Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Zgjedhjet në Shqipëri: drejt partisë-shtet apo një shprese të re?

Më 14 maj në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet lokale në 61 bashki, ku morën pjesë 40 subjekte zgjedhore, për mandatet e kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë. Procesi i votimit u shoqërua me një sërë parregullsish, përfshirë mosfunksionimin papritur të pajisjeve të votimit elektronik, si dhe praninë në disa qendra votimi të personave të paidentifikuar, të cilët ushtruan presion mbi qytetarët. Të tilla ndërhyrje vunë rishtas në pikëpyetje mbarëvajtjen demokratike të procesit zgjedhor.

Gjithashtu, në këto zgjedhje u dëshmua një pjesëmarrje mjaft e ulët, me vetëm 37.79% votues. Kjo përbën një rënie drastike në krahasim me pjesëmarrjen prej 47.83% në zgjedhjet lokale të vitit 2015. Në zgjedhjet pararendëse, më 2019, pas bojkotit të opozitës, Partia Socialiste garoi e vetme, çfarë shpjegon pjesëmarrjen prej vetëm 22.96% të votuesve.

Pikësëpari, pjesëmarrja e ulët është tregues i mungesës së thellë të besimit të qytetarëve tek institucionet qeveritare, partitë politike dhe vetë procesi zgjedhor. Skepticizmi vërehet sidomos mes të rinjve (18-29 vjeç), duke pasur parasysh që këtë vit 122,545 prej tyre fituan të drejtën e votës për herë të parë. Megjithatë, vetëm 13.56% e ushtruan këtë të drejtë: gjithsej 14,628 individë.

Pjesëmarrja e ulët hedh njëkohësisht dritë mbi një tjetër fenomen: emigrimin në masë. Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave në Shqipëri, 188,345 qytetarë shqiptarë kanë emigruar që prej vitit 2017. Është e rëndësishme të theksohet se këto statistika nuk specifikojnë numrin e individëve, që kanë emigruar në mënyrë të padokumentuar. Mbi të gjitha, vetëm në 2022, popullsia rezidente në Shqipëri pësoi një rënie prej 1.3%.

Në këto kushte, bazuar në rezultatet finale të zgjedhjeve, Partia Socialiste ka siguruar 54 nga 61 bashki. Në Tiranë, Erion Veliaj do të vijojë detyrën si kryetar bashkie, pas marrjes së 54.69% të votave. Në qytetet e tjera të mëdha si Shkodra, kandidati i Partisë Socialiste Benet Beci ka përftuar 60.22% të votave krahasimisht kandidatit Bardh Spahia të Partisë Bashkë Fitojmë , i cili ia ka dalë të fitojë vetëm 39.80% të votave. Në mënyrë të ngjashme, paçka se me një rezultat mjaft të gjerë, në Vlorë, kandidati i Partisë Socialiste Ermal Dredha siguroi 70.55% të votave, ndërsa në Durrës, qytetin e dytë më të madh në Shqipëri, kandidatja socialiste Emiriana Sako siguroi një fitore të ngushtë me 55.57% të votave. Partia Socialiste ka mundur të sigurojë fitoren edhe në bastionet historike të Partisë Demokratike si Tropoja dhe Kamza.

Një ndërthurje mes pjesëmarrjes së ulët dhe dobësimit fatal të opozitës ia mundësuan edhe njëherë Partisë Socialiste sigurimin e votave dhe sikurse spekulohet, përpjekjen për manipulimin më me lehtësi të zgjedhjeve. Së pari, opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike (PD) ka mbetur peng i frymës autoritariste të Sali Berishës që prej zgjedhjeve parlamentare 2013. Pas këtyre zgjedhjeve, të cilat garantuan rotacionin e pushtetit përmes ndëshkimit me votë, PD në vend të reformimit zgjodhi të investohej në një luftë të ashpër së brendshmi, që solli përçarje dhe ndarjen e partisë në dy fraksione: Partinë Bashkë Fitojmë (fraksioni i Sali Berishës) dhe Partinë Demokratike (fraksioni i Enkelejd Alibeajt). Gjithashtu, në 2019, vendimi i opozitës për të bojkotuar zgjedhjet lokale i shërbeu në mënyrë të drejtpërdrejtë Partisë Socialiste, për të forcuar më tej pushtetin e saj.

Një fat të ngjashëm me PD ka patur edhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), e njohur gjerësisht për praktikat e dyshimta të blerjes së votave dhe e akuzuar për përfshirjen në një sërë aferash korruptive dhe të tjera krime. Pas shpërbërjes së koalicionit me Partinë Socialiste, LSI përjetoi një rrokopujë që solli fragmentimin, dobësimin dhe irrelevancën e saj në skenën aktuale politike.

