Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

Dezinformimi në funksion të mosmarrëveshjes

Çdo krizë në veri të Kosovës, me pak fjalë, mund të përshkruhet kështu: rritja e tensioneve në terren është në proporcion me rritjen e dezinformimit. Kjo formulë përdoret njësoj nga mediat e Kosovës dhe Serbisë. 

Megjithatë, problemi me dezinformatat brenda komunitetit serb në Kosovë është se ato dezinformojnë kryesisht komunitetin shumicë. Rrjedhimisht, kjo ndikon në rritjen e mosbesimit dhe tensioneve ndëretnike. 

Dezinformatat që shqetësojnë apo prekin komunitetin serb në Kosovë përhapen në tri fronte: nga përfaqësuesit politikë, në rrjete sociale dhe në media. 

Përfaqësuesit e lartë politikë: si të mos krijohet besimi 

Fatkeqësisht, përfaqësuesit më të lartë politikë në Kosovë, sikur edhe në Serbi, janë ata që shpërndajnë dezinformata. 

Një nga shembujt më të spikatur ishte kur në mes të muajit maj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, prezantoi statistikat të cilat ai beson se konfirmojnë se nuk ka sulme etnike në Kosovë. 

Në pjesën e parë të postimit, kryeministri i Kosovës thotë: “Statistikat zyrtare të policisë tregojnë se në Kosovë, nga viti 2021 deri në vitin 2024, kanë ndodhur gjithsej 86 vrasje: 81 shqiptarë, tre serbë dhe dy pjesëtarë të përkatësive të tjera etnike. Më 2022 u vranë tre serbë: dy në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe një në Graçanicë. Për të tri vrasjet ka të dyshuar vetëm serbë”. 

Megjithëkëtë, statistikat e tij janë të fokusuara në numrin e serbëve të vrarë në Kosovë në rastet e dhunës në familje. Rastësisht apo jo, ai as nuk i përmend incidentet me motive etnike. 

A ka të tilla? Po. Këtë e thonë statistikat e Policisë së Kosovës. 

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në vitin 2021 u regjistruan gjithsej 14 incidente ndëretnike, kurse në vitin 2022 u regjistruan 13 sulme me motive etnike; 11 u regjistruan nga fillimi deri në nëntor të vitit 2023. Këto të dhëna i kam përmbledhur një shkrim të mëhershëm.

Rrjetet sociale: vend për dezinformim dhe shpërndarje të frikës 

Kur jemi te rrjetet sociale, serbët në Kosovë kanë qasje në të gjitha rrjetet sociale, e në veçanti janë të përdorura kanalet e Telegramit. Fatkeqësisht, disa janë tokë e pëlleshme për shpërndarje të dezinformatave dhe frikës. 

Shembulli i fundit daton më 23 qershor të këtij viti. 

Në kanalin e Telegramit “Koridor”, u publikua një mesazh se shqiptarët po planifikonin ta hapnin urën kryesore të Mitrovicës. 

Një pjesë e këtij mesazhi thoshte: “Ftojmë të gjithë serbët, veçanërisht qytetarët e Mitrovicës, Kosovës, në orën 10:30, të mblidhen në urën kryesore mbi Ibër”. Shpërndarjes së dezinformatës i kontribuoi edhe më shumë mesazhi që gjatë ditës të punësuarit e institucioneve serbe në Mitrovicë e morën nga eprorët e tyre për të “qenë në gatishmëri”. 

Pasi mesazhi ishte shpërndarë në kanalin e sipërpërmendur në Telegram, i kalova disa orë afër urës kryesore për të konstatuar se nuk kishte shenja se ura po hapej.

Edhe për këtë kam shkruar në një shkrim të mëhershëm.

Duhet thënë se dezinformatat shpërndahen edhe në mes të përdoruesve shqiptarë të rrjeteve sociale, veçanërisht Twitter-it: (shembulli 1, shembulli 2).      

(Jo)Media

Gjatë monitorimit të mediave që e kam bërë nga dhjetori i vitit 2023 deri në fund të majit 2024, në kuadër të një projekti të implementuar nga Kontakt Plus dhe Alternativna, financuar nga CFI, e që ka përfshirë edhe tabloidet, mediat proqeveritare në Serbi dhe mediat që raportojnë në gjuhën shqipe në Kosovë, u vërejt një trend: tabloidet serbe dhe mediat proqeveritare e përdorin temën e Kosovës për të devijuar vëmendjen nga temat e papëlqyeshme për Qeverinë e Serbisë dhe për të shpërndarë frikë dhe narrativë negative për Qeverinë e Kosovës. 

Informer, Sputnik Srbija, Srpski telegraf, Alo, Republika, Novosti, Politika, Srbija danas, B92 dhe Happy, janë disa nga tabloidet dhe mediat proqeveritare serbe të përfshira në “Listën e Kuqe” të dy iniciativave që i luftojnë lajmet e rreme në Serbi: Raskrikavanje dhe Fakenews Tracker.

