Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Vota nga jashtë, politika dhe mërgata

Pas konstituimit të qeverisë së re, në Kuvendin e Kosovës pat një orvatje për të kaluar amandamentet e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme. Këto amandamente duket se mëtojnë t’ia lehtësojnë mërgatës votimin nëpërmjet konsullatave dhe ambasadave, gjë që nuk mundësohet për momentin. Pas një tensionimi raportesh qeveri-opozitë, u mor vesh që këto amandamente të shqyrtohen pas një konsultimi gjithëpërfshirës të spektrit politik dhe akterëve të tjerë hisedarë. Por çka nënkupton të votosh nga jashtë? A është e drejtë universale, dhe në ç’masë zbatohet ajo? Cilat janë kalkulimet politike, ideologjike, financiare, logjistike etj., si dhe kostot gjithashtu, që i paraprijnë dhe e kushtëzojnë votën nga jashtë?

E drejta për të votuar përshkon kufij shtetëror

Qysh në fillim duhet kujtuar se vota është e drejtë fundamentale njerëzore dhe politike. Kjo mbetet e drejtë e njëjtë dhe e patjetërsuar si kur qytetari është brenda shtetit të vet, si jashtë tij. Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike e OKB-së (1966) nënvizon të drejtën “për të votuar dhe për t’u votuar” në zgjedhje, “pa kufizime të paarsyeshme”. Tutje, Neni 41 i Konventës Ndërkombëtare mbi Mbrojtjen e të Drejtave të të Gjithë Punëtorëve Migrantë dhe Anëtarëve të Familjeve të tyre (OKB 1990), nënvizon se migrantët dhe familjet e tyre kanë të drejtë “të marrin pjesë në punët publike të shtetit të origjinës, të votojnë dhe të votohen (…)”, dhe se shteti duhet të lehtësojë “praktikimin e këtyre të drejtave”.

Debati i kahmotshëm mbi ushtrimin e të drejtës për të votuar nga jashtë shtrihet përgjatë dy ekstremesh. Në njërin ekstrem janë ata zëra që për arsye kryesisht politike mohojnë të drejtën e votimit nga jashtë. Në ekstremin tjetër janë ata që këmbëngulin se votimi nga jashtë duhet të jetë i garantuar dhe absolut, pra pa kushte, rezervime apo kualifikime. Vendet kryesisht autoritare, më të mbyllura apo sistematikisht më të çorganizuara bëjnë pjesë në grupin e mohuesve, ndërsa në përgjithësi në vendet demokratike apo gjysmëdemokratike lejohet votimi nga jashtë. Në këtë kategorinë e fundit, megjithatë,ekziston një spektër i gjerë i asaj se ç’formë e votimit lejohet, si dhe kur lejohet, dhe kjo varet shumë nga rasti e konteksti.

– Nënshtetësia, rezidenca, dhe kohëzgjatja e qëndrimit jashtë: natyrisht, nënshtetësia është një kusht bazë që ia garanton një qytetareje nga jashtë të drejtën e votës. Mirëpo, për një numër shtetesh kërkohet edhe dëshmia e njëfarëlloj rezidence apo lidhjeje shtesë me vendin e origjinës. Shteti mund të konsiderojë se nëse një qytetar nuk ka dëshmi rezidence në vendin e origjinës që ndërlidhen me një periudhë kohore, atëherë ai qytetar humbë të drejtën për të votuar. Me fjalë të tjera, mund të konsiderohet që një qytetare që ka pesë vite qëndrim jashtë shtetit ka ende lidhje të forta me atë shtet dhe rrjedhimisht mund të votojë, por gjasat janë që një bashkështetas i saj me qëndrim njëzetvjeçar jashtë shtetit nuk gëzon të njëjtat lidhje me shtetin e origjinës, dhe rrjedhimisht e humbë të drejtën për të votuar. P.sh. në Britani qytetari humbë të drejtën për të votuar nëse pas pesëmbëdhjetë vitesh nuk është më i regjistruar, gjë që ndërlidhet me rezidencën e tij në atë shtet.

