Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Rilindja ’88: E duam Jugosllavinë e të barabartëve

Në Prishtinë vazhduan tubimet dhe marshimet më masive që njeh Kosova deri më tash.

(20 nëntor 1988)

Pas defilimit nëpër qytet, studentët e Universitetit të Prishtinës, të cilëve iu bashkuan edhe grupe të mëdha punëtorësh, hynë në sallën e madhe të pallatit të rinisë “Boro e Ramizi”. Edhe gjatë rrugës ata brohoritnin, parulla tashmë të njohura.

Pranë foltores minatorët e Goleshit, Jusuf Dulla dhe Idriz Bytyçi, mbanin në duar fotografitë e shokut Tito dhe të Kardelit, të cilët edhe deklaruan se asgjë nuk kanë tjetër, pos që kërkojmë barazi dhe vëllazërim-bashkim, andaj ky është qëllimi ynë dhe i shokëve tanë që kemi ardhur këmbë deri në Prishtinë. Studentët, punëtorët (të cilëve iu bashkuan edhe nxënësit e shkollave të mesme) vazhdimisht brohoritnin “Tito-Partia!” dhe kërkonin që dorëheqjet të anulohen. Disa herë u dëgjua edhe brohoritja: “Rroftë Kaçusha Jashari dhe Azem Vllasi.” Shumë e zëshme ishte edhe brohoritja: “Rroftë Stipe Shuvari!”

Salla ku ishin tubuar ishte e mbushur edhe me fotografi të shokut Tito, si dhe me flamujt e RSFJ, RSS dhe të kombeve e të kombësive tona. Kur salla ‘u ndez’ nga brohoritjet e shumta, në foltore doli Enver Selimi, kryetar i Kryesisë së LSPP të Prishtinës, i cili i paralajmëroi të pranishmit se në mesin tuaj do të vijnë shokët nga Krahina. Pas këtyre fjalëve pjesëmarrësit në tubim brohoritnin: “Duam Stipe Shuvarin, duam Stipe Shuvarin!” Në foltore doli pastaj Nysret Jashari, student, i cili tha se jemi tubuar sot për të shprehur vullnetin tonë të përbashkët për Jugosllavinë e barabartë të kombeve dhe të kombësive tona dhe kundër atyre që akuzojnë kuadrot kosovare, sidomos ato shqiptare, e këtë e bëjnë pa argumente. Nëse duhet kërkuar përgjegjësi, këtë duhet ta bëjmë ne, e jo ata që nuk i kanë zgjedhur kuadrot kosovare, por këtë e kemi bërë ne. Në fund ky brohoriti: “Rroftë Jugosllavia vetëqeverisëse e socialiste dhe barazia e të gjithëve! E përshëndes klasën punëtore dhe të gjithë studentët”. Me këto fjalë iu drejtua të pranishmëve edhe studentja Arbërie Lleshi, e cila edhe kërkoi që të mos japë dorëheqje Kaçusha Jashari, ngase, sipas kësaj studenteje, për të dhënë dorëheqje nga një post i rëndësishëm siç është ai i kryetarit të Kryesisë së KK të LK të Kosovës, duhet të ketë argumente. Në sallë u brohorit pastaj: “Kaçusha Jashari, Kaçusha Jashari!” Në foltore doli pastaj një i ri tjetër, i cili tha se nuk lejojmë që Azem Vllasi të japë dorëheqje, ngase ai asnjëherë nuk e ka vënë në dyshim politikën e drejt të LKJ. Me këto fjalë iu drejtua pjesëmarrësve në sallë edhe Nora Ferizi dhe kërkoi që në mesin e tyre të gjendet Azem Vllasi. Në sallë prapë u dëgjua brohoritja për Azemin, ndërsa një grup punëtorësh nga OTHPB “Utva” e Pejës e ngritën lart fotografinë e shokut Tito. Në sallë u dëgjua një brohoritje e zëshme e të gjithëve: “Tito-Partia!”

