Pandemia COVID-19 ka shkaktuar efekte multidimensionale. Një ndër pasojat kryesore të saj është vërejtur tek niveli i varfërisë, e sidomos asaj ekstreme. Për herë të parë në dy dekadat e fundit, varfëria në botë është rritur. E përkthyer në numra, rreth 150 milionë njerëz pritet të hyjnë në varfëri ekstreme deri në fund të vitit 2021. Ky parashikim mund të mos dalë i saktë, vetëm nëse donacionet e vaksinave drejt vendeve të varfra janë më të shpejta dhe më të mëdha në sasi. Gjithsesi, duke parë që vendet e zhvilluara kanë kontraktuar numër të madh të vaksinave, dhe aplikojnë politika kundër eksportit të elementeve të vaksinës, vështirë të besohet që trendi negativ i varfërisë do të ndalet. As në Kosovë gjendja me varfërinë nuk është më e mirë. Së fundi, është raportuar se janë rreth 25 mijë familje që marrin asistencë sociale.
Veç kësaj, mbi 70 mijë familje tjera kishin aplikuar për ndihmat e pakos emergjente, në vlerë prej 130 eurosh. Ndryshe nga shumë vende të botës, studimet për efektivitetin e ndihmave për të varfrit në Kosovë janë të pakta. Ndërkaq, nevoja për vlerësimin e programeve kundër varfërisënuk ështëe vogël. Shumica e ekspertëve kanë arritur konsensus që luftimi i varfërisë nuk është i lehtë. Përgjigjet e tri pyetjeve në vazhdim tentojnë të shpjegojnë pse luftimi i varfërisë është i vështirë.
Si të identifikohen të varfrit?
Kush ju vie së pari në mendje kur diskutohet për varfërinë? Një lypsar që ju afrohet te xhami i veturës, apo cigargjiu nëpër kafiteri? Një plakë që zgjatë dorën në shesh, apo komshiu i papunë e me sëmundje kronike, që jeton në një shtëpi të vjetër? Një studim tregon që ka raste kur 35-40 përqind e personave të deklaruar si të varfër janë të keq klasifikuar. Kjo ndodh si rezultat i përdorimit të indikatorëve të ndryshëm për matjen e varfërisë. Institucionet dhe ekspertët që merren me dizajnimin e politikave kundër varfërisë, përdorin një lloj “kufiri të varfërisë”, nën të cilin njerëzit kategorizohen si të varfër. Ky kufi, mund të shprehet përmes të hyrave, konsumit ose nivelit të pasurisë. Pjesa më e madhe e ekspertëve pajtohen që kufiri i konsumit është indikatori më i mirë, pasi lëvizë më pak krahasuar me dy tjerët.
Me fjalë tjera, dy familje konsumojnë njësoj, por njëra ka shtëpinë në periferi të qytetit, e tjetra në një fshat të thellë – kështu, familja e parë është më pak e varfër për shkak të pozitës gjeografike, e jo për shkak të mirëqenies. Si rezultat, niveli i pasurisë shpesh herë nuk është tregues i mirë i varfërisë. Por edhe niveli i varfërisë i bazuar në konsum e ka një të metë. Disa njerëz kursejnë më shumë, dhe ndonëse momentalisht mirëqenia e tyre mund të duket më e ulët, e ardhmja mund të jetë më e ndritshme si rrjedhojë e ndonjë investimi potencial.
Në Indi, rregulli për identifikimin e varfërisë ekstreme bazohet në disa indikatorë të mirëqenies si: pasuria e familjes, kapaciteti i të hyrave dhe sjellja ndaj gjendjes me varfërinë. Secilës komponentë i vendoset një peshë e caktuar, bazuar në rëndësinë e saj. Ngjashëm, programi i mirëqenies Oportunidades në Meksikë, përdor një indeks i cili përfshin një numër të madh të indikatorëve. Në Kosovë, ndihma institucionale është e rregulluar nëpërmjet Ligjit për Asistencën Sociale, i cili është në fuqi që nga koha e UNMIK-ut. Nëse vendi ynë do të orientohet më shumë në politika sociale, atëherë, krahas rritjes së përkrahjes për grupet e margjinalizuara, duhet të ndryshohet edhe baza ligjore dhe politikat e targetimit të personave në nevojë.
Pse dështojnë politikat kundër-varfëri?