– Tatim, pastaj përfaqësim: disa shtete praktikojnë atë që quhet “s’ka përfaqësim pa tatim” (no representation without taxation). Pra, e drejta për të votuar kushtëzohet me atë se a paguan personi në fjalë ndonjë lloj tatimi në vendin e origjinës apo jo. Këtu mund të hyjë tatimi nga rroga, por edhe tatimi i pronës, etj. Pra, me këtë rast, e drejta e votës balancohet me një përgjegjësi qytetare për të kontribuuar financiarisht në shtetin e origjinës, anipse nuk jeton atje. Irlanda është një shembull që praktikon këtë parim si kusht për ushtrim të votës nga jashtë.

– Kuota: përderisa qytetarët e mërgatës mund të ushtrojnë të drejtën për të votuar, vota e tyre mund të jetë e barasvlefshme me një numër të kufizuar ulësesh në parlamentin e vendit të origjinës. Prezantimi i kuotave bëhet në raste kur shteti mendon të ruajë një balancë të ndjeshme përfaqësimi në parlament: në një anë, mërgatës i mundësohet që të votojë nga jashtë, por në anën tjetër mundohen t’i shmangen një situate ku përbërja e parlamentit diktohet në masë të madhe nga njerëz që faktikisht nuk jetojnë në vend të origjinës. Kjo sidomos në raste kur mërgata është e shumtë në numër, ndoshta edhe më e numërt se banorët që jetojnë në vend të origjinës. Mund të konsiderohet po ashtu se qytetarët e mërgatës janë më pak hisedarë të jetës së përditshme politike në vend, dhe rrjedhimisht duhet gjetur një formulë që përfaqëson ata, por edhe që limiton fuqinë e tyre përfaqësuese. Kroacia, për shembull, ka një formulë të tillë: në parlamentin kroat 151-anëtarësh, distrikti zgjedhor 11 i qytetarëve kroatë që jetojnë jashtë vendit përfaqësohet momentalisht me tre deputetë.

– Lloji i zgjedhjeve: trendi kryesisht shkon drejt ushtrimit të së drejtës për të votuar në zgjedhje të përgjithshme (presidenciale apo parlamentare), ndërsa është konsiderueshëm më i ulët në ato provinciale apo komunale. Kjo për faktin se çështjet politike në nivel provincinal apo komunal ndikojnë më drejtpëdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve që jetojnë në atë vend në krahasim me atë që jeton jashtë (zgjedhjet nacionale janë të një rëndësie më të përgjithshme, si për qytetarë brenda ashtu dhe jashtë shtetit, sipas kësaj logjike). Sipas International IDEA, përderisa në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale deri sot është votuar në 124 vende dhe 89 vende respektivisht, në zgjedhje provinciale dhe komunale bashkë është votuar në 24 vende.

– Mënyra e votimit: përkundër promovimit të votimit digjital dhe i-votimit (votimit online, apo nëpëmjet internetit), kjo mënyrë votimi vazhdon të mbetet pak e përdorur (13 vende). Janë shumë aspekte sigurie e teknologjie që e vështirësojnë një votim të tillë. Në shumicën e rasteve të votimit nga jashtë, një gjë e tillë bëhet personalisht (109 vende) apo me postë (52 vende). Në 21 vende është praktikuar votimi i deleguar (proxy voting).

Pra, në parim, e drejta për të votuar nga jashtë është, apo do të duhej të ishte, e padiskutueshme dhe e panegociueshme, por në praktikë zbatimi i kësaj të drejte i lihet shteteve, të cilat për arsye politike, historike, ideologjike, apo thjesht praktike dhe financiare, mund ta ngarkojnë atë të drejtë me kushte të ndryshme, varësisht nga konteksti. Shpesh këto kushte janë racionale dhe legjitime, e jo rrallë edhe rezultat i kalkulimeve dhe taktizimeve partiake në shtetin e origjinës. Se nuk duhet harruar, mërgata është karrem i lehtë për t’u manipuluar e instrumentalizuar. Tema mbi mërgatën është vetvetiu e ndjeshme, dhe është lehtë për një politikan që të ndezë emocione atdhedashurie kur në fakt çka mund të kërkohet është vota e tyre për qëllime përfimimi meskin në vendin e origjinës. Bosnja e pasluftës ishte një shembull i tillë: qeveri të njëpasnjëshme kanë shfryrëzuar komunitetet respektive (boshnjake, serbe apo kroate) të mërgatës për të rritur numrat e deputetëve të tyre në Sarajevë. Relacioni i shtetit turk me mërgatën e saj në vende si Gjermania është i ngjashëm, deri në atë masë sa që kjo paraqet pengesë për integrimin e komunitetit turk në shtetin ku ata jetojnë, pra Gjermaninë.

