Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Sistemi ndërkombëtar dhe “tërheqja e domosdoshme” e ShBA-së nga Afganistani (II)

Kina si shkaktar i tërheqjes së ShBA-së nga Afganistani

Jo pak studiues dhe komentues politikë ngutshëm konkluduan se tërheqja e ShBA-së nga Afganistani është dështimi më i madh i saj në politikën e jashtme në dekadat e fundit dhe se, në të njëjtën kohë, kjo ngjarje është dëshmi e qartë e rënies së pakthyeshme të fuqisë dhe dobësimit të relevancës së këtij shteti në politikën ndërkombëtare. Konsideroj se “gabim strategjik” i ShBA-së vis-à-vis Afganistanit mund të konsiderohet vetëm qëndrimi kaq i gjatë në atë vend dhe përpjekja e dështuar për të ndërtuar institucione dhe për të përçuar vlera politike demokratike në një terren me kulturë politike refuzuese kundrejt këtyre principeve. Largimi i Ushtrisë amerikane është në korrelacion të drejtë me ndryshimet në polaritetin e sistemit ndërkombëtar dhe në harmoni me ridimensionimin e interesave nacionalë që si qëllim kryesor kanë balancimin e shteteve rivale dhe konkurruese në sistem, konkretisht Kinës.

Duhet të bëhet e qartë se efekti i Afganistanit – si rast partikular – në gjeopolitikën amerikane ka të ngjarë të jetë i papërfillshëm. Ky largim është thjesht pasojë e forcave sistemike dhe jo shkak në vetvete. Për më tepër, kjo nuk është hera e parë (dhe ndoshta nuk do të jetë as e fundit) kur ShBA-ja tërhiqet nga një angazhim ushtarak në mënyrë jo fort të lavdishme. ShBA-ja ka arritur t’u mbijetojë suksesshëm edhe dështimeve të mëhershme që ishin jo më pak denigruese për fuqinë e saj të “butë”, siç ishte tërheqja nga Vietnami (1975). Në këtë rast, ShBA-ja arriti ta rimerrte shumë shpejt veten, duke e rifituar dominimin e saj brenda më pak se një dekade dhe duke mos reshtur asnjëherë së rivalizuari Bashkimin Sovjetik, gjë që konkludoi me triumfin e Luftës së Ftohtë. Sot ky shtet është partner i ngushtë dhe ka interesa komplementarë me Vietnamin në shumë sfera – më e rëndësishmja ndër të cilat është koordinimi me qëllim të frenimit të ekspansionit kinez.

Për më tepër, ShBA-ja mbetet shteti me një mori avantazhesh teknologjike, ekonomike edhe kulturore me të cilat shumë pak vende mund të konkurrojnë dhe të krahasohen. Ato edhe mund të tërhiqen nga ndërhyrjet ushtarake apo edhe përpjekjet, në të shumtën e rasteve shterpe, për shtet-ndërtim në Lindjen e Mesme. Por, forca ushtarake e këtij shteti vazhdon të mbetet dominuese në shumë zona të globit. Kjo situatë do të vazhdojë pavarësisht dështimeve joelegante në Afganistan, Irak dhe vende të tjera. Skenat e kaosit në aeroportin e Kabulit, ndërsa trupat amerikanë tërhiqeshin, krijojnë perceptimin e dështimit, por në aspektin strategjik këto skena janë më shumë imazh sesa substancë.

Tërheqja e trupave amerikanë është lëvizje politike e kushtëzuar nga transformimet strukturore në sistemin ndërkombëtar. Kuptohet, rritja e fuqisë së Kinës prodhon efekte detyruese për ShBA-në që të ndërmarrë veprime të domosdoshme me qëllim të balancimit dhe rivalizimit të Pekinit për ndikim dhe dominancë në sistem. Në periudhën kur sistemi ndërkombëtar dominohej plotësisht nga ShBA-ja – nga fundi i Luftës së Ftohtë deri rreth shfaqjes së krizës globale financiare më 2007-2009 – kjo e fundit mund t’ia lejonte vetes “komoditetin gjeopolitik” të udhëhiqej nga një politikë e jashtme që mbështetej mbi parime të liberalizmit, së këndejmi të angazhohej në mega-projekte për instalimin e sistemit politik demokratik apo realizimit të inxhinierisë sociale në Afganistan dhe vende të tjera të rajonit.

