Konferenca e Rambujesë është njëra nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës. Edhe pse negociatat teknikisht kishin dështuar, politikisht situata është më e komplikuar. Dështimi teknik i tyre kishte mundësuar suksesin politik të kësaj konference për Kosovën. Kësisoj, njëri nga interpretimet më të paqëndrueshme të Marrëveshjes së Rambujesë është ai që thotë se negociatat e Rambujesë kanë qenë dështim për Kosovën. Rambuje ka dështuar vetëm në aspektin formal. Në rrafshin real, ajo ka triumfuar.
Përkrahësit e kësaj teorie pohojnë se Millosheviqi ka bërë gabim që nuk e ka nënshkruar marrëveshjen, sepse me të do të fitonte shumë. Ata mendojnë se po ta pranonte Millosheviqi dokumentin e Rambujesë, Kosova edhe sot e kësaj dite do të ishte jo më shumë sesa me autonomi në kuadër të Serbisë. Por e vërteta është tjetër.
Millosheviqi e refuzoi marrëveshjen sepse ka pasur arsye më të forta sesa për ta nënshkruar. Kundërshtarët e Rambujesë në mesin e shqiptarëve me ose pa qëllim e injorojnë faktin që Marrëveshja e përpiluar nga NATO-ja ishte dizajnuar në atë mënyrë që ajo të mos pranohej nga Millosheviqi. Arsyet që na shtynë të mendojmë se Rambuje ishte formuluar në këtë mënyrë janë disa.
Akordet e Marrëveshjes përmbanin obligime të cilat do ta detyronin gjithë ish-Jugosllavinë që të pranonte okupimin nga ana e NATO-s. Interpretimi zyrtar e përsëriste idenë se bërthama e Marrëveshjes ishte autonomia e Kosovës në kuadër të Jugosllavisë, që do të mundësohej nga një “forcë paqeruajtëse” në Kosovë. Kjo është edhe arsyeja kryesore se pse Rambuje kundërshtohet edhe sot nga disa si dokument shumë i dëmshëm për Kosovën.
Megjithatë, Apendiksi (Shtojca) B i Kapitullit VII i Marrëveshjes i jepte NATO-s liri të lëvizjes “në gjithë territorin e Jugosllavisë,” domethënë në Serbi, Mal të Zi dhe Kosovë. Artikulli 8 i kësaj shtojce thotë: “Personeli i NATO-s, me gjithë automjetet, anijet, avionët dhe të gjitha pajisjet tjera, do të kenë fuqinë që të lëvizë lirshëm dhe pa pengesa, si dhe do të ketë qasje pa asnjë pengesë në gjithë ish-Republikën Federale të Jugosllavisë (RFJ), përfshirë hapësirën ajrore dhe ujore.”
Përveç kësaj, por jo vetëm kaq, NATO-ja kishte të drejtë edhe të ndërtonte kampe ushtarake, të kryente manovra ushtarake dhe të shfrytëzonte të gjitha hapësirat dhe mjetet e nevojshme në ish-RFJ-së për të kryer operacionet e parapara nga NATO-ja. Artikulli 6 u garantonte forcave okupuese imunitet të plotë: “Personeli i NATO-s, në të gjitha rrethanat dhe në të gjitha kohët, do të jetë imun prej institucioneve jugosllave gjyqësore, të cilat nuk kanë të drejtë që të denoncojnë asnjë shkelje të personelit të NATO-s, qofshin shkelje civile, administrative, kriminale apo disiplinore”.
Artikulli 9 e lironte NATO-n nga çdo taksë apo gjobë dhe nga çdo inspektim që autoritetet jugosllave mund t’ia bënin për ndonjë dokument. Artikulli 10 i siguron NATO-s përdorimin pa pagesë të të gjitha rrugëve, aeroporteve dhe porteve jugosllave. Artikulli 11 thotë se NATO-ja mund të përdorë çdo aeroport, rrugë, hekurudhë apo port pa asnjë pagesë. Artikulli 14 ia mundësonte NATO-s që të importonte dhe eksportonte t’i gjitha gjërat që ata i konsideronin si të nevojshme për të vazhduar operacioni.
