Faqja “Lexo Sot” në “Facebook”, me mbi 43 mijë ndjekës, pa impressum dhe pa pronësi ka vazhduar të publikojë lajme të vjetra dhe të manipuluara që për qëllim kanë marrjen e klikimeve.
Kjo faqe ka publikuar meë 21 dhjetor artikullin, me titull – “Po habit Albin Kurti me deklaratën e saj- Kërkon që Baton Haxhiu të mos dalë kurrë publikisht !!! Ja arsyeja tronditëse”.
Nëse klikohet në linkun e këtij artikulli ndërlidhet me faqen online news308media.com, ku shihet se data e publikimit të këtij lajmi është 18 nëntor 2021. Por kjo faqe ka paraqitur këtë si lajm aktual. Për më tepër ka manipuluar duke e prezantuar si deklaratë të kryeministrit Albin Kurti.
Por në përmbajtje të lajmit shihet se bëhet fjalë për deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti.
Deputetja Kurti i kishte reaguar Haxhiut më 14 prill 2021 në “facebook” dhe të njëjtin postim e patën publikuar edhe disa media. Duke iu përgjigjur deklaratave të Haxhiut për trafikimin e qenieve njerëzore dhe skllavërinë seksuale, Tinka Kurti i kishte kërkuar Haxhiut që të kërkojë falje.
”Baton Haxhiu thotë deklarata që rrokin veprën më të rëndë penale, trafikimin me qenie njerëzore ose skllavërinë seksuale. Kalojnë shumë orë, asnjë kërkimfalje. Qysh bëhet dhuratë një qenie njerëzore dhe qysh thuhet kjo publikisht? Pra vendet shqiptare janë ekzotike dhe në emër të tyre flet Batoni, shqiptarët janë egërsira, dhe kidnapimi i njerëzve është transparent, mundet me u bë live nëpër emisione. Batoni e ka veç një shprehje: “ajo që quhet”. Dikush t’i thotë atij që quhet gazetar që gratë nuk janë prona e askujt. Ti nuk e posedon asnjë. Pas deklaratave të tilla kërkohet falje, duke mos u prezantuar kurrë në jetë më”, kishte shkruar Tinka Kurti.
* Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”