Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Richard J. Bernstein — Shuarja e një pragmatisti humanist

Këtë muaj bota humbi Richard J. Bernstein, një humanist dhe intelektual të dalluar. Bernstein vdiq në moshën nëntëdhjetëvjeçare duke lënë pas vetes një trashëgimi të pasur filozofike. Ai i takonte rrymës së pragmatizmit amerikan, që mbron idenë se njohja njerëzore nuk mund të arrihet nga subjekti i vetëmjaftueshëm dhe i izoluar nga proceset sociale, i cili ka vetëm rol pasiv. Përkundrazi, ajo mund të lulëzojë nga ndërveprimi, karakteri social i qenieve njerëzore dhe roli aktiv dhe pjesëmarrës i tyre në përvojën e përbashkët (The Pragmatic Turn).

Gjatë karrierës së tij ai asnjëherë nuk u kufizua vetëm brenda standardeve të ngurta të një shkolle, po përkundrazi mbajti një distancë kritike ndaj çdo “izme”. Këto të fundit i konsideronte rrëgjuese, që e bunkerizojnë shpirtin njerëzor, e pengojnë lirinë e mendjes dhe e cenojnë pluralizmin dhe dialogun, jo vetëm ndërmjet disiplinave teorike, por edhe në mes qenieve njerëzore.

Rrugëtimi i tij filozofik karakterizohet nga bashkëpunimi me figura tjera të kësaj fushe si Jürgen Habermas, Hannah Arendt, Jacques Derrida, Richard Rorty, Hans Gadamer, e të tjerë. Ky raport u kultivua nga pasionet e përbashkëta teorike. Me disa prej tyre ato i filloi që nga koha e studimeve, siç është rasti me Rortyn, kurse me të tjerë nga vitet ’70 kur u angazhua në shkollën e praksisit.

Me shumë nga ta kishte ngjashmëri, por edhe i ruante dallimet. Bie fjala, me kolegun e studimeve, për një kohë të gjatë kishin pasur interesa dhe synime të njëjta, mirëpo gradualisht i thelluan diferencat sa i përket konceptit të tij të “ironisë liberale”, si zgjidhje “finale” për epokën e post-filozofisë. Për Bernstenin një formulë e tillë, ku afirmohej supermacia e krijimit poetik në raport me prodhimet tjera kulturore të njerëzimit, mbase ofronte një “ngushëllim” vetëm për jetën private, por jo edhe për dimensionin particpues të demokracisë.

Kurse me Habermasin pajtohej për një rol më të spikatur të arsyes në jetën publike dhe potencialet e saj për dimensionin deliberativ të demokracisë, mirëpo ky i fundit gjatë gjithë kohës i ishte dukur si shumë kuazi- transcendental, që përkundër përpjekjes për t’u hapur ndaj shkollës pragmatike, përsëri kishte mbetur peng i filozofisë së subjektit epistemologjik të Kantit. (Nocioni i transcendentalizmit i përshkruan format e pastra dhe apriori të njohjes dhe mendjes).

Megjithë interaksionin me figurat e shquara të filozofisë, Bernstein ia doli që ta sajojë metodë të veçantë të hulumtimit, gjë që ka ndikuar që ai ta fitojë aureolën e njërit prej mendimtarëve më autentikë të epokës sonë.

Sipas Bernsteinit, zhvillimet që kanë ndodhur në filozofinë bashkëkohore që nga vdekja e Hegelit nuk mund të mohohen, sepse ato e kanë çmontuar themelin metafizik të mendimit tradicional dhe shpresën për gjetjen e parimeve themeltare absolute.

Ky mendim i përngjason metaforës që Hannah Arendt e kishte huazuar nga Franz Kafka, dhe të cilën e pat përdorur në librin “Ndërmjet të shkuarës dhe të ardhmes”. Kjo metaforë bën fjalë për një personazh fiktiv që ka “dy kundërshtarë; i pari e shtyn nga prapa. I dyti i bllokon rrugën përpara. Ai lufton kundër të dyve. Për të qenë me të saktë, i pari e mbështet në luftën kundër të dytit, pasi ai dëshiron ta shtyjë përpara, e, po kështu, i dyti e mbështet në luftën me të parin, pasi ai e shtyn prapa,,, Ëndrra e tij është që ndonjëherë, në një çast të pakontrolluar – dhe kjo do të kërkojë një natë më të errët se çdo natë tjetër – ai të dalë prej vijës së parë të fushëbetejës dhe falë përvojës së tij në luftim, të kalojë në pozicionin e gjyqtarit përmbi dy kundërshtarët e tij në luftë me njëri-tjetrin”. Sipas Bernstein, ky përshkrim unik për nga stili e pasqyron më mirë se asgjë tjetër vakumin në të cilin ndodhet mendimi bashkëkohor.

