Prej vitit 2020, Miroslav Lajçak ka qenë Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe Çështje të Tjera të Ballkanit Perëndimor. Pas më shumë se katër viteve, gjatë së cilave ai u mor kryesisht me normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, mandati i tij do të përfundojë në fund të janarit të 2025-tës.
Për pasardhësin e mundshëm të Lajçakut kanë qarkulluar zëra prej korrikut të 2024-tës, kur Kaja Kallas u zgjodh Përfaqësuese e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri. Në Bruksel janë përmendur shumë emra, përfshirë ish-presidentin dhe kryeministrin e Sllovenisë, Borut Pahor; ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Finlandës, Pekka Haavisto, si dhe diplomatin danez Peter Sorensen.
Në fund, Pahori zgjodhi të mos aplikojë për këtë post dhe kësisoj ua liroi rrugën dy pretendentëve të tjerë, Haavistos dhe Sorensenit, me këtë të fundit që po duket se është favoriti kryesor.
Borut Pahor: pretendenti kryesor tërhiqet nga gara
Borut Pahor zyrtarisht ishte shprehur i interesuar për ta marrë postin e Lajçakut, edhe para se këtij të fundit, në korrik të 2024-tës, t’i zgjatej mandati edhe për gjashtë muaj. Ky njoftim ishte i befasishëm, pasi emërimi i parë i Lajçakut në vitin 2020 nuk ishte rezultat i procesit të hapur të aplikimeve, por më shumë ishte zgjedhje e mbështetur në rekomandimin e shteteve anëtare të BE-së.
Kësaj radhe, pozita ishte e hapur për aplikime nëpërmjet Shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm (EEAS).
Pahori është politikan me përvojë dhe ka njohuri të thella për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Afërsia gjeografike e Sllovenisë dhe historia e përbashkët si pjesë e ish-Jugosllavisë e rrisin edhe më shumë aftësinë e Pahorit për t’i trajtuar kompleksitetet politike dhe kulturore në dialog. Për më tepër, ai vjen nga një shtet që e ka njohur Kosovën, teksa mban marrëdhënie të mirë me Serbinë. Gjithashtu, ai flet serbishten – gjuhë zyrtare edhe në Serbi, edhe në Kosovë.
Megjithatë, përkundër kualifikimeve të tij, kandidimi i Pahorit ishte anashkaluar për tri arsye parësore. E para, gjatë mandatit të tij të fundit presidencial, marrëdhënia e tij me BE-në u përkeqësua ndjeshëm. Shpesh, Sllovenia u akuzua për shkelje të sundimit të ligjit dhe joliberalizëm, krahasuar me Poloninë dhe Hungarinë. E dyta, në vitin 2021, përfshirja e tij në “non-paper”, që avokonte për ndarjen paqësore të Bosnjë-Hercegovinës dhe rishikimin e kufijve mbi baza etnike në Ballkanin Perëndimor, nuk u prit mirë në BE. Dhe e treta, BE-ja duket se për pozitën e të dërguarit të posaçëm më shumë po preferon ta emërojë një diplomat, sesa një politikan.
Marrë parasysh këto sfida, Pahori vendosi të mos aplikonte për këtë pozitë, duke përmendur mosmarrëveshjet e tij me politikën e tanishme të zgjerimit të BE-së.
Pekka Haavisto and Peter Sorensen: dy pretendentët nordikë arrijnë në fazën finale
Teksa Pahori shpresonte për një ftesë nga Brukseli, EEAS-i po i konsideronte opsionet e tjera, konkretisht Pekka Haaviston, ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Finlandës, dhe Peter Sorensenin, diplomat karriere nga Danimarka.
Në pamje të parë, Haavisto dhe Sorenseni mund të mos duken të kualifikuar sa Pahori për këtë pozitë. Megjithatë, duket se BE-ja preferon një të dërguar neutral me autoritet të pakontestueshëm për të ndërmjetësuar në procesin e dialogut. Nëpërmjet kësaj qasjeje synohet mënjanimi i skenarit të ngjashëm me Lajçakun, i cili, në disa raste, kryesisht nga Kosova, ishte akuzuar për anshmëri në negociata.
