Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Sita “Rama” dhe Llaku “Basha”

Zotni Rama, Kryeministri i Shqipnisë, po thotë (tash!?) se don me përdorë sitën për vetëdeklarimet e funksionarëve kur e ka ditë se miellin e ka me krunde.

Tipike nji sjellje e stilit të pararêndësve tyne politikanë, që kandidati nuk “ia ka treguar të gjitha Partisë dhe Partia nuk ka faj”. Se a duhet me pa’ u krye bashkëpunimi ndërinstitucional mes institucioneve shqiptare e atyne të hueja, ku kandidatët mund të kenë qenë rezidentë, kjo nuk përmendet kund. Po Rama kryetpërjetë e kujton se të gjithë hanë bar në këtë jetë.

Rama e ka vû sa herash maskën e Ponc Pilatit për shumë implikime të anëtarëve, deputetëve etc. të PS, sidomos për përfaqësuesit e elektoratit verior në Shqipni. Tue lanë kështu nji njollë (me sa duket me dashje) në “derën e shtëpisë tyne”. Dyer që nuk i kanë njohë përlyemjet kriminale a rekordet e drogës, por kanë qenë rezistenca shekullore qysh prej sundimit turk e këtej.

Ky Kryeministër diabolik e fashionist që nuk njeh asfarë përvûjtnie njerëzore (se doemos i ka lehë qeni ratë qysh prej të atit), po e thellon krizën aktuale politike aq sa Shqipnia i asht ba iri (mëritur) BE-së e Amerikës. Natyrisht din me luejtë arushë me vendin sa të ketë përballë zotni Bashën, me flokët sterr e llak—formati ma pa yndyrë i nji politikani… apatik total saqë kur e ndigjon duket se ka nji kasetë mbas shpine e dikush—pa fillue xhirimi i kamerave—ia shtypë e ai nisë o me e hangër shiritin [kur i merret zani pra] o me e luejtë përkadalë atë shirit, nën nji lëvizje zero muskulare të fytyrës. Gati duket si me qenë prej dylli! Retorika politike e tij, natyrisht nji RPT e zakonshme.

Si PS-ja si PD-ja janë pëgjegjëse për rastin e fundit në Bashkinë e Shkodrës. “Fituesi” i tërhequn, qysh prej datës 15 gusht, nga pretendimi i drejtimit, paska qenë në administratë që në kohën e PD-së. Pra, kur asht nevoja këto dy parti (dy anët e nji flete) dinë me i mbyllë dy sytë. Produktin administrativ e qeverisës të dy partitë në fjalë e kanë ba së bashku. Pse? – Për nji arsye shumë të thjeshtë: të dyja kanë dalë nga gjiri i PPSH. Ma saktë prej mangëve të Ramiz Alisë. Tash 30 kokrra vjetësh, Shqipnia po luen skenarin që la ish-Presidenti komunist. Nji tekst konciz, i qartë, pa fjali që me iu ngatërrue n’gojë aktorëve. Kudo janë e do të jenë TANËT edhe pse pluralizmi apo partitë e reja do të krijohen—shprehej [perifrazim] Alia.

E me sa takat asht tue u përpjekë me u ba zotni Basha Hamlet thoni ju? – Vrehet ma… tue i dalë shpirti pa asnji bulë djerse në ballë. Dilemën hamletiane “të rrosh a të mos rrosh”, s’po tham “me qenë apo mos me qenë”, se paskajorja gege i fishkullon si karroca me kuzhineta, Basha pret me e deklamue me afsh të nji aktori stanistlavian, kur i ndihet kantilena qysh prej Selisë së PD-së e deri në Gjirin e Lalzit (ku gjoja bajnë pushime pa harxh). Sufleri, se gjithë ai tekst sigurisht, asht zotni Berisha. E mos u çuditni kur vetë Basha ka me përdorë në monolog togjet “ue”:

« Të rrosh a të mos rrosh – kjo është çështja;
M’e lart’ është vallë të durosh
Hobe, shigjeta fati të tërbuer
A të përballsh një det të turbull helmesh
Me arm’ e funt t’u japsh. Të vdeç – të flesh–
Jo më! – dhe me një gjumë të mbarosh
Çdo zemërdhembje, mijëra tronditje,
Që trupi prej natyrës trashëgon.
Ja një qëllim që duhet dëshëruer
Me gjithë shpirt. Të vdeç – të flesh; të flesh? »

Skena dihet: Teatri Kombëtar, nëse kanë me iu gjetë kund themelet, nën dritën e prozhektorëve ngjyrë mavi, se atë kalk kanë përdorë punëtorët e ndriçimit. Ai ka qenë tenderi. Me ble vetëm nji ngjyrë elektorale, si ajo e partisë, e mos me iu ndî zani ma. Po Hamleti, asht njeri i thjeshtë i Elsinorit të rrenuem, dhe nuk “don” me ba shpenzime që u binë në kurriz taksapaguesve shqiptarë. Le të jetë mavia o mavri! Ç’të keqe ka? Randësi kanë fjalët e heroit. Monologu duhet të jetë në cilësinë e duhun. Për këtë janë ngarkue të gjitha strukturat e PD-së, qysh prej anëtarit njiditësh e deri tek ma i moçmi. Lang qepe me ba gargare, që me e pasë girgilacin (rrylin e fytit) në formë. Po a ka me e thanë atë monolog të shumëpritun Basha nuk dihet.

Hëpërhë, Kryeministri ka me dalë me sitë në dorë. Eh, ndihma e Zotit çka ka me përimtue ai farë burri… Ka me dalë buka tri okësh, lum zotnia, aq sa me u ngî shtatë barqe, që mos me pasë gojë njerit çka me diftue. Nji e sitën këta miqtë e hershëm të PD-së, që të vetëve ia dinë edhe numrin e kambës e jo ma rekorded penale. E për këtë Rama, i asht falenderues se ia ka hapë sytë për nji reformë të re. Mos u shqetësoni edhe këtë keni me e pá në ERTV—kajmaku i medias shqipfolëse.

Po sa të ikë vapa me gushtin e gjinkalla mos me plasë ma në pemë, ikin edhe shumë gjana tjera dhe kalojmë në çeshtje të mbetuna pezull. Tetori i kuq, i datës së dekretueme nga Presidenti për zgjedhje të përgjithshmë. Shkodra, ekuacioni i pazgjidhshëm për politikën, si gjithmonë. Zoja Ademi që si Oso Baroti po don me e mbrojtë kullën e vet. Njado gjind që i vêhen përmbrapa tue këlthitë e çaraveshë, përkrah ironisë qytetare dhe njerëzve të urtë që s’u ka hupë ende fara. Po Basha asht njimend në pikë të hallit, se “për Valdrinin s’po m’vjen vshtirë – t’ki’n kênë dy edhe fort ma mirë”. Drue se s’po i rrin llaku kresë a qepa ka hormone e ia prishë tejzat. Verdh si dylli: “dyll Turkie qysh në kohën e Zogollit – i cili nuk ndezë as natën e Shën Kollit”.   

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.