Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Republika dhe tifozëria diskursive

Foto nga Freepik.

Bajraktarët e promovimit të diskursit kinsenacionalist të bashkimit klasik të Kosovës me Shqipërinë – në mendimin tim, dhe, kjo s’do shumë mend – po dalin të jenë në kundërshtim me vetë ekzistencën e republikës. Duke e parë republikën si projekt të përkohshëm, i cili duhet zhbërë në mënyrë që të bëhet bashkimi kombëtar i shqiptarëve në një shtet, promovuesit e diskursi të tillë janë pozicionuar – në esencë dhe në funksion – kundër të arriturës më të madhe të popullit shqiptar në Kosovë. Këtë diskurs e kam quajtur të sajuar, meqë republika e Kosovës, gjithnjë në mendimin tim, nuk është jo-shqiptare dhe sidomos jo anti-shqiptare siç mëtojnë të na e bëjnë një rrymë brenda partisë më të madhe opozitare, e që po na shiten si nacionalistë.

Sot do e problematizoj se si krijohet ky diskurs dhe si përmes tij po krijohet një përshtypje e cunguar dhe e shtrembëruar e realitetit politik dhe interesit kombëtar. Megjithatë, përpara se të elaboroj diskursin kundër republikës, është me rëndësi primare që të potencoj mungesën e diskursin në favor të republikës, pra diskursit republikan, narracionit zyrtar për shtetin, ekzistencën dhe qëllimin e tij.

Fillimisht për shkak të natyrës së ngadaltë të tranzicionit politik në Kosovë, prej autonomisë, te represioni, lufta, çlirimi, UNMIK-u e pavarësia e shpallur njëanshëm e cila po na njihet ngadalë, nuk ka qenë e lehtë që të mbahet një kohezion i mendimit politik. Pos kësaj, më duhet ta them troç, nuk është se kemi pasur ndonjë elitë intelektuale e politike që do të mbante gjallë një mendim të tillë. Kësisoj, kasta politike e Kosovës ka krijuar dhe formësuar një diskurs të çoroditur politik të shtetit, identitetit, arsyes pse republika ekziston pikë së pari.

Mungesa e urtësisë kolektive për të kuptuar natyrën etnocentrike të kombeve në ballkan si dhe emocionin e mospërmbushjes së qëllimit kombëtar për shkak të tranzicionit tepër të ngadaltë të Kosovës, e ka bërë thuajse të pamundshëm promovimin e një diskursi republikan. Përpjekjet e shumë njerëzve të penës, kësisoj, janë refuzuar pa u diskutuar dhe pa u debatuar. Pos kësaj, fajin e kemi ne tjerët, që nuk kemi shkruar. Në mungesë të gjithëpërfshirjes në debat, reflektorët bien mbi 3-4 emra dhe të tjerët shndërrohen në tifozë, duke e shndërruar kështu gjithë çështjen e debatit në tifozëri.

Fajin më të madh, natyrisht, e ka elita politike që është në pushtet. Duke qenë të përlyer deri në qafë, të implikuar deri në fyt dhe të shantazhuar si e do rasti, kasta qeverisëse e udhëhequr prej PDK-së dhe LDK-së nuk kanë ‘guxuar’ të kenë qëndrim të qartë karshi këtij realiteti të ri politik në Kosovë. Pra, nuk kanë pasur haber se si ta perceptojnë këtë realitet dhe të krijojnë program të ndërtimit të shtetit, program që do t’i bënte qytetarët e kësaj republike të vetëdijshëm për arsyet e ekzistencës së saj. Kosova, pra, s’ka narracion politik. Narracionet që partitë politike kanë krijuar për vete janë shpesh në kundërshtim me njëri-tjetrin.

Më duhet ta them se si hulumtues shkencor nuk jam adhurues i narracioneve, meqë krijimi i tyre nuk është gjë tjetër pos ushtrim i fuqisë për të interpretuar ngjarjet historike përmes kronologjisë apo logjikës shkak-pasojë. Përkundër kësaj, nuk mund të injorohet fakti se janë pikërisht këto interpretime që krijojnë kuptime (ani pse të shtrembëruara) dhe kësisoj secili individ, bashkësi shoqërore – prej familjes e deri te shteti e aleancat ndërshtetërore – ka një narracion që i jep kuptim ekzistencës, në bazë të së cilës krijohet vizioni dhe qëllimi i kësaj ekzistence. Kosova nuk ka narracion të tillë.

