Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Shkollimi i keq në Kosovë kërcënon lirinë e shprehjes, e jo ndalimi i librave anti-semite

Çfarë relacioni kanë në mes vete rankimi shumë i ulët i sistemit të edukimit të Kosovës dhe ndalimi i librit “Lufta ime” të Hitlerit nga shitja në rrugët e Prishtinës? Më tepër se sa mund të mendoni. Janë të lidhura thellësisht me lirinë e shprehjes.

Përderisa Kushtetuta e Kosovës garanton të drejtën e shprehjes, që të gjykojmë nëse ndalimi i këtyre librave kufizon lirinë e shprehjes, duhet të konsiderojmë kontekstin në të cilin gjendet Kosova dhe çfarë efekte kanë këto libra nëse nuk ndalohen. Kështu funksionon e liria e shprehjes në tërë Europën. Merr shembull Gjermaninë. Ky vend ka ndaluar “Mein Kampf”, autobiografinë mediokër, të mërzitshme dhe të hidhur të Hitlerit që e cila stimulon racizëm, urrejtje anti-Semite dhe dhunë për shtatëdhjetë vjet. Vetëm në janarin e vitit të kaluar, pas dekadave të edukimit për të këqijat e nazizmit dhe ideologjisë raciste për Gjermaninë,  filloi publikimi i këtij libri.

Për Kosovën që të lejojë lirinë e njëjtë, lexuesit e librave anti-semite do të duhej të kishin njohurinë se çka do të thonë këto libra dhe se çka kanë shkaktuar në të kaluarën. Do të duhej të dinin historinë. Por, për çka kemi kuptuar gjatë hulumtimit se si mësohet Lufta e Dytë Botërore në shkollat e mesme në Kosovë* nxënësit nuk mësojnë shumë për Gjermaninë naziste apo Holokaustin, dhe ajo çka mësojnë është përplot shtesa dhe heshtje. Në kontekstin kosovar, shitja e lirë e librave anti-Semite sjellë më shumë konfuzion dhe ka potencial të inspiroj dhunë, gjuhë të urrejtjes të bazuar në religjion dhe racë.

“Ne vetëm e përmendim Holokaustin në klasë” na tha një mësimdhënës, sikurse planifikimi dhe vrasjet sistematike të miliona hebrenjve nga Gjermania naziste janë vetëm një fusnotë në historinë europiane. Librat e Historisë në Kosovë paraqesin Holokaustin si një pasojë të luftës, e jo si një ndër qëllimet e luftës naziste. Ato libra emërtojnë hebrenjtë si çifutë, një term i vjetër dhe i papërdorshëm sot, në vend se t’i emërtojnë ata si hebrenj. Si dhe, librat dhe mësimdhënësit në Kosovë përqafojnë idenë se shqiptarët ishin të mirë dhe mikpritës si dhe shpëtuan të gjithë hebrenjtë që i takuan.

Ky lloj mësimi e nënvlerëson përgjegjësinë e Gjermanisë naziste për Holokaustin, dhe e ekzagjeron rolin e shqiptarëve si shpëtues duke devijuar nga studimet serioze në këtë fushë.

Së pari, ky lloj mësimi për Holokaustin nuk adreson lidhjen në mes karakterizimit të hebrenjve nga Hitleri si racë inferiore dhe planin e tij që t’i shfarosë të gjithë. Gjermania naziste ka qene regjim gjenocidal. A kanë ndjerë shqiptarët se okupimi gjerman i Kosovës ka qenë çlirim nga Mbretëria Jugosllave? Gjithsesi, por gjykimi historik për Hitlerin dhe Gjermaninë naziste si gjenocidor nuk mund të shmanget. Është një pasazh i obligueshëm të kuptohet gjenocidi dhe e drejta ndërkombëtare për gjenocidin e cila ka lindur pikërisht nga tragjedia e Holokaustit.

Gjermania e pasluftës ka njohur faktin se kampanja anti-semitike, raciste dhe e pashpirt ka bërë të mundur gjenocidin e hebrenjve dhe ua mëson të rinjve se vendi i tyre ka qenë shumë i keq dhe gabim. Pse mësimi i historisë në Kosovë mirëmban mitin e nazistëve të mirë?

Mësimi i dytë që duhet të mësohet është se asnjë komb europian nuk ka qenë i pafajshëm tërësisht gjatë Holokaustit. E vërteta qëndron se shqiptarët përgjithësisht kanë treguar gatishmëri të jashtëzakonshme ti ndihmojnë hebrenjtë që dëshpërimisht kërkonin shpëtim. Kjo është e dokumentuar mirë. Por e vërteta është se në Kosovë, fatin e hebrenjve e përcolli kursi i njëjtë sikurse në vendet tjera në Europë. Kur Gjermania naziste mori kontollin e territoreve lokale, hebrenjtë u arrestuan, deportuan dhe vranë.

Ka pasur burgje në Shqipëri (Durrës) dhe Prishtinë (Ulpianë), ku hebrenjtë janë mbajtur dhe shumë janë dërguar në kampet e vdekjes. Ekzistimi i këtyre burgjeve është mirë i dokumentuar nga studiuesit më të njohur të fushës e ndër ta edhe Noel Malcolm dhe Bernd Fischer. Por, në Kosovë, vetëm një libër dhe një mësimdhënës që kemi intervistuar ka përmendur burgjet.

