Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Zëra të pa dëgjuar

Rrëfime të burrave mbi tejkalimin e traumës së dhunës seksuale në luftë

lustrimet nga: Artan Balaj

Libri “Zëra të pa dëgjuar: Rrëfime të burrave mbi tejkalimin e traumës së dhunës seksuale në luftë” synon të thyej ciklin e stigmës dhe turpit përmes shpërfaqjes së rrëfimeve të 10 burrave të mbijetuar të dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë.

Dhuna seksuale në luftë nuk duhet kufizuar me të kuptuarit e saj si ‘përdorim i detyruar i trupit për përmbushje seksuale’. Po ashtu është e rëndësishme të kuptohen edhe mënyrat se si viktima, qoftë burrë apo grua, nënshtrohet ndaj agresorit. (Për)dhunimi e pohon fuqinë e sulmuesit dhe rrjedhimisht pafuqinë e gruas apo burrit që e jeton dhunën, gjersa efektet e aktit të (për)dhunimit shtrihen përtej individit dhe synohen komunitetet e gjera.

Përmes ushtrimit të pushtetit të (për)dhunimit, synohet jo vetëm demonstrimi i fuqisë së një grupi etnik mbi një grup tjetër, por edhe demonstrimi i pafuqisë dhe paaftësisë së burrave për t’i mbrojtur gratë, fëmijët, pleqtë dhe veten e tyre. Dhuna seksuale në luftë, me fjalë të tjera, prodhon marrëdhënie pabarazie midis burrave: atyre që përmes dhunës shfaqin pushtetin e tyre fizik dhe politik; dhe burrave për të cilët akti i (për)dhunimit simbolikisht përfaqëson kastrimin si ndëshkim ndaj pafuqisë dhe cenueshmërisë së tyre. Pra, (për)dhunimi bëhet sinonim i dominimit të një grupi shoqëror mbi një grup tjetër, ku ndjenja e pafuqisë dhe cenueshmërisë shtrihet në tërë shoqërinë.

Aspektet e dhunës gjinore apo (për)dhunimeve në kohë lufte kanë marrë vëmendje përmes reagimeve të nxitura nga luftërat në ish-Jugosllavi. Rëndësia dhe nevoja e adresimit të krimeve në këto luftëra nxiti interesim të madh ndërkombëtar, duke qenë se ato po ndodhnin brenda rajonit gjeostrategjik të Evropës. Në trajtimin e rasteve të ngritura për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi, abuzimin seksual dhe (për)dhunimin e grave, burrave dhe fëmijëve, për herë të parë, e klasifikoi si krim lufte. Kjo gjykatë ka pretenduar dhe ka marrë vendime për (për)dhunime të mijëra grave, burrave dhe djemve, si dhe raste të shumta të lindjeve si pasojë e (për)dhunimit. Dhuna më bazë në gjini dhe (për)dhunimi në luftë përbën një nga karakteristikat përcaktuese të luftërave në ish-Jugosllavi dhe armën par-excelance të spastrimit etnik.

Në ish-Jugosllavi, sidomos në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, politikat e dhunshme gjatë viteve ‘90 u përhapën në shumë fronte, duke përfshirë edhe trupat dhe seksin – si mjet për të nxitur terror, për të shkatërruar strukturën familjare, për të realizuar planin e spastrimit, për poshtërim, për humbjen e agjencisë, dhe për de-legjitimimin e trupit dhe subjektivitetit. Krimi i (për)dhunimit përgjithësisht kishte për cak gratë, por nuk i shpërfilli burrat, pleqtë dhe fëmijët.

Në luftën në Kosovë, (për)dhunimi i burrave ishte praktikë e përhapur dhe strategji e zbatuar nga forcat policore dhe paramilitare serbe, dhe nga ushtria jugosllave. Numri i burrave të përdhunuar nuk është hetuar katërçipërisht, por të dhënat e siguruara nga organizata të cilat ofrojnë shërbime rehabilitimi dhe fuqizimi pohojnë që burrat, duke përfshirë edhe fëmijët e të miturit, ishin cak të drejtpërdrejtë të (për)dhunimit.

Image

Për më shumë se dy dekada, burrat e mbijetuar të (për)dhunimit (u) heshtën si rrjedhojë e turpit, stigmës, paragjykimit dhe normave tradicionale mbi rolet gjinore. Heshtja dhe ‘harresa’ u bënë parametra të reziliencës dhe rutinave të ekzistencës. Krimet e (për)dhunimit të burrave mbeten të panjohura, të pa shqyrtuara dhe jashtë margjinave të narrativit kolektiv dhe kontekstit bashkëkohor historik. Shoqëria i stigmatizoi të mbijetuarit, duke i privuar nga e drejta për qasje në mbështetje emocionale, shoqërore, ekonomike dhe politike. Krahas kësaj, të mbijetuarit u përballën edhe me atë që në teori njihet si ‘vdekje sociale’ – që manifestohet përmes humbjes apo zhvleftësimit të identitetit, të marrëdhënieve dhe të vitalitetit shoqëror. Ky model i sjelljes shpërfilli praninë dhe ekzistencën e këtyre subjekteve dhe kategorive të luftës brenda grupit të gjerë shoqëror, që shpërfaqet në komunikimin publik (verbal dhe jo-verbal) përjashtues, stigmatizues dhe diskriminues.