Nëse qeveria Jugosllave do ta nënshkruante Marrëveshjen, ata do të hiqnin dorë nga sovraniteti i vet shtetëror. Siç tregojnë referenca të ndryshme, gazeta gjermane “Berliner Zeitung” në atë kohë shkruante: “kjo marrëveshje tingëllon sikur një traktat dorëzimi pasi që humbet lufta… fakti që Millosheviqi nuk e nënshkroi është e kuptueshme.”
Millosheviqi e dinte se po të pranonte Marrëveshjen do të prodhohej një realitet krejt i ri dhe se nuk do të kishte më asgjë në dorën e tij pasi NATO-ja të futej në gjithë territorin e Jugosllavisë. Marrëveshja më shumë se propozim i pranueshëm ishte ultimatum i ashpër dhe kjo kishte ngritur dyshimet se NATO-ja po kërkonte një pretekst për të sulmuar ushtarakisht Jugosllavinë.
“Një akord i tillë nuk mund të nënshkruhet nga drejtuesit e një shteti Sovran,” shkruante gazeta gjermane Taz. “Nëse bisedimet kanë pasur synim që të arrijnë një marrëveshje dhe jo thjesht që të binden skepktikët se NATO-ja po kërkon luftë, atëherë teksti i Akordeve është i pakuptueshëm.”
Propozimi fillestar i Grupit të Kontaktit (ShBA, Britania, Gjermania, Franca, Italia dhe Rusia), që organizoi Konferencën e Rambujesë, nuk i përmbante këto paragrafe. Fillimisht negociatat ishin planifikuar të merreshin me autonominë e Kosovës dhe vetëm pasi të bëhej kjo mund të flitej për çështjen e masave ushtarake që duhej të kryheshin për implementimin e saj. Ky ishte edhe kushti i qeverisë jugosllave që të merrte pjesë në konferencë.
Gjatë kohës sa mbaheshin negociatat, nga 6 deri 23 shkurt, 5 shtetet perëndimore të Grupit të Kontaktit mbronin hapur qëndrimin e palës kosovare që insistonte në stacionimin e trupave të NATO-s brenda Kosovës. Në ditën e fundit të Konferencës ishte prezentuar drafti final i Marrëveshjes që përmbante Shtojcën B.
Nga ai moment e tutje dokumentet që i referoheshin autonomisë së Kosovës – për të cilën pala jugosllave ishte pajtuar – dhe propozimet për stacionimin e trupave të NATO-s brenda Kosovës, konsideroheshin si dy kushte të panegociueshëm dhe të pandashëm nga njëri-tjetri.
Në muajin shkurt, ende pa vendosur palët, NATO-ja veç kishte filluar të tregonte muskujt ushtarakë që të çonte mesazh se përdorimi i forcës ishte alternativë reale. Këto përgatitje bëheshin në Ballkan dhe në fund të shkurtit NATO-ja ishte në gjendje që të fillonte me sulme. Më 20 shkurt ShBA-ja, si faktori kryesor ushtarak e politik, bëri gati 51 aeroplanë të luftës, përfshirë 12 luftarakë F-117A, 25 avionë KC-135 dhe 10 aeroplanë radarbllokues dhe i dërgoi në Evropë, ku veçse i kishte të stacionuar 260 aeroplanë të tjerë luftarakë. 5 anije të luftës dhe 2 nëndetëse i kishte lëshuar në Mesdhe dhe Adriatik për të lansuar raketa në drejtim të Jugosllavisë.