Në disa vende konsumi mund të jetë i madh si rezultat i përkrahjes së madhe institucionale dhe zemërgjerësisë së popullatës. Kosova në dy dekadat e fundit është një nga vendet që ka pranuar më së shumti ndihma të huaja për kokë banori në botë. Po ashtu, përkrahja e mërgatës ka luajtur rol të madh në zbutjen e varfërisë. Në mungesë të këtyre dy komponentëve, numri i atyre që jetojnë me më pak se 1.9 dollarë në ditë do të ishte shumë më i madh.
Sidoqoftë, përkrahja ndaj të varfërve duhet të rezultojë me largimin e tyre nga ‘kurthi i varfërisë’. Dhe pikërisht kjo është sfida më e madhe e hartuesve të politikave kundër varfërisë. Ka pasur raste kur pas ndërprerjes se programit të ndihmave, niveli i varfërisë është kthyer në atë paraprak. Ky është dështim klasik i politikbërjes.
Abhijit Banerjee dhe Esther Duflo, në studimet e tyre pioniere në fushën e varfërisë, tregojnë që shpesh herë të varfrit nuk e kuptojnë potencialin e tyre. Për shembull, qasja në mikrofinanca, mund t’u sigurojë të varfërve mundësi vetëpunësimi, nga i cili do të mund të gjeneronin të ardhura të mjaftueshme për t’u larguar nga kurthi i varfërisë. Kështu, dilemë e madhe mbetet si t’i ndihmojmë të varfrit, në atë mënyrë që ata ta ndihmojnë vetveten.
Eldar Shafir, psikolog nga Universiteti Princeton, argumenton që varfëria dëmton 13 deri 15 pikë të koeficientit të inteligjencës. Kjo tregon shumë. Gjendja e rënduar ekonomike e kombinuar me atë psikologjike, i bën njerëzit të varfër të mos mendojnë për të ardhmen. Të gjitha të hyrat i shpenzojnë në të tashmen, dhe pak nga ta ia dinë rëndësinë kursimit në të tashmen për një investim në të ardhmen.
Si të vlerësohen programet e asistencës sociale?
Një nga metodat më të mira, që është shumë e popullarizuar në botë e akademisë është ajo e eksperimenteve (ang. Randomized Control Trials – RCT). E thënë shkurt, kjo metodë aplikon qasje mjekësore të testimit të një ilaçi. Le të supozojmë që të sëmurët i ndajmë në dy grupe, në mënyrë të rastësishme. Karakteristikat e të dyja grupeve duhet të jenë të njëjta para marrjes së ilaçit. Pasi t’u jepet ilaçi, i krahasojmë karakteristikat e të dyja grupeve, dhe ky krahasim na jep efektin mesatar të ilaçit. Logjikë e njëjtë përdoret edhe në testimin e programeve të reja të asistencës, ku matet efekti i ndihmave në luftimin e varfërisë. Kjo metodë e vlerësimit është relativisht e re. Para vetëm dy dekadave, nuk kishte as edhe një punim të vetëm shkencor të bazuar në këtë metodologji. Sot, afër 40 përqind e punimeve në revistat kryesore shkencore të ekonomisë bazohen në këtë metodologji.
E meta më e madhe e kësaj forme të vlerësimit është kosto e madhe. Gjithsesi, kur buxhetohen miliona euro në politika të reja sociale, duhet që studimet të shkojnë përtej raporteve të thjeshta përshkruese, që shpesh herë iu mungon fotografia e plotë e gjendjes. Për më tepër, kritika kryesore e akademikëve që merren me këtë temë është manipulimi i studimeve, qoftë nga institucionet e vendeve apo organizatat e huaja. Këto të fundit, harxhojnë miliarda para nga taksat e qytetarëve të tyre dhe nëpërmes studimeve që dokumentojnë gjoja ‘sukseset’ e tyre, i arsyetojnë fondet e marra. Fundja, siç thotë edhe ekonomisti i famshëm William Easterly, ‘është e pamundur të shpenzosh miliarda dollarë në ndihma dhe të mos i bëni askujt mirë’. Për këtë arsye, eksperimenti kërkimor mbetet ‘metoda e artë’ e vlerësimit të programeve kundër varfërisë.
Nëse Kosova planifikon të rris buxhetin për skema sociale, është mirë që personat që jetojnë në varfëri ekstreme t’i ketë prioritet. Asistenca ndaj tyre do të duhej të ishte e atillë që, t’i ndihmojë ata të ikin nga kurthi i varfërisë, dhe të mos jenë gjithmonë të varur nga përkrahja e Qeverisë. Roli i kësaj të fundit, nuk duhet assesi të nënvlerësohet, pasi siç theksojnë nobelistët Banerjee dhe Duflo, qeveria duhet ta ketë përgjegjësinë kryesore në luftën kundër varfërisë.