Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Artisti në kërkim të guximit

Gjersa aktorët po futeshin në skenë, nën ndriçimin e dritave të mëdha, m’u bë e qartë sesa vërtetë të rinj ishin. Që aty, duke i picërruar sytë, fillova ta vras mendjen për diktaturën në Shqipëri. Cili është raporti ynë me diktaturën? A reflektojmë dhe a përceptohemi, në të vërtetë, si shoqëri post-diktatoriale? Në Shqipëri, vite me radhë, është kultivuar një narrativ në debatin publik, për një të kaluar të egër dikatoriale. Ky narrativ është shndërruar një modus operandi me nyansa autodisfatizmi, vetëviktimizimi dhe vetëshfajsimi, shpeshherë, për të arsyetuar çdo ngecje të zhvillimit shoqëror, politik dhe kulturor. Realiteti i hidhur post-diktatorial është kaq përpirës dhe frustrues saqë, më duket mua, e ka lënë nën hije historinë e diktaturës së egër. Përpjekjet për t’u ballafaquar me të kaluarën shpesh përfundojnë në një simulacrum, ku përmes një konglomerati dhe simbioze të imazheve të së tashmes, narrativëve të huaja për sistemet totalitare dhe imazheve filmike përpiqemi që, pasuksesshëm, të krijojmë një lidhje me të kaluarën. Me një fjalë, raporti me diktaturën në Shqipëri është një imazh transcendent, një ndjesi e importuar nga jashtë dhe jo diçka që buron mirëfilli nga brenda.

Premiera e shfaqjes “Elektroshok”, me autor Tobias Xhaxhiun dhe me regji të Sara Smajës, u dha javën e kaluar në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë. Vënia e kësaj shfaqje në jetë është pjesë e Fondit të Teatrit për të Rinj që ka ndërrmarë Ministria e Kulturës dhe Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” për të mbështetur regjisorët dhe aktorët e rinj nën 35 vjeç. Në këtë shfaqje luajnë: Aleksandër Mitrollari, Urim Aliaj, Ermir Hoxhaj dhe Theodhora Dhimo. Ngjarja zhvillohet në pallatin e Federatës. Federata është një shtet diktatorial, kurse udhëheqës i saj është Lideri Suprem. Roberti, një dramaturg, ftohet nga Lideri Suprem që të shkruajë dhe ta përgatisë publikun për Vendimin e Madh, gjegjësisht, për hedhjen e bombave bërthamore. Pas rezistencës së Robertit ai kërcënohet nga lideri suprem me të dashurën e tij e cila mbahet peng në pallat. Në fund ata e përmbysin liderin dhe e shpëtojnë botën.

Image

Shfaqja ka një skenografi modeste, por efektive, për të zhvendosur vëmendjen direkt në performancën e aktorëve. Ikonografia lexohet lehtë: është një kombinim midis semantikës të nazizmit dhe sovjetizmit. Kostumografia është pak konfuze në raport me skenën dhe përmbatjen e shfaqjes. Ajo i ngjan më shumë borgjezisë së epokës viktoriane. Në shtetet dikatoriale moda është uniforme dhe nuk i duron nyancat. Shfaqja e gjallëron një model universal dhe gjithëpërfshirës të sistemeve politike diktatoriale. Shënjimet si “lideri suprem”, “federata” “bombat atomike” dhe të ngjashme megjithatë janë shtresa semantike që të asocojnë sot me Iranin, Rusinë dhe Korenë e Veriut.

Vdekja si estetikë e apokalipsit

Në fillim të shfaqjes, në dhomën e tij të punës, paraqitet Roberti (Urim Ulaj). Një dramaturg fatkeq. Censurimi, shtypja dhe privimi nga e drejta për t’u shprehur e kanë sjellë në një depresion të thellë. Jeta e tij është bërë e padurueshme nga përcjellja, korigjimi dhe torturimi i shërbimit sekret. Atij i kish mbetur veç drama e fundit: vetëvrasja. Një vetëvrasje që proteston. Dramaturgu thyen edhe mitin e barrës së individit i cili është përgjegjës për fatin e tij. Në fakt, në sistemet totalitare, t’i ngarkosh individit përgjegjësinë e fatit është blasfemi intelektuale dhe kundrim sipërfaqësor i lirisë. Madje, në sistemet toalitare edhe vetëvrasja është e ndërsyer tinëzisht. Vetëvrasja, megjithatë, është një mundësi lirie për ta vënë në skenë shfaqjen e vërtetë nga subjekti veprues. Aty vdiset, njëmend, duke e dënuar edhe veten edhe diktaturën. Vetëvrasja është akt lirie. Sistemi totalitar nuk e njeh individin. Fati i individit i përket kolektivit, gjegjësisht, projektimit të këtij kolektivi nga klasa sunduese. Format e pushtetit dhe kontrollit janë kaq të fuqishme saqë njeriu jeton ose vdes jo më për veten, por për tjetrin. Është tjetri që e mban në jetë. Kështu, në prag të aktit të vetëvrasjes Roberti merr një letër, një ftesë nga Lideri Suprem (Aleksandër Mitrollari) për ta vizituar në pallat. Ai pranon sepse kërcënohet me jetën e nënës së vejë të tij. Fati i dramaturgut është i ndërlidhur me pësimin e tjetrit. Me të shkuar në pallat, atij do t’i kërkohet një punë shumë e rëndë, një arsyetim dhe legjitimim estetik i një vrasjeje masive që ka planifikuar lideri. Artisti ka moral të lartë dhe nuk pranon gjëra të tilla. As Roberti nuk pranoi gjersa u kërcënua me një tjetër, me të dashurën e tij, që ishte shpallur si e humbur. Ajo ndodhej në pallat dhe dashuria për tjetrin të bën të heqësh dorë nga vetja.