Mayer Altarec i lindur në Beograd ka ikur në Prishtinë së bashku me tërë familjen e tij kur Gjermanët e okupuan Jugosllavinë, por në dhjetor 1941 është urdhëruar që së bashku me të gjithë hebrenjtë e tjerë që jetonin në qytet të shkojnë në burg në Ulpianë. Në marsin e vitit 1942, autoritetet gjermane kanë deportuar pesëdhjetë e një nga ata të internuar në Ulpianë ku kunata, burri dhe vajzat e tok ishin në listë. Fatmirësisht për të tjerët, autoritetet italiane i transferuan në një burg shqiptar nga i cili ata menaxhuan të ikin pas rënies së Italisë. Tregimi i Altrac dhe fotografitë nga burgu janë në arkivat e Memorialit të Shteteve të Bashkuara për Holokaustin në Uashington DC.

Edukimi i mirë rreth historisë mëson aftësinë për të vlerësuar dëshmitë nga të dyja anët dhe interpretimet konfliktuoze të dëshmive. Në botën e lajmeve të rreme dhe pas-vërtetës, kjo është me rëndësi parësore. Edhe pse ka pasur argumente kundër ndalimit të librave me përbërje anti-Semite nga perspektiva e lirisë së shprehjes, duhet thënë se në kontekstin kosovar të mohimit se çka ka shkaktuar anti semitizmi dhe çka mund të shkaktojë, këto libra janë helm për mendjet e njerëzve të cilët nuk mund të thonë as faktet e thjeshta historike siç edhe e konfirmon PISA. Për këtë arsye ndalimi i librave anti-semite është i domosdoshëm të qëndrojë edhe pse sfidon lirinë e shprehjes.

A duhet të ndalohen këto libra dhe si ndërlidhet kjo me të drejtën në shprehje të lirë? Në kontekstin e tanishëm, Kosovës I mungon mësimi për holokaustin në përmasa të përgjithshme. Në një anë, në një hulumtim të bërë gjatë mesit të vitit 2016 shihet se librat e historisë për shkollat e mesme përmendin vetëm shkarazi holokaustin ndërsa nuk përmendin fare kampin e Prishtinës dhe dorëzimin e rreth 300 hebrenjve tek gjermanët në Prishtinë. Ky kamp ishte i vendosur në lagjen Ulpiana dhe tani vetëm një pllakë përkujton këto viktima, por pa i dhënë rëndësinë historike të duhur. Ndërsa në anën tjetër, gjatë intervistimit të mësimdhënësve të shkollave të mesme në Kosovë, shumica thonë se nuk përmendin holokaustin dhe kanë njohuri shumë të cekëta për të.

Ndërlidhja e mësimdhënies së historisë me holokaustin, shitjen e librave anti-semite dhe rankimin e Kosovës në fundin e listës ndërlidhet ngushtë edhe me lirinë e shprehjes. Përderisa qytetarëve të Kosovës i garantohet liria e shprehjes me Kushtetutë, kjo e fundit duhet dekonstruktuar në një kontekst tjetër. Pra, duhet shpjeguar se liria edhe konceptualisht ka kuptim vetëm në saje të vendosjes së limiteve të palejuara. Ky është një test për demokracinë kosovare se si do të ndërmarrë masa për të limituar të drejtën e shprehjes. Për të parë se si afektohet e drejta e shprehjes me ndalimin e këtyre librave në sferën publike sot, duhet parë edhe konteksti politik në të cilin Kosova ekziston dhe çfarë efekte mund të prodhojnë këto libra në Kosovë nëse nuk ndalohen.

Duhet thënë se konteksti politik në të cilin Kosova gjendet duhet marrë parasysh për shkak të disa arsyeve. e ndër to është edhe fakti i mosnjohurisë në fushën e historisë nga lexuesit e këtyre librave. Kemi parë se ka pak njohuri nga mësimdhënësit në shkollat e Kosovës për holokaustin dhe shitja e lirë e këtyre librave sjellë më tepër konfuzion dhe ka potencial të inspirimit të dhunës, gjuhë të urrejtjes në baza fetare, racore dhe të tjera.

Edhe pse ka argumente kundër ndalimit të librave me përmbajtje anti-semite nga perspektiva e të drejtës së shprehjes, duhet thënë se konteksti politik në Kosovë, të drejtat e njeriut dhe vlera tjera kërcënohen seriozisht nga literatura dhe efektet që ajo literaturë krijon. Duke pasur parasysh këta faktorë, ndalimi i librave anti-semite është i domosdoshëm edhe pse mbetet sfidues për të drejtën e shprehjes.

Si shtesë e këtij ndalimi duhet futur edhe ndalimin e gjuhës së urrejtjes në mediat online dhe komentimet urrejtëse që janë në kundërshtim me parimet e të drejtave të njeriut, si dhe duhet vendosur këto parime në sfond për planifikimin e reformave arsimore e posaçërisht në kurrikulat e historisë në sistemin e arsimit në Kosovë.

________________

*Hulumtim i bërë për Iniciativën Kosovare për Histori Gojore dhe i financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.