Pekka Haavisto, politikan veteran, i cili ka shërbyer disa mandate në Parlamentin e Finlandës dhe ka mbajtur tri poste ministrore, përfshirë atë të ministrit të Punëve të Jashtme. Ai gjithashtu ka garuar tri herë për president të Finlandës, por në secilën garë ka përfunduar i dyti.
Marrë parasysh përfshirjen e mëparshme në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës të ish-presidentit të Finalandës, Martti Ahtisaari, nga viti 2005 deri në vitin 2008, Haavisto duket se është kandidat i fortë. Megjithatë, ai u konsiderua edhe për pozitën e Koordinatorit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme, gjë që mund të ketë ndikuar në vendimin e BE-së.
Haavisto, ngjashëm me Pahorin, është më shumë politikan sesa diplomat karriere, gjë që mund të ketë kontribuuar që BE-ja të mos e konsiderojë edhe më tej për këtë pozitë.
Në të kundërt, karriera e pasur diplomatike e Peter Sorensenit dhe mospërfshirja politike e kanë pozicionuar atë si pretendentin favorit në procesin e zgjedhjes. Sorenseni ka shërbyer në organizata të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian.
Për më shumë, afërsia me rajonin e Ballkanit Perëndimor e përforcon edhe më shumë kandidaturën e tij. Më parë, ai ka shërbyer si Përfaqësues i Posaçëm i Bashkimit Europian për Bosnjë-Hercegovinë dhe si Udhëheqës i Delegacionit të Bashkimit Europian në Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu, ai ka shërbyer si Këshilltar i Lartë i të Dërguarit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe Udhëheqës i UNMIK-ut në Prishtinë (2002-2006), si dhe Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Europian në Beograd (2009-2011).
Këto detyra, të kombinuara me njohjen e tij të thellë të Ballkanit Perëndimor, duket se e kanë ndikuar vendimin e BE-së për ta nominuar zyrtarisht Sorensenin për pozitën e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Europian. Nominimi i tij pritet të finalizohet deri në fund të janarit, varësisht prej pajtimit të të gjitha shteteve anëtare të BE-së.
Sorenseni duket se është favorit
Nëse konfirmohet emërimi i tij, Sorenseni do ta marrë detyrën e Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së në një moment kritik. Marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës mbesin në një pikë të ulët historike, me tensionet që vazhdojnë të mbesin aty. Për më shumë, Marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë për Normalizimin e Marrëdhënieve (Marrëveshja e Ohrit), e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, po hyn në përvjetorin e saj të dytë me progres minimal të arritur.
Në mes të një klime gjeopolitike të ashpër dhe tranzicionit te administrata e re e Trumpit, i dërguari i ardhshëm ballafaqohet me detyrën urgjente të trajtimit të raporteve thellësisht të tensionuara mes palëve të përfshira. Marrëveshja e Ohrit, pa veprime vendimtare, rrezikon të mbesë e parëndësishme, e kjo e bën detyrën e të dërguarit të posaçëm edhe urgjente, edhe komplekse.
I dërguari i ardhshëm do të duhet të balancojë diplomacinë e prerë me durimin strategjik, duke nxitur besimin midis palëve dhe duke zbutur presionet e jashtme. Suksesi në këtë mision do të varet shumë nga mbështetja e BE-së për ta rigjallëruar procesin e normalizimit dhe për ta kthyer në binarë dialogun.
Për pak ditë, BE-ja pritet ta shënojë fillimin e një etape të re, me formalizimin e emërimit të të dërguarit të saj për dialogun. Tani të gjithë sytë janë te Sorenseni, roli i të cilit do të jetë vendimtar në formësimin e drejtimit të dialogut Kosovë-Serbi dhe rezultateve të tij.