Pjekuri politike dhe intelektuale e studentëve

Studentët e Universitetit të Prishtinës, dje, rreth orës 10, u tubuan në palestrën e sporteve “25 Maji”, me të cilët ishin të gjitha strukturat e rinisë së Universitetit, të fakulteteve dhe të Qendrës së Studentëve, profesorë, udhëheqës të Qendrës së Studentëve, si dhe Adem Hasanaj, Hashim Rexhepi, dhe Muhamet Krasniqi.

Kërkesat e studentëve ishin po ato të punëtorëve dhe të qytetarëve. Me këtë rast atyre u folën Adem Hasanaj, Skënder Karahoda, Muhamet Krasniqi dhe Shemsi Gërguri, të cilët theksuan se është qëndrim i të gjitha strukturave të Universitetit dhe të KK të LK të Kosovës të mos dalin në rrugë pasi me këtë rast mund të keqësohet edhe më tej gjendja, ngase ekziston rreziku që dikush të mundohet t’i jep kahje tjetër tubimit. Pas kësaj megjithatë, rreth orës 11 në mënyrë të organizuar studentët u nisën për në qytet, kurse kolonën e studentëve e udhëhiqnin strukturat e rinisë.

Kolona e studentëve, ku ishin mbi 10 mijë veta, vazhdoi rrugën për në qytet, duke brohoritur parulla të mirënjohura. Nga këngët që dëgjoheshin dominonte “Shoku Tito-ne të betohemi!”. Kurse, bartnin fotografinë e Titos, flamurin partiak, të RSFJ dhe të RSS si dhe të gjithë flamujt e kombeve dhe të kombësive të Kosovës.

DISTANCIM NGA TË GJITHË ATA QË ATAKOJNË IDENTITETIN DHE INTEGRITETIN E UNIVERSITETIT

Në sallën e rinisë “Boro e Ramizi”, rreth 6 mijë student të Universitetit të Prishtinës (aq sa i zuri salla të hyjnë brenda) në mënyrë dinjitoze përmes parullave e brohoritjeve shprehen edhe një herë besnikërinë e madhe ndaj rrugës e veprës së shokut Tito, se janë për forcimin e vëllazërim-bashkimit, të bashkëjetesës dhe të barazisë së plotë nacionale të të gjitha kombeve e kombësive tona që jetojnë në këtë nënqiell.

Së pari atyre iu drejtua rektori i këtij Universiteti, Stevan Balosheviqi, i cili tha se ne profesorët jemi këtu me ju dhe jemi të gatshëm që të ju dëgjojmë.

Kërkojmë nga ju dinjitet të qytetarëve akademikë. E kërkoj këtë në emër të 19 vjetëve të punës së Universitetit të Prishtinës, në emër të 52 mijë të diplomuarve, tash qytetarë akademikë, në emër të dy mijë arsimtarëve e bashkëpunëtorëve që mbajnë mësimin në gjuhën shqipe dhe serbokroate. Po ju lajmëroj se brenda 20-30 minutash do të vijnë udhëheqësit nga KK i LK të Kosovës dhe anëtarët e KQ të LKJ-së. (Studentët brohoritën: Jugosllavia-Jugosllavia). Apeloj te ju që të na dëgjoni neve që kemi ardhur këtu, që së bashku të vijmë deri te vendimet dhe rruga e drejtë, e cila nuk do të na bjerë në situatë të palakmueshme, në të cilën ishim para disa vjetësh, Keni kujdes që në radhët tuaja të mos përzihen provokatorë që presin këso rastesh. (Nuk lejojmë – u përgjegjën studentët). Se nuk lejoni që në mesin tuaj të përzihet askush ju e dëshmuat edhe parmbrëmë, kur në konviktet e studentëve erdhën që të ju thërrasin për t’iu bashkuar në rrugë, e ju refuzuat. Fjala e rektorit u ndoq me brohoritje e duartrokitje.