Narracioni ynë përbëhet nga elemente të shumta, zakonisht të pandërlidhura, e herë-herë edhe të keqndërlidhura apo krejtësisht kontradiktore. Elita jonë politike, duke qenë të angazhuar në një torfë prej betejash në stilin feudal, duke e simuluar demokracinë në një luftë princash për pushtet, ka qenë e paaftë dhe e padenjë të krijoj narracione qoftë edhe për veten e tyre. Si zëvendësim parahistorik ndaj kësaj mungese, në Kosovë shpërtheu simbolika dhe lufta e flamujve. Simbolika është temë që duhet trajtuar tjetër herë, ndaras, por është me rëndësi të kuptohet që simbolika pa narracion ka shkaktuar më shumë ndarje e tifozëri rasti, sesa material idesh për debat, e lëre më material ngjitës për formësim të ideve kolektive.

Kësisoj, për shembull, vepra e Ibrahim Rugovës të cilën e pretendon si figurë LDK-ja dhe ajo e Adem Jasharit që pretendohet nga PDK-ja dhe partitë e tjera të luftës, asnjëherë nuk janë ndërlidhur mes vete në asnjë formë. Partitë politike i kanë përdorur mitet dhe simbolikën për të krijuar një kinsenarracion për vete, i cili është gjithmonë gjysmak dhe totalisht i pakuptimtë.

Kjo pakuptimësi më së miri hetohet në lidhjen e koalicioneve qeverisëse mes ‘krahut të luftës’ dhe ‘krahut të paqes’ në të cilat, si për beter, figurat më të shquara të historisë moderne vendosen artificialisht pranë njëri tjetrit, pa ndërlidhje. Tabloja e gjerë e kësaj pamjeje është edhe më e tmerrshme, sepse partitë politike as që lodhen për të krijuar një narracion të tillë, pra, nuk kanë nevojë për të, qeverisin ndaras. Elita politike e Kosovës së pavarur, pra, sundon pa nevojë për të formësuar konceptin e asaj që e sundojnë.

Për më shumë, kjo kastë politike asnjëherë nuk kanë guxuar ta promovojë Republikën si një projekt ndërkombëtar që është, por e ka mbajtur diskursin në nivel të ambiguitetit duke mos u pozicionuar asnjëherë qartë dhe duke e përdorur bashkësinë ndërkombëtare veç si shfajësues kujdestar për mospunën e tyre. Ndërlidhja e vlerave liberale që reflektojnë fund e krye në Kushtetutë me përpjekjen e popullit shqiptar të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë thuajse nuk ekziston.

Ky mospozicionim dhe kjo mungesë fiqiri politik ka krijuar moskuptime, apo të paktën ka dështuar në krijimin e kuptimeve se çka do të thotë të jesh sot qytetar i kësaj republike. Mungesa e lidhjes sonë me republikën sot, me simbolikën e saj dhe me vlerat e saj të cilat nuk i kuptojmë, nuk ka të bëjë aq shumë me kundër diskursin kinsenacionalist, sa ka të bëjë me mungesën e diskursit dhe narracionit ekzistencial republikan.

Në këtë fushë të pëlleshme për të krijuar një diskurs politik që ndërlidhet me të kaluarën, mitizohet dhe u jep kuptim gjërave, qoftë ky kuptim i kalkuluar për qëllime politike, është mbjellë dhe po përpunohet një diskurs kinsenacionalist, për të cilin veçse kam shkruar se është i sajuar. Në mungesë të narracionit republikan, diskursi kinsenacionalist po na shitet si ‘rruga e drejtë’. Për t’u kthyer në këtë rrugë të drejtë, propaganduesit e këtij diskursi e thjeshtësojnë kombin, interesin kombëtar, gjithçka sa i  përket vetëdijes politike kolektive ndër shqiptarë, në fundamentin e identitetit shqiptar.

