Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Shqiptarët—zezlushët tonë

Burimi i fotos: https://kosovo.sensecentar.org

Ndjenja e jonë e superioritetit nuk njihte kufij. Në mes “tyre” dhe “nesh”, dialog të vërtetë nuk ka pasur kurrë. Madje edhe në kohërat më të mira, shqiptarët ishin për ne jo më shumë se zezakë shtatshkurtër, primitivë dhe qesharakë. Xha Tomër.

Ish-Jugosllavinë e cilësonte ajo larushiaetnike dhe kulturore —e cila në përfundim u keqpërdor tragjikisht—që, në realitet, nuk arriti kurrë të zhvillohet e të bëhet mellting pot [melting¹] i vërtetë. E hierarkizuar në bazë të etnicitetit edhe epërsisë kulturore dhe ekonomike, ajo njëherit lëvizte përgjatë vertikales evropiane, nga Sllovenia, që ishte më e zhilluara dhe gjendej në veriun e skajmë si dhe në një “majë” të llojit të vet në atdheun e atëhermë të përbashkët, nëpër Kroaci me Bosne e Hercegovinë dhe me Sërbi në kërthizë të tij, e gjer te Mali i Zi dhe Maqedonia, në skajin jugor, pra në “fund të poshtëm” të shtetit të dikurmë.

“Sa më jugorë, aq më të gjorë”—ishte parimi jozyrtar i cili e përkufizonte shkallëzimin e atij racizmit specifik përbuzës jugosllav, të drejtuar gjithmonë kah ata që ishin drejtpërdrejt përfundi “nesh”. Dhe ashtu, sllovenët më së shpeshti dhe më me qejf shprehnin përbuzje ndaj kroatëve, kroatët ndaj sërbëve, sërbët me lehtësi dhe me qejf i përqeshnin maqedonët dhe malazezët, bosnasit²—si banorë të një republike qendrore jugosllave—ishin objekt i përqeshjes gati nga të gjithë, për të mbetur shqiptarët e Kosovës, nga ai grumbull para së gjithash i larëm i “jugosllavëve” të nduarndurtë, si grupi etnik më jugor (pra ndoshta nga kjo edhe më i gjorë), qysh paraprakisht të dënuar me rolin e autsajderit absolut.

Mbi ta, le të jemi të sinqertë, nuk mendohej me qejf, e më së lehti ishte të mos mendohej fare. Jetonin këtu pranë nesh, ndonjëherë edhe në mes nesh, por gjithmonë shmangur prej nesh, tepër të ndryshëm, gati të huaj (përkah gjuha dhe kultura) në mesin e familjes së popujve sllavë të Jugosllavisë, pra sikur të ekzistonin në tërë atë mishmash jugosllav vetëm sa për ta luajtur në të rolin e pashpërblyer të të mjerit, atij përherë inferiorit, të fundit nga më të fundit. Fakti që ata edhe fizikisht gjendeshin “poshtë³”, “nën” të gjithë ne, sikur e përforconte verifikimin e gjendjes së tyre të mjerë..

Të gjitha që ne në tërë ish-Jugosllavinë donim ndonjëherë t’i dinim mbi ta, përbëheshin ekskluzivisht prej një grumbulli stereotipësh përqeshës dhe fyes. Te ne kurrë nuk ishte kompliment t’i thuhej ndokujt se dukej si “një “shiptar” [Šiptar⁴] pak më i bukur”. Në mos i paçim urrejtur haptas, kjo ishte thjesht për arsye se nuk na dukeshin të denjë për urrejtjen tonë, prandaj thjesht i toleronim, por me një mendjemadhësi e cila ishte gati e përmasave koloniale. Ndjenja e jonë e superioritetit nuk njihte kufij. Në mes “tyre” dhe “nesh”, dialog të vërtetë nuk ka pasur kurrë. Madje edhe në kohërat më të mira, shqiptarët ishin për ne jo më shumë se zezakë shtatshkurtër, primitivë dhe qesharakë. Xha Tomër⁵.

Më shkurt: ishin zezlushët tonë.