Kosova dhe votimi nga jashtë

Sipas International IDEA, sot 73% e vendeve në botë lejojnë një formë të votimit nga jashtë apo tjetër, që paraqet një rritje prej 16% nga viti 2007. Në 27% të vendeve që nuk kanë mekanizëm për votim nga jashtë është edhe Shqipëria (vrimë e vetme e errët në Evropë), e cila ende nuk është dakorduar për kornizën ligjore që do të akomodonte të drejtën e bashkatdhetarëve shqiptarë nëpër botë për të votuar nga jashtë. Siç e dimë, Kosova ka kohë që e ka ligjin që u mundëson qytetarëve të saj votimin nga jashtë, por, siç u pa edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit, problemi qëndron te mundësitë e kufizuara të ushtrimit të kësaj vote. Kjo na sjellë të dy pyetje bazë dhe në dukje naive, por besoj të rëndësishme për t’u shtjelluar.

A duhet votuar nga jashtë?

U fol më lart për kontekstet specifike të shteteve që diktojnë kornizën ligjore të votimit nga jashtë. Këtu hyn edhe raporti i shtetit me mërgatën e saj, historiku, emocionet, lidhjet familjare etj. Në rastin e Kosovës, mërgata e saj është ndërtuar mbi dhimbjet, pikëllimin, humbjen etj., që kanë qenë të shkaktuara nga rrethana të rënda ekonomike, pasuar me persekutim politik, dëbim, luftë e shfarosje. Pastaj, siç dihet, mërgata shqiptare e Kosovës ka pasur rol ekzistencialist, jo vetëm në mbajtjen gjallë të familjeve në vendin e origjinës, por edhe në përkrahjen vendimtare financiare si për sistemin paralel ashtu dhe për luftën çlirimtare. Për më tepër, mërgata e Kosovës sot e kësaj dite vazhdon të ketë një afërsi mjaft të veçantë dhe madje prekëse me vendin e origjinës. Trendi vazhdon të jetë pak a shumë i njëjtë: edhe pas 20-30 vitesh me “qëndrim të përkohshëm jashtë vendit” (term i çuditshëm ky, i mbetur nga koha e ”gastarbajterëve”) një numër i madh familjesh pushimet i bëjnë në Kosovë. Lidhjet familjare vazhdojnë të jenë të forta, dhe remitencat gjithashtu janë shumë të larta.

Pra, kemi një mërgatë që është aktivisht e kyçur në jetën politike, sociale, kulturore të vendit, anipse nga distanca. Rjedhimisht, mërgata duhet të votojë nga jashtë, jo vetëm sepse kjo është e drejtë bazike e njeriut, por edhe sepse kjo mërgatë specifike e këtij vendi specifik e meriton këtë.

Si dhe sa duhet votuar nga jashtë?

Kjo na sjellë te pyetjet paksa më të ndejshme: si të votohet dhe sa nga mërgata duhet të votojnë? Politikanët mund edhe t’i shmangen këtyre pyetjeve, nga frika se do të ndjellin kritika të padëshiruara në adresë të tyre, por, të paktën si reflektim, këto pyetje është mirë të bëhen e të shoshiten.

Së pari, si të votohet? Amandamentet e fundit të ligjit për zgjedhje parashikojnë mundësinë e votimit personal apo me postë nëpër ambasadat dhe konsullatat e Kosovës anekënd botës. Parashikohet ngritja e kapaciteteve me anë të trajnimit të stafit të ambasadave dhe konsullatave. Gjithashtu, ato do të pajisen me material votues, si dhe duhet të jenë të hapura për vëzhgues të partive politike gjatë procesit zgjedhor.

