Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking

Konspiracionisti Sllamniku pretendon pa fakte se NATO-ja do ta pushtojë Serbinë

Më 3 qershor 2024, konspiracionisti Arianit Sllamniku, i ftuar në emisionin Kosova Today në Klan Kosova, ka ngritur pretendime të pabazuara se NATO-ja do ta pushtojë Serbinë.

“Aleanca Veriatlantike e NATO-s do të duhej të jetë prezente edhe në Serbi, si në shtetet përreth Serbisë… sepse unë vlerësoj se Kampi Bonsteel do të zhvendoset në bazën ushtarake të Nishit, ku sot gjenden forcat ruse… Ushtarët e Kampit Bondsteel do të duhej, bashkë me ushtarët anglezë dhe amerikanë, të zhvendosen në bazën ushtarake në Nish” – ka thënë Sllamniku.

Në këtë rast, moderatori i drejtohet me: “Kjo nënkupton bombardimin e Beogradit?”. Ndërsa Sllamniku i përgjigjet: “Jo, absolutisht, do të jetë një pushtim tokësor, s’besoj se do të ketë bombardim”. Pyetjes tjetër: “NATO e pushton Serbinë?”, Sllamniku i përgjigjet me shumë siguri: “Po, patjetër.”

Ky deklarim i konspiracionistit Sllamniku u shpërnda edhe nga media të tjera, si: Bota e lajmeve, Veriu.info, BotaSot.info, Nacionale, me titullin: “Arianit Sllamniku e çudit gazetarin: Bondsteel-i do të vendoset në Nish, NATO-ja do ta pushtojë këtë shtet”.

Foto: Klan Kosova

Për këtë pretendim, Sllamniku nuk ofroi fakte apo të dhëna të tjera mbështetëse. Deri më tash, zyrtarisht nuk ka ndonjë deklaratë apo njoftim ku përmendet mundësia që Kampi Bondsteel të zhvendoset në Serbi.

Gjatë kësaj bisede të zhvilluar në studio, Sllamniku ka promovuar po ashtu idenë e ndryshimit të kufijve në Ballkan, ku shqiptarët do të jenë pjesë e Shqipërisë natyrale. “Po kthehet Shqipëria natyrale, për vetë faktin që në hyrje të emisionit e thamë këtë se kryeministri Kurti ka pasë një mision në Maqedoni, në Luginë të Preshevës dhe në Sanxhak – nënkuptojmë se jemi duke i kriju kufijtë dhe ndikimin politik, ekonomik dhe gjeostrategjik në pjesët shqiptare”. Ndërsa, moderatori e pyet nëse kjo do të bëhet nën monitorimin turk.

Sllamniku përgjigjet me: “Absolutisht”.

Kjo nuk është hera e parë që konspiracionisti Sllamniku ngre pretendime të pambështetura në fakte. Më herët ai ka pretenduar se presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka vdekur dhe ai që paraqitet si president është “binjaku” i tij.

Teoritë konspirative janë hipoteza ose besime që sugjerojnë se situata apo zhvillime të caktuara janë rezultat i komplotit të një grupi të fuqishëm dhe të fshehtë. Teoritë e tilla zakonisht nuk bazohen në fakte të verifikuara, por në spekulime, dezinformata dhe interpretime të njëanshme të ngjarjeve.

Këto teori të pabazuara mund të jenë të dëmshme, kanë për qëllim përhapjen e frikës dhe krijimin e mosbesimit.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.