Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Autobiografia totale e Knausgaardit ose shkërmoqja e vetvetes në sytë e botës

Për ata që kanë durimin dhe kohën që të lexojnë norvegjezin Karl Ove Knausgaard, vjen e rekomanduar autobiografia e tij maratonike ”Lufta ime” – kontraverze dhe provokuese si rrallëherë ndonjë autobiografi tjetër. Në gjashtë vëllimet e kësaj autobiografie – rreth 600 faqe secila – shkrimtari norvergjez ka vendosur të jetë absolutisht, skajshmërisht, brutalisht i sinqertë. Ky sinqeritet i pakompromis është mbase tipari themeltar që e përshkon veprën e tij. Zatën, ky sinqeritet bëri që shkrimtari brenda natës të bëhej senzacion kur kjo vepër u botua rreth 15 vite më parë.

Edhe pse autobiografia përbën risi në letërsinë moderne, vepra megjithatë përbën bashkëbisedim me simotrat e letërsisë së fillimshekullit XX. Kështu, sillet ndërmend Prusti dhe memoria shqisore kur Knausgaard reflekton gjatë duke kujtuar ushqimin që kishte ngrënë si fëmijë, ashtu si Marseli që katapultohet në thellësi të kujtesës përmes ”madeleine” të famshëm.

Sinqeriteti si rrënim dhe rindërtim

Kundërthënia e parë e veprës fillon qysh në titull – Lufta ime, në norvegjisht: Min kamp, në anglisht: My struggle – titull identik ky me veprën famëkeqe të Hitlerit – Mein Kampf. Shih për këtë miqtë e kishin këshilluar që të zgjedhte një titull tjetër, mirëpo për Knausgaardin këto dy fjalë përshkruanin më së miri thelbin e veprës së tij. Autobiografia do të ishte një rrugëtim i detajizuar i jetës së tij nëpër faza, e rrëfyer pa asnjë cenzurë dhe plotësisht e hapur.

Vepra është sa autobiografike aq edhe psikologjike. Nëpërmjet saj lexuesi ka qasje të drejtpërdrejtë në thellësinë e shpirtit të autorit. Të shkruash në këtë masë të skajshme të sinqeritetit si Knausgaardi, të rrëfesh për angushtitë më intime, pasiguritë shpirtërore, frustrimet mbytëse seksuale, dehjet me alkool deri në alivanosje, fluturimet e dashurisë së lehtë pranverore, marrëdhëniet e lehta e jo aq të lehta me njerëzit përreth – pra, të arrish këtë nivel rrëfimi total e çarmatosës, është potencialisht degraduese dhe shkatërruese për veten dhe njerëzit përreth.

Knausgaard, duke e bërë këtë, ka rrënuar gati çdo gjë rreth tij. Ka rrënuar veten e tij, sepse duke shpupuritur të kaluarën jo aq të lavdishme, ai del në pah si mëkatar, frikacak, dështak, një anti-hero i vetvetes. Ka rrënuar raportet e tij me gruan e parë, pastaj të dytën, pastaj fëmijët, agjën, shokët e shoqet, simpatitë e rinisë. Krejt kjo sepse nëpërmjet veprës së tij, edhe ata portretizohen ashtu siç i percepton autori, pa asnjë retushim. Sa nga ne jemi të gatshëm që të shpalosim tërë jetën tonë para publikut të gjerë, sidomos kur këtë e bën një person tjetër? Knausgaard, duke qenë kaq i hapur me publikun, është nihilst me veten dhe rrethin e tij. Në misionin e tij nihilist ai nuk sheh arsye për kompromis, edhe nëse kjo shpie në prishje raportesh me njerëzit rreth tij.