Këto iniciativa i ndalojnë në baza ditore lajmet e rreme e dezinformatat dhe nxjerrin në pah qartë se çka po bëjnë në sferën mediale mediat proqeveritare dhe tabloidet. 

Megjithatë, situata qëndron ndryshe në Kosovë. 

Në komunitetin serb, falë mbështetjes së donatorëve ndërkombëtarë, ka iniciativa për demaskimin e lajmeve të rreme dhe dezinformatave. Sidoqoftë, shumica e këtyre iniciativave merren me dezinformatat në mënyrë sporadike, e jo në baza ditore. Një nga iniciativat udhëhiqej nga Kontakt Plus brenda një projekti të realizuar në bashkëpunim me Alternativna-n. Kjo iniciativë specifikisht ka përcjellë lajmet rreth Kosovës dhe lajmet me interes për komunitetin serb në Kosovë. 

Një ekip i gazetarëve ka punuar çdo ditë në demaskimin e dezinformatave. Brenda gjashtë muajve, janë demaskuar më shumë se 90 dezinformata, që do të thotë se çdo të dytën ditë është publikuar së paku një informatë rreth Kosovës apo komunitetit serb në Kosovë. (E përsëris, ne i kemi përcjellë mediat proqeveritare dhe tabloidet në Serbi, si dhe mediat që raportojnë në gjuhën shqipe në Kosovë). 

Në anën tjetër, ne mblodhëm të dhëna edhe më zhgënjyese. 

Dezinformimi që prek komunitetin serb në Kosovë dhe që mund të ndikojë në raportet ndëretnike midis serbëve dhe shqiptarëve, është i tmerrshëm. Fatkeqësisht, këtu janë të përfshira edhe disa media që raportojnë në gjuhën shqipe. 

Shembuj

Më 17 mars, portali i Radiotelevizionit të Kosovës publikoi një tekst rreth trazirave të marsit. Përkundër raporteve ndërkombëtare që e kritikojnë RTK-në për raportim nxitës dhe pretendime të paverifikuara për trazirat e marsit të vitit 2004 – e që ajo konsiderohet si një nga shtytësit e këtyre trazirave – në përvjetorin e tyre, RTK publikoi një artikull të pakompletuar, kontrovers, manipulativ, joprofesional dhe të njëanshëm. Publiku ishte keqinformuar në plotni mbi shkaqet dhe pasojat e këtyre trazirave. Kam shkruar për këtë çështje në një shkrim të mëhershëm.  

Në mes të muajit shkurt, Indeksonline publikoi një artikull të titulluar: “Ekskluzive/Dyshohet se forcat serbe hynë në territorin e Kosovës, qytetarët thonë se ato ua kanë drejtuar armët”. KFOR-i dhe Policia e Kosovës i demantuan këto pretendime. 

Më ekstremi është shembulli i tretë. 

Më 5 janar të këtij viti, agjencia Kosovapress publikoi një artikull me titull shokues dhe dramatik: “Shërbimet sekrete serbe planifikojnë sulm terrorist mbi serbët në Kosovë”. 

Po atë ditë, në rrjetin social X, i vetëquajturi ekspert i sigurisë, Agim Musliu, ka shfaqur pretendime identike. Sulmi i supozuar po përgatitej nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kurse Patriarku Porfirije po kryente në terren “përgatitjet shpirtërore”. 

Pretendimet ishin e kundërta e asaj që po ndodhte në terren, sepse patriarku serb u takua me kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherin, në Patrikanën e Pejës. Mesazhi i dhënë nga patriarku serb ishte në kontradiktë të plotë me pretendimet e medias së sipërpërmendur dhe postimin e Musliut. Aty, ndër të tjerash, patriarku serb tha se njerëzit duhet “të falin dhe t’i luten Zotit për paqe me shqiptarët”.  

Konkluzion

Iniciativat aktuale nuk janë të mjaftueshme për luftimin e dezinformimit. Lufta duhet të zhvillohet në dy fronte: duke i fuqizuar iniciativat për zbulimin e dezinformatave për t’u ballafaquar me to në një shkallë më të gjerë dhe duke i fuqizuar mediat profesionale dhe objektive. 

Mënyra se si elita politike e largon përgjegjësinë nga vetja dhe e manipulon opinionin publik është duke e portretizuar palën tjetër si armik dhe si fajtor kryesor për problemet në shoqëri. Midis atyre që po përpiqen ta ndërtojnë bashkëjetesën e shkatërruar nga lufta, më i lehtë është zgjerimi i hendekut, sesa ndërmarrja e hapave drejt pajtimit. Fatkeqësisht, këtu hyjnë edhe disa media joprofesionale, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e mosbesimit dhe tensioneve ndëretnike. 

Ky artikull u përgatit nga Sbunker, si pjesë e projektit “Fuqizimi i qëndrueshmërisë së komunitetit kundër dezinformimit”, mbështetur nga TechSoup Global, në kuadër të Programit për Aktivizmin Digjital.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.