Pastaj, studentëve iu drejtue kryetari i KA të LK të UP Skënder Karahoda, i cili tha se kemi ardhur t’ju dëgjojmë dhe të japim atë që është reale e që kërkohet prej nesh, të jemi në detyrë të realizimit konsekuent të Programit të LKJ-së, për këtë socializëm, për barazi të plotë nacionale. Dëshiroj të ju them se jemi pjesëtarë të Universitetit të Prishtinës. Sërish po e parashtroj apelin që të distancohemi nga të gjithë ata që atakojnë identitetin dhe integritetin e Universitetit të Prishtinës. (Nuk lejojmë – ishte përgjegjja e studentëve). Pra, t’i tregojmë opinionit jugosllav dhe botës se me korektësi dhe dinjitet intelektual jemi për rrugën dhe veprën e shokut Tito, për Programin e LKJ-së për vëllazërim-bashkim e bashkëjetesë të të gjitha kombeve e kombësive tona. Edhe kjo u ndoq me një duartrokitje e brohoritje.

Ndërsa, kryetari i Kryesisë së KA të LRS të UP, Shemsi Gërguri, i cili ndër të tjera tha se tubimeve të klasës punëtore të këtyre ditëve, sot në mënyrë dinjitoze iu bashkëngjitën edhe studentët e Universitetit të Prishtinës. Dhe, kështu, ata edhe një herë në mënyrë të qartë shprehën se janë për përcaktimet themelore të sistemit tonë socialiste vetëqeverisëse, për vëllazërim-bashkim dhe barazi të plotë nacionale. Të gjitha kërkesat e arsyeshme të studentëve të UP duhet të merren parasysh. Ne edhe një herë do të dëshmojmë se jemi intelektualë dhe akademikë të ardhshëm. Nuk do t’i lejojmë askujt që edhe me shkasin më të vogël këtij tubimi t’i japë kahje tjetër. Kurse, Abdullah Mehmeti, në mes të tjerash theksoi se po dëshmojmë se jemi në rrugën e Titos dhe të edukuar në frymën e patriotizmit socialist jugosllav.

CILËSI E RE NË SITUATËN TONË

(Nga fjala e Azem Vllasit para studentëve)

Me angazhimin tuaj, me sjelljet e tilla me përgjegjësi, ju keni kontribuar më së shumti që Universiteti i Prishtinës të heqë ato hipotekat dhe ato njollat që i ka bartur prej ’81shit. Prej angazhimit dhe sjelljeve tuaja do të varet ekskluzivisht edhe situata në atë mjedis, por edhe më gjërë, sepse ju jeni mjedis për të cilin ka shumë konsideratë dhe gjithmonë jemi angazhuar shumë që të zhvillojmë e krijojmë një inteligjenci të re. Sjellja e inteligjencisë, e rinisë studenteske do të ndikojë në mënyrë të rëndësishme në tërë atmosferën, në tërë opinionin, në linjën e LK dhe me sjellje do t’i ndihmoni përherë aksionit që po e zhvillojmë për stabilizimin e gjendjes në Kosovë.

Kam ardhur këtu, tha Azem Vllasi që t’iu drejtohem në emër të udhëheqësisë së LK të Kosovës, prandaj mos i përmendni dorëheqjet, ngase njerëzve që kanë dhënë dorëheqje nuk iu besohen detyra të këtilla. Neve në udhëheqësi na obligon disponimi juaj i shprehur në linjën e LKJ-së, na obligon që me këmbëngulje të qëndrojmë në një orientim që është në rrugën e Titos, sepse vetëm në këtë rrugë i kemi arritur këto rezultate për të ndryshuar një disponim në vetëdijen e njerëzve. Kur kështu në mënyrë masive edhe në mjedisin studentesk, si edhe në mjedisin e klasës punëtore, të fshatarëve dhe në mjedise të tjera, brohoritet në mënyrë masive për LK, për Titon, për vëllazërim-bashkimin, për barazi, kjo është një cilësi e re në situatën tonë.

PËRKRAHJE POLITIKËS SË LKJ-SË

Në pallatin e rinisë studentëve iu drejtuan edhe Azem Vllasi, anëtar i KQ të LKJ-së, tha se ndien dhe shpreh kënaqësi të madhe, meqenëse në këtë ambient të gjithë jemi bashkë, pjesëtarët e kombeve e kombësive që jetojmë këtu. Andaj, vetëm kështu dhe në këtë mënyrë duhet të shtrojmë çdo problem, çdo kërkesë që është në vijën e LKJ-së, në rrugën e Titos, në platformën e vëllazërim-bashkimit dhe të barazisë nacionale. Për të gjithë ne dhe për LK, përkrahje më e madhe është kur në forma legale brezi i ri, studentët dhe inteligjencia, pra bashkë të gjithë që jetojnë këtu, shtrojnë kërkesa, kërkojnë zgjidhje, propozojnë dhe angazhohen në platformën e LKJ-së, të vëllazërim-bashkimit dhe të barazisë nacionale, që është e vetmja e pranueshme dhe kurrsesi nuk bën ndryshe. (Studentët në të dy gjuhët kënduan: Shoku Tito, ne të jemi betuar.)