*

Mirëpo, ç’është më e rëndësishme për artin, vepra e tij është njëkohësisht fuqizuese dhe çliruese. Kjo sepse të jesh kaq i hapur, pa asnjë cenzurë, t’i paraqitesh publikut lakuriq, ashtu si të ka bërë nëna, është guxim intelektual. Këtë nuk mund ta bëjë çdokush. Në gërmadhat e këtij rrënimi nihilist është rindërtimi. Dhe kjo s’ka se si të jetë ndryshe pasi që vepra është vetë e vërteta. Kjo shpjegon edhe asyen se pse vepra u pranua kaq rrufeshëm nga publiku. Pra, duke lexuar Knausgaardin, publiku intuitivisht e kupton se kjo që ky rrëfen është e vërteta. Se e tillë është vetë jeta, si e Knasugaardit: një lëmsh i turbullt dashurie, urrejtjeje, frustrimi, pasigurie të përziera bashkë.

Për shembull, vëllimi i parë ka të bëjë kryesisht me vdekjen. Raporti babë-djalë analizohet me një precizitet të pamëshirshëm, sensualitet drithërues, sinqeritet të pabesueshëm vetëmohues. Autori përshkruan ankthet që i kishte përjetuar si adoleshent sa herë që ishte në prezencën e të atit. Babai, kjo figurë e dhunshme në shtëpi, gjersa nëna paraqitet si një qenie e dhembshur por si gjysmë prezente në jetën e autorit. Me vdekjen e babait autori tregon të mos ketë ndier asgjë, pasi që kishte vite që nuk kishte kontakte me të. Mirëpo, mjafton një kujtim nga fëmijëria, nga një çast i rastësishëm lumturie me babain kur ky ishte fëmijë që shkrimtari të shkrehet në vaj nga pikëllimi. Në mes rreshtash lexuesi ndjen natyrën komplekse të raportit djalë-babë. Brenda ankthit e nënçmimit të ndërsjellë pipëtijnë ndjenjat e një dashurie të mbetur jetim e të papërmbushur përjetë.

Më tutje, në vëllimin e dytë autori shpalosë intimisht periudhën 30 e diçka vjeçare të jetës së tij. Pas një kolapsi emocional që pëson në Norvegji, ai braktisë gruan, shoqërinë, qytetet Bergen e Oslo, merr trenin dhe ikë për Stokholm. Kështu, pa plan, fillon një etapë e re në jetën e tij. Pason një dashuri e pastër në mes tij dhe një vajze suedeze, fryt i së cilës dashuri janë tre fëmijë. Jeta në Stokholm është e lehtë, e dashur, por edhe kjo dashuri fillon të amortizohet nën peshën e viteve e brengave të mërzitshme ditore. Frustrimet e jetës me fëmijë të vegjël në Stokholm shpërfaqen qartas kur ai thotë ”Ecja rrugëve të Stokholmit, modern dhe i feminizuar, me një burrë të tërbuar të shek. XIX brenda meje”.

Sinqeriteti i tij është i pakompromis edhe në vëllimet e tjera ku ai përshkruan pa cenzurë ndjenjat e përziera për shokët apo për vajzat e shkollës. Një si ndjenjë obsesioni që kishte kultivuar për një vajzë ende nën moshë madhore lë shije të hidhur për lexuesin. Por i tillë është Knausgaard në këtë vepër – i gatshëm që të rrëfejë çdo gjë dhe gjithçka.

Në vëllimin e fundit autori flet për të tashmen, për shpirtrat e së kaluarës, dashurinë, familjen, ndarjen. Libri ka edhe një kapitull ku ai persiatë mbi ca tema intriguese por edhe kontraverze si nocioni i liderit, karizmës, së bukurës, vrojtuar nga prizmi i liderëve si Hitleri, në mes tjerash. Është kjo një përpjekje e vështirë psikanalitike që të zbërthejë zhvillimet politike të Evropës para Luftës së Dytë Botërore nga pikëvështrimi i Hitlerit. Knausgaard nuk e justifikon atë, natyrisht, por ofron një pikëpamje shumë intriguese të rrethanave që shpien deri të ngritja e kryenazistit në Gjermani. Nëpërmjet kësaj analize Knausgaard përpiqet të emulojë autorë modernë të cilët i adhuron, si Robert Musil dhe Thomas Bernhard.