Ky diskurs, pra, është diskurs fundamentalist, meqë në të identiteti kombëtar zvogëlohet në nivel të brutales, pra, në nivelin më fundamental të mundshëm, ku shqiptarja zhvishet nga gjithë formësimi i saj nëpër shekuj dhe definohet si diçka e kundërt me tjetrin. Në këtë rast, tjetri natyrisht është serbi dhe koncepti i të qenit shqiptar, sipas këtij diskursi, shpesh po margjinalizohet në të mos qenit serb, apo, në të qenit anti-serb.

Sot kur shqiptarja është një kompleks idesh e vlerash politike duke shndritur në multidimensionalitetin dhe kompleksitetin e saj – kur shqiptarët në rajon e në botë janë duke e parë ditën e tyre historike – ta reduktosh atë në këtë nivel fundamental nuk është gjë tjetër pos banalitet. Dhe nuk është risi se nacionalizmi shpesh shfaqet si banalitet, sepse qasja fundamentale në interpretimin e identitetit dhe interesave kombëtare e banalizon atë. Thjeshtësia, pra, vet banaliteti, e zhbën shqiptaren nga të gjitha të arriturat e saj deri sot – përfshirë këtu edhe vet republikën – duke bërë kinse ndiqet një interes më madhor. Dhe këtu qëndron efekti i rrezikshëm i këtij simulimi diskursiv, i cili në kombinim me mungesën e ‘konkurrencës’ bëhet edhe më i rrezikshëm.

Përmes kësaj strategjie diskursive të tejthjeshtësuar, e gjithë republika, si e arritura sublime e popullit shqiptar, po atakohet si jo-shqiptare, e madje edhe si anti-shqiptare. Dhe kjo është një arsye preliminare pse po e quaj kinsenacionalist, pra, sepse, shfaqet si nacionalist veç në brutalitetin e fundamentit të nacionalizmit, duke dështuar kështu skajshëm që të marr parasysh natyrën komplekse të identitetit në kohën kur jetojmë. Së këtejmi, ky diskurs nuk merr për bazë faktin e pamohueshëm se interesi kombëtar ka evoluar së bashku me gjithë kompleksitetin e identietit kombëtar. Është kinsenacionalist, sidomos, për shkak se nuk shtyhet nga interesi kombëtar, por më shumë shtyhet nga interesi grupor në një luftë për fuqi politike. Dhe është kinsenacionalist përfundimisht sepse del të jetë kundër vetë republikës, ekzistencën e së cilës, siç do argumentoj në shkrimin e radhës ,e konsideroj interes nacional për të gjithë shqiptarët, kudo që janë.

Në mes të një diskursi të çoroditur pro-republikës, dhe një tjetër kinsenacionalist që në fakt është kundër saj, nga qytetarët nuk pritet të kontribuojnë fare – nga ta pritet vetëm që të bëjnë tifo për njërin kamp apo tjetrin. Zgjerimi i këtij debati që po ndodhë këtyre ditëve, besoj unë, do të jetë alternativa më e mirë ndaj kësaj tifozërie që deri tani ka sjellë pak ide e shumë emocion. Vetëm përmes çmontimit mund ta shohim sharlatanizmin që fshihet prapa këtyre dy diskurseve, që ani pse vendosen në sferën publike sikur te jenë në kundërshtim funksional me njëri tjetrin, në esencë janë shumë të ngjashëm. Madje, nëse e kornizojmë këndvështrimin në luftën politike për pushtet, na del se edhe funksionin e kanë të njëjtë, meqë promovuesit e tyre e dëshirojnë të njëjtën gjë.

Lexoni edhe:

Agon Maliqi: Ndeshjet e ideve që i japin kuptim lirisë dhe republikës

Krenar Gashi: Jam shqiptar e kosovar

Jusuf Thaçi: Kosovarizmi jo-shqiptar vs. Kosovarizmi brendashqiptar

Armend Mazreku: Kombi, kombëtarja dhe përfaqësuesja

Abit Hoxha: Kombëtarja apo Përfaqësuesja

Dritan Dragusha: Poshtë fitoret e popullit 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.