Por sado e dobët që ishte dukshmëria e shqiptarëve në sy të jugosllavit mesatar të kohës së Titos, ai racizëm i mefshtë kulturor sot duket i butë dhe gati i pranueshëm, kur krahasohet me urrejtjen aktive, shkatërruese ndaj “shiptari” që do t’i kaplonte sërbët në vitet pas vdekjes së Titos, dhe të “trazirave” të para në Kosovë kah fillimi i viteve të tetëdhjetëesatë të shekullit që kaloi, e sidomos pak më vonë, në periudhën e rritjes së nacionalizmave të të gjithë llojëve, sundimit brutal të Millosheviqit, dhe grisjes së pamëshirë të shtetit tonë dikur të përbashkët. Po shërbehem me këtë emërtim skajshëm politikisht jokorrekt—”shiptari”—thjesht sepse, gjatë të nëntëdhjetëesatave, politikanët, medjet, e me ta edhe shumica dërrmuese e qytetarëve, fqijt tonë të parë jugorë nuk i quanin më ashtu me neutralitet si dikur—”allbanci” [Albanci], por vetëm e vetëm ashtu dhe, mbi të gjitha, me ofendim—”shiptari”, e ata “shiptari” sikurse nuk kishin qëllim tjetër të ekzistencës, pos për të na shkatërruar dhe shkallmuar—”neve”, sërbët.

Me qëllim të arritjes së qëllimit të tyre përfundimtar—”Kosovës republikë”—”shiptari”, përmes kërcënimeve, dinakërive, mashtrimeve, dhe politikës së terrorit të pastër, e zhvendosnin popullatën sërbe, e cila përbënte shumicë shekullore, dhe i blenin pronat e saj. Dikur kanë qenë më të paktë në Kosovë, bukur më të paktë se ne por, gjatë viteve (për njëfarë çudie të pashpjeguar ndonjëherë, dhe krejt lirisht) e kalonin kufirin, dhe vinin nga Shqipëria e vendoseshin aty, pranë nesh, me dhunti që neve na dukeshin nënnjerëzore, dhe që u jepnin veçori të thneglave apo termiteve, njëfarë depërtueshmërie kolektive, e pos asaj “mbarseshin si lepujt” edhe ajo brengë bashk me gërdinë ndaj virilitetit të shfrenuar si dhe shkallës proverbialisht të lartë të natalitetit të tyre, promovohej pareshtur si e domosdoshme për çdo sërb i cili, përndryshe, po të mos e kultivonte atë urrejtje të errët ndaj “shiptarit”, gjithsesi nuk do të mund ta quante veten sërb, dhe sipas të gjitha gjasave as që do të ishte i atillë.

Ashtu u promovuan “shiptari”, falë propagandës së politikës sërbe të kohës së Millosheviqit dhe medjeve të cilat përherë i takonin, më në fund në stërarmiq kulmorë të sërbve, pa të cilët edhe ekzistenca e vet sërbëve ishte e paparamendueshme.

Se, përnjëmend, ç’do të ishte Betmeni pa Gjokerin e vet?

Ashtu që, gjatë të nëntëdhjetëesatave, “shiptari” nuk ishin më për “ne” kurrfarë zezakësh shtatshkurtër, kurrfarë xha Tomësh. Përkundrazi, ishin demonë tmerrues prej të cilëve kishte rrezik, ngulmues në qëllimin e tyre të përvetësimit dhe okupimit të trevave tona “historike”, të rrëmbimit të djepit të “kulturës” sonë dhe të të gjithë miteve tonë të tjerë, të privimit të së drejtës sonë në të gjitha ato që na takojnë sipas drejtësisë “historike”.

I vendosur që të kryente punë me shqiptarët njëherë e përgjithmonë, Kryetari i ynë e pat, për fat, planin fantastik—që, lirisht dhe pa kufizim, t’i diskriminonte, t’i nënçmonte, t’i bënte kundër vetes, t’i ofendonte, t’u kërcënohej, t’i përjashtonte nga puna, t’i burgoste, t’i mundonte, t’i rrënonte, t’i përzënte, t’i digjte, t’i shkatërronte, dhe t’i vriste, në peradorinë e tij të errët të fuqisë dhe të ligësisë, mjerimit, urrejtjes etnike dhe të hiperinflacionit.

I liruar, në dukje, prej çfarëdo përgjegjësie, dhe i forcuar nga përkrahja mjaft e madhe popullore, ai atë plan me vite të tërë e jetësoi me guxim, së pari në Kosovë, e pastaj anekënd Jugosllavisë tashmë  “ishe”, gjer kur e ktheu kjo spirale e shfrenuar, prap aty ku e tëra kjo edhe filloi—mbrapa në Kosovë.

Me çka do të zënte fill fundi i tij, mbas trembëdhjetë vitesh të sundimit shkatërrues.

