Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Shija e hidhur e marrëdhënieve ShBA-Gjermani

Gjermania dhe ShBA-ja po kalojnë nëpër tranzicion të rëndësishëm të pushtetit. Para pak ditësh, Armin Laschet u konfirmua si pasardhës i Angela Merkel në CDU, partisë më të madhe në Gjermani. Për shumëkënd emri i tij është garanci se Gjermania ka gjetur pasuesin ideal të Merkelit dhe se drejtimi i Gjermanisë dhe BE-së është në duart e duhura.

Në anën tjetër, Joe Biden sapo u përurua si Presidenti i 46-të  i ShBA-së. Për dallim prej raportit Merkel-Laschet, Biden vjen në krye të ShBA-së jo me qëllimin për të vazhduar vijën politike të Trump, por pikërisht për t’u shkëputur nga ai. Përshtypja është se Biden do të kthejë ShBA-në në “binarët e duhur”, nga të cilët e nxori Trump me politika jokonvencionale. Në shikim të parë, duket se gjërat prapë po kthehen aty ku ishin katër vite më parë, kur ShBA-ja dhe Gjermania ishin dy partnerë të shkëlqyeshëm të cilët politikën e shihnin nga i njëjti prizëm, me të njëjtat gjatësi valore dhe me agjendë të përbashkët për të forcuar demokracinë, liritë dhe të drejtat e njeriut nëpër botë.

Mirëpo, janë disa arsye të forta për të besuar se një gjë e tillë vështirë se do të ndodhë.

E para, Laschet është duke u skanuar për kredibilitetin e tij si politikan për shkak të qëndrimeve në të kaluarën. Me të marrë detyrën e re, pasoi një valë e deklaratave të tij të mëparshme për Presidentin rus Vladimir Putin dhe regjimin e Asadit në Siri. Ai është një nga udhëheqësit e 16 regjioneve në Gjermani, që në përgjithësi janë më pro-Putinit sesa qeveria federale për shkak të bizneseve të mëdha të këtyre regjioneve që kanë investuar shuma të majme në Rusi.

Më 2014, kur në Evropë dhe ShBA kishte shpërthyer kritika kundër Rusisë për aneksimin e Krimesë, Laschet kishte kritikuar kritikët e Putinit, duke i quajtur “populistë anti-Putin”. Ai ishte shprehur se “demonizimi i Putinit nuk është politikë, por një alibi për mungesën e saj”. Në të njëjtin vit ai kishte akuzuar ShBA-në për mbështetje ndaj organizatës terroriste Al-Nusra kundër Asadit dhe e kishte lavdëruar Rusinë për përkrahjen që po i ofronte Asadit, “aleatit të Perëndimit”.

Më 2018, vende të ndryshme të BE-së dhe ShBA-ja dëbuan qindra diplomatë rusë për shkak të helmimit të rusit Sergei Skripal, agjentit britanik, nga inteligjenca ruse. Laschet kishte deklaruar se “nuk ka dëshmi se Rusia qëndron pas këtij rasti”. Më 2019, kur autoritetet gjermane kishin akuzuar Rusinë për shkaktimin e disa incidenteve, Laschet e kishte kritikuar veprimin si të ngutshëm dhe kishte thënë se ekziston ende hapësirë për bashkëpunim me Rusinë.

E dyta, në anën tjetër të Atlantikut, katër vitet nën Trump nuk ndihmuan shumë raportet ShBA-Gjermani. Përkundrazi, thelluan edhe më tepër dallimet që ekzistonin edhe në kohën e Obamas. Përgjatë një mandati, Trump ngriti shumë pikëpyetje mbi ekzistencën e NATO-s, fajësoi (me të drejtë) Gjermaninë për mospërmbushje të obligimeve financiare ndaj NATO-s dhe ashpërsoi raportet me Merkel, sidomos përmes Ambasadorit amerikan në Berlin, Richard Grenell.

Një mandat i dytë i Trump mbase do të përkeqësonte edhe më shumë raportet mes dy vendeve. Në fjalët e ish-ambasadorit amerikan në NATO, Ivo Daalder, rizgjedhja e Trumpit do të ishte e barabartë me zyrtarizimin e divorcit mes ShBA-së dhe aleatëve të saj. Prapëseprapë, duke vënë në pikëpyetje aleancat, duke prishur marrëveshje ndërkombëtare dhe duke braktisur organizatat shumëpalëshe, Trump ka përshpejtuar zbehjen e relevancës amerikane në botë. Siç është shprehur një burokrat i Brukselit, “Aleatët e ShBA-së mund të mos marrin frymë katër vite. Tetë do të ishin të tepërta”.