Image

Pushteti dhe kontrolli

Lufta për pushtet brenda kastës udhëheqëse, spiunimi si formë virtyti dhe konformizmi si mundësi intrige janë tema poaq të rëndësishme të shfaqjes. Tregimet e sistemeve dikatoriale dhe autoritariste në kuptimin narrativ janë shekspiriane dhe prapa një diktatori qëndron një fëmijë, një gjeneral, një grua e cila dëshiron t’ia marrë dhe kontrollojë pushtetin e pakufishëm të diktatorit, gjë që në shumë raste rehabiliton ose e shfajëson liderin prej krimeve të tij, ose të paktën merr dhe shpërndanë përgjegjësinë e udhëheqjes, ndëshkimit dhe krimeve që mund të ketë kryer. Në pallat Robertin e pret njeriu i dytë i Federatës, Doktor Hipnosi (Ermir Hoxhaj) i cili përdor elektroshokun si formë kurimi ndaj “pacientëve”. Roli i doktor Hipnosit është menaxhimi i çrregullimit të personalitetit të shumëfishtë (Dissociative Identity Disorder) të liderit suprem. Ky çrregullim, herë-pas-here tek lideri shpërfaq identitetin e Kostancës, një ish-akrobate cirku, vejushë, personaliteti i së cilës shpërfaqet në trupin e Liderit Suprem. Doktor Hipnosi përkujdeset për Kostancën. Obligim tjetër i tij është thyerja shpirtërore e të gjithë disidentëve dhe kritikëve të federatës përmes elektroshokut. Doktori konsideron se njeriu ka humbur shtysat e vërteta për të jetuar dhe si i tillë mbytet nga mërzia. Mënyra më e mirë për të shmangur mërzinë është harresa. Sipas tij, mallkimi i këtij qytetërimi është mërzia, dhe ai përpiqej të krijonte njeriun e qytetërimit të ri, një njeri që harron, harresë që të shndërron në hiç. Harresa arrihet përmes dhunës së elektroshokut. Doktori kontrollon gjithkënd. Lideri suprem mbetet nën hijen e doktorit prej të cilit burojnë të gjitha djallëzitë dhe lideri suprem është veç një ekzekutues.

Arti si kthjellim

Duke qenë mjeshtër fjalësh, Roberti urdhërohet që ta përgatisë dhe thurr tregimin për publikun në lidhje me “Vendimin e Madh”. Kjo qe arsyeja e ardhjes në pallat. Lideri Suprem konspiron se armiqtë tej oqeanit, një koncept tjetër oruellian, kanë pregatitur grushtet ndaj tij. Vendimi i Madh është lansimi i armëve bërthamore për të asgjësuar të “padenjët”, armiqtë e Federatës, të shkatërrojë më shumë se gjysmën e botës. Ai kërcënohet me të dashurën e tij, Anjezën (Theodhora Dhimo). Përmes elektroshokut, asaj i kanë krijuar një botë të re, pa kujtesë; një moral të ri, virtyti i të cilit është nënshtrimi. Për ta nënshtruar, Doktori Hipnosi i mban rregullisht seanca ligjërimore.

Njëherësh, ai (doktori) më tha diçka që është e pamundur të harrohet “Muzika është mëkat. Arti ku morali i ulët dhe ligësia përcillen në nota dhe fjalë.” Mbase ai ka të drejtë. Unë e meritoj gjithçka që më ndodhi sepse rashë pre e kësaj mbrapshtie. Por duhet ta pranoj: tundimi është më i fortë se morali. Unë do të këndoj! Po, po, do të këndoj! Le të shohim nëse fjalët e gjejnë rrugën e tyre në kujtesë.”

