Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking

Lavrovi e përmend Kosovën në përpjekjen për t’i legjitimuar qëndrimet kundër Perëndimit

Më 6 dhjetor 2024, ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, në një intervistë të dhënë për gazetarin amerikan Tucker Carlson, pjesë të së cilës u publikuan nga agjenci shtetërore ruse, hodhi akuza të ashpra ndaj SHBA-së lidhur me zgjedhjet në Gjeorgji. Sipas Lavrovit, SHBA-ja po injoron raportin pozitiv të OSBE-së për procesin zgjedhor në Gjeorgji, sepse nuk i pëlqejnë rezultatet. Në përpjekjen për t’i legjitimuar qëndrimet anti-perëndimore dhe për të kontestuar rolin e SHBA-së, Lavrovi e ka përmendur edhe Kosovën.

Agjencia Shtetërore Ruse Tass ka publikuar artikullin me titull: “Lavrov – SHBA-së nuk i pëlqejnë rezultatet e zgjedhjeve gjeorgjiane, prandaj e injoron raportin e OSBE-së ”. Aty, ministri rus, brenda një fjalie, e përfshin Kosovën dhe Gjeorgjinë.

“Kur OSBE-ja monitoronte zgjedhjet, kur ajo monitoronte zgjedhjet në Rusi, ata gjithmonë ishin shumë negativë, ashtu si dhe në vende të tjera, Bjellorusi, Kazakistan. Këtë herë, në Gjeorgji, misioni i monitorimit i OSBE-së paraqiti një raport pozitiv. Dhe po injorohet. Pra, kur keni nevojë për miratimin e procedurave, e bëni atë kur ju pëlqejnë rezultatet e zgjedhjeve. Nëse nuk ju pëlqejnë rezultatet e zgjedhjeve, e injoroni. Është njësoj sikurse Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore kur e njohën shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, që thanë se kjo që po zbatohet është vetëvendosje”, ka thënë Lavrovi.

Përveç Tassit, intervistën e plotë e ka publikuar edhe Ministria e Jashtme e Rusisë. 

Përmendja e Kosovës në këtë kontekst nuk ka si qëllim një analizë objektive të situatës, por synon të minojë legjitimitetin e SHBA-së si akter kryesor në politikën globale dhe të delegjitimojë mbështetjen për Kosovën.

Rusia përdor çështjen e Kosovës për të ndërtuar një narrativë sipas së cilës ndërhyrjet e SHBA-së, përfshirë njohjen e pavarësisë së Kosovës, kanë krijuar precedentë që destabilizojnë rendin ndërkombëtar.

Lavrovi spekuloi edhe me qëndrimin amerikan lidhur me zgjedhjet në Gjeorgji. Sekretari i Shtetit, Antony J. Blinken, përmes një deklarate, ka përmendur vlerësimin pozitiv që kanë dhënë vëzhguesit ndërkombëtarë, tek shtoi se kanë vërejtur “parregullsi dhe dhunë sporadike”. “Ne e dënojmë çdo shkelje të normave ndërkombëtare dhe bashkohemi me thirrjet e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe vendas për një hetim të plotë të të gjitha raporteve për shkelje të lidhura me zgjedhjet”, thuhet në deklaratën e Blinkenit. Edhe Misioni Ndërkombëtar për Vëzhgimin e Zgjedhjeve ka konstatuar parregullsi të shumta në zgjedhjet e 26 tetorit në Gjeorgji.

Intervista e fundit e Lavrovit është vazhdimësi e deklaratave të zyrtarëve rusë, të cilët ngrenë pretendime të paqena kundër Kosovës sa herë u jepet rasti në konferenca apo intervista për media të huaja.  Qëndrimin kundër Kosovës, Rusia e përdor si një element të politikës së saj për ta sfiduar Perëndimin dhe për t’i promovuar interesat e vet strategjikë në vendet fqinje, në këtë rast në Gjeorgji.

Më 20 shtator 2024, Lavrovi pati deklaruar se pavarësia e Kosovës u shpall pa asnjë referendum. Të njëjtën ditë ishte deklaruar edhe zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, duke e quajtur pavarësinë e Kosovës “të rreme”.

Vitin e kaluar, në Shkup, u mbajt takimi i OSBE-së, i cili mblodhi ministrat e Punëve të Jashtme të 57 anëtarëve të kësaj organizate, me seli në Vjenë. Aty mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ku sërish e shfrytëzoi rastin për ta akuzuar BE-në, NATO-n e OSBE-në, se kinse ushtruan agresion ndaj një vendi të pavarur në vitin 1999, kur vendosën ta bombardojnë Serbinë. Ai përsëriti narrativën konstante se “Kosova iu mor me dhunë Serbisë”, tek arsyetoi luftën e Rusisë në Ukrainë.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, më 30 shtator 2022, i pati shpallur territore ruse katër rajone të Ukrainës.  Ai pati tërhequr paralele mes Kosovës dhe rajoneve të aneksuara. Madje, në vitin 2022, Ministria e Jashtme e Rusisë i është referuar specifikisht vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për Kosovën, për të justifikuar se deklarata e pavarësisë së rajoneve të Ukrainës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, ata tentojnë ta barazojnë pavarësinë e Kosovës me aktet e ndërhyrjes ruse në rajonet e ish-Bashkimit Sovjetik.

Rusia bën pjesë në mesin e akterëve të jashtëm malinjë që ka për synim nxitjen e tensioneve edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e paraqitur Kosovën dhe shumicën shqiptare si armiqësore ndaj serbëve.

Lidhur me rreziqet që u kanosen Kosovës dhe rajonit nga akterët e huaj, ka komentuar së fundi edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Më 10 dhjetor 2024, në konferencën për integritetin e informacionit DISICON, organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), ai tha se: “ka akterë të huaj që duan ta minojnë demokracinë e Kosovës, duke shfrytëzuar përçarjet etnike. Nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë”, ka thënë Hovenier.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.