Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

RTK-ja publikon raportimin pa fakte të “Slobodna Bosna” se dy mediume në Kosovë financohen nga Serbia

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) më 22 korrik publikoi në lajmet qendrore dhe faqen online një raport të mediumit nga Bosnjë-Hercegovina, “Slobodna Bosna”, me pretendimin se portali “Periskopi” është nën kontrollin e ish-nënkryetarit të Listës Serbe dhe organizatorit të sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023, Milan Radojçiq, kurse për “Nacionalen” kinse ka pranuar transaksion milionësh nga Serbia. 

RTK-ja e publikoi artikullin pa verifikuar faktet dhe pretendimet e mediumit boshnjak, duke mos respektuar as standardin profesional që kur një medium citohet, duhet t’i jepet mundësia për sqarim. Organizata kredibile në Bosnje dhe Hercegovinë, si “Rasnkrinkavanje”, që merret me verifikim të fakteve, “Slobodna Bosnjën” e konsideron prodhues të dezinformatave dhe sensacioneve që kryesisht thirren në burime anonime. Por në pjesën e dytë të publikuar nga “Slobodna Bosna” të mërkurën, zbulohet identiteti i burimit – personi i njohur për shpërndarje të dezinformatave në Kosovë, gazetari i vetëshpallur Vudi Xhymshiti

Brenda të njëjtit artikull të “Slobodna Bosna”, trajtohej marrëveshja mes Serbisë dhe Gjermanisë për litiumin e kontrolli i pretenduar i presidentit Aleksandër Vuçiq mbi mediat e Kosovës. Ndonëse i referohej një burimi anonim, RTK-ja e cilësoi si “hulumtim” me titullin e përkthyer: “Sekreti i madh i BIA-s së Vuçiqit: Çfarë fsheh presidenti serb nga Scholz”. 

Në fakt, pas ‘aksioneve’ në Malin e Zi, radha ka ardhur për sulmin mediatik në Kosovë, ku, siç zbulojnë bashkëbiseduesit tanë nga ai shtet, i pari në radhë ishte portali Periskopi, i cili është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të terroristit nga Banjska, Milan Radojçiq, dhe së fundmi është përfunduar edhe transaksioni milionësh për portalin kosovar Nacionale, e cila, me shkrime kritike për qeverinë e Albin Kurtit, është vënë në dispozicion të regjimit të Vuçiqit dhe ka shkaktuar zemërim mes shqiptarëve të Kosovës”, thuhet mes të tjerash në tekstin që u transmetua fillimisht nga RTK-ja.

Versioni fillestar i artikullit në RTK ku përmenden “Nacionale” dhe “Periskopi

Pas reagimeve të shumta, RTK-ja e ndryshoi përmbajtjen me heqjen e emrave të mediumeve, duke iu referuar vetëm si “portale”. Ndërsa lajmin e shoqëroi me fotografi të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke shfletuar gazetën “Slobodna Bosna”.  

Akuza dhe sulme nga eksponentë të partisë në pushtet 

Artikulli i RTK-së u shpërnda nga eksponentë të partisë në pushtet me cilësime si: “kriminelë që fshihen pas petkut gazetaresk për me ia bë argatin Serbisë!” 

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që ishte ftuar për intervistim në Prokurorinë Speciale për deklarimet rreth arratisjes, e më pas vrasjes në Serbi të Faton Hajrizit, tha se ka ofruar para Prokurorisë edhe lajmin që është publikuar nga RTK-ja. 

“Në këtë rast përmenden dy portale, Nacionalja dhe Periskopi, që sipas hulumtimit thuhet se financohen nga Serbia, nga Qeveria e Serbisë. Kam ofruar para Prokurorisë edhe këtë lajm që është publikuar nga rtklive.com, sepse është e rëndësishme që të dimë se kush nga portalet financohen nga Serbia,” tha Haxhiu. 

Publikimi i artikujve të paverifikuar dhe sulmet nga eksponentë politikë që akuzuan mediat se financohen nga Serbia, janë dënuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, që publikoi disa komunikata pas transmetimit të artikullit. Deklarata e ministres Haxhiu është cilësuar skandaloze, sulm ndaj mediave e ndërhyrje në drejtësi. 

