Jo të gjitha shtetet arritën të përballen njëjtë më pandeminë Covid-19. Disa ishin më efektive, duke e mbajtur numrin e të infektuarve dhe të vdekurve në nivele të ulëta. Të tjerat, për fat të keq, nuk ishin edhe aq të suksesshme. Në këtë drejtim, pas analizimit të situatës, studiues të ndryshëm konkluduan se menaxhimi adekuat, ose jo, i pandemisë nga ana e shteteve, varet kryekëput nga sistemi politik që ato kanë. Disa të tjerë vendosen theksin tek lidershipi politik i vendeve. Madje, kishte të tillë që supozonin se gjinia ka luajtur rol jetik në aftësitë menaxhuese: shtetet që kanë udhëheqëse politike gra, kanë përformuar më mirë. Mirëpo, ne ende nuk kemi të dhëna të sakta dhe matje shkencore që të mund të nxjerrim përfundime të qëndrueshme për asnjërën nga këto pandehma. Por, të gjitha këto supozime, dhe shumë të tjera, ndikojnë në atë që, në studimet e marrëdhënieve ndërkombëtare, njihet si fuqi e butë.
Ishte autori Joseph Nye i cili konceptin e fuqisë së butë e shtjelloj duke e bërë atë operacional. Sipas tij, thënë përmbledhtas, fuqia e butë përfshinë kulturën, vlerat dhe mënyrat e ndryshme që vendet përdorin për të shtrirë ndikimin e tyre dhe krijimin e një imazhi të caktuar. Në politikë, sidomos në atë ndërkombëtare, reputacioni ka çdo herë rendësi. Bashkë me burimet e “forta” të fuqisë së shteteve (si: ushtria, popullsia, zhvillimi ekonomit etj.), kredibiliteti konsiderohet ndër burimet jetike të fuqisë. Andaj, kur cenohet reputacioni dhe kredibiliteti i shtetit, kjo nënkupton se edhe aftësia e tij për të shtrirë ndikimin është dobësuar. Duket se menaxhimi i dobët i pandemisë ka korrelacion me kapacitetin e shteteve për të projektuar fuqinë e butë në nivelin ndërkombëtar. Së këndejmi, mënyra se si ShBA-ja e ka menaxhuar krizën e pandemisë Covid-19, ka cenuar dukshëm reputacionin e saj dhe zbehur kapacitetet e fuqisë së butë.
Përkundër vështirësive, koncepti i fuqisë së butë mund të matet përmes dy dimensioneve kryesore: kapacitetit dhe qëllimit. Sa i përket dimensionit të kapacitetit, sidomos në fillim të pandemisë, ShBA-të nuk dëshmuan të jenë të përgatitura si duhet për t’u përballur me këtë sëmundje, duke shfaqur kështu probleme në sistemin e tyre shëndetësor dhe ofrimin e shërbimeve adekuate. Këto vështirësi, ndër të tjera, lidheshin edhe me mungesat në furnizime me mjete jetike për të parandaluar apo trajtuar infektimin, siç janë maskat apo ventilatorët. Në anën tjetër, evident ishte edhe mungesa e vullnetit politik e ShBA-së për të ofruar mbështetje dhe ekspertizë për shtetet mike e aleate dhe mosinteresimi, për të marrë rol udhëheqës dhe koordinues në përballje me pandeminë.
Në ndërkohë, Kina, shteti që u përball i pari me Covid-19, pas lehtësimit të situatës dhe këndelljes relative, filloj të përdor ofrimin e ndihmës dhe ekspertizës për shtete tjera të botës si mekanizëm të fuqisë së butë. Kjo qasje, që njihet si “diplomacia e maskave” apo “Covid diplomaci”, në disa shtete kishte sukses. Kur kontingjenti i parë i ndihmës me material mjekësor arriti në Beograd, Presidenti Serb Vucic e priti delegacionin duke e puthur flamurin Kinez. Zyrtarët në Hungari minimizuan ndihmën e pranuar nga Bashkimi Evropian, duke thurur lavde për mbështetjen e marrë nga Kina. Kurse, Presidenti i Republikës Çeke kishte deklaruar se Kina ishte shteti i vetëm që i’u qëndroj afër gjatë shpërthimit të virusit. Kjo qasje e sofistikuar u përdor nga Kina për të përmirësuar imazhin e saj, pas akuzave brutale të bëra nga shumë vende për keq-menaxhim të situatës, mos-ndarjes së informacionit të nevojshëm rreth virusit me kohë dhe vënies në lajthitje të Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSh-së), duke mos u dhënë informatat të sakta dhe azhure. Andaj, në këtë rast, u përdor fuqia e butë për të rritur reputacionin e vendit, duke transmetuar mesazhin se sistemi politik Kinez jo vetëm që arriti të përballej suksesshëm me pandeminë, por po luan rol krucial, si lider global, duke ofruar mbështetje dhe ndihma për shtetet në nevojë. Kjo strategji, si duket, ishte rezultative. Në një studim të realizuar nga Universiteti Johns Hopkins, 95% të respondentëve vlerësuan se Kina ishte treguar e suksesshme në menaxhimin e pandemisë. Në rastin e ShBA-së, njëjtë mendonin vetëm 53% e të anketuarve.