Mirëpo, me rritjen ekonomike të Kinës dhe projektimit të fuqisë që ajo sot bën në tërë globin, shumë studiues kanë ardhur në përfundim se momenti “unipolar” amerikan ka përfunduar dhe tashmë sistemi ndërkombëtar është në tranzicion drejt “bi” apo edhe “multi” polaritetit. Andaj, për shkak të këtyre shtrëngesave strukturore, lidershipi politik në Uashington – pa marrë parasysh bindjet apo vlerat personale e partiake – është i obliguar të përvetësojë dhe zbatojë një politikë të jashtme që mbështetet mbi postulatet e (neo)realizmit politik. Pra, objektivi kryesor i ShBA-së, në pjesën më të madhe të këtij shekulli, duket të jetë gara dhe konkurrenca kundrejt fuqisë së Kinës dhe menaxhimi strategjik i rritjes së kësaj të fundit.

Mbështetur mbi këtë logjikë – që derivon nga pandehma neorealiste e interpretimit të çështjeve ndërkombëtare – lehtësisht mund të konstatohet se kjo nuk do të jetë tërheqja e fundit e ShBA-së nga vende të ndryshme ku është e angazhuar tash e sa vjet me qëllim ndërtimit të sistemit politik demokratik dhe instalimit të institucioneve dhe vlerave liberale. Në një të ardhme jo të largët ndoshta mund të priten edhe lëvizje tjera. Përveçse konkluzion teorik, kjo mbështetet edhe në deklarimet e presidentit Biden kur, në një “cicërimë” në rrjete sociale, deklaron se “vendimi për Afganistanin nuk është vetëm për Afganistanin. Ka të bëjë me përfundimin e një epoke të angazhimeve grandioze të operacioneve ushtarake për t’i ribërë shtetet e tjera”.

Siç duket, (neo)realizmi si teori e marrëdhënieve ndërkombëtare është rikthyer si qasja me fuqinë më të madhe shpjeguese të realiteteve globale. Andaj edhe shtetet si Kosova, me institucione të brishta politike dhe kapacitete të limituara militare për ta garantuar sigurinë e vet – e që për pasojë janë të varura në fuqinë ushtarake të shteteve/organizatave të treta – duhet t’i rikalibrojnë orientimet e tyre strategjike dhe të ndërmarrin veprime imediate me qëllim që të jenë të afta të navigojnë në një botë me polaritet ndërkombëtar në tranzicion e sipër.

Tashmë ka kohë që ShBA-ja dhe Kina janë të përfshira në një garë strategjike që po rezulton të jetë më e ashpër në qasje, më e shtrirë në sipërfaqe dhe më intensive në volum se çdo rivalitet tjetër mes shtetesh në domenin ndërkombëtar, duke përfshirë këtu edhe Luftën e Ftohtë. Qysh në fillim të mandatit të presidentit Trump, duke vazhduar më pas edhe me Administratën Biden, ishte diktuar një ndryshim në sjelljen e politikëbërësve amerikanë në favor të një qëndrimi më konfrontues ndaj Pekinit. Sipas Udhëzuesit të Përkohshëm Strategjik të Sigurisë Kombëtare, të publikuar në mars nga Shtëpia e Bardhë dhe të nënshkruar e aprovuar nga vetë presidenti Biden, Kina konsiderohet si “konkurrenti i vetëm potencialisht i aftë të kombinojë fuqinë e saj ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe teknologjike dhe të paraqesë një sfidë serioze kundrejt një sistemi ndërkombëtar të hapur dhe stabil”.

Nuk është shumë e vështirë të kuptohet se përse zyrtarët amerikanë e konceptojnë Kinën si konkurrentin kryesor për dominim dhe influencë në politikën ndërkombëtare. Të dhënat tregojnë se deri në fund të vitit 2021, GDP-ja kineze do të jetë ekuivalente me rreth 71% të GDP-së amerikane. Ndërsa, nëse krahasohen, në fillim të viteve ‘80, gjatë Luftës së Ftohtë, GDP-ja e Bashkimit Sovjetik ishte e barabartë me 50% të GDP-së amerikane. Në ndërkohë, Kina ia ka zënë vendin ShBA-së si destinacioni më i madh i investimeve të huaja.

