Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking

Pretendohet rrejshëm se Kosova po i mbështet “shkatërruesit e Serbisë”

Mediume nga Serbia, tashmë të njohura për narrativa kundër Kosovës, kanë vazhduar t’i ndërlidhin protestat studentore me kinse mbështetjen që po u ofron Kosova të gjithë atyre që duan “shkatërrimin” e Serbisë.

Më 13 dhjetor 2024, “Informer.rs” ka publikuar një artikull me titullin: “Albin Kurti mbështeti protestat e ‘studentëve’ në Beograd: Terroristi shqiptar në mbështetje të shkatërruesve të Serbisë (VIDEO)”. Artikulli përpiqet të zhvendosë fokusin nga arsyet reale të protestave studentore në Serbi, të cilat lidhen me pakënaqësitë ndaj qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit dhe situatën socio-politike në vend. Në përmbajtjen e tij, ky medium ka bashkëngjitur fjalimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, gjatë një vizite zyrtare në Zagreb. Në konferencën e përbashkët me homologun kroat, Andrej Plenkoviq, më 13 dhjetor, kryeministri i Kosovës u pyet edhe për protestat në Serbi. Në deklaratën e tij, Kurti tha se mbështet protestat studentore, por askund nuk e përmend se mbështet shkatërrimin e Serbisë, siç pretendon mediumi serb.

“Serbia është një vend jodemokratik, ku nuk respektohen të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave”, ka thënë Kurti. Tutje, ai e ka bërë fajtore Serbinë për ndërhyrjet e vazhdueshme në Kosovë, që kulmuan edhe me sulme terroriste sikurse ai i vitit të kaluar në Banjskë, si dhe sulmi i fundit në Kanalin e Ibër-Lepencit.

“Te ne e dërgojnë Milan Radoiçiqin që të kryejë aksione terroriste, e nëpër Beograd i rrahin studentët. Ne e dimë nga përvoja historike se si kjo merr fund. Por, duket se Beogradi nuk ka mësuar gjë nga e shkuara e tij”, ka thënë Kurti.

Informer.rs” publikoi edhe një artikull tjetër më 16 dhjetor 2024 për protestat e studentëve në Beograd, këtë herë duke pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe këngëtarja Severina Vuçkoviq u bashkuan dhe sulmuan shtetin dhe Vuçiqin.

Në përpjekjen për ta mbrojtur Vuçiqin, ky medium, veç Kurtit, implikoi edhe opozitën në Serbi. “Derisa nga njëra anë kemi presidentin Aleksandar Vuçiq, i cili e çon Serbinë përpara, e modernizon, rrit pagat dhe pensionet dhe përpiqet të ruajë paqen, nga ana tjetër, aktivistët opozitarë të maskuar si studentë marrin mbështetje nga këngëtarja Severina, e cila e quan Srebrenicën gjenocid, dhe nga i ashtuquajturi kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, i cili po kryen spastrim etnik të popullatës serbe në Kosovë!”, shkruan në përmbajtjen e artikullit.

Veç shtrembërimit të fakteve, artikulli shoqërohet edhe me fotografi të manipuluara, për të krijuar një narrativë të rreme, që ka për qëllim konfuzionin dhe polarizimin e publikut.

Për ta bërë lidhjen mes Kurtit dhe këngëtares Severina, “Informer-i” i ka lidhur fotografitë e tyre, derisa në prapavijë shihet ngjyra e kuqe e hedhur nga studentët. “Informer-i” sërish ka përmendur deklaratat e Kurtit nga Zagrebi për protestat në Serbi.

Protestat e studentëve në Serbi filluan më 26 nëntor nga studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike në Beograd. Kërkesat e tyre ishin të përcaktohet përgjegjësia dhe të ndiqen penalisht fajtorët për aksidentin në stacionin hekurudhor në Novi Sad. Gjithashtu, ata kërkuan nga autoritetet që t’i ndjekin penalisht personat që kishin sulmuar studentët gjatë aksionit ku shprehej solidaritet me viktimat dhe të plagosurit në tragjedinë e stacionit të trenit në Novi Sad, ku si pasojë e rënies së një pllake betoni vdiqën 15 persona.

Që nga fundi i nëntorit, studentët në Serbi kanë shprehur masivisht pakënaqësitë e tyre edhe për situatën socio-politike. Sipas raportimeve të mediave serbe, mbi 40 fakultete publike janë bllokuar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe zyrtarë të tjerë të Qeverisë së Serbisë, i kanë akuzuar këta studentë se përmes këtyre protestave dhe bllokadave po përpiqen të “rrëzojnë pushtetin”, duke i quajtur edhe “mercenarë të huaj”, “dhunues” e “rrugaçë”.

Kjo nuk është hera e parë kur politikanë dhe media në Serbi tentojnë të gjejnë fajtorë të jashtëm për protestat atje, në disa raste duke pretenduar rrejshëm se ato po nxiten edhe nga Kosova dhe Kurti.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.