përputhje edhe me rekomandimet e Komisionit të Venecias së Këshillit të Evropës ka pasur raste të ngjashme të partive sikurse ishin Herri Batasuna për përkrahjen që i bënte ETA-s në Spanjë apo Agimi i Artë për përdorimin e dhunës, gjuhës së urrejtjes dhe grupeve paramilitare për qëllimet e veta politike. Mirëpo në rastin e Kosovës në mungesë të një ligji konkret për partitë politike kjo çështje nuk mund të trajtohej dhe realiteti juridik nuk mund të krahasohej me vendet e tjera demokratike.

Një tjetër defekt i sistemit tonë politik që meriton të reformohet ka të bëjë me fuqitë e tepruara institucionale të kryeministrit. Kryeministri i Kosovës si askund tjetër mund ta heqë apo emërojë një ministër të kabinetit qeveritar pa patur nevojë as për dekret të presidentit dhe as për votim të parlamentit. Këtu duhet shtuar se një tjetër deformimi nga sistemi tipik parlamentar i westminster-it që kemi ne është edhe detyrimi që ministrat të heqë dorë nga mandati parlamentar për të cilin janë votuar. Kjo gjë është absurde në vetvete sepse në një rast hipotetik brenda një legjislature mund të formohen 3-4 qeveri njëra pas tjetrës dhe i bie që parlamenti të humbasë legjitimitetin sepse njerëzit më të votuar do ngeleshin jashtë tij. Ose në një rast tjetër hipotetik kryeministri emëron ministër një ndër njerëzit më të votuar në parlament dhe menjëherë pasi ky heq dorë nga mandati i deputetit dhe zëvendësohet, kryeministri e shkarkon (pa patur nevojë për dekret presidencial apo votë parlamentare) duke e lënë jashtë parlamentit për gjithë legjislaturën. Prandaj kjo ndarje artificiale e sforcuar mes postit ekzekutiv dhe mandatit të votuar të deputetit do duhej të eleminohej.

Për sa i përket forcës së pozitës së kryeministrit të Kosovës që duhet rishikuar është edhe mocioni i votëbesimit. Në sistemet demokratike dyshimi qëndron tek qeveria, pra tek ajo bie barra e provës që të dëshmojë se është duke qeverisur me legjitimitet sa herë që sfidohet opozita. Ndryshe nga këto demokraci tradicionale, në Kosovë i duhet opozitës që të dëshmojë se ka shumicë alternative ose së paku 61 deputetë në kuvend për të rrëzuar qeverinë gjë që është shpesh pothuaj e pamundshme duke patur parasysh përfshirjen e pashmangshme në qeverisje të 20 deputetëve të pakicave. Për rrjedhojë është shumë e lehtë që për vite me radhë të qeverisemi nga pakica gjë që bie ndesh me parimet bazë të demokracisë.

Së fundmi nëse do të bëhej një reformë, do duhej të mbahej parasysh nevoja a minimizimit të fragmentimit politik dhe të krijimit të mazhorancave solide në mënyrë që pas zgjedhjeve të bëhej një ndarje sa më e qartë mes fituesit dhe humbësit, dhe partitë që kanë dështuar të mund të penalizoheshin nga votuesit sikurse ato që kanë pasur sukses të mund të shpërbleheshin. Aktualisht përveç Hashim Thaçit, asnjëherë deri më tani nuk ka pasur një kryeministër të votuar drejtpërdrejt nga populli, por vetëm produkte të tryezave të negociimit. LDK-ja nuk ka fituar asnjë palë zgjedhje prej vitit 2004 por gjithsesi ka qenë dy herë në qeverisje, njëherë ka pasur kryeministrin e po pret të futet sërish për herë të tretë në qeverisje edhe pse është humbëse. Po ashtu votuesi e ka të pamundur që të penalizojë partitë e vogla për abuzime, gabime apo dështime në qeverisje sepse pavarësisht numrit të votave që marrin ato parti bëhen sërish aktorë vendimtarë në formimin e qeverive. Rasti më flagrant ishte ai i AKR-së që me dy deputetë mori 4 ministri në legjislaturën e kaluar. Ka mënyra të ndryshme për ta zgjidhur këtë problem ose duke ndryshuar tërësisht sistemin elektoral ose duke e bërë si Greqia apo Italia (në sistemin e mëparshëm zgjedhor të quajtur porcellum) që në kuadër të proporcionalit kombëtar parashikojnë një bonus për partinë e parë vetëm e vetëm që mos të detyrohet të bëjnë qeveri laramane, pa boshte ideologjike e përgjegjësi konkrete.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.