Sinjali ishte i qartë dhe Jugosllavia ishte në hall. Ajo menjëherë dërgoi një ankesë në Këshillin e Sigurimit, duke thënë se veprimet e fundit të NATO-s ishin kërcënim i pastërt për bombardime dhe për agresion mbi sovranitetin e saj shtetëror dhe kërkoi një seancë emergjente të Këshillit. Delegacionit jugosllav i ishte bërë me dije që nuk mund të pranonin vetëm njërin nga kushtet. NATO-ja i kishte dhënë Jugosllavisë ultimatum që ose të pranonin ose të refuzonin marrëveshjen në tërësi. Jugosllavia refuzoi.
Për shkak se drafti i parë nuk parashihte asnjë mundësi për referendum, edhe pala kosovare refuzoi që ta nënshkruajë atë. Konferenca ishte shtyrë deri kur kosovarët nënshkruan draftin e dytë të Marrëveshjes së propozuar me 18 mars në të cilin merrej parasysh “vullneti i popullit” të Kosovës në një referendum për zgjidhjen e statusit final të Kosovës tri vite pas hyrjes së marrëveshjes në fuqi.
NATO-ja tash kishte fituar pretekstin që deshi për të nisur sulmin e saj mbi Jugosllavi. Më 24 mars bombat e para ishin lëshuar.
Gazeta gjermane “Taz” kishte analizuar Minstrinë e Jashtme Gjermane dhe kishte gjetur se dy nga tre zyrtarët më të lartë shtetërorë – Ministri i Shtetit, Gunther Verheugen dhe Ludger Volmer – ishin tërësisht të befasuar. Ata kishin pohuar se Artikujt në Shtojcën B ishin “krejtësisht të rinj” për ta. Zyrtari i tretë – Sekretari Permanent Ëolfgang Ischinger – kishte thënë se pasazhet bazoheshin në një version më të hershëm të marrëveshjes, por kjo nuk mund të vërtetohej.
Artikulli i “Taz” pyet: “A e ka mbajtur qeveria gjermane qëllimisht larg syve të publikut këtë marrëveshje?”. Shumë deputetë në Gjermani ishin mllefosur me lojën e qeverisë. Teksti i Marrëveshjes ishte prezentuar në parlamentin gjerman vetëm dy javë pasi që kishin filluar bombardimet, duke i bërë diskutimet të panevojshme.
Angelika Beer i kishte shkruar kolegut të saj të Partisë së Gjelbër, Joschka Fischer, se po ta dinte përmbajtjen e Marrëveshjes nga fillimi, ajo do të kundërshtonte bombardimet e NATO-s. Deputeti i Partisë Social Demokrate Hermann Scheer kishte thënë: “nëse do të na ishte prezentuar marrëveshja atëherë kur është përpiluar, argumenti se të gjitha mjetet diplomatike dhe politike janë shterur dhe se bombardimet ishin të pashmangshme, nuk do të ishte i qëndrueshëm.” Scheer poashtu akuzon qeverinë gjermane se kishte rënë komplet në ndikimin e ShBA-së në çështjet e NATO-s.
Këtu nuk e kishte aq gabim Scheer. ShBA-të ishin lidere të padiskutueshme të aleancës së NATO-s. Kishin qenë amerikanët ata që qysh në korrik të vitit 1998 kishin filluar planet për bombardimin e ish-Jugosllavisë. Këto përgatitje u quajtën Operacioni i Luanit të Shkathtë dhe udhëhiqej tërësisht nga ShBA-të. Një tjetër plan i veçantë i quajtur Koncepti i Planit të Operacioneve (CONOPLAN 10601) u zhvillua nga NATO dhe u miratua nga Komiteti Këshillues Kombëtar amerikan. Ky plan edhe ishte bërë më pas shtylla e bombardimeve të NATO-s. Amerikan të padiskutueshëm të fushatës 78 ditore.