Bombardimi i Sërbisë dhe Malit të Zi, fajtorëve kryesorë për shpartallim të krejt Jugosllavisë, të cilin e ndërmori aleanca NATO, e kishte si pasojë shkatërrimin e edhe më shumë objekteve të infrastrukturës në vendin tonë, si dhe numrin e madh të viktimave civile, por edhe shpartallimin e plotë të politikës sërbe, pra edhe pushimin momental të çfarëdo forme të pranisë së shtetit sërb në krahinën jugore të tij, pas çkafit erdhi gjer te ndërrimi i ri i roleve në mes të Viktimës dhe Gjakatarit në atë vend fatkeq, gjer te ekzodi dhe pësimi i popullatës sërbe edhe i një pjese të asaj rome të atjehit, hakmarrja e egër dhe revanshizmi i “ngadhnjimtarit” (edhe kësaj rradhe viktima do të jenë vetëm civilët e pafaj), djegia e pronave dhe shkatërrimi i çfarëdo shprese të mbetur për ndonjë jetë apo bashkjetesë brenda ndonjë kohe të afërt, ose për kthim të një normaliteti aq gjat të pritur të marrëdhënieve ndërmjet nesh, njerëzve të rëndomtë, si shqiptarë, ashtu edhe sërbë, pa dallim.

Një lojë e luajtur me aq urti dhe në mënyrë aq fantastike, të cilën e luajti Millosheviqi, ka pasur mundësi ta kishte vetëm një përfundim të mundur. Ai quhet—Tribunali i Hagut. I shkathtë dhe rrëshqitës, si gjithmonë, Millosheviqi prapseprap arriti të ikë nga aty, madje drejt e në vdekje të hertë, duke iu shmangur në atë mënyrë vendimit përfundimtar të gjyqit, dhe duke i turbulluar përgjithmonë çështjet e fajit dhe përgjegjësisë.

Por turpi i rëndë prej të gjithave megjithatë na mbetet këtu, neve, qytetarëve të Sërbisë.

E pranuam ne, apo jo.

*  *  *

E sot?

Kur u vërshuan, para vetëm pak vitesh, medjet e Sërbisë nga lajmet mbi zbulimin e varrezave masive me trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës, ndoshta më tmerruesi ishte ai mbi rimorkion me frigorifer, që kufomat e shumta të pleqve, grave, dhe fëmijve, i kishte shkarkuar dikund afër derdhjes së lumit Derventë në liqenin Peruqac. Patëm rast t’i shohim sqenat tmerruese të nxjerrjes së kufomave, ta ndjekim dëshminë prekëse të vozitësit të rimorkios me frigorifer, e në tërë atë ofanzivë të lajmeve më të ndryshëm, njëri nga televizionet e Beogradit e solli një bisedë të shkurtër me një “çdokush” i cili atë ditë po lahej gëzueshëm në atë liqe, plotësisht pa ndjenja ndaj faktit të pluskimit të trupave të kalbur të civilëve shqiptarë në poatë ujë të gjelbër, dhe jo fort moti. Kur e ballafaqoi spikerja me këtë të vërtetë ngjethëse, ai vetëm e tundi kokën, gjersa uji ende po pikonte prej tij.

“T’jua them të drejtën, unë fare nuk besoj në të gjitha këto,” deklaroi ky simplisimus⁶ drejt në kamerë, duke rrahur qerpik pafajshëm, me buzëqeshje lakonike, i qetë akull.

Dhe kërceu prap në ujë, që edhe njëherë të lahej para kamerave.

Çmenduri, do të mendonte njeriu, por jo, përkundrazi—plotësisht e kuptueshme. Qytetari sërb, për një dhjetëvitësh të tërë dhe pa ndërprerje, mori nga politikani sërb dhe nëpërmjet medjeve sërbe, udhëzime për të gënjyer me aq pafytyrësi, saqë në fund edhe vet lehtazi beson në gënjeshtrën e vet. Dhe tash vetëm e shfrytëzon këtë shkathtësi që e ka fituar.

Dinajëll⁷ është një nga veçoritë kryesore të reja sërbe, aq e re sa që gjuha e jonë nuk e posedon këtë fjalë… E pikërisht ai dinajëll, aq ftohës kundrejt vuajtjes njerëzore, aq ç’aftësues për lëshim edhe ndaj një përdëllimi elementar, bindshëm e shprehë atë se ne, si shoqëri, fatkeqësisht nuk kemi mbërritur askund në këta vjetë të fundit të së ashtuquajturës Kohë të re, e cila na ndan, dhe të cilën e masim, nga pesë tetori i vitit 2000, kur Millosheviqi më në fund u rrëzua nga pushteti.

A e zgjidhi kjo kohë e re së paku ndonjërën nga çështjet akute dhe plot dhembje të cilat u shfaqën gjatë të nëntëdhjetëesatave?