Kësisoj, në 2017, PS ia doli të sigurojë e vetme një mazhorancë parlamentare, gjë që s’kishte ndodhur prej 2001. Pikërisht viti 2017 përcolli shqetësimin për rritjen e mëtejshme dhe konsolidimin e pakufijshëm të pushtetit për Partinë Socialiste. Në 2022, Bajram Begaj, nominimi zyrtar i Partisë Socialiste për president, u votua me 78 vota pro, që u përkthye de facto në transferimin e pushtetit të PS-së në zyrën e presidentit. Në këto çaste, socialistët ushtrojnë kontroll në të gjitha institucionet shtetërore, përballë një opozite të dërrmuar, të përçarë dhe pa perspektivë.

Gjithashtu, një shoqëri civile po aq e përçarë dhe e pafuqishme, një pushtet mediatik i kapur dhe emigrimi pa ndërprerje i popullatës i kanë krijuar mundësinë Partisë Socialiste që të operojë pa asnjë kufizim. De facto, Shqipëria ka regresuar te një sistem i ngjashëm me partinë-shtet çka përbën shqetësim për thellimin e autoritarizmit në vend, përhapjen e mëtejshme të korrupsionit dhe bashkëpunimin e pandërprerë të partisë udhëheqëse me krimin e organizuar.

Sigurimi i një tjetër mandati për Erion Veliajn dhe thellimi i mëtejshëm i pushtetit të tij brenda bashkisë së Tiranës, ngre hamendësime mbi mundësinë e pastrimit të parave për krimin e organizuar përmes biznesit të ndërtimit, sikurse shkatërrimi i Teatrit Kombëtar të Shqipërisë gjatë pandemisë paralajmëroi në mënyrë të veçantë.

Sidoqoftë, këto zgjedhje sollën një risi, jo vetëm me praninë e subjekteve të reja politike, të cilat kanë buruar nga radhët e shoqërisë civile, por gjithashtu me përfshirjen e kandidatëve të tyre në këshillat bashkiakë. Nisma Thurje, një parti centriste, kundër korrupsionit, e krijuar në 2018 dhe Lëvizja Bashkë, një parti e majtë radikale, e themeluar në 2022 do të përfshijnë në këshillin bashkiak të Tiranës dy kandidatë: përkatësisht, Endri Shabanin si përfaqësues i Nismës Thurje dhe Mirela Rukon, si përfaqësuese e Lëvizjes Bashkë. Gjithashtu, Nisma Thurje do të përfshijë edhe katër kandidatë të tjerë në Korçë, Mirditë dhe Kukës.

Kjo përbën një zhvillim të rëndësishëm duke qenë se përfshirja e zërave të rinj, jo vetëm që do të sjellë një frymë të re brenda institucioneve, të cilat deri dje kanë qenë uzurupuar nga militantët e bandave partiake, por njëkohësisht, prania e tyre mund të përkthehet në vota kundër për çdo iniciativë që rreket ta dëmtojë më tej qytetin, sidomos në Tiranë. Edhe në rastin e pamundësisë për të kthyer apo ndaluar vendime specifike, prania e këtyre përfaqësuesve të rinj mund të garantojë që publiku të jetë më i informuar mbi gjithçka ndodh brenda dyerve të mbyllura të institucioneve, veçanërisht përsa i përket aferave korruptive apo të tjera shkelje.

Në zgjedhjet për kryetar bashkie për Tiranën, Lëvizja Bashkë ka lënë pas partitë e tjera garuese, duke u radhitur e treta në përqindje (4.77%), pas Partisë Bashkë Fitojmë (34.58%), të kryesuar nga Belind Këlliçi. Kjo zhvendosje e papritur e vë theksin te nevoja shoqërore për alternativa të reja politike, të cilat janë të shkëputura nga drama e tranzicionit shqiptar dhe qëndrojnë mbi triadën korruptive PD-PS-LSI, duke ndezur shkëndijën për një front të njëmendtë opozitar në të ardhmen e afërt. Këto rezultate reflektojnë gjithashtu qasjen e elektoratit shqiptar ndaj subjekteve të reja në kontekstin politik të Shqipërisë ku për shembull, në zgjedhjet parlamentare 2021, kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje janë parë si subjekt i jashtëm dhe retorika e tyre si prurje e sforcuar nga Kosova, më tepër se pasojë e zhvillimit organik të lëvizjeve të reja shoqërore dhe politike, siç janë konsideruar Nisma Thurje dhe Lëvizja Bashkë.

Regjimi hibrid i Shqipërisë megjithatë, paralajmëron sfida të shumta për partitë e reja. Ndaj, është e domosdoshme që këto subjekte, së bashku me grupet civile, të mësojnë t’i shtrijnë dorën njëra-tjetrës dhe të bashkëpunojnë në solidaritet. Një strategji e tillë mund të garantojë progres më të ndjeshëm përballë një kaste të kriminalizuar dhe që gëzon të gjitha mjetet për ta intensifikuar shtypjen dhe përçarjen. Përndryshe, në kushtet aktuale, të operuarit vetëm dhe rënia në pesimizëm mund të na kushtojë shumë.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.