Stigmatizimi i të mbijetuarve të dhunës seksuale në luftë nxitet nga kuptimet gjinore të identitetit, nga normat, traditat, besimet, dhe paragjykimet. Stigmatizimi në kontekst të dhunës seksuale në luftë ndryshe mund të kuptohet edhe si formë e ndëshkimit shoqëror për manifestim joadekuat të rolit dhe veprimit gjinor. Në këtë mënyrë, hierarkitë e pushteteve gjinore vihen në sprovë gjersa formësohet kuptimi shoqëror mbi atë se si strukturat gjinore luajnë rol kyç në prodhimin e stigmatizimit.

*

Intervistat e përfshira në këtë vëllim janë realizuar nga ekspertë terapeutik të angazhuar në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, përmes metodës kërkimore të historisë gojore dhe janë regjistruar me zë, me pëlqim të shkruar të të intervistuarve. Secila intervistë ka zgjatur nga 1 deri në 2 orë, dhe brenda kësaj kohe është shqyrtuar një shkallë e gjerë e përvojave personale duke përfshirë; historinë dhe strukturën familjare, fëmijërinë, edukimin, realizimin profesional, luftën dhe traumën, reziliencën, jetën personale, jetën pas luftës, etj. Intervistat janë transkriptuar dhe redaktuar, dhe para secilit rrëfim, është përpiluar titulli dhe një tekst i shkurtër përshkrues. Organizimi i intervistave është bërë në formatin e tregimeve jetësore, duke eliminuar pyetjet, nën-pyetjet, plotësimet, pohimet dhe bashkëbisedimet jashtë kontekstit. Përmbajtja e rrëfimeve në këtë vëllim është autentike dhe shpaloset e sistemuar në strukturë koherente, me autenticitet dhe natyrë dialektore të gjuhës së rrëfimtarisë.

Kjo qasje ndihmon në krijimin e hapësirave që historitë e heshtura dhe të panjohura për publikun të gjejnë vend në diskutimet publike për luftën. Po ashtu, historia gojore, në kontekst të punës me të mbijetuarit e dhunës seksuale në luftë, ofron mundësinë që rrëfimet e vështira mbi dhunën dhe përdhunimin të dëgjohen me nuancë delikate.

Nga ajo çfarë mund të kuptohet nga rrëfimet e tyre, përparësitë që nënvizohen në raport me atë se çfarë u ka ngjarë, përqendrohen në dokumentimin e të kaluarës dhe mos përsëritjen, njohjen si drejtësi dhe drejtësinë si njohje, njohjen nga ana e institucioneve dhe shoqërisë, dhe reparacionet si formë e njohjes dhe fuqizimit. Këto aspekte paraqesin potencialin se si shoqëria kosovare mund t’i përgjigjet ‘vdekjes sociale’ dhe keq-njohjes së përvojave të burrave të mbijetuar të (për)dhunimit në luftë për t’ua ‘lehtësuar’ dëmet e (për)dhunimit me kapacitet riparues dhe të ndjeshëm gjinor.

Premisa qendrore e këtij libri është në ndërtimin dhe përhapjen e narrativave mbi përvojat e burrave të (për)dhunuar në luftë, si mënyrë e zgjerimit të tregimit për luftën dhe kundërvënies ndaj rrëfimeve dominuese, të cilat, në masë të madhe, në qendër vendosin tregimet glorifikuese ushtarake, duke i nënvlerësuar përvojat civile. Në libër vëmendje i jepet po ashtu edhe elementeve që lidhen me agjencinë e trupit dhe të rrëfimit, dhe drejtësinë mbi krimet gjinore.

Ndonëse iniciativat e fundit institucionale (përmes verifikimit dhe kompensimit) kanë kontribuar në njohjen e burrave dhe djemve si ‘viktima’ të dhunës seksuale, dinamikat që rrethojnë krimet gjinore dhe realitetet e jetuara të të mbijetuarve mbeten tejet të panjohura. Andaj, libri vë në dukje heterogjenitetin dhe kompleksitetin e përvojave të jetuara, duke i vendosur në qendër realitetet e ndryshme të jetesës së burrave të mbijetuar dhe duke ofruar një perspektivë jashtë margjinave të komuniteteve rehabilituese.

Përmes përvojave të 10 burrave të mbijetuar të dhunës seksuale në luftë, libri përmbledhë zëra dhe perspektiva të padëgjuara në ligjërimin publik mbi luftën dhe të kaluarën, si mënyrë e lehtësimit të vënies së drejtësisë sociale dhe kuptimeve gjithëpërfshirëse gjinore, dhe për të ndihmuar zgjerimin dhe thellimin e kuptimeve të dinamikave gjinore në luftë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.