Hm, ndoshta ndonjë, aty-këtu.

Njëherit dolën probleme për të cilët as që kishim pasur parandjenja në atë kohë..

Sërbia është një shtetth i dhimbshëm, i prapambetur, djathtist, pallangor⁸, ksenofob, mosbesues (ndaj të tjerëve, ose së resë—vërejtje e përkthyesit, më tej v.p.), konzervativ gjer në dreq të mallkuar, me vetëdije të ngushtë tablloidore, mbi të gjitha i çorientuar—ndonjëherë duket se rrugëdalje të vërtetë nga ky vorbull, për të nuk ka. Çështja e statusit të Kosovës dhe çështja, ndoshta edhe më me rëndësi për të ardhmen tonë, e marrëdhënjeve tona të mëtejme me shqiptarët, gjithsesi janë ndër ato me rëndësinë më të madhe, por ato janë edhe më tej vetëm disa nga çështjet e shumta që sot e vënë shoqërinë sërbe në hall. Qytetari sërb është, në kuptim të caktuar, i lodhur nga politika, i lodhur nga luftërat, i lodhur nga mjerimi, i lodhur nga ndjenja e fajësisë, proverbialisht i frikësuar nga ndryshimet dhe i papjekur për bartje të çfarëdo përgjegjësie, si dhe në mënyrë të mjerë e vetjake i interesuar përjashtueshëm vetëm për përparimin e vet ekonomik.

Dhe kështu, qëndrimet e tij ndaj shqiptarëve mbesin, qysh nga koha e Millosheviqit, të mbrojtur nga ndryshimi. Ndjenjës së përbuzjes, urrejtjes, dhe superioritetit, sot iu ka shtuar vetëm edhe tërbimi i mbyllur dhe i errët i humbësit, i cili kohë pas kohe shndërrohet në njëfarë kukame historistike, në dhembshuri të mbytur për vetveten, dhe në ndjenjë të pësimit të mashtrimit, të përcjellë me një lloj të drejtësisë pseudo-mistike…

“Humbja” e pashmangshme e krahinës së dikurme jugore ende përjetohet skajshëm apokaliptikisht, së paku në segmente të caktuar të shoqërisë sonë. Për shebmull, jomoti ishin të ngjitur në tërë qendrën e Beogradit afishe në të cilët shkruante: S’KA SËRBI PA KOSOVË. (Por, kush ashtu po shpifë, dhe kush ashtu po rrenë⁹ që s’ka? Dhe si po mendon—s’ka?!?)

Megjithatë është evidente se çështja e shqiptarëve dhe Kosovës, sado që duket në këtë moment se kjo ka ndryshuar, në të vërtetë luan rol gjithnjë e më margjinal ndër hallet e përditëm të qytetarit sërb. Ai është, çkado që të jenë pohimet e tij në këtë apo atë çast, sikurse ai simplisimusi i liqenit, në qenësi i vendosur të mos besojë në asgjë [që nuk i pëlqen]… Ai është i lodhur, i kthyer kah vetvetja, përtej mase vetjak edhe që të urrejë aktivisht si dikur.

Por një gjë tjetër është tani problemi i ynë më i madh. Sikur në ato këngët që gjithmonë kthehen prap në fillim të tyre, e vargu i parë i të cilave është gjithmonë edhe i fundit, dhe ashtu pa mbarim, tash është më e qartë se kurrë ndonjëherë më parë që brezat e rij në vendin tonë, një pjesë fort e madhe e tyre, janë të prekur nga virusi i shovenizmit, të verbuar me poata njimtime, robër të të cilëve kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë prindërit e tyre.

Vërtet, ç’mund të pritet nga një brez i rritur përmes luftërash dhe shkatrrimesh, i ushqyer me politikë të hapët të urrejtjes? Fatkeqësisht, jo edhe aq. Të rijt tonë sot urrejnë pa u përmbajtur aspak, me lehtësi dhe me kënaqësi. Qëndrimet e tyre (e këtë e tregojnë të gjithë llojet e anketave dhe gjurmimeve që bëhen mbi të rijt e shkollës së mesme) janë të atillë që ta tërqethin lëkurën dhe t’i kreshpërojnë qimet e kokës.

Kështu, mbi tridhjetë përqind të nxënësve të shkollës së mesme pajtohen me qëndrimin etnonacionalist simbas të cilit “me shqiptarët nuk duhet të ketë shoqërim, e as vizita”.