Tundimi i Anjezës prevalon mbi moralin e stisur dhe harresën e sajuar si përgjumje historike dhe shypje totalitare. Ngjashëm si në romanin 1984 të George Orwell-it, ku Uinstoni shikon në raftet e një anitkuarie në një qoshe të fshehur të qytetit, përmes një gravure në mur atij i kujtohet një poezi që nxjerr nga shpirti i harresës, pamjen e vjetër të qytetit dhe kishat në të. Bëhej fjalë për gravurën ku ishte kisha e Shën Klementit dhe ajo i ngjallë vargun e një vjershe të fëmijërisë “Portokalle dhe limona, thërrasin kambanat e Shën Klementit; Më keni borxh tre groshë, thërrasin këmbanat e shën Martinit…”, më në fund zhveloset e gjithë poezia e cila i kujton, ose më saktë i ngjall imagjinatën e qytetit të vjetër e cila nuk lidhej me arkitekturën e regjimit të sotëm. Anjeza fillon dhe këndon… përmes vargjeve të Petrit Çarkaxhiut të këngës Nëntori i Ftohtë: “A ka një kujtim të më ngrohë në këtë ditë për mua? A ka ndonjë udhë e si burrë ta kthejë kokën t’shikojë? A ka një kujtim, të na jep një kuptim, a s’më thua? A më tregoni, ku ta gjej forcën sot të këndojë?…”

Vargjet janë thirrje, kthjellim dhe këndellje për Anjezën. Këtu është thelbi i shfaqjes dhe thirrja për relfektim për rolin e artistit në shoqëri. Pushteti mund të ketë mekanizmin e elktroshokut për të nxitur konformizmin e butë dhe të mbajë të stisur mekanizmin e harresës ndaj masave por është arti, krijimtaria, që nxit idenë e lirisë përmes përvojës metafizike si shkëputje ndaj çdo kauzaliteti tokësor.

Misioni i artit

Mesazhi i përgjithshëm i shfaqjes, mbase mëton për një kërkim të një butoni të lumturisë, ku përmes një shembjeje totale synohet që e kaluara të shembet për dhé, dhe të fillohet një fillim i ri. Por të kujtuarit është dënimi më i madh që mund të pësojë njeriu. Kujtimi ngjall mërzinë dhe brengën si gjendje e skajshme e qenies. Ndjesia e mërzisë është shpërfaqje e një boshllëku njerëzor kur qenie e njeriut mbahet pezull. Njashtu siç thotë Heidegeri, këtu është zanafilla ku gjallesa, në këtë rast, njeriu i kthehet qenies dhe zgjohet nga marrëmendja apo trullosja kafshërore. Aty është skajshmëria ku njeriu vë në pyetje ekzistencën e tij dhe për një moment fshin vijën midis ekzistencës dhe jo-ekzistencës. Tentimi Robertit për vetëvrasje është ftesë për artistin për të qëmtuar thellë merzinë e tij që ndjellet në raport me politikën dhe pushtetin;  një simbolikë që zhvelos botëkuptime për autocenzurën e artistit – edhe sot kur pretendohet se po jetohet në sisteme demokratike. Ky lloj konformizmi ka gjetur shtrat në paqëtimin e moralit të brishtë të ‘ketmanit estetik’ për të cilin flet Çeslav Milloshi [Czeslaw Milosz] flet thotë se ketmani është shtirësi, gjegjësisht, personi që kurrë nuk i shpreh bindjet e veta të vërteta. Ketmani estetik, jashtë shtëpisë duartroket dhe thurrë elozhe për gjithçka që ka krijuar sistemi, shkaku i trysnisë, kurse në shtëpi është krejt dikush tjetër. Ata i duartrokasin planifikimit të shijes ashtu siç gjithçhka është e planifikuar. Sipas Milloshit, kur ata janë fikalli vetëm, “shtëpia e tyre është kështjella e tyre”. Për Robertin artist esenca dhe aksidenca janë pjesë e të përbashkëtës. Thelbi dhe forma janë ngjasime dhe projektime të njëra tjetrës. Ose je siç dukesh, ose do bëhesh ashtu siç je. Arti nuk e njeh moralin, por e njeh mirë sinqeritetin. Artistit, saherë që ka problem me të vërtetën, në ndihmë i vjen arti.

Në këtë rrjedhë intepretimi shfaqja “Elektroshoku” mbart edhe një mesazh vetëreferencial, për rolin e vetmohuar, të penguar dhe mohimin e artistit dhe artit të tij, të mbytur në kakofoninë provinciale politike. Autori dhe regjisroja e shfaqjes para se të ftojë të tjerët, ata fillimisht ftojnë veten për të qenë më të guximshëm që të korrin fitore të reja. Të rrëzohen liderë supremë sa më shumë se vetëm kështu njerëzimi mund të fitojë duke i rrëzuar idhujt e krijuar vetë me dorën e tyre, ashtu siç ka shkruar Niçe te Agu i Mëngjesit, “fitorja më e madhe që njerëzimi ka arritur deri më sot është që nuk duhet të trembemi vazhdimisht nga bishat e egra, barbarët, zotat dhe ëndrrat tona”.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.