Arsyeja, shkaku konkret, për të cilin ju jeni tubuar, për ç’arsye edhe dje e pardje, kemi pasur tubime të tilla nga radhët e klasës punëtore, njerëzve punonjës dhe qytetarëve e të tjerë, kanë qenë edhe disa vendime konkrete të mbledhjes së KK të LK të Kosovës. Dëshiroj të ju them me përgjegjësi (brohoritje: “Nuk duam dorëheqje”) se në këto rrethana, kjo që u shpreh gjatë këtyre ditëve është më me rëndësi se shpreh një orientim, një përkrahje të politikës së LKJ-së në përgjithësi dhe orientimin tonë që në çdo aspekt të angazhohemi për zgjidhjen e problemeve. Në bazë të kësaj që ndodhi gjatë këtyre ditëve, tha ai në vazhdim, udhëheqësia dhe Kryesia e KK të KK i LK të Kosovës do t’i marrë me përgjegjësinë më të madhe në shqyrtim të gjitha këto kërkesa, tërë këtë disponim, tërë atë që është e orientuar në linjën e LK-së, e ky disponim ka qenë i orientuar në linjën e LK-së. Pra, do të shqyrtojë dhe do të merrë masa e vendime konkrete, në këtë mënyrë që faktikisht neve na obligon në bazë të asaj që na obligojnë edhe qëndrimet e Mbledhjes së 17-të të LKJ-së.

Jam i bindur se ju thellësisht jeni të vetëdijshëm se nëpërmjet luftës ideopolitike për stabilizimin e gjendjes në Kosovë sot faktikisht jeni udke u angazhuar jo vetëm për stabilizimin e gjendjes në Kosovë, por për ruajtjen e Jugosllavisë socialiste në rrugën e Titos. Nga kjo del përgjegjësia jonë, si të themi e dyfishtë, sepse sytë e Jugosllavisë, sot, janë të orientuar e të kthyer kah Kosova (Brohoritje: Jugosllavia-Jugosllavia). Shpresat e komunistëve dhe të të gjitha forcave progresive të Jugosllavisë janë të drejtuara kah ne, kah komunistët, forcat progresive, klasa punëtore, rinia dhe inteligjencia në Kosovë, sepse komunistët e Jugosllavisë kanë besim se ne do të kontribuojmë dhe t’ia dalim në fund luftës për stabilizimin e gjendjes vetëm në platformën e LKJ-së. (Brohoritje: Stipe-Stipe).

Prandaj, mendoj se nëse jemi të njësuar në një front të luftës së përbashkët, theksoi ai, në një front të luftës së forcave progresive nga radhët e të gjitha kombeve e kombësive, atëherë nuk ka nevojë të drojmë prej forcave të ndryshme reaksionare, nacionalizmave të ndryshëm, të cilët sot po mendojnë se ka ardhur koha të shkatërrojnë Jugosllavinë. (Brohoritje: Nuk lejojmë – nuk lejojmë). Ashtu është dhe kurrë nuk do të lejojmë, tha Azem Vllasi.

