Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Bota jonë e vogël e Bogdanoviqit të madh

Tre librat e parë të volumit “Serbia tjetër” janë përgatitur nga publicisti dhe aktivisti Shkëlzen Gashi. Libri i parë bën fjalë për arkitektin serb Bogdan Bogdanoviq, libri i dytë për politikanin serb Milosh Miniq, ndërsa i treti për avokatin Srgja Popoviq. Vlera e kësaj kolone nuk qëndron vetëm në faktin se që të tre këta intelektualë serbë u angazhuan jo vetëm për të drejtat qytetare të shqiptarëve, por edhe për të drejtat etnike të tyre, por mbi të gjitha, vlera e këtyre tre librave, përkatësisht këtyre tre personaliteteve, qëndron në faktin se secili nga pozita e vet dëshmon se sa e zorshme është të jesh në pakicë absolute për hir të njerëzores, humanes dhe bashkëjetesës mes popujve, përkatësisht sa zor është të dëbohesh nga komuniteti, nga përkatësia etnike dhe të përftosh epitetin e tradhtarit.

Që të tre këta personalitete përbëjnë shembullin më të mirë se si intelektualët duhet të mbrojnë të vërtetën dhe të drejtën pa kompromis. Në këtë kontekst duhet parë edhe vlerën e madhe të këtyre librave, në një kohë kur marrëdhëniet serbo-shqiptare vazhdojnë të jenë të tensionuara dhe pa gjasa të mëdha që të marrin një epilog të dëshirueshëm dhe të proklamuar nga këta tre përfaqësues të oponencës së politikës klerofashiste serbe. Njëherazi, këta libra japin një kontribut të çmueshëm edhe për kulturën e kujtesës, sikundër që ofrojnë një mësim se si mund të dilet nga llogoret ku janë pozicionuar popujt e Ballkanit, të cilët, në vend se të shihen sy më sy, vazhdojnë të shihen nëpërmjet tytave të pushkëve.

Në këtë refleksion do të ndalem tek figura e arkitektit Bogdan Bogdanoviq, i bindur se për hapësirat tona është një figurë thjesht emblematike. Kjo për shumë arsye. Bogdanoviq përbën modelin e intelektualit të përmasave tejballkanike. Është model i ndërtimit të opozitës jo vetëm politike, por edhe kombëtare. Si intelektual dhe arkitekt, Bogdanoviqi njeh pasojat e një urbicidi, siç njeh edhe pasojat e një gjenocidi, për të cilin dha ç’mundi që të mos ndodhte. Duket e natyrshme që arkitekturën e shihte si reflektim të shpirtit të njeriut, ndaj i qëndroi fuqishëm maksimës se ç’është njerëzore nuk është e huaj.

Në këtë libër janë marrë vetëm disa fragmente nga intervistat e shumta që Bogdanoviqi kishte dhënë për media të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, të cilat në kohën kur u botuan, kishim rastin t’i lexonim, thënë figurativisht ashtu të dala nga furra, ndërsa tani kur i lexojmë të nxjerra nga frigoriferi, shohim se nuk e kanë humbur shijen, por përkundrazi, të mahnitin me angazhimet dhe profecitë e këtij intelektuali të madh. Mbase edhe gjendja në Serbi nuk ka ndërruar shumë, ndërsa politika serbe vazhdon të ndikohet drejtpërsëdrejti nga klerofashizmi serb.

Kam filluar të hezitoj në parashikime e të them ndonjë gjë, nga frika se mos po përmbushen”, ishte shprehur në një rast Bogdanoviq. Dhe vërtet parashikimet merrnin një dimension profetik. Me saktësinë më të madhe do të parashikonte edhe fundin e Millosheviqit, kur në një intervistë të vitit 1991 do të shprehej tekstualisht kështu: “Nuk besoj se ai (Milosheviqi) mund të përfundojë jetën e vet e të mos ulet në bankën e të akuzuarve”. Njësoj në mënyrë profetike parashikoi edhe rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë, po në këtë vit: “Ju po thoni se nuk keni armë, por ta dini se në rast lufte përnjëherë gjenden armët, gjenden ata të cilët ju furnizojnë me armë… Mirëpo, ne, mendoj në rrethin e miqve të mi intimë, ju jemi shumë mirënjohës që nuk po e nisni luftën, që po duroni dhe po pritni. Por, edhe ne e dimë se kjo nuk mund të zgjasë shumë”. Në një intervistë të vitit 1997, Bogdanoviq shprehej kështu: “Le ta bëjmë një parashikim të vogël: nëse populli që i takoj unë, ia mësynë një lufte në Kosovë, ai këtë luftë do ta humbë”.

Duke kundruar politikën serbe jo si ngjarje, por si fenomen, Bogdanoviqi ndërtoi pandehmën e jashtëzakonshme: “Devijimi i mendimit që e solli një Milosheviq, mund ta sjell një Milosheviq të ri brenda një brezi a dy”. Dhe si rrjedhojë e kësaj solli Vuçiçin. Të gjitha këto të cekura më lart konfirmojnë faktin se Bogdanoviq ishte një intelektual i një kalibri të lartë, i cili njihte mirë zhvillimet historike, sociale dhe kulturore në këto hapësira. E dinte se e gjithë politika serbe ishte ndërtuar mbi mitin e rrejshëm për Kosovën, mit ky i ndërtuar nga Kisha serbe dhe i pranuar si një e vërtetë aksiomatike nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë, pjesë e së cilës ishte edhe vetë ai, i cili iku nga aty në shenjë proteste, më vonë për të ikur edhe nga atdheu i tij.

Unë jam njeri pa atdhe. Kam frikë nga vendosja e mureve”, do të shprehej në një intervistë. Muret ishin llogoret që kishin vendosur serbët në këto hapësira dhe që vazhdojnë t’i mbajnë aktive edhe sot, ndërsa Bogdanoviq nuk mund të ishte banor i një llogoreje. Ai dëshmoi fuqinë e një intelektuali të përmasave të jashtëzakonshme, i cili besonte se “Të fituarit e miqve është më e rëndësishme se pushtimi i territoreve”. Më shumë se ne nga shembulli i Bogdanoviqit do të bëjnë mirë të mësojnë serbët, të cilët një ditë do të jenë të detyruar, të nxitur nga kërkesat e arsyes së shëndoshë, që epitetin e tradhtarit t’ia zëvendësojnë me atë të heroit.

Bogdanoviq u lind në Beograd, më 1922, ndërsa vdiq në Vjenë, më 2010. Ishte pjesëmarrës i luftës antifashiste, e pastaj prefekt i Beogradit, atëherë kryeqytet i Jugosllavisë. Punoi si profesor i urbanologjisë në Universitetin e Beogradit dhe ishte ideator i shumë monumenteve historike, ndër to edhe i monumentit të minatorëve në Mitrovicë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.