Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Serbia nuk u ka borxh pensionistëve kosovarë

Kontributet pensionale të punëtorëve të dikurshëm do të duhej të paguheshin nga punëtorët e sotëm. Pensioni i improvizuar aktual kontributdhënës duhet të reformohet në pension kontributdhënës të përhershëm: me bazë të ndryshuar taksore dhe me pagesa adekuate.

Ekziston një besim i përhapur, i shprehur edhe në komunikimin zyrtar të qeverisë së Kosovës, se Serbia ka grabitur ish-fondin pensional kosovar pas 1999, se kontributet e punëtorëve të dikurshëm gjenden diku në Beograd, se ato janë borxh që duhet shlyer nga qeveria serbe, etj.

Në të vërtetë, Serbia bëhet përgjegjëse për t’ua lëshuar pensionet kosovarëve edhe në bazë të disa deklarimeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, më i rëndësishmi prej të cilëve është aktgjykimi i prillit 2012 në rastin “Grudic kundër Serbisë”.

Megjithatë, përkundër aktgjykimeve të ECHR-së, në këtë bllog, duke iu referuar kontratës sociale të kohës dhe praktikave të sukcesionit të vendeve tjera pas shkëputjes nga ish-Jugosllavia, argumentohet se pensionistëve kosovarë nuk u ka borxh Serbia. Pensionet e tyre do të duhej të paguheshin nga punëtorët e sotëm kosovarë. Pensionistët janë mashtruar thjesht nga UNMIK-u, Qeveria e Kosovës dhe sindikatat e tyre.

Kontrata sociale

Nëpërmjet ligjit mbi sigurimin pensional dhe invalidor (fletorja zyrtare e KSA të Kosovës, nr.73/72), siç dihet, Kosova autonome aplikonte modelin Pay-as-You-Go të pensioneve, ose të solidaritetit ndërmjet gjeneratave të punëtorëve: pensionet aktuale financoheshin kryesisht nga kontributet aktuale të forcës në marrëdhënie pune. 

Në bazë të praktikave të BVI-së së Sigurimit Pensional dhe Invalidor (që ka menaxhuar pensionet), teprica pas pagesës së pensioneve bëhej fond rezervë, ose investohej në ndërmarrje të ndryshme, ose shkonte në investime shoqërore si spitale, shkolla speciale, etj.

Kjo ka qenë kontrata sociale (marrëveshjet shoqërore) e kohës.

Me thellimin e krizës ekonomike jugosllave, në fund të 80-tave, BVI ka pasur gjithnjë e më shumë probleme për të paguar pensionet. Përpara se të futej dhunshëm nën drejtimin direkt të Fondit Pensional të Serbisë, më 1992, buletinet e BVI-së raportonin se pensionet paguheshin duke huazuar në kontributet e ardhshme. Prandaj, pohimi se ekziston diku një fond i grabitur në Beograd është i gabuar: BVI as nuk ka pasur buxhet të madh të ruajtur, as pensionet nuk kanë qenë të programuara të funksionojnë në atë mënyrë (të ruhen ose grumbullohen).

E shumta që mund të negociohet në këtë drejtim me Serbinë është diskutimi i investimeve joproporcionale të BVI-së (nëse janë bërë në pjesë tjera jashtë Kosovës), ndonjë kursim i afatizuar e tjetërsuar bankar, dhe ndoshta borxhet e pashlyera gjatë viteve 90-të.

ECHR-ja dhe gjykatat tjera ndërkombëtare mund t’ia faturojnë Serbisë obligimet pensionale dhe borxhet nga huamarrja në emër të Kosovës, sepse Serbia ende nuk është marrë vesh me Kosovën për obligimet e sukcesionit. Por, për vete, shoqëria kosovare që ka dashur vetëvendosje e pavarësi, do të duhej të merrte obligimet që i takojnë sikur kanë bërë të gjitha republikat ish-jugosllave me Marrëveshjen për Çështjet e Sukcesionit më 29 qershor 2001: ato kanë marrë obligimet e trashëguara nga pensionet ushtarake dhe civile. Prandaj, pensionistëve borxh u ka vetëm shoqëria e Kosovës.