Të ndërtojmë një ardhmëri më të mirë

Ndërsa, edhe ndryshimet kushtetuese, edhe lufta për ruajtjen e barazisë nacionale dhe çdo luftë tjetër për mbrojtjen e socializmit në Jugosllavinë dhe rrugën e Titos do të varet prej forcave progresive e jo prej atyre forcave të tjera, të cilat po mendojnë se edhe ndryshimet kushtetuese edhe gjërat tjera t’i shfrytëzojnë për qëllime të errëta. LK qartë ka thënë çka nuk ndryshohet e çka duhet të ndryshohet për të mirën e të gjitha kombeve e kombësive, për të mirën e zhvillimit të socializmit më tutje në Kushtetutë. Atë drejtim e kanë përkrahur edhe punonjës dhe qytetarët e të gjitha kombeve e kombësive në Kosovë. (Brohoritje: Ne jemi të Titos – Tito është i yni.) Ky mjedis, Kosova si dhe mbarë Jugosllavia, kurrë nuk ka qenë as i ngushtë, as i tepërt, këtu të gjithë do të jetojmë vetëm në vëllazërim-bashkim e barazi. Ai që lufton për vëllazërim-bashkim e barazi lufton për të gjithë, por në të njejtën kohë edhe për interesin e vet.

Kërkojmë që më së tepërmi stabilizimit të gjendjes dhe realizimit konsekuent të politikës së LKJ t’i ndihmoni edhe ju studentët ashtu që të kujdeseni dhe me përgjegjësinë tuaj të mbani një rend, një qetësi, të krijoni një atmosferë punuese, një atmosferë tolerante, një atmosferë të vëllazërim-bashkimit së pari në Universitet, por edhe në çdo mjedis ku jeni e ku keni ndikim si intelektualë. Pra, i tërë disponimi juaj që u shpreh këtu të shndërrohet në atmosferë pune, në një atmosferë të shoqërimit ndërmjet pjesëtarëve të të gjitha kombeve e kombësive, që të forconi edhemë vëllazërim-bashkimin, Jugosllavinë socialiste në rrugën e shokut Tito. (Brohoritje: Jugosllavia-Jugosllavia). Në fund Azem Vllasi u tha se për qëndrimet e vlerësimet konkrete që së shpejti do t’i japë KK i LK të Kosovës do të informoheni publikisht. Pastaj, ai u tha studentëve që në mënyrë dinjitoze dhe si i ka hije rinisë studenteske të kthehen në konvikte e prej nga erdhën.

Studentët, pas kësaj kërkese ashtu si erdhën, në mënyrë të organizuar, të qetë dhe dinjitoze u kthyen në Qendrën e studentëve.

Kërkesa që na obligojnë t’i shqyrtojmë me përgjegjësinë më të madhe

Në sallën e madhe të qendrës “Boro e Ramizi” në foltore foli Skënder Berisha, punëtor i Fabrikës së Amortizatorëve të Prishtinës, i cili, ndër të tjera, tha se këtu kemi ardhur të manifestojmë përkrahjen ndaj vijës së LKJ-së, barazisë së kombeve dhe të kombësive dhe mospajtimin për ndryshime në udhëheqjen e Kosovës me presione. Parullat që i brohoriti ky u shoqëruan nga duartrokitjet, sikundër që u duartrokit edhe kërkesa e Sefedin Hajzerit, punëtor i Bankës së Bashkuar të Kosovës, që Azem Vllasi të shpjegojë si u bë që ai të nërrohet pa i treguar popullit arsyen e mirëfilltë. Pastaj para turmës, që kishte mbushur këtë sallë, çdo skutë, sipas vlerësimit tonë rreth dhjetë mijë veta, doli Azem Vllasi, i shoqëruar nga brohoritjet dhe duartrokitjet frenetike.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Azem Vllasi tha: “Në këtë moment ku rëndësi porosia juaj, përkrahja që po manifestoni këto ditë ndaj linjës së LKJ-së e Komitetit Qëndror të saj. Mos lejoni askë që të fusë elemente të tjera kundër asaj linje. Unë kam besim në ju se nuk do të lejoni t’ju përzihen të tillë. Kurse para jush deklaroj se në përputhje me kriteret e LKJ-së udhëheqja e Kosovës do të shqyrtojë çdo vendim. Mirëpo, që ta bëjmë një gjë të tillë na duhet një kohë, prandaj na lejoni që kërkesat tuaja t’i shqyrtojmë në kushte normale dhe të dalim pastaj me propozime konkrete. Përkrahja më e madhe që mund të na jepet ne e Lidhjes së Komunistëve do të ishte të na lejoni që në Komitetin Krahinor dhe në Kryesinë e tij t’i shqyrtojnë kërkesat tuaja.