Gjysmës së të rijve nuk i pëlqen ijekavishtja (varianti perëndimor i gjuhës dikur të përbashkët, sërbo-kroatishtes, me të cilin shërbehen qytetarët e Kroacisë, Bosnes dhe Hercegovinës, dhe Malit të Zi), dhe ata nuk anojnë kah barazia ndërmjet alfabetit latin dhe kirilik.

Çdo i pesti nxënës i shkollës së mesme do të dëshironte të jetonte në një shtet etnikisht të pastër.

Afër një e treta mendon se kinezëve (një bashkësie me rëndësi, të të huajve që jetojnë në vendin tonë) do të duhej t’u mohohej mikpritja, edhe kur i respektojnë ligjet plotësisht.

Gati çdo i katërti person i ri nuk e paramendon dot veten në lidhje intime me ndokend që i përket një kombi tjetër.

Raporti ndaj homoseksualëve dhe personave me infektim HIV është poaq i lig—çdo i dyti djalë i ri dhe çdo e treta vajzë e re shprehin qëndrim dëbues ndaj tyre.

Madje as gratë nuk kalojnë më mirë, kështu që njëzet përqind të vajzave të reja dhe pesëdhjetë përqind të djemve të rij kanë mendim se gruaja nuk mund të jetë kryetare e mirë e shtetit.

Dhe kështu me rradhë, e kështu me rradhë…

Tmerruese dhe dekurajuese është edhe vet ideja mbi të gjitha ato që shoqëria bashkëkohore sërbe, e lig dhe e sëmurë, çfarë është, ia ka dalë t’i mbjellë në kokat e tyre, dhe me çfarë suksesi ngjethës.

Ç’të bëhet, pra?

(Pyetja është, mbi të gjitha, retorike dhe nuk jam në gjendje të jap përgjegje precize në të, se e di mirë që përgjegja e drejtë është—e pamundur.)

Ndoshta përgjegja është thjesht durimi stoik?

Ndoshta duhet ta presim një brez të ri, tjetërfarë, të hedhë shtat në rrethana potencialisht më të qeta e më të shëndosha, me shpresë se këta fëmij do të dinë t’ia dhurojnë shoqërisë sërbe urtinë dhe pjekurinë që gjer në atë masë u mungojnë brezave të cilët sot na e përcaktojnë njëmendësinë?

Ndoshta vërtet nuk na mbetet tjetër, pos të besojmë se—siç e tha dikush aq bukur—vetëm nipat do t’i kemi djem të vërtetë…

*Verzioni burimor i tekstit të botuar në Di Cajt [Die Zeit] më 20 shtator 2007, i përkthyer nga sërbokroatishtja me leje personale to autorit.

Përktheu: Florent Rizvanolli

Na srpskom jeziku

In English

Shpjegime nga përkthyesi:

¹) anglisht: (kaldajë e/kazan i) shkrirjes së kombeve — metaforë amerikane për shoqëri etnikisht monolitike

²) fjala boshnjak [Bošnjak] sot përdoret si emërtim vetëm për banorët e Bosnes që kanë fe muslimane, kurse për të gjithë banorët e Bosnes, pa dallim të fesë ose kombit, është përdorur përherë fjala “Bosanac”, pra shqip duket më i qëlluar emërtimi “bosnas”

³) kur bëhet fjalë për Kosovën, sërbisht shpesh thuhet “dole” [poshtë] në saje të pozitës jugore në krahsim me Sërbinë

⁴) sërbisht, pejorativisht: shqiptarë — emrat e pjestarëve të kombeve dhe feve shkruhen me shkronjë të madhe

⁵) anglisht Uncle Tom — skllavi zezak i SHBA, personazhi kresor i romanit “Kasolla e Xha Tomit”

⁶) njeri i thjeshtë, shprehje e autorit

⁷) anglisht: denial — mohimi i fakteve apo të vërtetave evidente

⁸) pallangë, [palanka], vendbanim tipik provincial, i prapambetur, i vogël i Ballkanit, sidomos Sërbisë

⁹) “… që Sërbia është e vogël…” [sërbisht: Ko to kaže, ko to laže, Srbija je mala…] — këngë patriotike sërbe e (keq)përdorur nga nacionalistët dhe hegjemonistët sërbë, sidomos gjatë kohës kur ata e filluan shkatërrimin e Jugosllavisë.

Author

  • Vladimir Arsenijević

    Vladimir Arsenijević është shkrimtar, përkthyes, redaktor, muzikant dhe botues. Ai jeton në Beograd dhe është fitues i çmimit prestigjoz NIN për romanin jugosllav të vitit 1994 për romanin “U potpalublju”. Ai është gjithashtu themelues i festivalit të filmit Krokodil dhe i shtëpisë botuese për audio libra Reflektor.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.