Image

Rrathët koncentrikë, autobiografikë

Stili i të shkruarit të Knausgaardit shpesh është krahasuar më atë të Proustit. Kjo është e vërtetë, sa për arsye se si shkrimtari kridhet në të kaluarën e tij, aq edhe për volumin e autobiografisë.

Mirëpo, është një teknikë e veçantë e të shkruarit të Knausgaardit, që i jep veprës së tij vulën e autenticitetit në letërsinë më të re. Ta zëmë, autori fillon të shkruajë për një episod të caktuar të së kaluarës së tij, për shembull kohën e tij si student 20 vjeçar në Bergen. Derisa ti si lexues je duke bashkëndjerë me studentin Knausgaard 20-vjeçar në Bergen, papritmas nëpërmjet kujtesës së tij ai të kthen edhe më tej mbrapa në kohë, p.sh. në përshkrimin e një darke me nënën e tij kur ai ishte fëmijë. Dhe pastaj ndodhë që nga aty të katapultohesh në një moment tjetër të së kaluarës së tij. Pas shumë rrugëtimesh të tilla nëpër jetën e tij, 50 apo 100 faqe më tej, papritmas kthehesh tek studenti Knausgaard 20-vjeçar në Bergen, për ta vazhduar rrëfimin aty ku ishte ndërprerë më herët. Ky është një aspekt labirintian i rrëfimit të tij që sfidon koncentrimin e lexuesit.

Ngjasimi me Proustin është evident, sidomos te aspekti i kohës narrative që nuk është lineare. Apo, thënë ndryshe, rrëfimi i tij autobiografik iu shëmbëllen rrathëve koncentrikë. Hedhja e një guri të vetëm në ujë shkakton rrathë të panumërt koncentrikë. Ashtu edhe vepra e Knausgaardit: një rreth koncentrik të gjuan në një moment të caktuar të së kaluarës së tij, pastaj rrethi që pason të hedhë në një moment tjetër. E kështu me radhë.

Për më tepër, rrëfimi nuk ka të bëjë vetëm me të kaluarën e largët por edhe me këtë të afërmen. Madje edhe me momentin e tanishëm, absolut. Kështu, në vëllimin e fundit, Knausgaard rrëfen për momente të ndryshme të së kaluarës së tij, por rrëfen edhe për të kaluarën kur shkruante vëllimet e para të autobiografisë (pra, në autobiografi ai rrëfen për autobiografinë e vet!). Dhe, kulmi, gjersa shkruan këtë vëllim përmbyllës të autobiografisë, ai rrëfen edhe për të tanishmen, pikërisht momentin e tashëm, të të shkruarit mu të kësaj autobiografie.

*

Siç u tha, alegoria e rrathëve koncentrikë është e përshtatshme për të përshkruar këtë autobiografi mbi autobiografi. Në këtë aspekt, vepra e tij është prustiane – sa i përket stilit të të shkruarit. Por ajo është edhe xhojsiane – që ndërlidhet me një si ‘përrua të ndërdijes’ që përshkon rrëfimet e tij delirante nëpër kohë dhe hapësirë. Në këtë sinor në mes Marcel Proust dhe James Joyce, Knausgaard ka prodhuar një autobiografi maratonike që lë gojëhapur për nga sinqeriteti, anipse ca nga temat mund të perceptohen si kundërthënëse e madje edhe skandaloze.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Kosovo Dispatch

In the second episode of Kosovo Dispatch, we talk to Agon Maliqi, an independent analyst and the co-founder of Sbunker, about the legal and...

Kritikë

Foto: Ninullë nga Adrian Asllani (2023) Mbi Ninullën e Adrian Asllanit Jetojmë në një botë në dukje të thjeshtë, me një rrjedhë logjike të...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.