Shumë punëtorë, që nga Stari-tërgu e nga vise anembanë Kosovës, të rinj, qytetarë, studentë e intelektualë, bujq e të tjerë, gjatë këtyre tri ditëve kanë shprehur mendimin e vet, vullnetin. E kjo na obligon që t’i shqyrtojmë të gjitha seriozisht. Na obligon ajo se më së shumti është brohoritur emri i Titos dhe LKJ-ja. Nëse ndonjë vendim që është marrë ka mbetur i pasqaruar, këtë gjë do ta bëjmë pa vonuar. Unë jam i autorizuar nga Kryesia e KK të LK të Kosovës t’u drejtohem. E dihet se atyre që kanë dhënë dorëheqje nuk u besohen detyra të tilla. Prandaj, mos bini në kurthe të dezinformimeve, porositi Azem Vllasi.

Më poshtë ai iu drejtua të pranishmëve me këtë kërkesë:
Kur kërkesat shprehen kështu, përmes tubimeve, mund të kenë efekt, por vetëm nëse nuk kalohen kufijtë ndryshe mund të jenë kundërproduktive dhe të japin efekte të kundërta. Prandaj mos lejoni t’i zhvlerësoni ato efekte. Pas kësaj bisede do të kemi rast t’ju drejtohemi konkretisht e me propozime konkrete. Mirëpo, për këtë na duhet kohë. Siç e dini, këso tubimesh me kërkesa të njejta ka pasur edhe në mjedise të tjera të Kosovës. Prandaj juve e të tjerëve iu sugjeroj që të mos vini më në Prishtinë. Ne kemi besim të plotë në ju dhe në vetëdijen tuaj. Çdo kërkesë tuajën do ta analizojmë me përgjegjësinë më të madhe dhe vendimet e qëndrimet që do t’i marrim do të shprehin disponimin tuaj, të popullit, që me aq sinqeritet u manifestua si përkrahje linjës së LKJ-së. Ashtu si keni ardhur, dinjitozë, me dinjitet e në qetësi të shpërndaheni.

Për shkak se masa e tubuar në pallatin “Boro e Ramizi” vazhdimisht shtohej aty rreth orës 16 dhe pas vërejtjes se konstruksioni fizik i kësaj ndërtese mund të rrezikohet nga pesha e tepruar, masa vendosi të dalë në rrugë ku para KK dhe LK të Kosovës në rrugën “Mareshali Tito” prej hotelit “Grand” e deri te “Bozhuri” diç më vonë u tubuan afro 100 mijë qytetarë nga të gjitha anët e Kosovës. Filloi edhe të bjerë shi dhe në një atmosferë gjithnjë e më të tendosur masa kërkunte që t’iu drejtohet dikush nga udhëheqja e Krahinës apo e Federatës, e më së shumti kërkohej paraqitja e Azem Vllasit.

Rreth orës 17,30 të tubuarve iu drejtua Hysen Kajdomçaj, sekretar ekzekutiv i Kryesisë së KK të LK të Kosovës dhe kërkoi prej tyre që të shpërndahen, mirëpo ata nuk e përfillën lutjen e tij. Më pastaj ai u drejtua edhe njëherë duke i informuar se për të gjitha drejtimet e Krahinës janë siguruar autobusët që gjenden para Pallatit të rinisë “Boro e Ramizi”. Kërkesën e këtillë një pjesë e të tubuarve filloi ta përfillë.

ARDHMËRIA QËNDRON NË PËRBASHKËSI

Rreth orës 21, kur pjesa më e madhe e qytetarëve filluan të shpërndahen, në pallatin e rinisë “Boro e Ramizi” u tubuan 3-4 mijë veta, shumica të rinj. Atyre u foli Kaqusha Jashari, e cila pasi i miratoi brohoritjet e tyre për Jugosllavinë e Titon, theksoi se ata që janë për politikën e Titos, janë edhe për Jugosllavinë e sotme, janë për vëllazërim-bashkimin e kombeve e të kombësive të barabarta. Rinia është ardhmëria jonë e ardhmëria qëndron në përbashkësi.