E treta, afërsia e Gjermanisë me Rusinë nuk vjen vetëm si pasojë e politikës së Trump, por edhe për shkak të interesave ekonomike. Ajo nuk shfaqet vetëm në deklaratat e Laschet, por edhe në projekte konkrete. Përmes ndërtimit të Nord Stream 2 Gjermania po përgatitet të importojë edhe më shumë gaz natyror nga Rusia. Përkundër benefiteve të dyanshme financiare, impakti i këtij projekti nuk do të jetë vetëm ekonomik.

Kjo do të thellojë edhe më shumë varësinë e Gjermanisë ndaj Rusisë dhe do të defaktorizojë Evropën Lindore dhe Qendrore kundrejt Rusisë dhe Gjermanisë. Kjo për faktin se deri më tani një pjesë e madhe e gazit rus në Evropë është eksportuar nëpër këto vende. Duke pasur mundësinë e mbylljes së tubave të gazit, ky regjion ka pasur një mburojë kundrejt trysnisë malinje ruse. Ndërkaq, me ndërtimin e Nord Stream 2, Rusia do të ketë duar më të lira për të terrorizuar fqinjt e saj më të vegjël. Ky plan nuk i tensionon vetëm raportet e Gjermanisë me ShBA-në, por edhe me fqinjët e saj.

Ndërkohë rritja e pranisë ruse në brendi të Evropës nuk është mirëpritur në Washington. Kjo edhe është njëra ndër arsyet pse ShBA-ja ka vendosur sanksione në punët ndërtimore të këtij projekti. Sipas të gjitha gjasave Biden do të vazhdojë me sanksionet për kompanitë që po e realizojnë projektin. Kundërshtimin për Nord Stream 2 e konfirmoi edhe Sekretari i ri i Shtetit, Anthony Blinken, duke e quajtur “ide të keqe”.

E katërta, përveç dallimeve në raport me Rusinë, tensionet mes ShBA-së dhe Gjermanisë po zihen edhe në raport me Kinën. Para pak ditësh, nën lidershipin gjerman, u arrit një marrëveshje e BE-së me Kinën dhe kjo çoi sinjale tjera negative në Washington. Kjo për shkak që, nëse ka një pikë ku është e sigurt se Biden do të vazhdojë në linjën e Trump, është lufta e ashpër politiko-ekonomike me Kinën. Megjithatë, për dallim prej tij, Biden do të parapëlqente që ShBA-ja në këtë garë të bashkërendonte politikat me BE-në si bllok unitar trans-atlantik. Mirëpo, ngutia e BE-së për të arritur marrëveshje me Kinën bën me gisht kah plasaritja e boshtit veri-atlantik. Historikisht, një ndër asetet më të mëdha gjeopolitike të ShBA-së kanë qenë aleancat. Ndërkaq, kjo marrëveshje, përkundër entuziazmit në Bruksel, e forcon pozicionin e Kinës dhe legjitimon agresivitetin e saj ndaj fqinjëve demokratikë si Korea e Jugut, Japonia e Australia, luftën e saj kundër të drejtave të njeriut dhe punëtorëve, si dhe misionin e saj për të minuar sistemin liberal ndërkombëtar.

Nëse ShBA-ja udhëheqë me aleatë, Kina ka vetëm fqinj nervozë dhe klientë oportunistë. Me këtë marrëveshje, në luftë kundër Kinës ShBA-ja do të ketë një aleat më pak, kurse Kina do të ketë një klient oportunist më shumë. Ndërkohë, për shkak që marrëveshja e legjitimon sjelljen destruktive të Kinës, fqinjët e saj do të bëhen edhe më nervozë sepse BE-ja vështirë se do të zgjedhë paqen në Lindje të Largët para benefiteve ekonomike nga Kina. Nëse BE-së nuk i intereson pakënaqësia e ShBA-së, aq më pak do të brengoset për shqetësimet e fqinjve të Kinës.

Kjo marrëveshje është pritur shumë mirë në Pekin sepse përmes saj Kina ka rritur varësinë e BE-së ndaj saj dhe ka vendosur një pykë të fortë mes ShBA-së dhe BE-së. Kështu ajo ka shtrirë levën e saj në Evropë dhe ka pamundësuar konsolidimin e një kordoni ndërkombëtar në mbrojtje të vlerave liberale. Gjithashtu, një gjë e tillë i jep imunitet Kinës përballë kritikave për shkeljen masive të të drejtave të njeriut ndaj Ujgurëve, shtypjen e të cilëve ShBA-ja para pak ditësh e shpalli “gjenocid”.