Votimi personal apo me postë nëpër ambasada dhe konsullata është gjithsesi hap i duhur para për votim nga jashtë, por duhet të ketë kujdes të veçantë sa i përket kostos së lartë financiare e operacionale që shkaktojnë këto ndryshime. Ambasadat e konsullatat tona mund të kenë secila mesatarisht 6-7 anëtarë stafi gjithsej (nga ambasadorja e te vozitësi). Të pritet nga ta që të jenë jo veç të trajnuar në çështje mjaft sensitive të procesit zgjedhor por edhe të akomodojnë fluksin eventual masiv të njerëzve në adresë të tyre, mund të jetë e tepërt. Imagjinoni nëse 500 apo 1000 vetë papritmas renditen para një ambasade për të votuar. Çfarë kapaciteti ka ambasada të absorbojë atë fluks brenda dite? Shtete si Suedia apo Norvegjia të cilat praktikojnë votimin personal nëpër ambasada e konsullata raportojnë që stafi shpesh ankohet për barrën e rëndë të punës rreth zgjedhjeve.

Përveç kësaj, në raste të tilla (të votimit personal), praktikohet nënshkrimi i marrëveshjeve diplomatike me vendet nikoqire (”host country agreements”). Nëpërmjet këtyre marrëveshjeve ambasadat dhe konsullatat sigurohen që shteti nikoqir të njoftohet për votimin në datën e caktuar, dhe të ndërmarrë masa adekuate të sigurisë atë ditë. Në anën tjetër, votimi me postë do të ishte më i lehtë. Stafi i atyshëm do t’i mblidhte zarfet e dërguara nëpër ambasada dhe konsullata dhe do t’i niste në një pako për në Kosovë.

Dhe në fund, sa nga mërgata duhet të votojnë? Me fjalë të tjera, në teori a duhet të vazhdojnë ta gëzojnë këtë të drejtë të gjithë qytetarët që jetojnë jashtë, apo ka nevojë për ndonjë kualifikim këtu? Kjo është pyetja më e ndjeshme që mund të bëhet, dhe është pyetje së cilës zakonisht politikanët i ikin si zjarrit. Askush nuk dëshiron të njolloset si personi që ua mori një pjese të mërgatës të drejtën për të votuar. E kuptueshme kjo nga prizmi i interesit politik personal.

Por është edhe më e padrejtë që të kalojnë vite të tëra ndërsa reforma zgjedhore të ngecë në vend sepse kjo reformë nuk iu ka konvenuar partive të caktuara në pushtet. Po ashtu, është e padrejtë që një reformë e tillë të bëhet pa debat shterrues vetëm se mund t’i përshtatet interesave imediate të pushtetit të tanishëm. Siç thashë më lart, është lehtë që në emër të ndihmës ta instrumentalizojmë mërgatën për qëllime vetanake politike. Për këtë arsye është fundamentale që reformat të kalojnë, por të kalojnë pas një debati konstruktiv, shterrues dhe gjithëpërfshirës, në një atmosferë të konsensusit të gjerë.

Brenda këtij debati duhet diskutuar edhe kushtet eventuale për votimin nga jashtë.  A duhet shikuar kohëzgjatja e qëndrimit jashtë Kosove si determinuese për votim nga jashtë apo jo? A duhet votuesja të ketë lidhje financiare të ndonjë natyre më vendin e origjinës, pra Kosovën? A duhet të ketë kuota për përfaqësimin e mërgatës në Kuvend të Kosovës, dhe çfarë peshe përfaqësuese duhet të këtë vota e mërgatës karshi asaj nga brenda vendit? Pra, këto pyetje duhet bërë dhe debati duhet shterruar. Dhe në fund, prapë mund të vendoset që nuk dëshirojmë asnjë kusht për mërgatë. Kjo edhe mund të jetë në rregull përderisa reforma të jetë arritur me konsensus të gjerë, interes shtetëror dhe sa më pak kalkulime imediate nga partitë politike.

Author

  • Armend Bekaj

    Armend Bekaj është Ligjërues në Departamentin për Kërkime të Paqes dhe Konfliktit në Universitetin e Uppsala-s, Suedi. Ka punuar për një sërë organizatash ndërkombëtare, përfshirë International IDEA në Suedi. Ka të kryer doktoratën në shkenca politike në Universitetin e Sheffield, Britani të Madhe.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.