Apelin e Kaqusha Jasharit për t’u shpërndarë dhe për t’u lejuar punë normale organeve partiake, ata e pranuan, pasi disa herë brohoritën “Nuk duam dorëheqje”, “Duam sa më shpejt mbledhjen e Komitetit Krahinor”, “Tito-Partia”, “Jugosllavia-Jugosllavia”

KËRKESA E HASHIM REXHEPIT PËR SHPËRNDARJE

Masës së tubuar para ndërtesës së Komitetit Krahinor të LK të Kosovës rreth orës 19 iu drejtua Hashim Rexhepi, i cili ndër të tjera tha se përkrahjen tuaj e kemi kuptuar si përkrahje të LK të Kosovës, LK të Serbisë dhe LK të Jugosllavisë dhe kjo përkrahje do të prezentohet dhe shqyrtohet në mënyrë të gjithanshme në Kryesinë e KK të LK të Kosovës. Nga masa u dëgjuan brohoritje: “nuk duam dorëheqje, jo, jo, jo…”

Hashim Rexhepi më pastaj apeloi që masa të shpërndahet në mënyrë të organizuar, dinjitoze dhe të qetë, ngase siç tha ai edhe autobusët janë të siguruar. Qëndrimi i juaj i mëtejshëm mund të ndikojë negativisht dhe të vështirësojë situatën, vërejti Hashim Rexhepi.

BROHORITJET, PARULLAT, KËNGËT…

Edhe gjatë tubimit të djeshëm shumë masiv të qytetarëve thuaja se u përsëritën në njejtat brohoritje, parulla dhe këngë që u dëgjuan edhe më parë në këto tubime që gjatë tri ditëve u organizuan në tërë Krahinën.

Ndër brohoritjet më të shpeshta ishin “Rrnoftë LKJ”, “Rrnoftë shoku Tito”, “Tito-Kardel, Kaqusha-Azem”, “Rrnoftë Stipe Shuvari”, “Barazi-Unitet”, “Kosovë po se po, Metohi jo se jo”, “Azem ku je krejt kosovën këtu e ke”, “Krejt Kosova në këmbë u qu, kushtetutën mos me ndërru”, “S’duam dorëheqje”, “E duam Azemin”, “E duam Kaqushën”, “S’duam armë, duam barazi”, “Rrnoftë vëllaznim-bashkimi i kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë”, “Rrnoftë populli trim Sërb”, “Poshtë nacionalizmi shqiptar”, “Rrnoftë APJ”, “Rrnoftë Vetëqeverisja”, “Edhe ne jemi popull”, “Jemi popull që kuptojmë, për sigurim s’kem nevojë”, “Rrnoftë klasa punëtore”, “Rrnoftë intelegjencia e Kosovës”, “Rrnoftë Universiteti i Prishtinës”, “Rrnofshin kombet dhe kombësitë tona”, “Rrnoftë barazia”, e brohoritje të tjera.

Ndër këngët që dominonin, si zakonisht ishte ajo “Shoku Tito ne të betohemi” Pjesëmarrës të shumtë bartnin fotografi të shokut Tito si dhe flamuj partiak, të RSFJ ata të RSS dhe të kombësisë shqiptare e asaj turke.

______________

Raportoi ekipi i reporterëve të “Rilindjes”

Ky tekst është pjesë e nismës RI-RILINDJA – një shfletim digjital i historisë përmes faqeve të Rilindjes, gazetës kryesore të Kosovës në shekullin e kaluar. Faza pilot e këtij projekti është zbatuar nga Free Libre Open Source Software Kosova në bashkëpunim me Sbunker dhe Bibliotekën Hivzi Sulejmani, si dhe me mbështetje nga Ipko Foundation dhe Presidenca e Republikës së Kosovës.

Fillimisht e kemi digjitalizuar vitin e parë të së përjavshmes ‘Rilindja e Javës’, që është botuar çdo të dielë nga 14 shkurti i vitit 1988. 30 vjet më vonë, Sbunker sjell artikuj të përzgjedhur nga kjo periudhë me synim të ndërtimit të urave lidhëse mes diskursit të sotëm dhe atij të dikurshëm.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.