“AGK-ja e fton zonjën Haxhiu që të përmbahet nga deklarata të tilla dhe nga partia e saj të ndalë fushatën e rrezikshme akuzuese kundër gazetarëve”, thuhet në reagimin e AGK-së. 

Reagimi i AGK-së

Fushata si kjo, sipas AGK-së, e rrezikojnë seriozisht sigurinë e gazetarëve të këtyre dy mediumeve, “dhe Vetëvendosja e deputetët e saj duhet të mbahen përgjegjës për nxitjen e urrejtjes dhe sulmeve potenciale kundër tyre”. 

Gazetarë dhe redaktorë të RTK-së distancohen nga publikimi i artikullit

Edhe gazetarë dhe redaktorë të RTK-së janë distancuar nga publikimi i artikullit në mediumin ku punojnë, tek shprehën keqardhje për situatën e krijuar. 

Derisa ka munguar një sqarim nga menaxhmenti i RTK-së, Bordi Mbikëqyrës i transmetuesit publik ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme për trajtimin e raportimit. 

Sipas komunikatës, U.d drejtoresha ka informuar Bordin se do ta formojë një komision profesional për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale për këtë lëshim, “si dhe do të marrë masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së”. 

“Bordi shpreh keqardhje për publikimin e një artikulli ku janë apostrofuar mediat e Kosovës në mediumin boshnjak, ndonëse RTK në asnjë raportim nuk i ka përmendur ato. Kjo është theksuar nga stafi editorial gjatë takimit”, shkruan në komunikatën e Bordit të RTK-së. Por, emrat e mediave të Kosovës nuk janë përmendur vetëm në intron e lexuar nga moderatorja në lajmet qendrore, derisa në faqen zyrtare rtklive.com, në versionin fillestar, ishin publikuar edhe emrat, por pastaj janë larguar. 

“Slobodna Bosna”, e njohur për praktika manipuluese

Revista “Slobodna Bosna”, të martën, ka publikuar edhe pjesën e dytë të artikullit, ku sërish përmenden gazeta “Nacionale” e “Periskopi”. Njësoj si në tekstin paraprak, aty nuk ofrohet ndonjë fakt që mbështet pretendimin për kontroll dhe financim të tyre nga Serbia. Burimi që citohet është një shkrim i Vudi Xhymshitit, të cilin “Sbunkeri” e pati demaskuar si shpërndarës të dezinformatave përmes Platformës “Frontliner”. Aty akuzoheshin pa fakte zyrtarë të lartë amerikanë, të përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi. Pjesa e dytë e artikullit të “Slobodna Bosna” nuk është transmetuar edhe nga RTK-ja në Kosovë. 

Demaskimi i raportimeve të “Slobodna Bosna”

Darko Brkan nga “Raskrinkavanje.ba”- platformë për verifikimin e fakteve – përmes një deklarimi për “kallxo.com”, ka thënë se “Slobodna Bosna”, edhe pse ka histori të gjatë dhe ka qenë një nga revistat politike më me ndikim në Bosnjë-Hercegovinë, pasi ka kaluar ekskluzivisht në medium online, “janë vërejtur shumë praktika manipuluese në publikimin e tyre dhe besueshmëria e tyre është bërë e dyshimtë”. 

Gjatë disa viteve që Raskrinkavanje ka kontrolluar faktet e mediave në Bosnjë-Hercegovinë dhe në rajon, ne kemi vlerësuar rreth 200 artikuj nga ‘Slobodna Bosna’, gjë që i vendos ata ndër botuesit më të vlerësuar në Raskrinkavanje. Ai është një medium që ndoshta nuk është në krye për sa i përket prodhimit të dezinformatave vetë, por mund të themi se nuk është e pazakontë të shohësh lloje të ndryshme manipulimesh mediatike në shkrimet e tij”, ka thënë Brkan. 

Megjithatë, për publikimet e fundit, ai tha se nuk mund të deklarohen me siguri të plotë, ngase nuk e kanë verifikuar ende pretendimin e “Slobodna Bosna”. 

Sipas të dhënave të “Raskrinkavanje”, në vitin 2024, “Slobodna Bosna” numëron 63 artikuj “dezinformim”, 44 artikuj “manipulim të fakteve” dhe 15 artikuj “lajme të rreme”. 

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.