Në anën tjetër, edhe lidershipi kinez ka ndërtuar një pamje shumë më të zymtë për ShBA-në. Është konstatim konsensual në Pekin se ShBA-ja është sfida më e madhe e jashtme kundrejt interesit nacional, sovranitetit dhe stabilitetit të brendshëm të Kinës. Shumë vëzhgues të vëmendshëm kinezë janë të mendimit se ShBA-ja po udhëhiqet nga frika dhe zilia, andaj janë të angazhuar që t’i përdorin të gjitha resurset që kanë në dispozicion për ta kontrolluar atë në çdo mënyrë të mundshme.

Tërheqja amerikane, përveçqë është imponuar nga ndryshimet strukturore në sistemin ndërkombëtar, është në përputhje me opinionin publik dhe orientimet strategjike të lidershipit dhe interesave nacionalë. Një gjë e tillë është deklaruar kohë më parë në formë eksplicite edhe nga vetë presidenti Biden. Në një shkrim autorial të botuar në mars/prill të vitit 2020 në revistën Foreign Affairs, ai ndër të tjerash ishte zotuar që do të udhëhiqej nga një politikë e jashtme e “klasës së mesme”. Kjo nënkupton një politikë të jashtme të përshtatur dhe në përputhje me interesat e shumicës së votuesve amerikanë dhe jo vetëm e ekskluzivisht e mbështetur në analizat dhe vizionin e politikëbërësve në Uashington. Për më tepër, ka kohë që opinioni publik amerikan e mbështet idenë e një tërheqjeje të trupave nga Afganistani.

Kur presidenti Biden më 14 prill e kishte bërë publik vendimin për tërheqje, në një sondazh të realizuar në mes të 16-18 prillit, doli në pah se 80% e amerikanëve ishin pro idesë që ShBA-ja t’i kthejë në shtëpi menjëherë të gjithë trupat ushtarakë. Kurse, në korrik kjo shifër shkoi në 70%. Presidenti Biden në artikullin e njëjtë kishte konstatuar gjithashtu se “Kina përbën sfidë të veçantë” për ShBA-në dhe se ai, për shkak të përvojës personale me liderët e këtij shteti, e kishte shumë të qartë se me kë kishte të bënte.

E njëjta linjë e mendimit identifikohet edhe në fjalimin e tij të mbajtur pasi forcat amerikane filluan tërheqjen nga Kabuli. Ai, pa dykuptimësi dhe fare qartë, nënvizoi se Amerika tërhiqet nga Afganistani sepse në këto rrethana “duhet të përqendrohet te konsolidimi i fuqive kryesore për t’u përballur në garën strategjike me Kinën dhe shtetet e tjera”. Siç duket, veprimet e presidentit Biden, përkundër kritikave, janë të fokusuara për ta nxjerrë ShBA-në jashtë “Varrezës së Perandorive” dhe ta orientojë atë drejt kapitullit të ri të garës për hegjemoni globale.

Nga Lindja e Mesme drejt Azi-Paqësorit

Nuk kam dyshim që po të pyeteshin zyrtarët në Kinë, por edhe në Rusi e në të gjitha shtetet e tjera të fuqishme që kanë interesa konfliktualë me ShBA-në, ata do preferonin që kjo e fundit të vazhdonte të qëndronte në Afganistan. Madje, për ta do të ishte e preferueshme që sikur në Afganistan ShBA-ja të vepronte edhe në së paku dhjetë shtete të tjera. Kush nuk do kishte dëshirë dhe interes që kundërshtari i tij kryesor politik e ekonomik në vend që të garojë me ty t’i ketë duart e zëna duke shpenzuar kohë, energji, mjete të pafundme financiare dhe jetë njerëzish gjithandej nëpër botë.

Krejt kjo me qëllim që të imponojë një sistem politik që bazohet në vlera të demokracisë liberale në një ambient dhe kulturë politike mospajtuese dhe mospërçuese të këtyre vlerave. Tërheqja nga Afganistani e ka liruar ShBA-në nga një barrë e rëndë e një ndërmarrjeje të kushtueshme, angazhim i cili e kishte humbur fokusin strategjik para shumë vitesh. Ky veprim ia mundëson asaj të ridimensionojë dhe ridrejtojë resurset e veta në rajone dhe objektiva të tjerë që janë në përputhje me interesat e saj vitalë dhe prioritetet strategjike – larg Lindjes së Mesme drejt Azi-Paqësorit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.