Është pikërisht Shtojca B ajo që e bëri të papranueshme marrëveshjen e Rambujesë për palën jugosllave. Po të ishte i kënaqur me autonomi, lidershipi kosovar do ta pranonte propozimin e Holbrookut në tetor të 1998 kur u propozua autonomi, por pa praninë e trupave të NATO-s. Po të ishte autonomia kërkesa kryesore e Grupit të Kontaktit, ata do ta pranonin propozimin e Millosheviqit më 23 mars.
Pala serbe shpresonte se shqiptarët do ta refuzonin dokumentin. Në momentin që pala shqiptare pranoi dokumentin, sytë e NATO-s u drejtuan kah ish-Jugosllavia. Qasja pasive e serbëve në negociata dhe pranimi i dokumentit nga shqiptarët e bënë bombardimin opsion serioz. Nën trysninë e kësaj klime, pala jugosllave propozoi autonomi për Kosovën, por pa trupat të NATO-s, vetëm një ditë para fillimit të bombardimeve.
Por NATO-ja refuzoi. Marrëveshje mund të kishte vetëm nëse Millosheviqi do të pranonte futjen e trupave të NATO-s në gjithë territorin e ish-Jugosllavisë. Një gjë e tillë ishte e papranueshme për Millosheviqin. Prandaj ai zgjodhi bombardimet. Mendoi se mund t’u bënte ballë, por u gabua. Sidoqoftë, edhe po ta pranonte marrëveshjen, Millosheviqi do të ishte i mbaruar. Me trupat e NATO-s në tërë ish-Jugosllavinë dhe me referendumin pas tri viteve, gjasat për pavarësim të Kosovës ishin të mëdha.
Si përfundim, denoncuesit e kësaj marrëveshje thonë që bombardimet e NATO-s mbi ish-Jugosllavi kanë ardhur si pasojë e dështimit të Rambujesë e jo si pasojë e suksesit të saj. Ky interpretim është i cekët, sepse e injoron faktin që Marrëveshja e Rambujesë ka qenë e dizajnuar që të dështojë. Palës jugosllave qëllimisht i ishte vendosur në tavolinë një marrëveshje që nuk mund të pranohej. Pragu ishte tepër i lartë për Millosheviqin.
Këtë interpretim e mbron edhe diplomati amerikan, Henry Kissinger, që thotë se marrëveshja e detyronte ish-Jugosllavinë që të pranonte nënshtrim ndaj NATO-s. Ai shton se këtë marrëveshje nuk do ta pranonte as serbi më engjëllor, e lëre më Millosheviqi. Shkurt, për Kissinger, marrëveshja ishte një shantazh i pastër dhe një pretekst për ta bombarduar ish-Jugosllavinë. Historiani Christopher Clark e kishte barazuar propozimin e Grupit të Kontaktit me ultimatumin e Austro-Hungarisë për Serbinë më 1914. Juridikisht, teksti ishte ambivalent, por interpretimi i tij do të bëhej në përshtatje me realitetin e ri në terren. Paqartësia juridike e tekstit do të dëbohej nga qartësia politike dhe ushtarake e terrenit.
Konferenca e Rambujesë është më e rëndësishmja në historinë e shqiptarëve të Kosovës. Është konferenca e parë ndërkombëtare që afirmoi aspiratat e Kosovës për çlirim nga Serbia apo nga ndonjë entitet tjetër. Më 1878 në Konferencën e Berlinit u injoruan kërkesat e shqiptarëve për bashkim në një vilajet. Më 1913 në Konferencën e Londrës u mbrojt pavarësia e Shqipërisë, por Kosova u la nën Serbi. U desht të vinte viti 1999 që të organizohej një konferencë ndërkombëtare e vendeve më të fuqishme që Kosovës t’i mundësohej çlirimi nga Serbia. Edhe pse qëllimi nuk ishte që të respektohej ndonjë e drejtë historike për Kosovën, efektet ishin të tilla. Kosova do të çlirohej nga Serbia. Si e tillë, Konferenca e Rambujesë zë një vend unik dhe të pamohueshëm në historinë e Kosovës.