Sa i përket qëllimit, si një ndër dimensionet e fuqisë së butë, ShBA-të, deri më tani, nuk kanë treguar ndonjë interes të theksuar që të marrin rol udhëheqës, në nivel global, për të harmonizuar interesat e shteteve dhe, në të njëjtën kohë, të krijojnë një qëndrim të përbashkët, që do të përkthehej në plan veprimi konkret, në përballje më pandeminë. Në fakt, sfida globale e pandemisë mund të vlerësohet si momenti i parë në histori, pas Luftës së Dytë Botërore, ku ShBA-të nuk kanë rol prijës dhe vendimtar. Gjatë kësaj periudhe, Administrata Trump më shumë ishte interesuar të akuzonte Kinën për keq-menaxhimin e situatës, sesa të koordinonte një përgjigje të harmonizuar ndërkombëtare. Kjo mungesë evidente e vullnetit të kësaj administrate, shpërfaqet edhe tek insistimi kokëfortë i Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, në takimin e G7-tës të mbajtur në mars, se virusi Covid-19 të quhet “virusi i Vuhanit”, në vend që ky insistim të përdorej për të harmonizuar qëndrimet e interesat dhe, së paku, të 7 shtetet të dalin me një deklaratë të përbashkët për çështjen.
Abdikimi për të marrë udhëheqjen në menaxhimin e pandemisë dhe, çfarë është po ashtu jetike, për të projektuar zgjidhje optimale për krizën ekonomike që ka goditur globin, e ka minuar fuqinë e butë amerikane gjithandej. Duke qenë shteti me numrin më të lartë në botë të të infektuarve dhe vdekurve, ka bërë që kapaciteti ShBA-së për të gjetur zgjidhje optimale për problemet e vetë amerikanëve të shihet me sy skeptik nga pjesa tjetër e botës. Kjo ka shpërfaqur edhe problemet e sistemit të tyre politik, duke vënë në pikëpyetje efikasitetin e modelit federalist dhe (pa)aftësinë për t’u përballur me pandeminë. Fuqia e butë e një shteti dhe kapaciteti për t’a projektuar atë globalisht, varet nga funksionimi i duhur i sistemit politik. Pa një qeverisje të mirë dhe funksionale në nivel nacional, fuqia e butë është thjeshtë një flluskë sapuni. Në anën tjetër, pa përgjegjësi dhe vullnet për veprim konkret ndërkombëtar të shtetit, fuqia e butë është e pa vlerë dhe nuk prodhon efekt për forcimin e pozicionit të shtetit në sistemin ndërkombëtar.
Në fakt, është me rendësi të theksohet, Administrata Trump nuk është se i ka kushtuar rendësi të madhe diplomacisë publike që nga fillimi i marrjes së mandatit. Konsolidimi i diplomacisë multilaterale apo edhe marrja e lidershipit në çështje të rëndësishme ndërkombëtare nuk ka qenë karakteristikë e politikës së jashtme të kësaj administrate. Madje, në të shumtën e rasteve, ka ndodhur pikërisht e kundërta. Mosinteresimi në fuqinë e butë, si një faktor i rëndësishëm i diplomacisë publike, është identifikuar edhe nga platforma e specializuar “Portland”, respektivisht përmes indeksit Soft Power 30, ku identifikohet një rënie signifikante e fuqisë së butë amerikane, që nga ardhja në pushtet e presidentit Trump. Në shumicën e kohës Trump e ka vënë theksin në elemente të fuqisë së fortë, siç janë instrumentet ekonomike apo edhe ato ushtarake. Por, siç e thekson Henry Kissinger, rendi ndërkombëtar nuk varet vetëm nga balancimi i fuqisë së fortë, por edhe nga perceptimi i legjitimitetit, i cili varet kryekëput nga fuqia e butë.
Në një konferencë me gazetarë, i pyetur për rolin e tij në mundësinë për të mbështetur vendet më të goditura nga virusi, Trump deklaroj se: “unë jam President i ShBA-së…jo president i vendeve tjera”. Qasja e tillë vetë-centrike, “Amerika e para”, e nënvlerëson rolin udhëheqës dhe rëndësinë jetike që kanë ShBA-të në sistemin dhe shoqërinë ndërkombëtare, veçanërisht në përballje me kriza. Menaxhimi i rrëmujshëm që i kanë bërë goditjes nga virusi Covid-19, qasja improvizuese e “politikës së papara-shikueshmërisë” së Presidentit Trump dhe abstenimi për të pasur rol udhëheqës në çështje globale, e ka zvetënuar fuqinë e butë të ShBA-së duke e nxjerrë Amerikën të parën. Por, për fat të keq, kësaj radhe të parën për nga numri i të vdekurve dhe të infektuarve me virusin Covid-19.