Ai ishte i vetëdijshëm për efektet që kishte shkaktuar kritika postmoderne ndaj mendimit tradicional dhe kontributin që e dha kjo mënyrë e re të menduarit në “shprishjen e themeleve metafizike”. Mirëpo, Richard J. Bernstein nuk u josh nga ato konstatime që e konsideronin çdo gjë të krijuar nga historia e filozofisë si të tejkaluar dhe pa vlerë për rrethanat e sotme. Duke e huazuar “metodën hermeneutike” të Hans Gadamerit, ai konsideron se tradita është ajo që na ka bërë këta që jemi, dhe nuk mund të shkëputemi nga ndikimi i saj.

Kurse thirrja për t’u distancuar nga çdo gjë që ishte krijuar historikisht në panteonin e filozofisë, krahas që është mishëruar nga shkolla analitike, e cila fokusohet kryesisht në studimin e “filozofisë së gjuhës dhe semantikës formale”, megjithatë sipas Bernsteinit, origjinën e ka që në “Ligjëratat mbi Metodën” të Rëne Dekartit. Ky filozof, me anë të qasjes së tij të “dyshimit metodik”, e inauguroi këtë frymë, sipas së cilës themelimi i “subjektit modern mendor” mund të arrihet duke u çliruar nga të gjitha paragjykimet, opinionet, autoritetet e jashtme, traditat, e duke u bazuar, vetëm në potencialet e brendshme të mendjes. Prandaj, të gjithë filozofët pas tij vuajtën nga ky “ankth dekartian” (The Cartesian Anxiety).

Përjashtim mbase këtu bënë vetëm filozofi gjerman G.F.W Hegel. Sepse ky i fundit, që në faqet e para të ligjëratave të tij mbi “Historinë e Filozofisë” ka pohuar se “vetëvetëdija njerëzore që ne sot e kemi në dispozicion, nuk shpërtheu vetvetiu, por është produkt i zhvillimit të gjatë historik si dhe rezultat i punës së guximshme të heronjve të mendimit të të gjitha gjeneratave të kaluara”.

Mirëpo, problemi me mendimtarin gjerman ishte se këtë rrugëtim me anë të konceptit “Aufhebung”, (një nocion ky, vështirë i përkthyer në gjuhët tjera), e kundroi vetëm si një zhvillim të domosdoshëm drejt “sintezës totale të njohjes absolute”. Dhe se ky rrëfim, me gjithë meritën e jashtëzakonshme për mendimin modern, ua mohonte karakterin autentik dhe origjinal zhvillimeve pararendëse, ashtu siç ato në të vërtetë ishin manifestuar, me qëllim që t’i integronte më lehtë në skemën e tij të spekulacionit filozofik.

Kjo aftësi për t’i gërshetuar dhe mbarështuar rrymat e ndryshme filozofike brenda një rrëfimi plural e formon projektin e “pragmatizmit jo themeltar humanist” të Bernsteinit. Me anë të kësaj ndërmarrjeje ai tenton t’i tejkalojë si kufizimet e objektivizmit absolut ashtu edhe ato të antitezës së tij që përfaqësohet nga fryma e relativizmit skeptik.

Sipas Bernsteinit, metafora më adekuate e situatës në të cilën gjendet sot filozofia është ajo e “Kullës së Babelit”, sepse nuk mund të anashkalohet “decentrimi i filozofisë si dhe pluralizmi radikal i vokabularëve të ndryshëm, programeve të shumta hulumtuese dhe shkapërderdhjes së rrëfimeve unike monologjike”. Mirëpo, “plagomat” e këtyre “përçarjeve” s’mund të kurohen me asnjë doktrinë enciklopedike. Pajtimi në këtë mënyrë është i pamundur. Vetëm të kuptuarit dhe afirmimi i horizonteve të reja ndërvepruese ndërmjet tyre mbetet detyra jonë.

Padyshim në këtë motërzim ai ishte i ndikuar nga trashëgimia e Hegelit. Sepse njëjtë sikur mendimtari i idealizimit objektiv, edhe Bernsteini konsideronte se detyra e filozofisë është “kapërthimi i frymës së kohës me anë të mendimit”. Prandaj ai me të drejtë u quajt nga shumëkush një hegelian pragmatist. Por, për dallim nga Hegeli, i cili me anë të këtij termi tentonte ta impononte një pajtim final, duke i shkrirë të gjitha kundërthëniet, ndryshimet dhe kontradiktat në një tregim madhështor, si dhe duke e suspenduar tjetërsinë e tyre (otherness), Bernstein, e mbronte tezën “se as nuk duhet të synohet që të tejkalohen diferencat, por ato duhet të mirëmbahen në një dialog konstant dhe të përhershëm”.

Kështu, me anë të një qasjeje reflektive duhet analizuar përparësitë dhe dobësitë e secilit pozicion doktrinar, për t’i vendosur më pastaj ato në një ballafaqim të vazhdueshëm dialogues. Dhe nga ky “integrim” i ri, këto rrymime do të kishin shansin ideal të përfitonin dhe pasuronin njëri-tjetrin. Dhe kështu bëri. Ai u angazhua me një besim të thellë në promovimin e vlerave të pluralizmit, me shpresën “se vetëm fryma e një dialogu, njëkohësisht edhe miqësore edhe agonistike, do të jetë e ardhmja e filozofisë”.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.