Pra në lojën e shumës-zero mes ShBA-së dhe Kinës, Gjermania është duke imponuar veten, por më shumë se kaq, është duke i ndihmuar Kinës të etablohet si superfuqi që punon për shembjen e rendit liberal ndërkombëtar. Ndërkaq, të njëjtin qëndrim me Gjermaninë e mban edhe Franca. Duke e mbështetur marrëveshjen me Kinën, Macron u shpreh se ajo është në interes të BE-së dhe refuzoi idenë se “Evropa duhet të jetë bashkë-pilot në avionin luftarak amerikan i nisur për Pekin”.

E pesta, derisa optimistët besojnë se ngjarjet në Kapitol janë fundi i një të keqeje, pesimistët besojnë se është fillimi i një të keqeje më të madhe. Për shkak të mandatit të Trump, kredibiliteti i ShBA-së në botë ka pësuar një goditje të rëndë. Mbase as pas fitores së Biden problemet e Amerikës nuk do të zgjidhen aq lehtë. Kjo sepse Trump është produkt i një realiteti kompleks socio-politiko-historik që i paraprin ardhjes së tij dhe që do t’i mbijetojë humbjes së tij. Përveç tjerash, po të mos ishte pandemia, vështirë se Trump do të humbte dhe kjo tregon se sjellja e tij irracionale nuk është vetëm simptomë e personalitetit të tij, por zgjatim i vizionit Jacksonian mbi botën, njërës prej traditave më serioze të politikës në ShBA.

Mbështetja e fuqishme e amerikanëve për politikat e tij (nëse jo për të), mban hapur derën e Shtëpisë së Bardhë që në një të ardhme jo të largët politikanët si ai të hyjnë përsëri në të. Për shkak që politika e jashtme është bërë peng i polarizimit të brendshëm, ShBA-ja nuk ka më konsensus kombëtar rreth rolit të saj në botë. ShBA-ja do ta ketë të vështirë të fitojë aleatë të rinj sepse aleancat e qëndrueshme ndërtohen në plane afatgjate e jo për një mandat presidencial. E kur politika ndryshon sa herë që ndërrohet Presidenti, paparashikueshmëria nuk lë shumë hapësirë që të tjerët të mbështeten në ShBA-në.

E gjashta, menaxhimi skandaloz i pandemisë në ShBA do të paraqet pengesa në përpjekjet për riparimin e marrëdhënieve ShBA-Gjermani. Kjo sepse Biden fokusin parësor do ta ketë brenda në ShBA. Sipas të gjitha gjasave, kjo do të ulë tempon e planeve për rikuperimin e pozicionit amerikan në botë. Mirëpo, siç dëshmoi marrëveshja me Kinën, BE-ja (nën lidershipin gjerman) nuk do të pret ShBA-në dhe do të vazhdojë të konsolidojë veten si akter gjeopolitik.

Përkundër gjitha këtyre, ka vend për optimizëm. Në ditën e tij të përurimit si President, Biden dha një mesazh premtues kur deklaroi se “ShBA-ja do të udhëheqë botën jo vetëm përmes shembullit të fuqisë, por edhe përmes fuqisë së shembullit”. Biden është një politikan me përvojë të gjatë që me gjasë do të kapitalizojë kontaktet e shumta diplomatike me botën. Sulmi i Trump mbi institucione dhe trazirat kanë devalvuar soft-powerin e demokracisë dhe stabilitetit institucional amerikan, por Biden mund të fillojë riparimin.

Nga kjo që u tha më sipër, shohim se marrëdhëniet mes ShBA-së dhe Gjermanisë janë të lënduara. Duke u bazuar në sfidat me të cilat do të përballen, interesat afatgjate strategjike dhe karakteret e lidershipit të ardhshëm në ShBA dhe Gjermani, mund të themi se Biden e Laschet nuk do ta kenë të lehtë të gjejnë gjuhë të përbashkët. Derisa i pari Putinin e sheh si bandit, si dhe Rusinë e Kinën si armiq me të cilët duhet të luftohet, i dyti e beson gati krejt të kundërtën.

Gjtihsesi, kjo nuk do të thotë që situata është e pashpresë sepse shumëçka ende i bashkon këta dy gjigandë. Dy vendet po ndjekin agjenda që nuk pikëprehen mjaft mirë me njëra-tjetrën. Dallimet momentale nuk janë të vogla, por as të patejkalueshme. Për këtë arsye, për këtë shkrim zgjodha një titull që lë të kuptohet se raportet kanë shije të hidhur, por është ende herët për t’u lëshuar alarmi i “krizës”. Megjithatë, gjeopolitika e shekullit XXI tregon se çështjet e Kinës dhe Rusisë definojnë marrëdhëniet mes ShBA-së dhe Gjermanisë. Nëse këto dy të fundit nuk arrijnë të artikulojnë një pozicion të përbashkët politik, ditët më të mira të bashkëpunimit mes tyre me gjasë i përkasin së kaluarës.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.