Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Riprodhimi i institucioneve jugosllave dhe i klasës

Rikthimi i freskët i statusit si kriter në llogaritje të pensioneve është institucion jugosllav, kurse mbrojtja sociale në Kosovë krijon tendenca të riprodhimit të klasave në përgjithësi, në dëm të të painkuadruarve.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës në dhjetor të vitit 2011 e pat bërë të pavlefshëm një pension të krijuar nga deputetët për vete. Pensioni krijonte kushte që një deputet të mund të dilte në pension pas vetëm një mandati, qysh në moshën 55 vjeçe, me minimum 50% të pagës si deputet. Sa më shumë mandate, më të mëdha dilnin benefitet për deputetët dhe anëtarët e tyre të famlijes, duke e bërë atë pension 8-10 herë më shpërblyes se pensioni bazë.

Gjykata qe mbështetur në parimin e barazisë sociale për ta anuluar ligjin. Në vendimin e saj ajo vrojtonte se…“ky legjislacion krijon diskriminim ndaj pjesëtarëve të tjerë të shoqërisë dhe të gjithë pensionistëve të tjerë në Kosovë dhe i shkel parimet e barazisë dhe të drejtësisë sociale të mbrojtura me kushtetutë”.

Në blogun e kaluar është argumentuar se, me forcimin e rolit të autoriteteve kosovare rreth dhe pas pavarësisë, politika ka zgjedhur përgjithësisht qasje të targetimit dhe segmentimit në politikat sociale në dëm të minoriteteve, gruas, përfshirjes së përgjithshme etj. Ky blog identifikon edhe dy aspekte problematike nga këndvështrimi i parimit të barazisë: rikthimin e rolit të statusit dhe tendencën e riprodhimit të klasave në plan afatgjatë.

Në maj të këtij viti, Qeveria vendosi që ndër të tjera të kategorizonte pensionet kontributdhënëse të para 1999-tës duke u bazuar në kontributin e dhënë dhe nivelin e shkollimit. Sipas biografisë së arsimimit – fillor, i mesëm, i lartë a superior – një pensionist mund të marrë deri në 72-90 euro të ardhura më tepër se tjetri. Ky është institucioni i parë në Kosovën e pasluftës që e sjell statusin arsimor si kriter në benefitet sociale dhe përbën direkt rikthim nga përvoja nën Jugosllavi, përkatësisht Bashkësinë e Sigurimit Pensional dhe Invalidor të Kosovës.

Ka disa vende në Europë që ende kanë praktika të ngjashme. Megjithatë, nga perspektiva e barazisë sociale ku referohet edhe Gjykata Kushtetuese, rregullimi është problematik sepse shteti i mirëqenies do të duhej t’i mbulonte dallimet nga statusi e jo t’i sforcojë ato. Kriteri i statusit duket se ka ardhur si pasojë e vështirësive të Qeverisë për ta gjetur zgjidhjen brenda llogaritjes së kontributit.

Nga ana tjetër, tendenca për të riprodhuar pozitën klasore ushqehet nga dy faktorë: mosplotësimi i mëtejmë i shtetit të mirëqenies dhe dështimi i Qeverisë për të krijuar punë. Dy institucione janë me rëndësi të vëzhgohen në këtë aspekt: pushimi i lehonisë dhe pensionet e sektorit publik.

Pushimi i lehonisë mbulon vetëm të punësuarit (deri më tash numri më i madh përfituesve ka ardhur nga sektori publik). Në mungesë të ndonjë institucioni tjetër për kujdes ndaj fëmijës – përveç kategorisë së II-të të ndihmës sociale që ndihmon të varfrit me një prind të aftë për punë dhe minimum një fëmijë nën moshën pesë vjeç – Kosova me të riprodhon dallimet klasore sepse koncentrohet te fëmijët e të punësuarve (sidomos ata nga sektori publik), ndihmon një pjesë të të varfërve dhe lë shumicën jashtë.

Kjo dmth. se, për shembull, duke kalkuluar mbi parashikimet e popullsisë, të dhënat e përfituesve nga gjithë skemat e ndihmës sociale dhe lehonisë, të varfërisë dhe madhësisë mesatare të familjes, shteti i Kosovës nuk jep asnjë lloj mbështetje cash për 83.9% të të gjithë fëmijëve dhe në veçanti për 45.3% të fëmijëve që jetojnë në familje të varfra. 

Burimet bazë: MPMS, Raporti vjetor i Sektorit të Ndihmës Sociale (2015); Parashikimi i popullsisë për 2011-2061, versioni i mesëm – Agjencia e Statistikës e Kosovës (2011).

Me kushtet e Kosovës, për shkak të punësimit të kufizuar, në rrafshin afatgjatë pensionet e sektorit publik (që paguhen nga taksat e shoqërisë) do të rriten ndjeshëm duke i dhënë vendit një prirje thelbësisht etatiste nëse gjendja ekonomike nuk ndryshon. Edhe ashtu sektori publik, i paguar nga taksat, krijon kushte favorizuese në rrethana tregu të punës në Kosovë. Prandaj edhe ky është riprodhim i klasës.

Pensionet e sektorit publik – nëpunësve civilë, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe me gjasë edhe Policisë së Kosovës – kanë gjithashtu implikime në status për shkak që lejojnë pensionim më të hershëm, prej 63 në 55 vjeç. Kjo vjen shpesh si pasojë e leximeve që nuk konsiderojnë kontekstin historik të legjislacioneve të huaja të cilat i kanë ngritur këto institucione në kohë kur jetëgjatësia ka qenë shumë më e shkurtë dhe rreziku më i lartë.

Që të gjitha këto dallime që vijnë si pasojë e statusit dhe pozitës ekonomike kanë dhe do të kenë pasoja ndaj të varfërve, fëmijëve dhe të painkuadruarve në punë dhe në mbrojtje sociale. Skema e ndihmës sociale mbulon vetëm rreth 25-30% të të varfërve në Kosovë. Nëse orientimi është barazia sociale, atëherë politikat kërkojnë rishqyrtim, plotësim dhe punë. Ose, votë tjetër në zgjedhje. 

_______________

Bllogu mbështetet nga Friedrich-Ebert-Stifftung, Zyra në Kosovë.

Mendimet e shprehura në këtë bllog nuk paraqesin medoemos besimet e Friedrich-Ebert-Stifftung.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.