Reforma për një pension kontributdhënës të përhershëm

Prej vitit 2008, qeveria e Kosovës paguan një pension të improvizuar “kontributdhënës” për ish-punëtorët, që pas të gjitha ndryshimeve, sot mund të ketë vlerë ndërmjet 158-240 eurosh. Në vitin 2016 (tabela më poshtë) kanë figuruar mbi 41 mijë pensionistë invalidorë dhe të pleqërisë. Në parim, ky institucion është i shpenzueshëm: ai do të duhej të shuhej në momentin që të mos kishte më kontributorë të para 1999-tës.

Shifrat përfshijnë vetëm pensionistët e pleqërisë dhe ata invalidorë. Shtylla e parë dhe e fundit: Agjencia (Enti) e Statistikave të Kosovës; shtylla e mesme nga libri i Adil Fetahut “Në mbrojtje të pensionistëve të Kosovës”, fq.103, botuar nga Lidhja e Pensionistëve të Kosovës.

 Por, Parlamenti i Kosovës duhet ta reformojë radikalisht këtë institucion, duke e kthyer në pension të përhershëm kontributdhënës, i financuar nga kontributet pensionale dhe jo taksat e përgjithshme. I kthyer në pensionin kryesor, ai do të duhej të ekzistonte krahas pensioneve bazë dhe kursimeve të obliguara private (trustit).

Me këtë reformim, përveç që shoqëria do t’i dilte zot kontratës sociale (marrëveshjeve shoqërore) të dikurshme, do të forcohej motivimi për të punuar; do të garantohej se sado tronditje shokuese të ndodhin, disa vlera dhe institucione, si puna, duhet gjithnjë të besohen. 

Shteti do të dëshmonte se është i vëmendshëm ndaj dinamikave sociale: duke ndryshuar bazën taksore, të pasurit – ata që punojnë, dhe jo e gjithë shoqëria, do të financonte progresivisht pensionin kryesor duke i kontribuuar kështu solidaritetit dhe barazisë më të madhe. Familjet kosovare gjithashtu kanë ndryshuar; ndonëse popullata nuk është rritur, numri i familjeve gati është dyfishuar prej viteve 80-të. Andaj, pensionet më adekuate si nivel pagesash do t’i kontribuonin mirëqenies së familjeve dhe shpërndarjes më cilësore të të ardhurave. Kështu puna do të fitonte frymë të theksuar progresive.

Së fundi, përveç që dizajni i sotëm institucional i pensioneve çalon përkah solidariteti dhe siguria, një reformë e këtillë do t’i kontribuonte edhe njëjtësisë institucionale në tërë territorin e Kosovës. Ndërkohë që pritet një marrëveshje për zgjidhjen e çështjes së serbëve të Kosovës, ata do të duan t’i ruajnë pensionet kontributdhënëse – që sot i marrin nga Serbia. Plani i Ahtisaarit garanton politikë të njëjtë pensionale në Kosovë, por Parlamenti duhet të marrë masa proaktive që këtë ta bëjë të mundshme, duke ofruar zgjidhje të duhur, dhe të mos lehtësojë bosnjëzimin e pensioneve.

Rikthimin e solidaritetit, përveç mosinteresimit të politikës, e pengon ndjenja e trashëguar e diskriminimit inherent klasor dhe etnik; mendohet se a duhet paguar sot për institucione që kanë qenë diskriminuese e që ndoshta e kanë sjellur luftën. Por, pyetja është a i ka mbetur më argument moral i këtillë gjeneratës së sotme: a nuk është dëshmuar njëjtë diskriminuese? Dhe, më thelbësorja, a mund të veprohet sot që të ndryshohet trajektorja/historia sociale në të mirë më gjithëpërfshirëse?

Nëse forca punëtore do ta ketë problem t’i paguajë pensionet e reja, ajo do të dalë në rrugë. Pikërisht atë ditë do të lindë qytetari (nënshtetasi) i Kosovës. 

___________

Bllogu mbështetet nga Friedrich-Ebert-Stiftung, zyra në Kosovë.
Mendimet e shprehura në këtë bllog nuk paraqesin medoemos besimet e Friedrich-Ebert-Stifftung. 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.